Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku: Disa veçanti të botimeve shqip në Hapësirën Rumune


Përmbajtje

Synopsis. 2
Fjalë-kyçe 
  • Gadishull që ngjiz një kontinent
  • Rilindja jashtë trojeve, ose Atdheu ngjizet më parë në letërsi
  • Interbellum
  • Diktatura – një diktat pa ura
  • Kaosi që ngulmon të zëvendësojë arsyen dhe vlerat
  • Revista Haemus ose Esse non videre
  • Librarium Haemus 

Bibliografi e përzgjedhur 
Listë e pjesëshme alfabetike e autorëve të Revistës Haemus* 
Curriculum Vitae [FR] 


Synopsis


Historia e botimeve shqip në Hapësirën Rrumune është shumëvjeçare dhe tejet e pasur. Botimet e disa prej kryeveprave të letërsisë shqipe dhe zhvillimi i pazakontë i shtypit qysh nga gjysma e dytë e shekullit XIX, dëshmojnë se hapësira rumune mund të këqyret si një gadishull nga i cili ngjizet një kontinent i tërë. Gjatë periudhave të ndryshme historike, botimet shqip iu nënshtruan synimesh që kulmuan jo vetëm me krijimin dhe forcimin e Shtetit Shqiptar, por edhe me ruajtjen dhe pasurimin e shqipes së gjithëkohëshme, që, përmes librash e autorësh të zgjedhur, zhvillohet edhe sot në të njëjtën hulli. Kësaj shqipeje, të përfshirë tashmë me të drejta të plota në vargun e gjuhëve të tjera evropiane e më gjerë, të aftë për vepra me vlera të përbotëshme edhe nëse nuk përkthehen në gjuhë të tjera, i shërben edhe Revista Haemus, themeluar në Bukuresht në vitin 1998.

Fjalë-kyçe


Gjuha shqipe, botime shqip, Hapësira Rumune, Rilindja Kombëtare Shqiptare, libra shqip, shtypi shqip në Rumani, Revista Haemus, Librarium Haemus


Gadishull që ngjiz një kontinent


Historia e botimeve shqip në hapësirën rumune është shumëvjeçare, tejet e pasur dhe padyshim njihet mirë jo vetëm nga historiografia franceze, por edhe nga degë të caktuara të historisë së letërsisë dhe të shtypit, për më tepër që një pjesë e autorëve të shquar shqiptarë me banim të përkohshëm në Rumani kishin lidhje të thella me kulturën dhe qytetërimin frëng. Por mbase njihet më pak e vërteta që Hapësira Rumune (e cilësuar shpesh si “hapësira mioritike”), me një elitë dikur gati krejt frankofone e frankofile, ka qenë për shqiptarët e mërguar dhe sidomos për letërsinë shqipe njëra nga qendrat themelore të frymëzimit e të arritjeve, njëlloj sikur të ndodhej në libra e jo në realitet. Fjala “mioritic” rrjedh prej baladës popullore rumune „Mioriţa” (Shqerrkëza) – një kryevepër e ndjeshmërisë artistike dhe e gërshetimit të së këtushmes me të përtejmen. Nga pikëpamja artistike, kjo hapësirë, falë këmbimit shajnitës të maleve me honet, të kodrave me luginat, të detit me liqenet e lumenjtë, të vapës me thëllimin etj krijon një baraspeshë, një dhimbsuri dhe një gjendje të veçantë përmallimi e besimi në botën e padukshme, një përftim befasues të jetës, dramave, vdekjes, përjetësisë, me vlera të pangjashme sidomos për poezinë.

Nëse përmendim veprat e botuara në Rumani nga Lasgush Poradeci (1899-1987, liriku më i shquar i shqipes gjatë shekullit XX, doktor i shkencave filologjike[1], shqipërues dhe mendimtar); nga Mitrush Kuteli (1907-1967, njëri ndër themeluesit e prozës moderne shqipe, poet, shqipërues, kritik letrar e botues); nga Naim Frashëri (1846-1900, cilësuar shpesh si poeti kombëtar i shqiptarëve, me banim në Stamboll, por të cilit disa nga veprat kryesore ia botoi për herë të parë Kolonia Shqiptare e Bukureshtit[2]) dhe nga Asdreni (poet i kapërcyellit mes dy epokave, gazetar e diplomat) – gati mund të flitet për gati një letërsi shqipe më vete, dhe nuk teprohet po të përsëris se hapësira rumune ishte për letrat shqipe një lloj gadishulli, nga i cili ngjizet një kontinent, jo anasjelltas.

Siç ndodh mbase falë një ligji të pashkruar, një pjesë e madhe e shkrimeve shqip në Rumani, sidomos botimet nëpër gazeta e revista, presin në hije hulumtuesit e përkushtuar. Nuk mund të dihet me saktësi se çfarë befasish fshehin ato (siç ishte rasti i një poezie të Migjenit[3] botuar gjatë viteve ’20), por hëpërhë, duke lënë pak mënjanë hamendjet me baza statistikore për hir të vlerave të padiskutueshme të botimeve të njohura, mendoj të përqëndrohem në synimet e këtyre botimeve gjatë periudhave të ndryshme historike. 

