Showing posts with label Teatër / Teatru / Theater. Show all posts
Showing posts with label Teatër / Teatru / Theater. Show all posts

Ndiqni pikat...

 

Përkulet mbi ujra me libërthin në duar. Herë lexon copëza letrash, herë kundron ujrat dhe hijet që enden rreth gjemisë. 

Ikua

(me pëshpëritje)

Ky është zëvendëslibri. Kemi nja dy fjali nga Java e Parë, ca dromca nga Muaji i Dytë, ndonjë varg nga Viti i Tretë e ashtu me radhë… Do ta përkthejë njeri? Mundet? Se ka shumë fjalë të moçme e të reja. Jo rrallë më dukej se ngulisja në kokë dhe sajoja pikërisht fjalët që shpërfillnit, përdhosnit, apo harronit ju… Zv.Libri, se Librin e jetova. Faqet e tij rodhën mes ujrash bashkë me jetën time. Ose jeta ime rodhi mes librash… Rodhi kaq jetë, kaq vetmi, e po vdes pa mësuar si do të vdes… E dhimbshme? Merreni dhe mos ia dorëzoni armikut, sidomos atij që harrohet. Më mirë ta hani, se sa t’ia jepni atij që harrohet… Në rregull?... Sic transit… letërsia e botës… Është mirë ta dini se jeni shumë të vetmuar. Shumë më të vetmuar se unë. Prandaj lejomëni, o qyqarë të dashur, që të derdh ca lotë për ju. Jo më shumë nga sa e keni hak, jo më pak nga sa mundem. Mos ma merrni për keq. Mund edhe të nënqeshni me lotët e mi dhe me fatin tim në përgjithësi. Derisa të lirohem. Domethënë: derisa të bëheni të gjithë baltë nga ajo më e ëmbla se mjalta… 

Zbret ngadalë nga gjemia dhe endet sikur po noton, duke mbajtur libërthin mbi krye, me të ashtuquajturin ‘not marinari’. Ujrat janë mbushur me shishe të zbrazëta madhësish e ngjyrash të ndryshme. Shishet mblidhen rreth gjemive. 

Ikua

Të nis t’i mbush këto shishe me copëza nga Zëvendëslibri e pastaj t’i shtyj në drejtime të ndryshme?! S’kam tapa, që t’i mbyll. Kjo ka qënë mangësia ime më e madhe: asnjëherë s’kam pasur tapa. 

Shtyn ca shishe me këmbë. 

Ikua

Po ç’do të qe bërë, vallë, sikur të kisha ngrënë copërat e vlefshme të librave?! Të kisha ngrënë këtë libërth të ëmbël si mjalta… dhe të kisha shpëtuar pluhurin, plumbin, drurët e përdhosur më kot, lëndën e parë të harrimit… Me siguri do të kisha vdekur i helmuar… Mirpo, meqë bëra të kundërtën, mund të ndodhë vetëm që shumë prej jush e prej atyre që vijnë pas jush, të betohen se unë s’jam këtu… 

Armiqtë më të pamëshirshëm të njeriut / Pantomima


II.

Banesa e Rrok Tupanës. Biblioteka mbulon një faqe muri, deri në tavan. Libra, revista, gazeta dhe dosje të zverdheme rrinë të ngjeshura e të shpërndara kuturu mes raftesh. Tryeza e punës ndodhet djathtas, pranë një dritareje me perde të trasha ngjyrë vishnjë. Rrok Tupana pi konjak dhe cigare, duke mbajtur në njërën dorë disa fletë dhe duke tundur hereharës kokën me njëfarë mëdyshjeje, ose habie. Shpresa Tupana lexon një revistë grash në kolltukun përballë të shoqit. 

RROK TUPANA: Mallkimi i dikurshëm sikur m’u bë bekim përmes këtij njeriu... Pa’sha qillin!... Vjen një askush nga errësira dhe përmbys gati gjithçka... Herë bindem se e njoh qysh në fëmini dhe fati na ka ndarë, për t’u rigjetur tani në pleqëri. Një si biçim vëllai që është plakur në kurbet... 

SHPRESA TUPANA: Kjo na ndodh ndaj shumë njerëzve të afërt, por edhe fare të huaj... Ka marrë dynjaja tatëpjetën... 

RROK TUPANA (I përhumbur në mendime): Tani mëdyshja është: të shkruaj në vend të tij, të shkruaj për të, apo edhe-edhe... Njëherazi, në fshehtësi të plotë... Ti si thua? 

