Dorëshkrimet, Europa dhe pyetje të tjera

Prof. Dr. Ardian Kyçyku
  


Pas leximit të librit “Kodikët kronografikë të Shqipërisë” (Shkrime dhe dorëshkrime prej Rilindjes Europiane deri në Rilindjen Kombëtare) të prof.dr. Shaban Sinanit, Botoi “Naimi”, Tiranë, 2014
  

Shkrimi dhe historia

Jo gjithmonë shkrimi është fund i një bote dhe fillim i një tjetre. Fati i dyfishtë i shkrimit, që është fat i dyfishtë edhe për të ardhmen historike, - herë si bekim e herë si prapësi, - ndeshet sidomos në periudhat kur çështja e mbijetesës trupore duket më e rëndësishme se sa vetë shpirti. Shkrimi “mbyll” e ruan në Kujtesë disa të vërteta që duket se, përkohësisht, ose edhe përjetësisht, do të dalin nga vëmendja. Në të njëjtën kohë, teksa pasuron Kujtesën, shkrimi degdis në harresë ngjarje që s’kanë të ardhme, ndonëse duken si vendimtare. Gjithkush mund të vërejë sot se, kur cilësia e jetës bie, historinë dhe dijen njerëzore e përshkojnë njëherazi, shpesh me të njëjtën forcë, - a thua se duan të sillen si shkrimi, - dy lëvizje: shtohen librat pa thelb, shoqëruar me shumë llafe, lavde, tubime e çmime (gjë që i ngujon, ose i dëbon rrethinave të shoqërisë autorët e mirëfilltë, dijetarët, shkencëtarët) dhe: hartohen disa (pak) vepra, të cilat do të bartin kujtesën dhe strukturën shpirtërore të një populli në një, dy, ose më shumë shekuj që pasojnë. Sa herë varfëria duket e padurueshme, gati aq sa ç’bëhet e tillë kamja e shfrenuar, babëzia dhe prishja e të folmeve, njerëzimi gjunjëzohet para psikozave të shkatërrrimit të botës, i bindur rrejshëm se kjo po ndodh për herë të parë e të fundit me këtë brezni, se këtu na çuan marrëzitë dhe mëkatet (e ditura e të panjohura të paraardhësve), por edhe bëmat e frikshme të atyre që duken si bashkëkohës. Sepse kuptimi i fjalës bashkëkohës ka dy presa: mund të jesh bashkëkohës vetëm me të tashmen, por mund të jesh bashkëkohës me vetë Shkrimin, me atë që harton përtej shikimit historinë “e nëndheshme”.

Për fat, pikërisht në kohëra të tilla dalin në dritë, pavarësisht se sa të dukshme bëhen, vepra me rëndësi parësore për kulturën dhe dijen e një kombi. Një libër i tillë është Kodikët kronografikë të Shqipërisë” (Shkrime dhe dorëshkrime prej Rilindjes Europiane deri në Rilindjen Kombëtare) i profesorit Shaban Sinani, shkencëtar i përkushtuar dhe i pajisur jo vetëm me vullnet të pazakontë, por edhe me një paanësi, të cilën do të duhej t’ia kishin zili, në mos po t’ia përvehtësonin mjaft shkencëtarë tanët, fqinjë e më tej. Pas një përvoje shumëvjeçare në botën e hulumtimeve shkencore dhe pas mbi dhjetë vitesh punë me librin e mësipërm, kur shtrohet çështja e ecurisë dhe fatit të (dorë)shkrimeve me vlerë, autori e shpreh qartë mendimin e vet: “Zhvillimet kulturore dhe mendore, edhe në periudhat më të rrepta, i tejkalojnë kufijtë gjeografikë, krahinorë, shtetërorë”. Kjo ndodh sidomos në të rreptën kohën e tanishme, kur atlaset vjetërohen më shpejt se letërnjoftimet, kur letra dhe boja gati kanë dalë nga qarkullimi, kur kujtesa e shoqërisë po njësohet me kujtesën e shtypit, dhe kur dora, zgjatimi i trurit, është e detyruar të merret me gjithçka tjetër përveç shkrimit.


