Showing posts with label "Dinamit". Show all posts
Showing posts with label "Dinamit". Show all posts

Dinamit / nga "zv.Libri - copëza jete a letre, frymëzuar nga Teatri"


Fanitet Ikua i Parë me gjeminë e kopjuar sipas gjemisë së Ikos, me libra të stivosur, me llampë të ndezur peshkimi, me peliçe minatorësh, me kokore, me armë gjahu, me një çadër plazhi të zbërdhylur, me një mushama të gjelbër ushtrie.

 

Ikua i Parë (ish-Ushtari 1)

Iko! Iko-o-o-o!

 

Ikua

Ëëëë…

 

Ikua i Parë

Më dëgjon?

 

Ikua

Jo vetëm të dëgjoj, por edhe të njoh.

 

Ikua i Parë

Me gjithë mend?

 

Ikua

Nuk je ti ushtari i popullit ushtar, që më lexoi dënimin me vdekje në mungesë?

 

Ikua i Parë

Unë?!

 

Ikua

Me vendim të posaçëm të datës… ëëë…, the, i pandehuri Iko ëëëë… dënohet me vdekje në litar, në bazë të Ligjit ëëë… neni ëëë… për tradhti të lartë ndaj atdheut…


Ikua i Parë

Hm, po ashtu ishin kohërat, mor Iko. S’kishe nga të mbyteshe.

 

Ikua

Unë kisha.

 

Ikua i Parë

Të shkuara, të harruara.

 

Ikua

Me hak. Të kujtohet sa kemi qarë bashkë në toskërisht?

 

Ikua i Parë

Nuk marr vesh.

 

Ikua

Nuk të kujtohen tërë ato ëëëëëëë?! Ëëëëë, ia priste njëri – ëëëë, ia mbante tjetri. Përtej ë-ve, fati vajtonte n’gegnisht.