Dinamit / nga "zv.Libri - copëza jete a letre, frymëzuar nga Teatri"


Fanitet Ikua i Parë me gjeminë e kopjuar sipas gjemisë së Ikos, me libra të stivosur, me llampë të ndezur peshkimi, me peliçe minatorësh, me kokore, me armë gjahu, me një çadër plazhi të zbërdhylur, me një mushama të gjelbër ushtrie.

 

Ikua i Parë (ish-Ushtari 1)

Iko! Iko-o-o-o!

 

Ikua

Ëëëë…

 

Ikua i Parë

Më dëgjon?

 

Ikua

Jo vetëm të dëgjoj, por edhe të njoh.

 

Ikua i Parë

Me gjithë mend?

 

Ikua

Nuk je ti ushtari i popullit ushtar, që më lexoi dënimin me vdekje në mungesë?

 

Ikua i Parë

Unë?!

 

Ikua

Me vendim të posaçëm të datës… ëëë…, the, i pandehuri Iko ëëëë… dënohet me vdekje në litar, në bazë të Ligjit ëëë… neni ëëë… për tradhti të lartë ndaj atdheut…


Ikua i Parë

Hm, po ashtu ishin kohërat, mor Iko. S’kishe nga të mbyteshe.

 

Ikua

Unë kisha.

 

Ikua i Parë

Të shkuara, të harruara.

 

Ikua

Me hak. Të kujtohet sa kemi qarë bashkë në toskërisht?

 

Ikua i Parë

Nuk marr vesh.

 

Ikua

Nuk të kujtohen tërë ato ëëëëëëë?! Ëëëëë, ia priste njëri – ëëëë, ia mbante tjetri. Përtej ë-ve, fati vajtonte n’gegnisht.

 

Ikua i Parë

Aaaaa! Po si s’më kujtohen, more Iko, si s’më kujtohen? Shumë gjëra mund të harrojë njeriu, por ato ëëëë – kurrë.

 

Ikua

S’më the ç’e mirë të solli këtej.

 

Ikua i Parë

Kam shumë kohë këtej unë, por sot m’u bë mbarë të vij të takohemi.

 

Ikua

Ashtu, ë? Po sa kohë ke, pakashumë?

 

Ikua i Parë

Në ujra koha s’matet me vite.

 

Ikua

Qënke bërë shtetas i kulluar i ujrave, shoh. Si e ke hallin?

 

Ikua i Parë

(Ngrihet më këmbë dhe tregon veten me gishta)

Më shikon?

 

Ikua

Jo vetëm të shikoj, por edhe të dëgjoj.

 

Ikua i Parë

A nuk ngjajmë si dy binjakë?

 

Ikua

Binjakë mesveti, apo binjakë në vetvete?

 

Ikua i Parë

Binjakë të njëri-tjetrit.

 

Ikua

Ëhë. Shoh se gjeminë e ke si timen, peliçen, mjekrën, shprehjen e fytyrës… Je njëçikë më i shkurtër, apo më duket mua?

 

Ikua i Parë

Ngaqë i kemi nënat të ndryshme.

 

Ikua

Ke libra sa ç’kisha unë kur mora arratinë, apo sa ç’kam tani?

 

Ikua i Parë

Kam më pak se ti.

 

Ikua

Që të duket sikur ndodhesh këtu para meje, apo jo?

 

Ikua i Parë

Jo, jo, kjo është e vërteta!

 

Ikua

Ç’emër ke marrë?

 

Ikua i Parë

Ikua i Parë.

 

Ikua

Dhe s’ke gënjyer. Se, kur thua Filani i Parë, nënkuptohet që ka qënë një tjetër para teje. Përndryshe, do të kishe qënë thjesht Filani… Ose zeroja.

 

Ikua i Parë

Ke ngrënë edhe libra aritmetike?

 

Ikua

Edhe parrulla kazermash, po deshe. E di cila më ka shijuar më shumë? Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet.

 

Ikua i Parë

Nejse, për tjetër muhabet erdha.

 

Ikua

Hape zemrën si në ujrat e askujt.

 

Ikua i Parë

Kur ndërruan kohërat, u lirova nga ushtria.

 

Ikua

Bukuri.

 

Ikua i Parë

Mirpo s’gjeta punë veçse si roje.

 

Ikua

Roje ku?

 

Ikua i Parë

Andej nga ke qënë roje edhe ti: në një si çerdhe, në një si kopësht fëmijësh, në një si shkollë fillore, në një si gjimnaz, në një si shtëpi kulture, tek ca si konvikte studentësh… Më kupton?