Lexuesi(t)

Duhet thënë qysh në krye të herës se, edhe ngaqë përmban e ndriçon një sërë kodesh / çelësash metaforikë të shumëfishtë, “Kodikët kronografikë të Shqipërisë nuk u drejtohet të gjithë lexuesve, por padyshim duhet që sa më shumë lexues t’i drejtohen atij, sidomos nëse kanë ndërmend të ndihen sadopak krenarë për çështje të vërteta, - përtej çdo shkëlqimi të rremë, apo bymimi me prejardhje ideologjike, - siç janë shqipja e përhershme, mbijetesa e kombit shqiptar, e hapësirave të ndryshme të Mërgatës, përkushtimi i disa viganëve që e shohin qëndrimin në hije si përmasë të jetëgjatësisë së kombit, por edhe si mpakje e ndikimit të padijës. Në veprën e prof. dr. Shaban Sinanit dëshmitarët e Historisë dhe të Kujtesës përmenden me emra e mbiemra, me të dhëna jetësore e bibliografike; janë shembuj të gjallë se si duhet punuar të paktën në lëmin e shkencës dhe, për nga vetmohimi dhe idealizmi, nuk ndryshojnë fort nga dëshmorët. Riparja me vërtetësi, sado shkurt, por plot domethënie, e personaliteteve (Pjetër Bogdani, Nikollë Keta, Theodhor Kavalioti, Daniil Voskopojari, Jeronim de Rada, Ali Pashë Tepelena, Shën Kozma Etoli dhe një varg i gjatë shkruesish, rishkruesish, pasanikësh mendje e xhephapur, bukurshkruesish, ruajtësish e gjurmuesish të kodikëve etj) përforcon bindjen se ajo që bëhet me shpirt, pavarësisht pabesive dhe trandjeve historike, nuk bjerret dhe se, në kohëra që janë mbuluar qëllimisht me mjegull e terr, mirëkuptimi të paktën ndërballkanik, - në rrafsh kulturor e fetar, - nuk ka qënë një sajesë. Nën të dhënat e shumta lexuesi do të shohë qartë anësinë e disa studiuesve, por edhe ndershmërinë dhe mendjen e hapur të të tjerëve.
Botimi i librit “Kodikët kronografikë të Shqipërisë është një vegim për lexuesin e zgjedhur, i cili, për arsye të shpjegueshme, deri më tash ka pasur dijeni të copëzuara rreth hapësirës që mund të emërtohet Shqiptarí, Shqipëri Europiane, ose Europë Shqiptare. “Një nga arsyet pse shumica e dorëshkrimeve kronografike janë identifikuar shumë vonë (një pjesë e tyre ende nuk janë identifikuar), shënon autori, është edhe hyrja e vonët e tyre në arkiva. Por arsye më të rëndësishme lidhen me filozofinë e të kuptuarit të historisë në Ballkan. Para së gjithash, ka penguar dhe pengon ende të kuptuarit e gjuhës si kufi. E tashmja mbetet ende e çuditshme: asokohe bartësit e gjakut arbër kishin gjuhë dhe kërkonin me ngulm një alfabet, kurse tani, duke pasur alfabet, vepra dhe kryevepra të sprovuara në vite, disa rropaten të shkatërrojnë gjuhën. Kam përshtypjen se shumica e tyre e bëjnë këtë pavetëdijshëm, gjer edhe vetëm nga pamundësia për ta njohur, për ta shkruar e për ta folur shqipen si duhet. Shkaqe dhe shpjegime për gjendjen e sotme mund të ketë shumë, por në thelb, si dikur, sërish qëndron padija dhe thyerja e baraspeshës që duhet të sundojë mes prejardhjes gjuhësore, gjeografike, familjare, të gjakut etj, dhe nivelit të paranojës (jo vetëm në kuptimin e mbrapshtë, por edhe thjesht psikologjik, ndonjëherë edhe mjekësor) të secilit. Nëse do të donim ta shihnim edhe anën tjetër të medaljes, në përputhje me Gjuhën si kufi, mund të thuhet se, ngaqë dimë shumë gjuhë të huaja, edhe falë zgjerimit të Fshatit Global, i bie që ne shqiptarët të kemi një truall kulturor të gjerë sa rruzulli.