Rilindja jashtë trojeve, ose Atdheu ngjizet më parë në letërsi


Para dhe gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shumë shqiptarë mërguan në Rumani për t’iu shmangur përndjekjeve dhe për të punuar brenda një mendësie e modus vivendi mjaft të ngjashme me ato shqiptare. Përqindja e intelektualëve dhe e artistëve në gjirin e Kolonisë së famshme të Bukureshtit (historikisht më e fuqishmja e Mërgatës shqiptare) ishte ndjeshëm më e madhe se në troje të tjera. Synimi kryesor i botimeve të atëhershme ishte përhapja e ideve gjuhë- e kombformuese, afrimi i shqiptarëve rreth gjuhës-mëmë dhe rigjetja e secilit shqiptar tek të tjerët fillimisht përmes gjuhës, duke kapërcyer dasitë e trashëguara fetare, krahinore apo edhe intelektuale. Në atë mjedis pa kufij zyrtarë të qartë, por me ide gjithnjë e më të qarta, shqiptarët nuk u sollën si herë të tjera më parë e sidomos më pas, kur, të gjendur në hapësira të mëdha e më të lira, thellonin mangësitë dhe përçarjet e sjella nga vendlindja. Gjuha e shkruar shqipe ishte në ngjizje e sipër dhe abetarja e parë e saj u hartua pikërisht në hapësirën rumune, në qytetin shumëkombësh Brëila (Brăila), ku më vonë do të lindej gjeniu Panait Istrati (1884-1935), shkrimtari që zhvendosi në e përmes frëngjishtes përvojat tejet të pasura të jetës ballkanike, duke i nxjerrë në pah me një vërtetësi shkundulluese[4]. Në vitin 1844 avokati shqiptar Naum Veqilharxhi-Bredhi[5], lindur në Vithkuq, pjesëmarrës në kryengritjen e Tudor Vladimireskut (1780-1821), hartoi një alfabet të posaçëm për gjuhën shqipe me 33 shkronja, i njohur si Alfabeti i Vithkuqit. Varianti përfundimtar i alfabetit të tij u botua për të parën herë më 1844-45, titulluar Evëtori Shqip Fort i Shkurtër. “Abetaret e Veqilharxhit u shpërndanë në të gjitha trevat shqiptare. Është me interes të vemë në dukje se në Akademinë Rumune të Shkencave ruhet një letër e dërguar nga disa banorë të Korçës, më 22 prill 1845, me të cilën e falenderojnë Naum Veqilharxhin për abetaret dhe i kërkojnë ekzemplarë të tjerë të saj[6].

Para dhe gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në Rumani u themeluan mjaft gazeta e revista, ndër të cilat “Drita” në Brëila (1887), ndërsa një vit më vonë, në Bukuresht botohet e përjavshmja dygjuhëshe (shqip e rumanisht) “Shqiptari” (“Albanezul”), që shpërndaheshin dorazi në mbarë Mërgatën shqiptare dhe në trojet shqipfolëse. Më 1897 sheh dritën e botimit një gazetë e re, “Shqipëria”, e drejtuar nga Visar Dodani[7], ndërsa një vit më vonë organi tjetër, “Ylli i Shqipërisë”, këtë herë në tri gjuhë: shqip, greqisht e frëngjisht[8]. (...) Rol të rëndësishëm në shtypjen e librave shkollore, të historisë e të letërsisë[9], do të luante Shoqëria “Dituria”, e themeluar më 1887, sidhe të tjera, që do të shkriheshin në një të vetme, më 1906, nën emrin “Bashkimi”. Më 1905, në Konstancë pat çelur dyert një shkollë shqipe nën drejtimin e mjekut atdhetar Ibrahim Temo (1865-1939), e cila jepte mësim ditën e në mbrëmje, sidomos për shqiptarët që kishin ardhur rishtaz në Rumani. Ndër mësuesit e kësaj shkolle, ishte edhe poeti Asdreni[10], i cili do të bëhej sekretar i Kolonisë Shqiptare[11].

Vihet re me lehtësi përpjekja e rilindasve për të qenë në një hap me zhvillimet evropiane (përmes rubrikash të tipit Habere ngaj Evropa) dhe për ta zhvendosur natyrshëm vëmendjen e mërgimtarëve shqiptarë drejt anës shpirtërore, ku vendin dhe përligjjen kryesore për çdo flijim të mundshëm në emër të së ardhmes e ze gjuha shqipe. Një lajtmotiv i “Shqiptari”-t, për shembull, thotë shumë: “Ndaj të kombit të mira qi bojmë / Prej kafshëvet ndrojmë”. E mira këqyret tërthorazi si pasqyrim i kulturës, që s’mund të mbijetojë e aq më pak të pasurohet pa një gjuhë që ec të paktën një hap para kulturës. Në faqet e “Shqiptari”-t gjenden mjaft artikuj, në shqip e rumanisht, lidhur me shkrimin e shqipes. [“Më përpara se të dalë ditëtorija[12], kërkuam të shohim mendimnë e shqipëtarëve nga Bukureshti për shkronjat me të cilatë është më mirë që të shërbehemi në të shtypëshkruarin e ditëtoresë (...) është më mirë të shërbehemi prej shkronjës djeste latinisht me të cilatë duan të shkruajnë dhe të tjera kombe, sepse janë më të përhapura, më të lehta ndë të kënduarë dhe më të shëndeçme për sytë...(...) Japim këtu shkronja, si për ata që kanë dëshirë që të mësojnë shqip, dhe për të lecuarin e më të shumëvet shqiptarë, të cilëtë flasin gjuhën shqip, po të cilëtë nuk mundin të këndojnë përveç me se vetëm greqisht dhe Rumenisht”] Artikulli shoqërohet me një alfabet (Shih faksimilen)

Më 1891, në Bukuresht botohet i famshmi “Appel à nos frères albanais” – dëshmi se shumë shqiptarë e njihnin mirë frëngjishten. Në njërin nga numurat e revistës “Diturija”, teksa kërkohet çdo libër që lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët, jepen të dhëna për “Appel à nos frères Albanais”: 35 X 41 santim.; një faqe; - e nënëskhruarë: au nom du Comité exécutif: Georges C. Mexi, journaliste; Dervich Hima, représentant du Comité Central des Albanais musulmans de la Haute Albanie; ]achar Sadik Erébara, représentant des Albanais musulmans de la Haute Albanie. E datuarë: Bucarest 19-31 juillet 1899. Thirje patriotike-pllatonike për kombin Shqipëtar”.

