“E pinë kafenë pa shkëmbyer asnjë
fjalë.
Heshtja nuk jepte asnjë shpjegim.
Si muranat.
Kërcënuesi nuk dukej hajn, as
vrasës me mëditje – dhe kjo qe më e përbindshmja. Çfarë kish
ardhur të bënte nëse nuk kish
ardhur për të vjelë ar, piktura me vlerë, dorëshkrime njerëzish të famshëm,
veshje të shtrenjta apo kokën e Rubin Shkretës, që tani po i dukej gjëja më e
lirë në tërë këtë shtëpi?! Por dihej që zakonisht gjërat e lira kushtonin shumë
shtrenjtë.
Vendosi ta thyente
akullin. Një herë vdiste burri.
- Bën mirë të më thuash
çfarë kërkon nga unë, - belbëzoi.
Tjetri e këqyri si me
qesëndi.
- Hm, një vezë, - tha.
- Një vezë?!
- Po, një vezë.
- Çfarë lloj veze?
- Çfarëdo lloj veze.
- Për fat të keq, s’mbaj
pula.
- As korba?
- As korba. Nuk i kam duruar dot
as vezët, as shpezët.