Dorëshkrimet si pengje

Sado e habitshme të tingëllojë, Europa për të cilën shkruan prof.dr. Shaban Sinani në veprën e tij, - e fanitur pas lëçitjes së kodikëve, letërkëmbimeve, dokumenteve zyrtare, - ngjan mjaft me Europën e sotme. Lindja dhe Perëndimi janë ende në një marrëdhënie të koklavitur, e cila fort rrallë është ashtu siç duket, ose siç paraqitet. Pjesa më e madhe e gjërave vendosen dhe ndodhin shumë larg trajtës që ato marrin në shtyp, në letërsi, në hapësirën virtuale e madje edhe në atë shkencore. Kriter vlerësimi ende ka mbetur mirëqënia, në dëm të dhuntisë, veçmas të dhuntisë që nuk del për shitje. Për këtë arsye dorëshkrimeve me vlera u kanoset vazhdimisht “burgimi”, ose zhdukja. Disa shembuj nga libri: “Ilo Mitkë Qafëzezi njofton për zhdukjen, në shekullin XIX, të Katastikut të vjetër historik të Voskopojës (καταστικον), i cili, siç thonë pleqtë intelektualë të sotmë voskopojarë, paska qenë ‘i madh e i rëndë sa një anë kali’”. I njëjti përshkrim i bëhet prej kronikave dhe kujtimeve atij që voskopojarët e quanin Ungjilli i Gjallë, i bukurshkruar nga kopjuesi në pergamenë të shtrenjtë, dorëshkrim tek i cili besimtarët varnin shpresat e tyre të jetës njësoj si ata të Beratit tek Codex Purpurues Beratinus. (...) Dorëshkrime të rralla që kanë qënë trashëgimi e botës shqiptare janë zhdukur deri në kohët moderne. Sipas një relacioni që mban datën 23 dhjetor 1992, në rrjetin shtetëror të arkivave u pranua një kodik me vlera të jashtëzakonshme, me përmbajtje ungjillore, në starosllavisht (sllavishten e vjetër), shkruar me aflabetin glagolitik. Ky kodik u takonte shekujve XIV ose XV. Megjithëse dorëshkrimi i sapopërmendur qëndroi mbi tre muaj në arkiv, nuk u arrit ndonjë marrëveshje me pronarin, qytetar nga Shkodra, i cili, në vend të shpërblimit, kërkonte një vizë hyrëse në një shtet të Perëndimit”. Nëse ngjarja e mësipërme do të këqyrej me sytë e një metafore letrare, - zona e teatrit absurd, - ‘pronari’ i dorëshkrimit në fjalë përpiqej të këmbente një truall të madh me vizën për të hyrë një truall shumë më të vogël. Fatkeqësisht, metaforat nuk e mbajnë gjallë njeriun, edhepse, historikisht, mund të mbajnë gjallë shpirtin e një populli të tërë.
“Nuk dihet numri i dorëshkrimeve që humbën në kohërat e errëta të ateizmit”, shton autori. (...) Lumo Skëndo e kishte shprehur këtë shqetësim (të ruajtjes së dorëshkrimeve, - sh. im, A. K.) në formën e një pyetjeje që përmbante më shumë dëshpërim se shpresë: Do të dalë vallë no një i pasur, no një mprojtës i letravet dhe i letrarëvet, që të ket trimërinë sa të marrë në mprojtje të tij editimin rishtazi të libravet të bëra të ralla dhe të pa gjetshme; dhe ata dorëshkrime të ruajturë prej një fati shumë të mëshirshmë, po që janë kurdoherë në rezik të humbjesë prej mykut, zjarit, dhëmbit të miut ose dorës’ së njeriut?”
