„Ati” - roman, Botimet Poeteka, 2017

Urdhri kishte shumë anëtarë, në çdo shtet e qytet të botës. Anëtarët zgjidheshin qysh në vegjëli, në bazë të një parimi, të cilin anëtarët e zbulonin vetëm kur arrinin pjekurinë e plotë dhe kur dëshmonin se ishin të aftë për çdo vetëmohim, se mund të zgjidhnin anëtarë të tjerë, t'i stërvitnin, t'i udhëzonin, t'i mbronin gjer edhe me jetën e tyre. Pas Luftës së Dytë Botërore, Urdhri kish ndryshuar. Lidhjet mes anëtarëve nuk ishin mbajtur më drejtpërdrejt, ose përmes lajmësve, po përmes letrave. Urdhri nuk i ndruhej hapjes së mundshme të letrave nga ana e shërbimeve të fshehta, sepse kumtet ishin "të përkthyer", domethënë të fshehur. Vetëm anëtari që merrte letrën, pak para se ta digjte, ishte i aftë të zbërthente kumtin përkatës. Nëse letra mbërrinte gabimisht, ta zëmë, tek një anëtar tjetër i Urdhrit, ky i fundit e digjte pa kuptuar për çfarë bëhej fjalë. E nëse anëtari të cilit i qe drejtuar letra nuk vepronte, nuk përmbushte misionin e ngarkuar, në një kohë të shkurtër Urdhri i dërgonte një letër tjetër. E kështu derisa misioni të kryhej. Asnjëri nga anëtarët nuk merrte detyra e letra pas vdekjes, ngaqë Urdhri dinte me një saktësi, - shajnitëse për të pabetuarit, - gjithçka rreth jetës së anëtarëve”.
Bukuresht, shkurt 2003