 

Ikua

Me aq sa mundem.

 

Ikua i Parë

Pastaj bam! më dëbuan nga puna. Më flakën si garzë për zakonet e grave, Iko. Ca dështakë që s’i njihte kush e që bënin hije kot, na u gdhinë komandantë, pasanikë, drejtorë, shkrimtarë… Putha ca duar, shtrova ca dreka e darka, gjeta punë – pó roje. Mirpo as si roje s’kisha rehat. Vinin ca të majtë a të djathtë, fap, më pushonin nga puna. Më binte bretku të gjeja një punë qoftë edhe si roje i thjeshtë, s’arrija as të ruaja, as të mos ruaja – fap, vinin ca të djathtë a të majtë e më pushonin.

 

Ikua

Domethënë paskan ndryshuar ca gjëra, sidoqoftë.

 

Ikua i Parë

Një mut kanë ndryshuar. Pó ata janë.

 

Ikua

Epo, e tillë është jeta. Kokat ndërrohen, morrat mbeten.

 

Ikua i Parë

E drejtë. Arrita të mos ma varnin as ca morracakë që i pata shpëtuar nga burgu e litari.

 

Ikua

Po ata që pate bërë me dije se janë dënuar me vdekje në mungesë?

 

Ikua i Parë

Mos ji zevzek tani. Unë thjesht ta lexova dënimin, nuk e zbatova.

 

Ikua

Vere vëth në vesh, o, ti, Ikua i Parë: nuk e zbatove, sepse nuk e zbatoje dot, jo se nuk doje.

 

Ikua i Parë

Edhe kjo është e vërtetë.

 

Ikua

Se, po ta doje jetën tënde dhe të të tjerëve më pak…

 

Ikua i Parë

Si më pak?

 

Ikua

… do më kishit hedhur në erë bashkë me veten tuaj e me plot të tjerë të pafajshëm…

 

Ikua i Parë

Aha, e mora vesh.

 

Ikua

E, pra… S’na hodhët në erë, se ju pakësoheshin skllevërit.

 

Ikua i Parë

Atëhere më erdhi në majë të hundës, që thua ti. M’u ndy kjo jetë. Më mbiu ideja të rrëmbej një gjemi nga ato që lihen të lagen tek fuçia e kuqe dhe të çlirohem nga zgjedha shumëkombëshe e…

 

Ikua

Llokume ke me vete?

 

Ikua i Parë

Hm, aty do të dilja.

 

Ikua

Të lëçita, byrazer. Ngjajmë si dy pika uji, mirpo vetëm unë kam dinamit. Ti s’ke. I ke të gjitha krejt si unë, por s’ke dinamit.

 

Ikua i Parë

Di poker?

 

Ikua

Je hequr deri tani sikur ke, mirpo nuk ke. Gaboj?

 

Ikua i Parë

Po të gaboje, do të ishe nën dhé.

 

Ikua

Jam edhe nën dhé, në mënyrën time, mos u merakos… (E tregon me gisht) Nën këmishën e pushtetit ke ca shkopinj, ose qirinj. E kam drejt?

 

Ikua i Parë

Po. Prandaj kërkoj të më japësh edhe mua ca këshilla nga përvoja jote, si dhe ca…

 

Ikua

Po mirë, mor Ikua i Parë, të të bëj një pyetje, po jo për të të gërvishtur plagën. Dëgjova që u shpërthyen tërë ato depo armësh. Po të qenë shpërthyer para ikjes sime, s’do të kisha marrë dot dinamit… Vërshuan armët si ndonjë lumë i tërbuar; gjeje më shumë armë, se thërrime buke; më shumë të shtëna, se frymëmarrje… kurse ti… Si s’u bëre mbarë të zgrepsje ndonjë arkë me municion, ndonjë mitraloz, ndonjë bazukë?! Pa përmendur faktin që pate qënë ushtar e roje nën aq qeverira…

 

Ikua i Parë

Po ti e përfytyron sa veta më kërcënonin me vdekje? Duhej të fshihesha, ose t’ia mbathja një sahat e më parë, përndryshe…

 

Ikua

Po ti s’kishe bërë asnjë të keqe, apo jo?

 

Ikua i Parë

Jo, për besë.

 

Ikua

Atëhere?