Mbarë lëvizja e kohës synonte shpërndarjen e librave shqip anembanë Mërgatës dhe futjen e tyre brenda trojeve shqipfolëse. Ishte njëfarë rrethimi i Shqipërisë burimore, alias zyrtare, nga shqipja e përhershme. Mund të thuhet se atëhere bëhej çmos që shqipja të mos bjerrej dhe të pasurohej[13], teksa më pas, përfshi kohën e sotme, një ndër synimet është që shqipja rrënjore, e gjithëkohëshme jo vetëm të mos humbasë, por edhe të ruhet sa më e paprekur, ose të paktën të mos varfërohet tragjikisht nga orteku i fjalëve e shprehjeve globale, të mbështetura nga padija, - e qëllimshme, ose jo, - e të paftuarve që mbushin gazetat, televizionet, internetin, duke e shndërruar globalizimin në globanalizim. 

Interbellum


Gjatë viteve ’20-’30, - aq të pasur e vendimtarë për letërsinë dhe gazetarinë shqipe, - botimet shqip në hapësirën rumune synonin ngritjen më lart të kulturës shqipe nga jashtë-brenda dhe përfshirjen e saj me të drejta e vlera të mirëdallueshme në kulturën evropiane. Me shkrimet dhe botimet e tyre në Rumani, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli ngjizën dhe pasuruan një letërsi të tërë, duke u frymëzuar edhe nga autorë tashmë botërisht të njohur, si Mihai Eminescu, Ion Creangă, Charles Baudelaire etj.
Lidhjet mes letërsive rumune dhe shqiptare ishin të thella. Veç Poradecit dhe Eminescu-t që mund të këqyren si binjakë shpirtërorë të lindur në epoka e gjuhë të ndryshme amtare, gati e njëjta lidhje (marrëdhënie) mund të vërehet edhe ndërmjet Mitrush Kutelit dhe klasikut të prozës rumune Ion Creangă (1837-1889). Vlen të përmendim dëshminë e Kutelit se nisi të shkruajë për të fashitur mallin ndaj vendlindjes dhe gjuhës amtare: „Si pata shënuar në botimin e parë, rrëfimet e mbledhur në këtë vepërzë janë shkruar midis 1925 dhe 1930 edhe plotësuar më 1938. Disa prej tyre janë filluar në Pogradec dhe mbaruar në Selanik e Bukuresht dhe pjesa m’e madhe janë shkruar drejt për drejt në këto vise, me mallin e shqipes dhe të Shqipërisë në zembër“ .
Duke botuar shqip në Rumani, ku lexuesit ishin më të paktë se në Shqipëri, dhe duke i dërguar librat në Shqipëri, ku ata libra nuk ishin të mjaftueshëm, edhe Poradeci, edhe Kuteli kuptojnë se atdheu i ngjizur në letërsi me aq flijime së shpejti do të kishte krejt tjetër pamje në realitet.

Veç veprave të mirëfillta kritike (shënimet letrare të Kutelit dhe parathëniet me të cilat shoqëron botimet e Lasgush Poradecit, apo të autorëve rumunë e të huaj që shqipëronte[14], si dhe esetë apo kujtimet e Lasgush Poradecit), shtypi shqip i Rumanisë i ndiqte nga afër ngjarjet që ndodhnin brenda kufijve të shtetit shqiptar, duke përcjellë shpesh ide me të ardhme, të cilat, siç ndodh jo rrallë, nuk merreshin asnjëherë parasysh. Qysh nga çasti kur Shqipëria po hynte nën sundimin e komunistëve, mes shqiptarëve u rrënjos më fort i heshturi mospranim i ndërsjellë: ata jashtë nuk e njohin si duhet realitetin në atdhe – ata brenda nuk i vlerësojnë dot gjërat si duhet, ngaqë i shohin gjërat vetëm nga brenda. 

Diktatura – një diktat pa ura


Gjatë periudhës kur Shqipëria dhe Rumania kaluan nën diktaturë, botimet shqip në Hapësirën Rumune pothuajse u ndërprenë. Pasardhësit e shqiptarëve të Rumanisë e humbën dalëngadalë gjuhën dhe prej tyre nuk doli asnjë shkrimtar në shqip. Ata pak që dinin shqipen, u morën me përkthime nga letërsia shqipe në rumanisht, duke i përcjellë lexuesit rumun librat që zgjidheshin për përkthim nga Tirana zyrtare. 

Kaosi që ngulmon të zëvendësojë arsyen dhe vlerat


Rënia e Perdes së Hekurt solli në shoqëritë ish-komuniste një përmbysje të natyrshme. Mirpo pritshmëritë i kapërcenin disa herë mundësitë, duke zëvendësuar shpesh mençurinë që dilte nga përvoja me ëndërrat e fshehura për gati gjysmë shekulli. Kësisoj, nga beteja “Përkrah komunizmit kundër të gjitha izmave” u kalua tek betejat “Përkrah të gjitha izmave kundër komunizmit”. Kjo u pasqyrua dhunshëm edhe në botime e përkthime. Në këto kushte, Hapësira Rumune joshi pak shqiptarë, sepse nuk ishte një hapësirë ku mund të pasuroheshe as shpejt e as me siguri dhe, përmes pasurimit, të rifitoje vetëtimthi vitet e “humbur” nën diktaturë. Ende mërgimi shihej vetëm si mjet për të arritur mirëqënien e jo si mundësi e jashtëzakonshme për të rigjetur në Kujtesë, përmes shkëputjes nga e përditshmja, botën e përhershme shqiptare. Duke i njohur vetëm përciptazi vlerat kulturore të Hapësirës Rrumune, shumica e shqiptarëve e këqyrnin si motërzim disi më fatlum të Shqipërisë komuniste, nën të njëjtat ëndërra, brenga e pendesa, dhe ndaleshin këtu vetëm gjatë udhëtimeve drejt vendesh më të kamura, ku me kamje nënkuptonin qytetërimin. Bashkësia e shqiptarëve të Rumanisë përbëhej nga pasardhësit gati pa shqipe të mërgimtarëve të hershëm dhe nga të sapoardhurit që sillnin me vete një Shqipëri gati të panjohur, por sidomos të papranueshme prej të parëve, mësuar tashmë me Shqipërinë pa thepa e plot arritje të Epokës së Lavdishme.

