A.-Ch. Kyçyku: "Je shkrimtar kur nuk je asgjë tjetër, por edhe kur vetëm shkrimtar nuk je dot"



Flora N. Nikolla: Si dhe kur e kuptuat dashurinë tuaj për letërsinë?

Ardian-Christian Kyçyku: Më duket se përgjigja më e ndershme, në frymë letrare, do të ishte: pak para se të lindesha – pak para se të vdisja.

Cilët janë elementët që në tërësi përbëjnë dhe formëzojnë jetën e një shkrimtari profesionist?

Je shkrimtar kur nuk je asgjë tjetër, por edhe kur vetëm shkrimtar nuk je dot. Nga gërshetimi i këtyre dy jetëve të skajshme më duket se fitohet ai vështrim që përshkon kohërat dhe muret e së dukshmes dhe të së tashmes.

Cilët janë personazhet tuaja, si lindin dhe si zhvillohen ata; a ju interesojnë personazhet nga pikëpamaja psikanalitike, apo …

Pas një çasti të caktuar, - po e quaj edhe numur faqesh të shkruara, - është e vështirë ta ndash personazhin nga gjendja. Letërsia e ka zhvendosur tashmë forcën e rëndesës. Në thelbin e vëmendjes së saj nuk ka si të jetë më tipologjia, ndoshta ngaqë njeriu i sotëm ka kapërcyer çdo cak që e ruante brenda njeriut dhe shpesh kopjon gjendjet nëpër të cilat jeton, ose vdes pa e kuptuar. Psikanaliza u quajt me të drejtë një sëmundje që e pandeh veten ilaç. „Ata mburreshin se i kanë të gjitha ilaçet, unë nuk kisha asnjërën prej sëmundjeve”. Më qartë se ç’e kam shkruar këtu, zor ta them.

Si lind një vepër tek ju ... Çfarë ju nxit të shkruani ... ?

Ardian-Christian Kyçyku: "Një botë më tutje" (onLine)



Pjesa “Një botë më tutje” mund të zbërthehet edhe si “Ja ç’bënë e ç’nuk bënë nganjëherë shqiptarët për të shumëpërfolurat luftë, paqe, famë, art, mbijetesë… ”. Përfaqësuesit e tri breznive të fisit Vrana, në kapërcyellin mes dy shekujve, zgjedhin një rrugë të panjohur për të mposhtur kohërat. Ideja e tyre është e thjeshtë dhe gjeniale, e frymëzuar ndoshta edhe nga njëfarë lodhjeje, ose zvordhjeje gjenetike ndaj luftrave. Gjyshi (Plaku Vrana), djali i tij (Poeti i Pabot(ë)uar), dhe nipi (Djaloshi) hyjnë me vetëdijë të plotë në një “betejë” që, me kalimin e kohës, synon të vendosë paqen, ose të paktën të shpëtojë sa më shumë jetë të pafajshme. Ata pranojnë të luajnë një rol të rrallë, me një thelb të ndjeshëm poetik dhe ëndërrtar. Hiqen sikur luftojnë, dalin në televizor, në lajme e dokumentarë që paraqitin jetën e ballkanasve, duke harxhuar njëherazi sa më shumë municion.
Veprimtaria e Vranajve mund të emërtohet edhe “verbim plumbash”. Mirpo poezia, ose teatri i tyre, shlyhen me gjak, jo si në art. Art është vetëm jeta e tyre; vdekja mbetet pó ajo që mbyll çdo jetë njerëzore. Nga një botë më tutje, të tjerë vdekatarë bëjnë çmos e nuk stepen para asgjëje që municionet të mos shkojnë dëm. Njëra palë flijohet për çarmatimin, kurse tjetra: për arritjen e paqes përmes vdekjes së sa më shumë njerëzve. Është vetëm njëra nga linjat që lidh e ndan dy botët e pranishme në pjesë (pa llogaritur botën e teatrit), derisa të gjitha treten në botën tjetër. Nga ku, në gjendjen e tanishme, çdo botë është vetëm “më tutje”.
Ardian-Christian Kyçyku
2012