Showing posts with label Romani "Home". Show all posts
Showing posts with label Romani "Home". Show all posts

Katrori, rrethi, koni...

 

(...)
E dinim që kishte një përfytyrim të veçantë rreth mërgimit dhe na e pat dëshmuar gjatë një takimi qesharak me njërin nga ministrat e panumurt që vinin të na bëheshin baballarë e të qanin gju më gju me gjunjët tanë të capaluar hallet që ata pandehnin se kishim. Ministri në fjalë ishte çunak, faqekuq, një nga ata që shëndoshen furishëm, mbeten shtatzanë me bollëkun, qivuren në kostume të zinj, venë ndonjë stemkë mbi zemër dhe pjellin e mbajnë fjalime si nga rropullitë e rilindësve. Na e pat thënë hapur: «Të dashur bashkatdhetarë, të dashur vëllezër, na thoni ç’doni të bëjmë për ju…». Në sallë, padukshëm, kish plasur ajo që mund të quhet e qeshur zorrësh dhe që nuk para humb hidhërim po të pjerdhësh. Ca zëra kishin kërkuar sjelljen e atdheut këtu, ose zhvendosjen e mërgimit atje. Kurse Home Çkena, që ishte i ndrojtur nga natyra, ose, më mirë: nga sasia e mençurisë që bartte në kafkë dhe të cilën s’ishte asnjëherë i sigurtë se nuk do t’ia keqkuptonin, drithëronte. Pat ngulmuar aq herë me thërrime zemre: «Hajde, çuna, se do vijë e djathta në fuqi dhe s’do na harrojë. E djathta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë e majta në fuqi dhe s’do na harrojë. E majta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë qendra në pushtet, do vijë rrethina, do vijë katrori, rrethi, koni… ».
Papritmas qe ngritur në këmbë dhe i kish thënë ministrit:

- Na thoni më parë ju se çfarë jeni në gjendje të bëni, pastaj ne do t’ju themi se ç’na nevojitet.

Na pat mbetur gdhendur nga ai tubim vetëm fytyra e qymyrtë e ambasadorit që vigjëlonte mbi mërgatë asokohe, sytë e vranët, të zhgënjyer, dhe tendosja përbuzëse, vishnjë, e nofullave, diçka që mund të shqipërohej: «Po ju s’keni brekë në bythë e atdhe nën shputa, mor halabakë – si guxoni të hidhni baltë mbi misionin e zotit ministër?!».

- Nuk ju vjen ta besojnë, - pat thënë Home Çkena pas mbledhjes. Nuk ju vjen të besojnë, se, po të mos ishim ne jashtë, askush s’do ta merrte vesh, për njëqind e ca vjet, se ata janë brenda. Por do të vijë dita kur ta marrin vesh se ne jemi kufijtë e tyre. Ja, kështu siç jemi, pa brekë në bythë, pa atdhe nën shputa…

E në mungesë të kufijve, gjithçka e gjithkush i përkiste vetëm Hiçit.(...)

* Fragment nga romani "Home"

Kufij


Para se të largohej me Endritën për krahu, Home Çkena pati një si rënie, ose ngritje në vegim. Tha gjëra që nuk i kishte shprehur më parë aq hapur, me atë të folmen e vet të pangatërrueshme, që shartonte tinguj humori, mençurie e hidhërimi të fisëm nga dialektet dhe zhargonet e atdheut, - dhe ne mezi kishim pritur që edhe ai ta shfrynte një herë mllefin si një mërgimtar i rëndomtë, ndonëse ishte ndër më të rëndomtët mërgimtarë. Edhe fërneti dot t’i kish rënë ca në kokë.

Endrita po tregonte një barcaletë me ulokun që pat hipur në shpinë të të verbrit, kur Home Çkena, në vend që të qeshte qoftë edhe sa për miqësi, tha mendueshëm:

- E ç’të duhet jeta ndonjëherë?! Ata që kishe në atdhe kanë vdekur, ndërsa ti je mëse i vdekur për të gjithë ata që kanë ngelur atje… Je si ndonjë shpikje…