Në gazetën „Albanezul” (Shqiptari) – organ i Bashkimit Kulturor të Shqiptareve të Rumanisë, themeluar në vitin 1993, mbështetur nga Shteti Rumun në kuadër të pakicave kombëtare të Rumanisë dhe që rimori titullin e gazetës së njohur të Nikolla Naços (1843-1913), shqipja u fanit shumë rrallë. Shkrimet u botuan rumanisht e shqip vetëm në disa vëllime të “Vjetarit Shqiptari” (Anuarul Albanezul) më fort si përligjje për ndihmat e Shtetit Rumun dhe për të mos rënë keq në sy mes pakicave të tjera kombëtare që përdornin si gjuhë të parë botimesh atë amtare.
Revista tjetër, ”Prietenul albanezului” (Miku i Shqiptarit) – organ i Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, me përfaqësi në Parlamentin Rumun, mbështetur pó nga Shteti Rumun dhe pó në kuadër të pakicave kombëtare të Rumanisë, themeluar në vitin 2002, botoi pak më tepër shkrime në shqip, përfshi copëza të një doracaku nënmesatar të shqipes së folur, dhe, sikurse “Albanezul”, u drejtohej kryesisht lexuesve rumunë të joshur nga kurreshtja e tipit turistiko-historiko-ekzotik, si dhe atyre pak shqiptarëve pa shqipe që nuk ishin bërë të dukshëm për më tepër se gjysmë shekulli.
Ndërkaq, librat e disa autorëve rumunë, apo shqiptarë, nuk kishin pse botoheshin më shqip në Bukuresht, por në Tiranë, apo Prishtinë e gjetiu.

Për arsye të njohura, që lidhen me shtëpitë botuese dhe me hierarkitë e ngrira të letrave shqipe e jo vetëm, në vitin 1994 u detyrova që romanin ”Mortët” (shkruar më 1988) ta botoja me dorë. Ishte një ngjarje e paharrueshme, që më zhvendosi për disa ditënetë në periudhat e arta të botimeve shqip. Pasi e kalova dorëshkrimin në kompjuter, - të cilit i mungonin ë-ja dhe ç-ja, - shtypa një kopje të romanit, vendosa pikat e ë-ve dhe bishtat e ç-ve me dorë, kreva një ballinë, bëra 50 kopje në xerox, i preva me gërshërë, hapa vrima me gozhdë dhe i qepa kopjet njërën pas tjetrës me spango. Ballinat i ngjita me mastiç nga ai që përdoret për ndreqje këpucësh, pa nuhatur se asisoj po niste një udhëtim befasues në fushën e botimeve. Jua dërgova romanin disa miqve dhe të njohurve me postë. Në vitin 1996, shtëpia botuese „Dukagjini” e Pejës më kërkoi të drejtat dhe e nxori nga shtypi një vit më pas. 

Revista Haemus ose Esse non videre[15]

Nën moton-ftesë Felix qui potuit rerum cognoscere causas[16], Revistën “Haemus”[17], - revistë kulture e traditash, me thelb enciklopedik e antologjik, - patëm nisur ta hartonim bashkë me tim atë, Kopi Kyçykun, qysh nga dimri i vitit 1993, por numuri i parë doli pikërisht më 28 Nëntor 1998. Me gjithë ndryshimet e natyrshme që pësoi, Haemus-i pati si synim kryesor, (tashmë të përmbushur) përfshirjen e kulturave të mirëfillta shqipe e rumune në atë Evropiane dhe anasjelltas, por jashtë mënyrave e caqeve të kontrollueshme nga qarqe jashtëkulturore, ose që paraqiten si të vetmet kulturore. Përkushtimi ynë mbështetej në dy gjuhë të rralla, - sa për nga hershmëria, aq edhe për nga shkalla e qarkullimit, me rreth 30 milionë lexues të mundshëm, - shqip e rumanisht, në një Rumani që, siç qarkulloi së pari në Haemus, ishte vërtet një Evropë në miniaturë. Njëherazi, Haemus-i u shndërrua në një forum për mërgimtarët dhe sidomos për dialogun e tyre të koklavitur me njëri-tjetrin dhe me jomërgimtarët.

Pa pasur pothuajse asnjë lidhje tjetër me botimet e traditës, veç përdorimit të shqipes e rumanishtes, falë mbi 20 rubrikave të përhershme, Revista Haemus ka tashmë një arkiv me mbi 8.000 faqe, pjesërisht të lexueshme falas, online. Më tepër se 350 autorë, - të shquar, ose jo, por shpesh të mbajtur zyrtarisht në hije, nga pothuajse të gjitha fushat, - janë të pranishëm me krijimet (zërat) e tyre në Haemus. Numura të posaçëm u janë kushtuar kulturave dhe qytetërimeve: italian, grek, turk, hebraik, kinez, zviceran, pa përmendur Mërgatën, - jo vetëm atë shqiptare, - të cilën e kemi këqyrur si një qytetërim më vete.

