Gjysma e tretë e vështrimit


Disa mendime pas leximit të librit
As ti e as unë nuk e shohim Zotin” – dialog në internet me një vajzë të verbër.
Novruz Xh. Shehu - Blerina Shalari

Loja "Kok-a-sy" (Copyright A.-Ch. Kyçyku)
Letërsia është shumë më e lidhur nga sa duket me verbërinë, jo vetëm ngaqë Homeri gërshetoi e përktheu bëma e ndjenja të kësaj bote në ca metafora, ndaj të cilave lexuesit me sy (dhe dëgjuesit) ishin gati shurdhmemecë. Këqyrur thjesht, letërsia mbetet ende një akt arratie dhe strehimi të përkohshëm në të Padukshme, një sitje e qënieve, sendeve, ndjesive etj, pastaj „përkthim” i tyre në fjalë që mund t’i ringjizin të mësipërmet në vetëdijen e të tjerëve dhe t’i sjellin në këtë botë si nga e para, ose si për herë të parë. Mbase çmeritja që diçka e tillë qënkej e mundur, i veshi Homerit hijen magjepsëse e plot fshehtësi të të verbërit. Qysh nga kryeveprat e lashta letrare, ku enden plot qënie me sy e pa shikim, pa sy e me shikim të pashpjegueshëm, dhe ku ata pa sy janë më të mençur, më tejpamës e më të pushtetshëm shpirtërisht se sa të tjerët, u rrënjos bindja se të verbërit shohin atje ku ne të tjerët nuk arrijmë dot. Në një farë mënyre, secilës palë i mungon një pjesë shikimi, aq sa duket sikur të verbërit vijnë nga vdekja në jetë, kurse ne: nga jeta në vdekje.

Gjithmonë të verbërit më janë dukur më të sigurtë, më të regjur me hapësirat e vdekjes. Ashtu siç mund të ndodhë që ne t’i mbajmë për krahu në këtë botë, ata duken të aftë që të na prijnë mes skërkave, honeve e fushave të vdekjes. Mirpo me kalimin e kohës nëpër lexime e sidomos shkrime, kupton jo pa një farë zhgënjimi se, sikurse në letërsi, - ku nuk mjafton të vuash për të shkruar kryevepra, nuk mjafton të mërgosh a të kthehesh për të qenë shkrimtar, nuk mjafton të ndjesh thellë për t’i kënduar pavdekësisht dashurisë etj, - as në lëmin e pafundëm të vështrimit, nuk mjafton të mos e shohësh këtë botë, që të mund të shohësh më qartë botën tjetër, atë që, falë fshehtësisë, duket jo vetëm më jetëgjatë, por edhe pakrahasimisht më e përsosur se kjo e dukshmja.

Kanë kalur mbi dy mijë vjet që kur Shën Pali tha, mes të tjerash, se „Trajta e jashtme e kësaj bote tashmë po kalon”. Nuk kam ndjerë ndonjë hidhërim apo mllef të shënjtorit ndaj trajtës së jashtme të kësaj bote në ato fjalë, - se nuk duhen ngatërruar bëmat e çartura të krijesës me thelbin e kryeveprës së Krijuesit, - por vetëm kumtin se, qysh nga ai çast, qëniet që dinë të bëhen të zgjedhura, do të nisin të jetojnë kryesisht në zemrat e tyre. Sepse vetëm zemra, me butësinë dhe lirinë e saj të lindur, prej muzike, mund „t’ia çjerrë maskën” çdo kopjeje apo gjasmimi që ngulmon të duket origjinal, çdo sazeje që krenohet si me qenë vetë muzika, çdo fjalie që përdhosjen e dritës ngutet ta paraqitë si bekim e melhem shpirtëror. Pra, ne, duke vështruar në thellesi të zemrës sonë me përmendjen e pandërprerë të Zotit, - shton më vonë Diadohu nga Fotiçea, - të jetojmë në këtë jetë mashtruese si ca njerëz pa shikim. Se është në thelbin e mençurisë shpirtërore që ta ruajë prore pa krahë mallin e shikimeve. Drejt kësaj na prin edhe aq i sprovuari Jov kur thotë: 'Zemra ime nuk shkoi pas syve të mi'”.