Endrita dhe ne bëmë sikur s’ia vumë veshin. E dinim që kishte një përfytyrim të veçantë rreth mërgimit dhe na e pat dëshmuar gjatë një takimi qesharak me njërin nga ministrat e panumurt që vinin të na bëheshin baballarë e të qanin gju më gju me gjunjët tanë të capaluar hallet që ata pandehnin se kishim. Ministri në fjalë ishte çunak, faqekuq, një nga ata që shëndoshen furishëm, mbeten shtatzanë me bollëkun, qivuren në kostume të zinj, venë ndonjë stemkë mbi zemër dhe pjellin e mbajnë fjalime si nga rropullitë e rilindësve. Na e pat thënë hapur: «Të dashur bashkatdhetarë, të dashur vëllezër, na thoni ç’doni të bëjmë për ju…». Në sallë, padukshëm, kish plasur ajo që mund të quhet e qeshur zorrësh dhe që nuk para humb hidhërim, po të pjerdhësh. Ca zëra kishin kërkuar sjelljen e atdheut këtu, ose zhvendosjen e mërgimit atje. Kurse Home Çkena, që ishte i ndrojtur nga natyra, ose, më mirë: nga sasia e mençurisë që bartte në kafkë dhe të cilën s’ishte asnjëherë i sigurtë se nuk do t’ia keqkuptonin, drithëronte. Pat ngulmuar aq herë me thërrime zemre: «Hajde, çuna, se do vijë e djathta në fuqi dhe s’do na harrojë. E djathta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë e majta në fuqi dhe s’do na harrojë. E majta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë qendra në pushtet, do vijë rrethina, do vijë katrori, rrethi, koni… ». Papritmas qe ngritur në këmbë dhe i kish thënë ministrit:

- Na thoni më parë ju se çfarë jeni në gjendje të bëni, pastaj ne do t’ju themi se ç’na nevojitet.

Na pat mbetur gdhendur nga ai tubim vetëm fytyra e qymyrtë e ambasadorit që vigjëlonte mbi mërgatë asokohe, sytë e vranët, të zhgënjyer, dhe tendosja përbuzëse, vishnjë, e nofullave, diçka që mund të shqipërohej: «Po ju s’keni brekë në bythë e atdhe nën shputa, mor halabakë – si guxoni të hidhni baltë mbi misionin e zotit ministër?!».

- Nuk ju vjen ta besojnë, - pat thënë Home Çkena pas mbledhjes. Nuk ju vjen të besojnë, se, po të mos ishim ne jashtë, askush s’do ta merrte vesh, për njëqind e ca vjet, se ata janë brenda. Por do të vijë dita kur ta marrin vesh se ne jemi kufijtë e tyre. Ja, kështu siç jemi, pa brekë në bythë, pa atdhe nën shputa…

E në mungesë të kufijve, gjithçka e gjithkush i përkiste vetëm Hiçit. (...) 


Fragment nga romani “Home”

Në letër

Çelësi i një kulle / Nga "Home"


E hante për herë të parë krejt i vetëm atë zemër. Dhe fyti i qe tharë si tokë djerrë, dhe do të kish pirë gjak nga gjaku i vet, po të mos qe shpikur fërneti. Kish dalë kulle marrakëmbthi, duke dihatur i përlotur nga pesha e vet, - e cila sikur i qe trefishuar, ngaqë e kish thithur të gjithë shpirtin nga Tirana, ku Suzi këndellej klubeve me një dashnor të ri, - dhe qe ulur në një mejhane buzë portit, e nuk qe ngritur veçse pas shishes së dytë. Ishte krejt axhami, i panjollë, në botën e madhërishme dhe shkatërrimtare të pijes, prandaj edhe vetëm atëbotë pat mësuar ç’lloj dehjeje kishte. Nuk e gjetëm duke qarë, duke puthur pijetarë e pijetare të tjera, nuk e gjetëm duke mbajtur fjalime, duke kënduar, sharë politikanë e jetë muti, apo duke bërë sherr në përgjithësi, me ajrin plot kripë e jod të huaj. E gjetëm me atë kokën e madhe mbështetur mbi grushtet prej muratori të lindur, symbyllur, tek përsëriste dy fjali, thelbin e të cilave e morëm vesh muaj më vonë, pasi e vetmuam (vetmohuam?) në skërkën tonë.

- Urdhëroni çelësin e kullës, të dashurit e mi, - thoshte, dhe: “Kulla është plot me libra”.

Pastaj na kish buzëqeshur, na kish përkëdhelur flokët, kish mbështetur atë kokën e madhe herë në gjoksin e njërit e herë në supin e tjetrit, dhe qe përmbysur nën tryezë për të nxjerrë shumë më tepër vrer nga sa bart një njeri i rëndomtë. Ishte vreri i mbledhur brenda njeriut që s’ka mundur ta nisë pijen në kohën e duhur, ose, siç ngulmoi njëri prej nesh: vreri i një brezi që s’kishte ku të kthehej.