Haemus-i botohet online dhe në letër, pa kurrfarë mbështetjeje zyrtare, vetëm me kursimet tona dhe me ndihma të pakta e të rralla nga bashkëpunëtorë e dashamirë, ndër të cilët një vend nderi ka mendimtari i shquar arbëresh Vinçenx Golletti Baffa (1924-2009). Ka qënë qysh në fillim dygjuhësh, shqip e rumanisht, por, në varësi të ngjarjeve kulturore, botojmë edhe materiale në gjuhë të tjera: italisht, anglisht, frëngjisht, greqisht, turqisht, rusisht etj. Ndërkaq, përkthimet e autorëve shqiptarë në rumanisht dhe e autorëve të huaj në shqip u shndërruan në një urë të mirëfilltë që i dhuronte secilit breg të dhëna qytetërimi, kulture e vlera artistike të paanëshme, gati njëlloj sikur të ishin ngjizur atje ku mbërrinin.

Bashkëngjitur është një listë alfabetike* me disa nga autorët e pranishëm në Revistën Haemus, ku, veç emrash si Eugen Ionesco, Emil Cioran, Vintilă Horia, Mircea Eliade, Constantin Virgil Gheorghiu, Paul Goma, Mons. Vladimir Gjika, Paul Celan, Benjamin Fundoianu, Tristan Tzara e të tjerë më të rinj, që kanë lidhje rrënjore me kulturën franceze, gjenden edhe autorë të shquar letërsish të tjera, botuar së pari shqip në Haemus, si Pär Lagerkvist, Miltos Sahturis, Harry Martinson, Anders Österling, Ingmar Bergman, Ramon Del Valle-Inclan, Amos Oz, Orhan Pamuk etj.
Një vend të posaçëm kanë në revistë përfaqësuesit e Kishës aq pak të njohur e aq shpesh të paragjykuar Lindore, botuar për herë të parë në shqip, si Shën Mark Oshënari, Shën Nektari i Eginës, Shën Siluan Athoniti, Shën Paisiosi i Athosit, Arsen Boca, Teoklit Dionisiati, Ilie Cleopa e të tjerë.

Librarium Haemus

Në vijim të synimeve për të paraqitur sa më vërtetësisht kulturat shqiptare, rumune e më gjerë, përmes kolanave @firmo – kushtuar autorëve të rinj, Clio – vepra historike dhe / ose gjeopolitike, con-Vorbiri – biseda me personalitete, Enkelana Collection – antologji poetike autorësh, hArta – arte pamore, Prosa dhe Theatron – vepra dramaturgjike, skenarë, ose që hulumtojnë teatrin dhe kinematografinë, Shtëpia Botuese “Librarium Haemus”, themeluar në vitin 2006, njëheresh me Shoqërinë Kulturore Shqiptare “Haemus” (kulturore, jopolitike e jofitimprurëse), ka botuar mbi 50 tituj në gjuhët rumanisht e shqip. Autorë me botime në shqip janë: Elinda Marku (me banim në USA, poezi), Akil Mark Koci (me banim në Londër, studim në lëmin e muzikës), Alma Basha (me banim në Greqi, poezi), Aura Christi (me banim në Rumani, poezi), Grigore Vieru (Republika e Moldavisë, poezi), Mihai Eminescu (poezi), Mircea Perpelea (ambasador i Rumanisë në Tiranë, studim gjeopolitik dhe ekonomik), Rodica Radian-Gordon (ish-amabasadore e Izraelit në Rumani, bisedë), Vasil Taraceanu (me banim në Ukrainë, poezi), Çingiz Abdullajev (me banim në Azerbaxhan, prozë), A.-Ch. Kyçyku (prozë[18]), Kopi Kyçyku (prozë, histori, kritikë letrare, poezi).

Botimet e Librarium Haemus-it, përgjithësisht bibliofile, nuk shiten dhe shpërndahen dorazi, si dikur, por mund të shfletohen edhe online.

Do të veçoja si dy ngjarje kulturore madhore: Antologji e poezisë rumune moderne” (2003), hartuar e pajisur me pasthënie e aparat kritik nga Akad. Kopi Kyçyku, me pjesë nga krijimtaria e mbi 185 autorëve të rumanishtes, cilësuar si antologjia më e pasur e poezisë rumune e përkthyer në një gjuhë të huaj, dhe librin “Zinxhiri i anktheve – rrëfim i çiltër për vete e të tjerë” – intervistë e Akad. Kopi Kyçykut dhënë shkrimtarit të shquar Hiqmet Meçaj, një libër që zbërthen shumë nga nyjet e historisë shqiptare e evropiane gjatë shekullit XX dhe fillimshekullit XXI, duke përcjellë të vërteta, për tretjen e së cilave shoqëria shqiptare ende vazhdon të përgatitet.


Në mbyllje, pas një përvoje rreth tridhjetë vjeçare në fushën e botimeve shqip jashtë kufijve, më vjen sërish ndërmend bindja vegimtare e Shën Maksim Dëshmuesit: “Përdorimi i keq i fjalëve (gjuhës) çon në përdorimin e keq të gjërave[19]. Kjo fiton thellësi të veçantë në këto kohëra kur zhvillimi jonjerëzor apo edhe çnjerëzor i teknologjisë është shndërruar gati në përndjekje kundër librit dhe fjalës së duhur dhe kur jo pak shkrimtarë e intelektualë luten për ardhjen sa më të shpejtë të një apokalipse, e cila ta ndërpresë rrymën elektrike, që të mund të kthehemi tek libri. Libri jo si arratí kalimtare, por si hap vendimtar për shpirtin e njeriut. 
Bukuresht, qershor 2019


