Exile story

Gjithnjë më është dukur se në qytezat e përgjumura, - ku banorët kanë në lëvizje diçka nga kukullat dhe nga të verbërit që janë hequr aq gjatë sikur shohin, sa zor të shohin më pak se të tjerët, - dashuritë e hershme ruhen më mirë. Sidomos kur në qyteza të atilla bashkëjetojnë kombësi, gjuhë e doke që shpesh përjashtohen mesveti, por jo me gërvima, gërvishtje e thashetheme të rëndomta, dashuria endet ngadalë drejt një freskie fqinjë me shenjtërinë. Aroma e tyre sjell ndërmend librat e zverdhur, fotografitë sepia, afishet e kinemave dhe kërcitjen e dhembshur të eshtrave të vjeshtës nën dëborërat e para. E nuhat atë aromë ende pa kapërcyer pragun e qytezës. E ndjen si një paragjykim më fort të ëndërruar, se sa të bartur nga kaosi i qytetit pa anë e fund. Ndërtesat janë të ulëta, kurse rrugët – të ngushta e disi të anuara, a thua se sapo je kthyer nga jashtë shtetit në vendlindje. Dëgjon fjalë të panjohura, disa më të huaja se të tjerat, dhe e di se aty pipëtijnë të gërshetuar lumturia që je i ndryshëm nga të tjerët me mllefin e fshehur që të tjerët nuk kanë ndërmend të bëhen si ti.

Pushteti i bashkëtingëlloreve



Elsa Demo: Çfarë është bërë shkas në krye të herës që ju të studioni letërsinë e ndaluar?

Ardian-Christian Kyçyku: Shkasi kryesor janë librat e mi në shqip e rumanisht. Besoj se, lidhur me këtë bisedë, ju keni parasysh “Një kontinent bashkëtingëlloresh, ose copëza nga fati i letërsisë së ndaluar në Ballkan (1945-1990)”. E përgatita për një takim ndërkombëtar, ku duhej të flitej për disa nga të vërtetat themeltare të letërsisë dhe të vendit që ajo zë, ose meriton të zerë në jetën e sotme. Kontinent bashkëtingëlloresh më duket Evropa zyrtare e këtyre tridhjet vjetëve, për shkak të qëndrimit që mban ndaj letërsisë në përgjithësi dhe ndaj asaj që është shlyer me vuajtje, në veçanti. Më duket se kemi mbetur peng në një hapësirë ku janë rralluar shumë zanoret… Prandaj mendoj se është koha kur për letërsinë e ndaluar në sa më shumë trajta të saj, të shprehen, shkencërisht e bindshëm, jo vetëm autorët e ndaluar dhe kundërshtarët e tyre, si deri më tash, por edhe ata që nuk mund të përfshihen krejt në asnjërin prej dy grupimeve. Si autor, - një dëshmi ishte botimi edhe në aq të vlefshmen antologji “Shqipëria kujton”, - unë bëj pjesë në një letërsi që mund të shihet si disafish e ndaluar: për shkak të temave, stilit, kumteve, mënyrës si qarkullon, si e zgjedh lexuesin, si trajtohet nga zyrtaria etj. Me gjithë hidhërimin që mund të zgjojë, e vërteta duhet thënë: nuk mjafton vetëm të jesh i ndaluar, duhet të bësh art të epërm. Të mbijetosh përmes artit, por edhe ai të mbetet pas teje, ta kapërcejë lirshëm, pa ‘paterica’ biografiko-politike, mbijetesën e autorit. Sepse shpesh shkatërrimi i një autori nuk është bërë për shkak të letërsisë së tij (veçmas ndaj autorëve me vepra të pabotuara, por të njohur si shkrimtarë), por letërsia e tyre është përdorur si mbulesë për arsye të rëndomta smire…