Mendoj të ndalem pak në historikun e vjedhjeve, zhdukjeve, prishjeve dhe mbajtjes peng të dorëshkrimeve të rralla (jo për nga numuri i kopjeve, por për nga cilësia e të vërtetave që mbartin). Është një historik i pasur në përpjestim të zhdrejtë me përmasat e një vendi. Në vendet e mëdhenj, mungesa e dorëshkrimeve të rrallë nuk ndihet, ndonjëherë as për shekuj me radhë, sepse historia e tyre shtjellohet në një tjetër rrafsh gjeopolitik, atje ku historinë e bën fitimtari, dhe rëndom në vende të tillë fitimtarët e bëjnë kalimin e pushtetit në mënyrë të atillë, që të mos ketë humbës. Në vendet e vegjël, ku prore, ose pas çdo zgjedhjesh, shtrohet çështja e mbijetesës përmes kalimit nga një nënhije tek tjetra, dalja në dritë e disa dorëshkrimeve (të vërtetave, të dhënave të padiskutueshme) mund të shkaktojë trandje të cilat shoqëritë përkatëse nuk janë (më) të afta t’i përballojnë. Nga ana tjetër, trajtat gjeopolitike shumëvjeçare nuk i honepsin fort të vërtetat që mund të ndryshojnë hierarki, qofshin këto edhe vetëm në lëmin e imagologjisë. Por ka edhe arsye të tjera, - të ‘shartuara’ me besim ‘jashtëshkencor’, siç është ‘habent sua fata libelli[1], - që duhet të bindin se asnjë dorëshkrim i rrallë nuk humb, nuk zhduket, por vetëm mbahet (mbetet, qëndron, si në pritë) peng, e jo medoemos nga dikush, por edhe nga të vërtetat e veta. Sa i përket errësirës së ateizmit, ajo nuk mpaket njëheresh me zgjerimin e lirive qytetare, madje shpesh, me shkuesinë e mamonizmit, dendësohet, shtohet, duke veshur shpesh maskën e vetmohimit, trymbetimin e të drejtave të njeriut, të bashkësisë, servilizmin bajat që synon të shitet si atdhedashuri, apo edhe predikimin pa mbështetje në fakte...
Nga pikëpamja shkencore, pavarësisht nga mjegullat, humbjet dhe rreziqet, - këta të fundit të përnjimendtë, apo të sajuar, që shpesh sikur shlyejnë një gjobë për mbrojtjen dhe daljen në dritë të disa dorëshkrimeve edhe më të çmuara, - dijetarët e shqipes as nuk e ndërprenë e as nuk e ndërpresin veprimtarinë e tyre, duke marrë vetiu parasysh mundësinë që, pas daljes në dritë të një dorëshkrimi, puna e tyre të vihet në pikëpyetje, ose të ketë shërbyer për tjetër gjë. E qartë është që shkrimi dhe botimi janë në thelb të gjuhës shqipe, pas një tradite gojore jashtëzakonisht të pasur dhe befasuese. “Ishte fundi i shekullit XVII kur, për herë të parë, - shkruan prof.dr. Shaban Sinani, - në veprën e njohur Cuneus prophetarum, Pjetër Bogdani shqipton si qëllim të librit të tij mallin e shtampësë[2]”. Ose Jul Variboba, “në njërin prej dy teksteve hyrës të veprës së tij Ghiella e Shën Mëriis Virghiër (Roma 1762)”, mbjell një tjetër gur themeli në vlerësimin e shqipes: Oi endermia Regin!: Nani fiassem paa latine na ti di, ζogna e S. Mërij. E chee prittur mai ti caa ghjacùn rigalaartur gni rimm’ e arbëresc mbi chit manner e cacchj e ghjatt si ast chiȯ ci somenȧt ti vaa ndir duar? U e dii sa ndir ghjθ ghjughet ti tiera chee passur achhj rimm’ ti ghjatta e t’ȧmbeglia e ti bủcura saa si caan cund e numer, ma ndi ghjughet tann’ arbërest mund θom se chiȯ ast e para ci ti vien nani, chiȯ ci ti rifien ghjθ ghjellen tande, ghjθ ghareet, edė duluret, e ghosdat ci ti spuan ė ζamëren, cuur isce ndi chit jett. Gn’ater chanëc, si chiȯ, certu se ningh e chee passur mai, nemangu t’arbërest e caan passur[3]. Mirpo shqipja ishte pandashmërisht e lidhur me dheun e të parëve dhe me karakterin vetjak, por edhe historik të shqiptarëve, siç këndohet nga Nikollë Keta (Nicolò Chetta):