Bibliografi e përzgjedhur


1.Biblioteka e Akademisë Rumune: Gazetat ”Albanezul / Shqipëtari” (1895/1896), ”Albania nouă” (1919), ”Diturya” (1916), punimet e dhe për Mitrush Kutelin, shqip e rumanisht; veprat e Naim Frashërit në shqip; veprat dhe për Lasgush Poradecin
2.Brevetarea unei insomnii / Ligjërimi i një pagjumësie, studim-pasthënie e „Frumuseţea care ucide” (Bukuria që vret), antologji e prozës shqipe moderne, rumanisht, zgjodhi e përktheu Kopi Kyçyku, Librarium Haemus, Bucureşti, 2006, 195 f.
3.Drejtime në modernizmin evropian dhe jehona e tyre në letërsinë shqiptare mes dy luftrave botërore, ose Shqisa e përgjakshme e rigjetjes (Direcţii în modernismul european şi ecoul lor în perioada interbelică a literaturii albaneze sau Simţul sângeros al regăsirii, punim doktorate
4.Dhjetë nga vitet e Ballkanit, ese, Revista Haemus Nr. 4-1-2 (33-34-35) / 2008-2009
5.Elemente de cultură şi civilizație balcanică / Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik, ligjërata universitare, rumanisht, Constanța / Bucureşti, 2002-2010;
6.Exilul și limba de adopție a lui Ovidius (Mërgimi dhe gjuha e dytë e Ovidit), Revista ComUnique, 2007; shqip – në disa organe letrare
7.Hyperioni, rrethi i ngushtë i fatit dhe vdekatarët, Revista Haemus Nr. 9-10 / 2001
8.Invitaţie la Orbire (acum şi în rate) / Ftesë në Verbim (tani edhe me këste), Festivali Ndërkombëtar “Ditë dhe Netë Letërsie”, organizuar nga Bashkimi i Shkrimtarëve të Rumanisë (USR), Neptun-Mangalia, Rumani, shtator 2004, Ziua Literară (Dita Letrare); shqip – në disa organe letrare
9.Koleksioni i Revistës Haemus dhe Shtojca Haemus Plus (Nr. 1-57, përkatësisht 1-4 / 1998 – 2018
10.Kolevica, Petraq, Lasgushi më ka thënëshënime nga bisedat me Lasgush Poradecin, Sh. B. 8 Nëntori, Tiranë, 1992
11.Kolevica, Petraq, Me Mitrushin, Toena, Tiranë, 1997
12.Kuteli, Mitrush, Ago Jakupi e të tjera rrëfime, pronjë letrare, botim i autorit, Tiranë 1943
13.Kuteli, Mitrush, Netë Shqiptare, rrëfime, botimi i dytë, pronjë letrare, botim i autorit, Tiranë 1944
14.Kyçyku, Kopi, Shqiptarët e Rumanisë, Revista Haemus, 2010
15.Kyçyku, Kopi, Antologji e poezisë rumune, Bukuresht, 2003
16.Kyçyku, Kopi, N-a învăţat cum se moare / Nuk mësoi si vdiset – Mihai Eminescu, monografi rumanisht-shqip, Librarium Haemus, Tiranë-Bukuresht, 2015.
17.Kyçyku, Kopi, Zinxhiri i anktheve – Rrëfim i çiltër për vete e për të tjerë, intervistë dhënë shkrimtarit Hiqmet Meçaj, Librarium Haemus, Bukuresht, 2007
18.Muret e dyfishtë, ese, Anuarul Albanezul (Vjetari Shqiptari), 1995-96; Revista Haemus nr. 2-3-4, 1999, ISSN: 1454-1203;
19.Një gramatikë e mërgimit – në dy gjuhë ‚të huaja‘, ese, botuar në disa organe të shtypit kulturor shqip; rumanisht – në revistën Convorbiri literare, Nr. 8 (188), Iaşi, Rumani, gusht 2011;
20.Outism şi insomnie, Studiu imagologic, literar și semiotic asupra unor autori ai literaturii de expresie albaneză / Outizëm dhe pagjumësi, Studim imagologjik e semiotik mbi disa autorë të letërsisë shqipe (Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Fan S. Noli, Faik Konica, Migjeni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Anton Pashku, Anton Çefa, Hiqmet Meçaj, Ferik Ferra, Arian Leka), Librarium Haemus, Bukuresht, 2014, 181 f.
21.Poradeci, Lasgush, Vepra Letrare, Biblioteka e Traditës, Sh. B. Naim Frashëri, Tiranë, 1990
22.To Literature and to bilingualism, intervistë në rumanisht dhënë shkrimtares Iolanda Malamen, Ziua Literară (Dita Letrare), shtator 2008; shqip – në TemA dhe në disa organe letrare, 2008-2009; anglisht – në The Sun (Dielli), SUA, dhjetor 2013
23.Trialog [Ese ndërdisiplinore mbi lidhjet e letërsisë me mërgimin dhe me gjuhët që ajo zgjedh për të ruajtur Kujtesën dhe Metaforën] Bukuresht 2016
24.The bitter bread of the text, kushtuar jetës dhe veprës së Mitrush Kutelit, Universalia Review, No. 11, Year VII / 2010
25.Un continent al consoanelor (despre destinul literaturilor interzise din Sud-Estul Europei, 1944-1990) / Një kontinent i bashkëtingëlloreve (mbi fatin e letërsive të ndaluara në Juglindjen e Evropës, 1944-1990) – Revista Română de Geopolitică şi Relaţii Internaţionale, Vol. III – Nr. 1 2011, ISSN: 2066-3781; fragmente shqip – në disa organe letrare
26.Vremea locțiitorilor / Koha e zëvendësve / mëkëmbësve, libër-intervistë dhënë shkrimtares Iolanda Malamen mbi shpirtërimin shqiptar, Editura Humanitas, Bukuresht, 2003
27.Zeul Epigon / Hyu epigon, ese monografike ‘kushtuar veprës dhe jetës së poetit shqiptar Lasgush Poradeci në 100-vjetorin e lindjes’, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Evropës Qëndrore (ACESA), rumanisht, Presa Universitară Română, Bratislava - Timişoara, 2000, 151 f. 