Akademia Kult - Çmimi "Libri artistik i vitit / Shkrimtari i vitit" - Ardian-Christian Kyçyku, romani "Home"

Foto: KULT

Akademia Kult, Tiranë, Pallati i Kongreseve, 7 Nëntor 2015


Kronikë e Tv Sot 7, Pogradec (Autor: Ilir Shyta)


Romani "Home"

Në Shtëpinë Botuese PA

Romani "Home" gjendet në Sh. B. PA 
në "M&B" - Botime dhe Studio Grafike
Rruga "Zenel Baboçi", Pall. Ferar
Tel: + 355 4 22 33 283 / + 355 69 20 68 603 / + 355 67 30 73 265
Tiranë


***


F  a l e n d e r i m

Falenderoj secilin prej jush për urimet, vëmendjen dhe dashamirësinë. Shkova në Tiranë me ftesë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, për të mbajtur një kumtesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Letrat shqipe dhe gjuhët e tjera të letërsisë” (9 nëntor 2015).

Çmimi Kult ndodhi pikërisht në mbrëmjen kur mbusheshin plot 24 vjet nga dita kur më pat ardhur njoftimi për studimet e doktoratës në Bukuresht (7 nëntor). Shprehja ‘I erdhi letra’ qëmoti përdorej kur të rinjtë duhej të shkonin ushtarë, shoqëruar me sqarimet ‘Do ta bësh ushtrinë në (... Veri, Jug, kufi etj)’ Qysh atëhere kjo shprehje u rishqipërua brenda meje si ‘Do ta bësh rininë në gjuhë të huaj’.

Nuk qe e rastit as që Çmimin e mori romani “Home”, histori e mërgimtarit të shumëfishtë Home Çkena, njëfarë hije-binjake e mjaft shqiptarëve të djeshëm e të sotëm, - që mbase shndërrohen në hije-binjake të tij në një botë tjetër, - shkruar në Bukuresht gjatë vitit 2005 dhe botuar në Prishtinë.

Gjatë galës aq të hijshme të Akademisë Kult ndihesha njëfarësoj edhe unë vetë, edhe hija ime, dhe disa gjëra i shihja me syrin e dukshëm, disa të tjera – me syrin e hijes. Rrallë më ka ndodhur që të dy këta sy të shohin njëlloj.

Nuk arrita të bëja as çerekun e takimeve që dëshiroja prej shumë vitesh, por ritakova një Tiranë të dashur, plot përmallim e shije rinie, dhe një Pogradec si copëz parajse. As në librat që kam shkruar, qofshin shqip, qofshin rumanisht, nuk kam pasur një udhëtim të tillë.

Po e mbyll me një urim të Home Çkenës: “Ju rrofshin hasmët, që t’ju shohin të lumtur!”

Ardian-Christian Kyçyku,
Bukuresht, pó nëntor, 2015

A.-Ch. Kyçyku, Pogradec - Photo Iulia Enkelana

Romani "Home" - video

"Home" në Berlin


LiteraturHaus Berlin
Në datën 4 shtator 2014, në hapësirat e LiteraturHaus të Berlinit u paraqit romani “Home” i Ardian-Christian Kyçykut. Shfrytëzuam rastin dhe zhvilluam me autorin një bisedë të shkurtër në lidhje me romanin, leximin, idetë që dolën nga ky takim letrar. Mbrëmja letrare u organizua nga Shtëpia Botuese PA me seli në Prishtinë dhe Berlin, e drejtuar nga zonja Feride Berisha, dhe u mbështet pjesërisht nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani.

Zëri: I nderuari z. Kyçyku, ju gjetëm sonte këtu në hapësirat e LiteraturHaus Berlin me rastin e paraqitjes së romanit tuaj “Home”, të cilin kësaj vere e botoi shtëpia botuese PA. Si e ndjeni veten këtu në mesin e shqiptareve që jetojnë në Berlin? Cila është përshtypja e parë?

Botuesja Feride Berisha dhe A.-Ch. Kyçyku
Ardian-Christian Kyçyku: U ndjeva në shqip, ose njëlloj sikur të qemë mbledhur në një libër të këndshëm. Nuk qe e rastit që pikërisht romani “Home” e krijoi këtë mundësi. Në krye të librit kam shkruar se të gjitha ngjarjet që pasojnë mbështeten në një libër të vërtetë. Gjithmonë më është dukur se, kur shumë ngjarje dynden të hyjnë në libra, disa të tjera dalin nga një libër i pashkruar i Mërgimit shqiptar dhe fitojnë njëfarë jete të mëvetësishme. Mikpritja e shqiptarëve të Berlinit, përkushtimi i botueses, zonjës Feride Berisha, bisedat, shija e takimit letrar janë mbresëlënëse, sidomos në kohëra kaq të vështira për letërsinë e mirëfilltë. Nga ana tjetër, qyteti është nga ata të paktët ku shumë shpejt bindesh se jeton prej vitesh.

"Home" - botim i ri / 2014

Romani "Home" - Shtëpia Botuese PA, Prishtinë-Berlin, 2014