Kush të huajt ndih, përkëmb Arbrinë tha. / Përse Arbri ndien dhunë, ka nder, e he, / Arbri qime ndërroi, zakonë s’e la. / Me kordhë, me tifek, Arbri përble, / Për gjakun e tij po gjak Arbri dha[4]. (...) Fallem nddersë t’Arbrit, / ggiacu’t culluam farëmirit[5]                                   
                                               

Lindja, Perëndimi, ç’kanë qënë...

Duke u mbështetur në dëshmitë e panumurta që sjell libri “Kodikët kronografikë të Shqipërisë, nuk duket e rastit as ngjashmëria e disa qëndrave kulturore ballkanike me pjesët më të zhvilluara të Europës, dje dhe sot. Mund të bëhet edhe një ndarje, për lehtësi paraqitjeje[6]:

a. Kultura, botimet, marrëdhëniet me të huajt:
“Të shumtë qenë voskopojarët që dhuruan prona e pasuri të tyre për ndërtime kishash e manastiresh të ritualit romak, sidomos për ndërtimin e Kishës së Përgjumjes së Shën Mërisë në Budapest. Me prejardhje nga Voskopoja ishin 177 familje që dhanë ndihmesë për ndërtimin e kësaj kishe. Po aq të shumtë ishin edhe pjesëmarrësit në revolucionin kombëtar grek, krahas kapedanëve moraitë dhe kryengritësve suliotë. Nga disa studiues është përmendur madje një proces venetizimi që mbeti i papërfunduar, i njëjtë me atë që patën nisur qysh në fund të shekullit XVI të krishterët bregdetas, të Himarës me rrethina, duke u orientuar drejt kishës romake, me kushtin që të ruanin ritin bizantin. Tregtarët voskopojarë mbajtën për një kohë të gjatë rolin e ndërmjetësuesve, përkthyesve dhe agjentëve tregtarë jo vetëm me tregun e Venetikut, por dhe me konsujt e tyre në Ballkan. Shkronjat dhe tipografitë vinin nga Venetiku, bashkë me to dhe modelet e shtampës, idetë dhe polemikat. Megjithëse manastiret e Shën Naumit dhe të Shën Prodhomit kishin varësi që buronin prej dy ortodoksive me kryeqendra të ndryshme kishtare, pravosllavizmit (православская церковь) dhe Patrikanës së Stambollit, midis tyre kishte marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi. Nektar (arkimandrit) Tërpo Voskopojari, i quajtur dhe murgu i tre manastireve: Shën Naumit, Shën Gjon Prodhomit dhe të Ardenicës, kur hyri në konflikt me sundimtarët osmanë për shkak të forcimit të kushteve për islamizim, dhe më pas edhe me klerin vetë, mërgoi në Itali. (...) Fenomeni Voskopojë nuk qe një vetëtimë që ndriçoi e u shua pa gjurmë. Zhvillimi iluminist i saj u ndërpre në mënyrë të dhunshme disa herë, por modeli që krijoi ky qytet në shekullin XVIII mbijetoi atje ku u rivendosën voskopojarët e shpërngulur. Një prej këtyre qendrave është qyteti i Manastirit, popullsia e të cilit njeh rritje të menjëhershme me mbërritjen e shpërngulurve nga Voskopoja më 1769 dhe më vonë, më 1812. Pas këtyre viteve jeta e këtij qyteti ndryshoi rrënjësisht. Manastiri u shndërrua në një qendër intelektuale multietnike, multigjuhësore, multialfabetike e multifetare. Shumë shpejt ai u bë qendra më e rëndësishme e rajonit, duke zënë pak a shumë vendin e Voskopojës, me shkollat, gjimnazet e seminaret në gjuhët greke, vllahe, serbe e bullgare dhe, më së fundi, duke u bërë kryeqyteti i shkronjave shqipe. Shkollat e Manastirit kishin aq autoritet, sa nxënësit e tyre pranoheshin në Universitetin e Athinës pa konkurrim. Mbështetësit më të mëdhenj të shkollave të qytetit ishin emigrantë të pasur, të vendosur në Perëndim, donacionet e të cilëve mundësuan ndërtimin e funksionimin e tyre”.

b. Vllazëritë, kultura e punës, ndershmëria, shqisa e drejtësisë:
Ja disa nene nga Statuti i esnafit të bakallëve të Voskopojës, hartuar për herë të fundit në vitin 1779: 1. Anëtarët (vëllezërit) e esnafit duhet të kenë dashuri brenda shoqërisë, si kusht për të fituar mbi kundërshtarët; 2. Mjeshtrat (ustallarët) të nderohen; ata janë përgjegjës për çirakët (nxënësit) e tyre; 3. Ai që nuk u bindet urdhrave të mjeshtrit, përjashtohet nga esnafi; 4. Anëtari që keqtrajtohet, fyhet a poshtërohet, nuk duhet të kërkojë hakmarrje a ndëshkim prej ndonjë autoriteti tjetër, përveçse para esnafit vetë; 5. Dënimet jepen vetëm nga esnafi; 6. Nëse nxënësi shan esnafët më të vjetër, apo fyen njerëzit që vizitojnë tregun, ndëshkohet me fshikullim, por jo në sytë e popullit: ndëshkimi jepet në magazinat e tregut, në mënyrë që të mësojë si të sillet; 7. Kur thirren nga mjeshtri, vartësit duhet të lënë çdo punë dhe t’i përgjigjen atij; 8. Nëse një anëtar i shoqërisë vdes, të gjithë duhet të marrin pjesë në varrimin e tij; 9. Anëtari (vëllai) që vërtetohet se ka krijuar miqësi me zyrtarë turq, për të përfituar ushqime: peshk të konservuar me kripë, fasule apo diçka tjetër, përjashtohet nga esnafi; 10. Dyqanet të dielave nuk punojnë, por të zotëve të tyre u lejohet të qëndrojnë jashtë derës së dyqanit. 11. Nëse dikush vjen për të blerë dhe kërkon një mall, bakalli që gjendet aty mund t’ia japë; 12. Ata që e kanë një dyqan të vetin, nuk mund të venë për shitje mallra të tyre në dyqane të të tjerëve.