* Listë e pjesëshme alfabetike e autorëve të Revistës Haemus


Andrey Gritsman, Adhurim Lako, Adonis, Adrienne Rich, Agim Baçi, Albert Einstein, Alda Merini, Aleksandër Zinoviev, Alexandre Lambert, Alexandru Monciu-Sudinski, Ali Podrimja, Alisa Velaj, Alket Çani, Anders Österling, Andi Meçaj, Andra Rotaru, Andrzej Bursa, Anna Kamieńska, Anna Pogonowska, Anne Sexton, Anton Çef, Antonio Frattasio, Arben Dedja, Ardian Klosi, Ardian Vehbiu, Ardian-Christian Kyçyku, Ardita Jatru, Arhim. Pavel Papadopulos, Arian Leka, Arsenie Boca, Artan Minarolli, Astrit Cani, Augustin Cupşa, Aura Christi, Aurel Ionel, Azem Shkreli, Bajram Sefaj, Bardhyl Londo, Bashkim Shehu, Beqir Musliu, Blerina Goce, Bogdan-Alexandru Stănescu, Claudio Magris, Cleopa Ilie, Constantin Virgil Gheorghiu, Corneliu Vlad, Cristian Popescu, Czesław Miłosz, Dan Mircea Cipariu, Dan Shafran, Daniel Turcea, Dhimitër Pojanaku, Dhurata Hamzai, Diane Ducret, Dino Buzzati, Dom Simon Jubani, Dorin Tudoran, Edval Zoto, Elida Rusta, Elinda Marku, Ella Wheeler Wilcox, Elsa Demo, Elvira Dones, Ernest Koliqi, Ervin Hatibi, Esad Babaçiç, Esther Jansma, Eugen Ionesco, Eugen Jebeleanu, Eugenia Țarălungă, Eva Hila, Fan S. Noli, Fatmira Nikolli, Federico Fellini, Ferik Ferra, Floresha Dado, Flurans Ilia, Flutura Açka, Frederik Reshpja, Gabriela Melinescu, George Bacovia, Gheorghe Istrate, Gianina Cărbunariu, Grigor Sinaiti, Grigor Vieru, H. Nagid, Harry Martinson, Herman Hesse, Hiqmet Meçaj, Horia Gârbea, Hulio Kortasar, I. D. Sîrbu, Ioana Ieronim, Ibrahim Kodra, Ilirjan Zhupa, Ingmar Bergman, Ioan Aurel Pop, Ioan Es Pop, Iolanda Malamen, Ion Minulescu, Ion Mureșan, Irena Luto, Iulia Enkelana, J. H. Myskjin, Jamarbër Marko, Jan Twardowski, Jani Basho, Kiril Kovalxhi, Khalil Xhibran, Kjell Espmark, Kopi Kyçyku, Leo Butnar, Lasgush Poradeci, Lindita Komani, Luan Starova, Luciana Friedman, Luljeta Danaj, Luljeta Lleshanaku, Lulzim Haziri, M. Astner, M. Raicevici, Miltos Sahturis, Maica Tereza, Manolis Anagnostaqis, Marian Drăghici, Marian Popa, Mariklena Niço, Marin Sorescu, Mario Bellizzi, Mark Oshënari (Ascetul), Martin Camaj, Maximilian Lamberz, Mihai Eminescu, Mihal Hanxhari, Milot Rama, Mimoza Hysa, Mircea Eliade, Mircea Ivănescu, Mirela Kapaj, Mitrush Kuteli, Muşata Matei, Mustafë Xhemaili, Myzafer Korkuti, N. Araidy, N. Coande, Naim Frashëri, Naim Kelmendi, Ndre Mjeda, Nichita Stănescu, Nikos Engonopulos, Nina Cassian, Novruz Xh. Shehu, Octavian Goga, Octavian Soviany, Odyseas Elytis, Panait Istrati, Pär Lagerkvist, Paul Celan, Paul Goma, Paul Vinicius, Pëllumb Kulla, Petraq Kolevica, Petraq Risto, Petre Ţuţea, Pier Paolo Pasolini, Publius Ovidius Naso, R. S. Manor, R. Someck, Radu Cârneci, Ragip Sylaj, Ramon Del Valle-Inclan, Rando Devole, Rexhep Shahu, Riat Ajazaj, Ridvan Dibra, Robert Raucshenberg, Robert Shvarc, Robert Walser, Rodika Radian-Gordon, Romeo Çollaku, Rudian Zekthi, Ruszard Kapuscinski, Sadeg Hedayat, Savatie Baștovoi, Selma Lagerlöf, Sf. Maxim Mărturisitorul, Sf. Siluan Athonitul, Shën Maksim Dëshmitari, Shën Nektari i Eginës, Shën Siluan Athoniti, Shpëtim Gina, Shqiptar Oseku, Silvana Leka, Simona Nicoleta Lazăr, Sofron Saharov, Stefano Benni, Tadeusz Różewicz, Ted Hughes, Teoklit Dionisiati, Teuta Toska, Tompa Gábor, Traian T. Coșovei, Tudor Arghezi, Tymoteusz Karpowicz, Valbona Bozgo, Vasile Andru, Victor Eftimiu, Vilson Blloshmi, Vinçenx Golletti Baffa, Vintilă Horia, Visar Zhiti, Vladimir Gjika, Wisława Szymborska, Xhevat Latifi, Yang Lian, Zamfir Bălan, Zbigniew Herbert, Zef Zorba

Curriculum Vitae [FR]


