Kinemaja, ose Dashuri me shikim të dytë…



Zhani CancoMë 28 dhjetor 1895 vëllezërit Lumière shfaqën publikisht disa filma të xhiruar prej tyre. Kjo datë shënon edhe lindjen e kinemasë, e cila, me kalimin e kohës, u përsos, si nga pikëpamja teknike, ashtu edhe nga ajo artistike. Më pas u kalua nga ekrani i madh i sallës kinematografike në ekranin e vogël të televizorit, dhe tani së fundi : në atë të kompjuterit e celularit. Në cilin ekran mendoni se e gjejnë veten më afër personazhet tuaja?


Ardian-Christian Kyçyku: Si shumica e zbulimeve, ose vegimeve, Filmi zgjoi adhurim të skajshëm, por edhe kundërshti. Nuk di nëse qysh në fillim u kuptua se ai i drejtohet shpirtit përmes shqisave dhe mund të ndihmojë, për mirë a për keq, vetëm aq sa mund të ndihmojnë shqisat. Kurse Libri i drejtohet shpirtit, me synimin që t’i sjellë shqisat në harmoninë e parme, edenike. Fjala hyn ndryshe në sy, sepse del nga syri i brendshëm i autorit, ku një ekran i rruzullt (sferik) përmban çdo mundësi paraqitjeje të idesë dhe frymës. Vetiu bindesh se shprehitë e fjalës me arte të tjera, veç atij të shkrimit, ndodhen nën Fjalën. Ecuria e filmit është emblematike dhe pasqyron qartë trandjet, rëniet dhe ngritjet e qenies njerëzore në këtë epokë. Ndoshta pamundësia për të shijuar jetën ashtu siç ëndërron, shpejtësia me të cilën bjerret koha që kemi për të menduar, për të kujtuar, për ta ndarë qymyrin nga diamanti, apo blozën nga zjarri, e shtynë njeriun që të zbulojë kinemanë, hapësirën që pavdekëson, - sado kalimthi, - atë që nuk e shohim tek e përjetojmë. Me kalimin e kohës, gjërat rodhën ndryshe: mjeti nisi të këqyret si vetë pushtimi i një maje shpirtërore.