c. Qytetaria, ligjet, jetesa:
“Sipas statuteve të qytetit, banorët e Durrësit ndaheshin në tri kategori: banorët vendës, që kishin statusin e qytetarit dhe të drejtën e pjesëmarrjes në jetën publike; të huajt që banonin në Durrës; dhe të tjerë, që qëndronin për një kohë të shkurtër në lagjet jashtëqytetëse (suburbis). Organi më i lartë i qytetit ishte këshilli bashkiak, i cili miratonte ligje të reja dhe mbledhja e tij ishte ditë festive për vetë qytetin. Statutet kishin pjesën e vet të së drejtës penale, mbi bazën e së cilës duhej të gjykoheshin e dënoheshin dhuna publike, padrejtësitë, krimet ndaj jetës, gjakmarrja, falsifikimet për përfitim të pronës së tjetrit. Me statute rregulloheshin të drejtat e qytetarëve vendës dhe të të huajve: marinarëve, tregtarëve, udhëtarëve”.

d. Qënia, sjellja, psikologjia shqiptare:
Gjatë udhëtimeve të veta për të hartuar Fjalorin e tij, Arnold Ritter von Harf “kishte përgatitur një çerdhe pyetjesh për fjalë dhe shprehje standarde të dobishme për një të huaj jo vetëm për gjuhën shqipe, por për të gjitha gjuhët dhe të folmet që i takoi të njihte gjatë pelegrinimit të tij. Në shqip përgjigjja për shprehjen ‘dua’ një grua mungon, (...) sepse në mendësinë shqiptare nuk pranohej të kërkohej një grua, siç kërkohet djathi, vera, buka, taverna, çka lidhet me kodin e trashëgimisë vendëse. Më tej: “... karakteri vendës i tyre shprehet dhe në nyja të përveçme të statuteve, për shembull kur flitet për respektin për të moshuarit (statusi i të moshuarit, i tëparilemit, sipas shprehjes së Buzukut, edhe sot është një rregullator i sjelljeve të njerëzve në familje e në shoqëri, sidomos në Shqipërinë e Veriut, ku më i vogli duhet t’i drejtohet më të madhit me apelativin bac). Por në të njëjtën mënyrë mund të shihet prania e mendësisë shqiptare të atëhershme e të mëvonshme edhe në mënyrën si gjykohet dhe penalizohet prostitucioni (penalitete që shkallëzohen në rast të përsëritjes së të njëjtës sjellje). Të tilla penalitete në statutet e Republikës së Shën Markut, shumë më e urbanizuar se qytetet shqiptare të asaj kohe, njëfarë metropoli europian, nuk gjenden”.

e. Unë – tjetri:
“... është rasti të përmendim se, në shekullin XVIII, alfabetet dhe gjuhët e popujve të Ballkanit nuk kanë qënë përjashtuese ndaj njëra-tjetrës, si në shekullin XIX, kur u projektuan idetë-shtet. Në fondin e njërit prej më të hershmëve të Rilindjes Shqiptare, Naum Veqilharxhi, gjenden shumë dorëshkrime në rumanisht, dhe kjo nuk ka pse të shqetësojë studiuesin. Kodikët në vllahisht, shkrimet në arumanisht në Voskopojën e shekullit XVIII, qenë një faktor që ndikoi drejtpërsëdrejti edhe në Rilindjen Kombëtare Rumune. Shumë personalitete të popujve fqinj u formuan nën pishtarin iluminist të Voskopojës. Historia e ka sjellë që në bibliotekat dhe arkivat shqiptare të ruhen dorëshkrime me rëndësi edhe për popuj jo në fqinjësi. Deri në vitet 1930 në Vlorë gjendej një Safar Torah, dorëshkrim i librit të shenjtë të hebraizmit, me sa duket ruajtur ndër shekuj prej hebrenjve sefardë (nga Safardica, tokë e shenjtë, siç quhej Spanja në golden age të bashkëjetesës së tyre, deri në shpërthimin e inkuizicionit)”.

f. Besimi, faltoret, shkollat:
“Studimi i kësaj trashëgimie do të bënte të njohur gjendjen kulturore dhe intelektuale të botës shqiptare në shekullin e para-Rilindjes; do të lejonte një ndryshim vlerësimi në kahun pozitiv për rolin e faltoreve në jetën shpirtërore të popullit, do të ofronte argumente për të provuar se kulti dhe shkollimi kanë qënë bashkë dhe kanë inkurajuar njëri-tjetrin. Vëllezër të dashur, banorë të fshatit Himarë, i lutem Shën Perëndisë për shëndetin tuaj trupor dhe shpirtëror. Unë, të dashur vëllezër, si një shërbëtor i denjë i Krishtit, që është mësuesi i gjithë të krishterëve, me lejen e personaliteteve fetare të këtij vendi, erdha aty në vendin tuaj dhe pashë që nuk keni shkolla që të mësojnë fëmijët tuaj falas. Unë iu luta të krishterëve dhe ata dhanë aq sa kishin mundësi dhe dëshirë për shkollën tuaj. Por duhet që, me përkushtimin dhe kujdesin tuaj, të ndihmoni përherë shkollën tuaj, si me dhurata nga ju si besimtarë, po ashtu dhe me të ardhurat e fshatit, në mënyrë që të shpërbleheni me hirin e Zotit dhe nga njerëzit vetë. I lutem Zotit të bekojë shkollën tuaj dhe fëmijët tuaj. Kështu u shkruante murgu i shenjtë Kozma i Etolisë himariotëve në gusht të vitit 1779”.

