Vendndodhja: ”Paqja mes popujve” - nga Corneliu Vlad



Me përfytyrimin e atij që mezi pret të mbushë të shtatëdhjetat (pse-në as vetë s’e di), do të thosha që Ardian Kyçyku është, në moshën dyzetvjeçare “edhe një çerek”, - siç do të shprehej Karaxhiale - një shkrimtar gjithaq i ri. Domethënë po aq i ri sa demokracia jonë “emergjente” dhe njëlloj i pjekur (jo, jo, bash plak-plak) si Ballkani. Është i ri ngaqë shkruan vazhdimisht ndryshe dhe plak ngaqë është mjeshtër i madh. Ka qënë fillimisht aed i botës shqiptare, më pas i hapësirës ballkanike, ndërsa tani është universal, i të gjitha hapësirave. Përfshi hapësirat e Jetës dhe të Vdekjes sidhe të kufirit mahnitës që i ndan. Kufirit? Mahnitës? Është vetëm “traseja” prej pesë stacionesh e autobuzit të vjetëruar e të stërmbushur ITB/RATB - me tufa lulesh, kapela, borsalina, pleq e plaka, erëra - që bën një ndalesë në “Shtegun mes hardhive”* dhe stacion të mbramë ka varrezën “Paqja mes popujve”. Është hapësira nga qënia tek mosqënia, por edhe e tranzicionit drejt demokracisë, me ”zërat e ngjirur të udhëtarëve, me kollën apo gëlbazat e thithura mbrapsht, me fytyrat e budallalepsura prej të vdekurish që i zgjon nga gjumi fisku, të themi, zilet e celularëve, copëzat e një muzike të pështirë... E sidomos era e ndyrë. Domethënë: erërat batërdisëse”.
Por fillin ndarës mes trevave të Jetës e të Vdekjes e sheh vetëm e vetëm Ardian Kyçyku. Pikat dhe vijat konvencionale që shënjojnë kufij janë kukullat që “mund të fitojnë një domethënie (por dhe fat) krejt tjetër tek kalojnë nëpër sprovën shpirtërore të lëndës së hirtë e të mendjes njerëzore” për t’u “përkthyer në një tjetër lëndë të parë” (lexoni librin “Vend për një kukull të vetme” dhe do të sqaroheni më mirë). Janë me shpirt apo pa shpirt këto kukulla? As njëra, as tjetra; edhe njëra, edhe tjetra. Gjithsesi, janë/jemi gjallesa/objekte të tranzicionit, sepse, siç shpjegon vajza që i bën kukullat bashkë me të atin, “nuk kemi të drejtë morale të bëjmë kukulla me fytyra tepër të mençur, nganjëherë madje ironike. Që të çlodhet e zbavitet, shoqëria e sotme ka nevojë vetëm për kukulla me pamje idiote. Të cilat u japin mundësi blerësve të ndjehen më pak fatkeqë, më pak të gjymtë, më të zgjuar”. Por pse flasim për letërsi tani, në një moment qytetar kaq përvëlues, në një fushatë zgjedhore me pikësynime kaq të madha? Thjesht sepse nesër a pasnesër do të mbahen mend emri i Kyçykut dhe i disa të tjerëve, jo emrat e llafazanëve dhe të gjithëpranishmëve tejet të fuqishëm të ditës. Nga tekstet e Ardian Kyçykut, ata që do të vijnë pas nesh do të mësojnë më shumë gjëra dhe më të vërteta, se sa nga fjalimet, artikujt dhe programet elektorale kalimtare. Mos vallë do të vrasin mendjen pasardhësit tanë, fjala vjen, për atmosferën zgjedhore, të tranzicionit, për ekonominë e tregut në lindje e sipër? Ja: “Në trungun e një peme rrinë njëra mbi tjetrën afishe të panumurta të harruara e të freskëta kandidatësh për deputetë, reklama koncertesh, shfaqjesh cirku, njoftime martesore, ftesa për të bërë nga një “teke” seks të rastit, numura telefonësh, njoftime zyrtare të bashkisë, ftesa për terapi qetësimi masiv, fotografi këlyshësh të humbur, shifra, simbole, reklama të një mjeshtri stufash e të një tjetri bravandreqës. Afishet janë zbërdhylur nga shira pleq dhe nga erërat. Portreti i një kandidati është këputur për mesi dhe, në vend të këmbëve, bien në sy kofshët e një valltareje që zhdërvjellet rreth një ushte”.
Një kronikë politike e mbështetur mbi një shkrimtar i cili as që dëshiron të dëgjojë për politikë, kur bëhet fjalë për Ardian Kyçykun, nuk është as oksimoron, as diversion, as moskokëçarje ndaj autorit. Sepse Politika, në fund të fundit, është dhe duhet të jetë, Jeta. Grekët e lashtë shihnin tek politika shkencën, e cila përpiqej të përfytyronte një regjim ideal. Dorë më dorë me jetën. Tash për tash, regjimi i përkryer i ëndërruar me sa duket ndodhet në ndalesën e fundme të autobuzit, në “mjedisin” e quajtur ”Paqja mes popujve”.
* Në origjinalin rumanisht, teksit i A.-Ch. Kyçykut ka edhe kuptimin Shtegu mes të gjallëve.

Marrë nga www.amosnews.ro, 2 nëntor 2009.