 

Ikua i Parë

Po në këto kohëra pikërisht ata që s’kanë bërë asnjë të keqe e pësojnë të parët. Ashtusoj humbin gjurmët keqbërësit e vërtetë. Vjen tjetri nga hiçi, zë vendin që të takon ty, pastaj vjell helm e vrer, të ndyn me ato që s’i nxe as goja e hales, jo më e robit, dhe njerëzia e besojnë. I varin në gjoks edhe dekorata, medalje, tituj…

 

Ikua

S’më kish vajtur mendja… Çfarë të nevojitej përveç këshillave të mia, se ta preva fjalën përgjysmë.

 

Ikua i Parë

Ca këshilla dhe ca llokume të vërteta, sa për…

 

Ikua

Hm. Sa për t’u bërë sadopak i vlefshëm, ë? Do më shumë se një?

 

Ikua i Parë

Dua më shumë se një. Vetëm me një, e shumta mund të vras veten. Kurse po pata më shumë, do të jem jo vetëm i vlefshëm… Por kur i teket ndonjërit të vijë të më vrasë, të kem me çfarë ta tremb…

 

Ikua

Po pse të të vrasë njeri ty, mor Ikua i Parë, ë? Ke vrarë njeri ti? S’ma ha mendja. As për të ngjallur ndonjë të vrarë s’dukesh i aftë. Pse t’i frigohesh vdekjes ti?

 

Ikua i Parë

Se kohërat janë kafshëruar, Iko. S’është më si në kohën kur ia mbathe ti. Sot të vret ai që s’e pret. E të vret kot fare, ashtu, sa për…

 

Ikua

Sa për t’u bërë pak i vlefshëm, ë? Sa për të pasur me çfarë t’i trembë ata që mund ta vrasin kot fare…

 

Ikua i Parë

Si thua?

 

Ikua

Këshilla ime e vetme është: hap sytë ç’libra ha. Se jo ç’lexohet hahet. Kurse llokume të tepërta nuk kam. Madje s’kam më as këshilla.

 

Ikua i Parë

Mos më thuaj se i ke llokumet me numur!

 

Ikua

Po t’i kisha me numur, të jepja nja katër a pesë. Nuk të jap dot pikërisht se nuk i kam me numur.

 

Ikua i Parë

Mund të të dalë për hundësh kjo kopraci, ta dish.

 

Ikua

Mos, moré. Do më cicërosh prapë ndonjë me vendim të posaçëm të datës… ëëë… i pandehuri Iko ëëëë… dënohet me harrim mes ujrave, në bazë të Ligjit ëëë… neni ëëë… për pavarësi të lartë ndaj bashkatdhetarëve…

 

Ikua i Parë

Atë do ta shohim.

 

Ikua

Të është tekur ëëëë për ndonjë llokum të ndezur ëëëë?

 

Ikua i Parë

Po më kërcënon me vdekje?

 

Ikua

E sheh, pra, se s’të nevojiten llokume, që të jesh i kërcënuar me vdekje?

 

Ikua i Parë

Je një maskara, ta dish.

 

Ikua

Kurse ti je vetëm mashë dhe s’i përket vetes.

 

Ikua i Parë

Unë s’i përkas vetes?! Po kujt i përkitkam unë, sipas teje?

 

Ikua

Ushtrisë. Kur të marrësh sërish emrin që të kanë vënë prindërit, do të mësosh masha e kujt ke qënë.

 

Ikua i Parë

Unë mashë?! Dal, se ta rrëfej unë ty mashën.

 

Ikua

Po s’ka gjë, se masha është në lidhje të drejtpërdrejtë me zjarrin. Mund të kishe qënë lopatë varrmihësish, ose më keq: lopatëzë fekalesh…

 

Ikua i Parë ngre çiften, tërheq siguresën dhe matet të shtjerë.

 

Ikua

(ngrihet më këmbë dhe i tregon gjoksin)

Po të kishe pasur llokume dinamiti, do ta kishe pasur gishtin më të vendosur, mor qyqar. Apo e kam gabim?

 

Ikua i Parë qëndron si shtatore.

 

Ikua

Nuk do kishe ndenjur tani si shtatorja e Ikanakut të Panjohur. Mirpo ti ua hyre ujrave që të bësh pak emër, pak zhurmë, pak bujë. Prandaj e ke gishtin pa eshtër. Ëëëëë?

 

Ikua i Parë shtrëngon nofullat me maraz.

 

Ikua

Apo do ta bësh zemrën gur e do të fluturosh me mua dhe coprat tona prej binjakësh me nëna e dinamit të ndryshëm, bashkë me pikla gjaku e shtëllunga pluhuri, do të stërkasin ujrat dhe tokat përreth?

(...)

 

A.-Ch. Kyçyku: zv.Libri - Copëza jete a letre, frymëzuar nga Teatri