g. Rrënjët e Rilindjes Kombëtare:
“Në thelb dukuria e shkrimeve kronikale e çoi vendin në shekullin që përgatiti Rilindjen. U përhap në gjerësi ars scribensi. U përgatit mjedisi për një alfabetizim e grafematizim origjinal të shqipes. Kisha dhe shkolla u bashkuan më së paku në funksionet didaktike. Krijimi i alfabeteve u shoqërua me gramatikat, fjalorët dhe këndimet e para. Malli i shtampësë, të cilit i falet Bogdani, u bë një dukuri më e gjerë. Shtypshkrimi dhe tipografitë u shfaqën në hapësirën shqiptare si një dukuri e re në Ballkan. Teknika e Gutenbergut u shoqërua me ndikime të fuqishme në jetën shpirtërore të njerëzve. Kultura e librit dhe e shkrimeve, kultura e ideve, i ktheu qendrat e dorëshkrimeve në ishuj të zhvillimit iluminist. Në kushtet kur në njërën anë të Adriatikut përgatitej Rilindja greke, me neohelenizmin, kurse në anën tjetër përgatitej Rissorgimento-ja e bashkimit italian, lidhjet ndërmjet botës shqiptare, arvanite dhe arbëreshe, sidomos në vijën bregdetare, por dhe më gjerë, u bënë ura njësimi ndërshqiptar. Librave dhe dorëshkrimeve kishtare iu shtuan tekstet filozofike, kronikale dhe morale. Njeriu shqiptar hyri në shkrime si subjekt e objekt. Bota etnografike shqiptare u paraqit në to jo më vetëm prej familjeve patronimike, por prej njeriut të zakonshëm. Përkthimet prej letërsisë klasike greko-romake dhe asaj të Rilindjes Europiane u ndërmjetësuan shqip për herë të parë. Për herë të parë duken shenjat e një zhvillimi industrial dhe të një organizimi në shoqëri profesionale. Në shekullin e lulëzimit, Voskopoja, me 14 sindikata, qeverisej mbi bazën e një statuti, që përmbante 36 kapituj, mbi bazën e të cilëve duhej të vepronin jerarkët kishtarë dhe laikët, gjykatësit dhe arhondët, njësoj si qytetet-shtete të Perëndimit europian dhe të Shqipërisë perëndimore në periudhën e tërmetit humanist. (...) Alfabetet e shqipes nisën të provoheshin. Të gjitha këto kërkojnë vëmendje edhe për një riperiodizim të historisë së letërsisë shqipe, duke i kërkuar fillet e saj jo kur u shpallën, por kur lindën, praktikisht një shekull më parë asaj Rilindjeje që njihet në historitë e letërsisë shqipe; një ndryshim që ndodhi atje ku objektivisht qe e mundur: tek arbëreshët e Italisë, përmes lidhjeve të tyre me arvanitët e Greqisë, në gjithë hapësirën jugore të vendit, ku shkrimet zotëruan gjithë vendin dhe kohën”.

h. Letërsia e ardhme dhe e ardhmja e letërsisë:
“Është pikërisht tradita e dorëshkrimeve, kodikë ose të afërta me to, që mund të ofrojë të dhëna se kur qarqet letrare në Shqipëri nisin të interesohen për njëri-tjetrin. Çështja e multialfabetizimit që sundon në këto dorëshkrime dhe e tejkalimit të tij është njëherësh edhe çështje e kalimit prej nënsistemeve autonomë të letërsisë shqipe në letërsi kombëtare”. (...) “Ndërkomunikimi midis arbëreshëve dhe arvanitëve, pastaj midis arbëreshëve dhe qarkut ortodoks tosk, lehtësoi promovimin e gjuhës shqipe në mjedisin ndërkombëtar”.

i. Nderimi ndaj shkencës:
“Statuti i Drishtit përmban edhe nene të posaçme për ndihmën dhe mbështetjen që bashkësia qytetëse duhet t’u japë studiuesve”.