ARDIAN KYÇYKU (les pseudonymes littéraires: Ardian-Christian Kyçyku / Kuciuk), écrivain d’expression albanais et roumain, né le 23 août 1969 à Pogradec, Albanie, auteur de plus de 50 ouvrages originaux (romans, prose courte, théâtre, scénarios, études scientifiques, essais, films de court métrage, anthologies, traductions).
Docteur en littérature comparée et universelle; doctorant en théologie; professeur d'université.
Recteur de l’Université Roumaine des Sciences et des Arts «Gheorghe Cristea» - Bucarest.
Depuis 1998, il est co-fondateur et co-directeur de la Revue Européenne Haemus, qui totalise plus de 8.000 pages.
Membre fondateur de l'Association Culturelle Albanaise Haemus et de l'Institut Haemus - Études balkaniques. Prix littéraire national d'Albanie «Plume d'Argent», Tirana 2013; Citoyen d'honneur de de la ville natale Pogradec 2014; Kult Academy Prize «Le meilleur livre / Le meilleur auteur», Tirana 2015 et 2018; Prix II „Katarina Josip” pour le drame original albanais, Prishtina 2016; Grand Prix du Festival du Film Très Court, Cluj-Napoca, Roumanie, 2017; Ambassadeur de la Nation, Tirana 2019 www.ardiankycyku.blogspot.com




[1] Doktoratë e mbrojtur në Graz me temën ”Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie / Eminesku i panjohur dhe ideologjia e tij popullore”.
[2]Historia e Skënderbeut” (1898), “Bagëti e Bujqësi” dhe “Histori e përgjithshme” (1886), që do të pasohet nga “Dituritë” (1888), “Lulet e verësë” (1890), “Parajsa apo fjala” (1894), “Fjalë të urta” (1894), “Qerbelaja” (1898). Shih Kopi Kyçyku, Shqiptarët e Rumanisë, studim, Revista Haemus; shih edhe Frida Idrizi, parathënie e Veprës letrare të Lasgush Poradecit, Tiranë 1990.
[3] Pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës (1913-1938), poet e prozator vegimtar, në frymë rimbaud-iane, vdekur në moshë të re, gati i panjohur për lexuesin.
[4] Panait Istratit u botua për herë të parë në shqip 80 vjet pas vdekjes, me “Kira Kiralina”-n, shqipëruar nga Kopi Kyçyku, Sh. B. PA, Berlin-Prishtinë, mbështetur nga Rrjeti Traduki, 2015.
[5] Naum Panajot Bredhi (1797–1846), avokat e veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare shqiptare.
[6] Shih Kopi Kyçyku, Shqiptarët e Rumanisë, studim, Revista Haemus dhe disa organe të tjera të shtypit në gjuhët shqip e rumanisht.
[7] Visar Dodani / Vissarion A. Dodani (1857-1939), gazetar e veprimtar i njohur.
[8] Themeluar nga avokat Dhimitër Ilo dhe Gjergj Meksi.
[9] Lito-tipografia Motzătzeanu & Lambru, caractere fabricaţiune franceze. Tipografie pentru cărţi în limba albaneză. Patru maşini cilindrice. Str. Lipscani Nr. 2 Bucuresci. Esecută ori-ce fel de lucrări atingătoare de această branşă. Esactitatea şi acurateţea sunt deviza atelierului.
[10] Pseudonimi i Aleks Stavre Drenovës (1872-1947), autor i Himnit të Flamurit dhe i vëllimeve "Rreze dielli" (1904), "Ëndrra e lotë" (1912), “Psallme murgu” (1930) etj, botuar në Rumani.
[11] Kopi Kyçyku, Shqiptarët..., art. cit.
[12] E përditshmja në shqipen e atëhershme  - sh. im – A. K.
[13] Në botimet shqip të Rumanisë gjen fjalë e shprehje të mrekullueshme, - në një shqipe që mund të quhet e gjithanëshme, - shumica e të cilave, për fat të keq, janë anashkaluar nga shqipja e shkruar, duke mbijetuar fort rrallë në të folmen e gjithnjë e më pak shqiptarëve, sidomos me banim jashtë Shqipërisë.
[14] Duhet veçuar vëllimi „Mihail Eminescu, Vjersha”. I shqipëroj Dhimitri P. Pasko, Konstancë, maj 1938. Shtypur në atelierët e Shqipëris së Ré - Albania - Mihal S. Xoxe. Kjo librë u shtyp në editurën e shqipëronjësit, me përkrahjen lëndore - pjesërisht - të Komunitetit Orthodhoks Shqiptar të Bukureshtit, me rastin e festimit të parë të pesëdhjet vjetorit të parë pas vdeljes të Eminescu-t” – Biblioteka e Akademisë Rumune.
[15] Të jesh i fuqishëm pa rënë në sy – lat.
[16] Lum ai që mund të njohë shkaqet e gjërave – lat.
[17] Emërtimi latin i Ballkanit.
[18] Mes viteve 1999 dhe 2017, i detyruar nga kushtet tashmë të njohura, botova shqip në Hapësirën Rumune, shumicën tek “Librarium Haemus”, librat: Muza e Lojës, trilogji, 1999; Përkthimi, ose Jeta e një robi që nuk betohej se shihteroman, 1999; Lumenjtë e Saharasëroman, 2010; Engjëjt e tepërtroman, 2010; Syroman, 2004; Home, roman, 2007; Puthmë skelet – roman me fëmini, 2007; zv.Libriteatër, 2008; Atirrëfim, 2009; Gjaku asnjanës – jetë suflerësh, teatër, 2009; Trialog, [Ese ndërdisiplinore mbi lidhjet e letërsisë me mërgimin dhe me gjuhët që ajo zgjedh për të ruajtur Kujtesën dhe Metaforën] 2016.
[19] Filokalia në rumanisht, kapitulli i Shën Maksim Dëshmuesit.


* Ky studim u paraqit në: Éditer en albanais dans un contexte allophone. Séminaire Réseau transnational pour l’étude de la presse en langues étrangères (Transfopress). Le 18 juin 2019, 18h30-20h30, Rez-de-jardin, salle RJ.24
Avec: Isabelle Richet, Nicolas Pitsos, Irena Rambi, Évelyne Noygues
www.bulac.fr