Ata dhe Aty

Photo & Copyright Iulia Enkelana
Nuk e dija që kisha një kockë pikërisht aty. Apo më shtrëngon ndonjë dorë e zezë, që synon të më marrë frymën? Më dëgjon?
Po, zemër.
Edhe zemra kështu më përgjigjet, më ka ardhur në majë të hundës. Gjej ndonjë ledhatim tjetër, se jemi bërë si në kasaphanë.
Po ‘shpirt’ të duket ca si shumë. Edhe mua.
Atëhere hiqi fare dhe bjeri shkurt: po – jo, se fjalët e tepërta vijnë nga i paudhi.
Do ngrihem të bëj kafenë. E martë është sot?
E hënë. Po pasditja e së hënës është tashmë e enjte.
Tënden e ke këtë?
Kë?
Shprehjen.
Jo, po ç’rëndësi ka?! Po të rrish të zgjedhësh se ç’kemi tonën e ç’kemi nga të tjerët, i bje që vetëm ca po e ca jo janë tonat. Edhe ato…
Ehe, po e jo kanë të gjithë.
Po, por i thonë rrallë e më rrallë. Disa vdesin pa i thënë kurrë.
Paska gdhirë. Po kur u gdhi kështu?!