Një kodik i kodikëve, por edhe i disa kodeve të Shqiptarisë

Prof.dr. Shaban Sinani, përkundër vështirësive të panumurta, ka kryer një punë vigane, prej scrib-i, duke shmangur natyrshëm konceptin materialist të hulumtimit të historisë dhe të kulturës, me një stil të kthjellët, që nuk mund të keqkuptohet e as të lerë vend për mëdyshje. Ai ka punuar në heshtje dhe përkushtim, njëlloj sikur të mbante një Kodik të Kodikëve të Shqipërisë, ku gjenden të dhëna shpesh vegimtare për Kishën si ruajtëse të Kujtesës, për vendin që zënë letërsia, historia dhe tekstologjia në kulturën e një kombi, për mënyrën si duhen hartuar e zbatuar rregullat e qeverisjes së qyteteve, nenet e vllazërive të tipit esnafor, për historinë se si një komb, shpesh i mbajtur peng mes padijës dhe idealizmit, hyn në Shkrim falë gjuhës së vet – dhe në vëmendjen e botës falë shkrimit, për rolin e pazakontë të Mërgatës në mbrujtjen dhe mbrojtjen e letërsisë, për një riperiodizim të drejtë të kësaj të fundit pas kaq kohësh etj.
Lexuesi gjendet para një vepre shkencore shumëplanëshe e të shumëfishtë, që jo vetëm fton, por edhe çon më tej paqen e hershme të paktën ndërballkanike (mes popujsh, gjuhësh, shkencash), dhe mirëkuptimin. Si ca dijetarë të sprovuar me bojën dhe gjakun e kulturës, faktet nuk bërtasin asnjëherë.
Mund të thuhet se, në ndodhtë që historia të përsëritet nga thellësitë kohore të vetvetes, – përmes analfabetizimit shpirtëror, dhunës dhe përbuzjes ndaj ‘të vegjëlve’ që nuk duhet të mësojnë më shumë se ç’duhet, por edhe ndaj paraardhësve të vet idealistë, – Europa e nesërme, si edhe sot, do të ketë ç’të mësojë nga këta kodikë, në mos për ta rimarrë veten, të paktën për të mbijetuar, ose për të mos u tjetërsuar krejt.

Bukuresht, shtator 2014



[1] Çdo libër / libërth ka fatin e vet – lat.
[2] Ma unë, tue pasunë mālln’ e shtampësë, gjithë atyne u ktheva faqenë, veç ju lutshë të më shtampohej libri, ashtu qi kur të kthenje prej dheut sinë të keshe nji qirī ndezunë n dorë. Shih për një kontekst më të gjerë Anila Omari, Pjetër Bogdani: Cuneus prophetarum (Çeta e profetëve), Tiranë 2005, f. XVIII. Cituar nga: prof.dr. Shaban Sinani, “Kodikët kronografikë të Shqipërisë”, Tiranë 2014.
[3] Përshtatja në shqipen e sotme: Tani flasim pa latinisht na të dy, Zonja e Shën Mëri. E ke pritur kurrë ti gjëkund të të dhurohej një rimë e arbëreshë në këtë mënyrë e kaq të gjatë si është kjo që këtë mëngjes të vë ndër duar? Unë e di sa ndër gjithë gjuhë të tjera ka pasur aq rima të gjata e të ambla e të bukura, sa nuk e kanë kund, por në gjuhën tonë arbëreshe mund të thom se kjo asht e para që të vjen tani, kjo që rrëfen jetën tënde, gjithë haretë, gjithë dhimbjet, e gozhdët që të shpuan zemrën, kur ishe ti ndë këtë jetë. Një tjetër këngëm si kjo sigurisht nuk e ke pasur kurrë, megjithëse të arbëreshët e kanë pasur. Transkriptimi dhe përshtatja sipas tekstit ilustrues në V. Librandi, Grammatica albanese con le poesie rare di Giuglio Variboba, edizione Hoepli 1897, p. 3-4. Cituar nga: Prof.dr. Shaban Sinani, “Kodikët kronografikë të Shqipërisë”, Tiranë 2014.
[4] I falem nderës së Arbërit / Gjakut të kulluar fisnik. Matteo Mandalà (a cura di), Profilo storico-antologico della letteratura degli albanesi di Sicilia, vol. I, Sciascia 2005.
[5] M. Mandalà, (a cura di, trascrizione di Giuseppa Fucarino), Nicolò Chetta, Tesoro di notizie su de’ Macedoni (1777), Contessa Entellina, 2002.
[6] Fragmentet në thonjëza janë cituar nga: Prof.dr. Shaban Sinani, “Kodikët kronografikë të Shqipërisë”, Tiranë 2014.