Pika që qan

Kur vdiste perandori i radhës, një si e vjellë gëzimi, prej gjaku e lotësh të parrjedhur, llokoçitej brenda robërve. Pasardhësit në pushtet nuk kishin kohë as të gëzoheshin, as të hidhëroheshin, as të lebetiteshin nga e ardhmja e afërt, ose e mesme, se duhej të hanin shoshoqin. Vetëm kasnecët, secili në qelinë e vet, binin në gjunjë dhe luteshin të ngashëryer:
- O, Zota, jepini gjithçka atij që vjen, vetëm poezi jo!
Kasnecët ishin të vetmit që, edhe pa i njohur sivëllezërit e tyre, luteshin gati njëlloj që perandori i ri të ishte gjer edhe më i pashpirti ndër gjallesa, më gjakpirësi, më përbindëshi, vetëm dhunti, apo etje për poezi të mos kishte.