SHPRESA TUPANA: Po ç’ka bërë, që paska kaq rëndësi? Cili është, në fakt? 

RROK TUPANA: Është një askush që, para gjashtëmbëdhjetë vjetësh, hodhi shtetin në gjyq. 

SHPRESA TUPANA: Po kush s’e hedh sot shtetin në gjyq?! Çështja është se sot s’ka shtet. 

RROK TUPANA: S’ka, s’ka, mirpo ky e hodhi në gjyq dhe fitoi.

Copëza nga dosja / Homo ex machina: Pantomima

 


I moshuari Pano Mima, - që shpesh e paraqit veten si “Armiku më i rrezikshëm, ose Ai që harrohet”, - hedh në gjyq shtetin për mospërfillje, kur zbulon se dosja e tij prej shtetasi ende gjallë nuk ka më tepër se tri fletë. “Njëra faqe përmban një jetëshkrim që ia patën kërkuar kur e merrnin në punë. Aq. Asnjeri nuk e kish ndjekur, asnjeri nuk e kish spiunuar, asgjë. Sikur të mos qe pjellë kurrë. Këto fletë janë njëra pjesë e dëshmisë sime, tha, ndërsa pjesa tjetër jam unë. Peshojeni vetë çështjen: më një anë tri fletë, më anën tjetër unë... Jam gjallë, i kam kaluar të shtatëdhjetat, jam i martuar, kam grua e fëmijë tashmë të rritur, nipër, mbesa; kam komshinj prej një jete, kunetër, kunata, baxhanakë, ish-shokë shkolle e pune, disa smirëzinj (por as këta nuk më kanë paditur për gjësendi) dhe ca miq që, njëlloj si armiqtë, nuk kanë shkruar asgjë kundër, apo pro meje...”

Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Pano Mima e fiton gjyqin dhe duhet të marrë një dëmshpërblim prej 300 mijë eurosh. Por atij nuk i duhen të hollat. Pas bisedash të fshehta, bie në ujdi me zyrtarët që, në vend të parave, t’i plotësohet dosja. Për këtë zgjidhet Rrok Tupana, një shkrimtar mesatar, që dikur hartonte kujtimet e udhëheqësve dhe të veteranëve me famë.

Në plotësimin e dosjes përfshihen hap pas hapi, herë vullnetarisht e herë me mëditje, fqinjë, të njohur, të afërm, bashkëshortet, prindërit që kanë ndërruar jetë dhe e dashura e parë e Pano Mimës.

Nuk dihet sa ditënetë a vite kalojnë, mes mëdyshjesh e hamendjesh, derisa protagonistët kuptojnë se sa peshë ka arritur të ketë fjala dhe se sa e ç’fjalë ka në këto kohëra pesha e ngjarjeve, emrave, njerëzve. Pjesa e padukëshme e fjalëve i ndihmon të mos vdesin më “të paditur se kaq”, por jo më të ditur nga sa duhet.


I.

 

Një ballkon i gjerë, disi i lënë pas dore, nga ku duket Dajti dhe disa copëza të Tiranës së hershme. Një tryezë e madhe druri është vendosur buzë parmakut, pranë saksive me lule të rreme, por që janë ujitur. Rreth tryezës janë tri kolltukë të bardhë, me jastëkë të qëndisur pó me lule. Një llampadar me tetë qirinj varet mbi tryezë. Dikush ka vendosur hijshëm dy filxhanë kafeje, dy gota teke, një shishe konjak „Skënderbeu” dhe një damixhane me ujë.

Pano Mima është veshur me kostum të zi e me këmishë të bardhë. Mban një kravatë të kuqe dhe këpucë të shtrenjta që shkëlqejnë.

 

PANO MIMA (si me vete)

Nuk kam vdekur, jo, siç do të kishin dashur disa, madje nuk jam veshur për ndonjë varrim a mbledhje. Tani nuk më njihni, por do më njihni. Madje nuk do më harroni kollaj. Është hera e parë pas kaq vitesh, kur ju jeni të gjithë bashkë në një cep dhe unë i vetëm, por në qendër. Në qendër të vëmendjes, atje ku s’më keni lënë kurrë të rri, ndonëse e kam pasur hak po aq sa ju. Sa secili më vete e sa të gjithë bashkë...

 

(Ndez një cigare)

 

Pse jam unë kaq i bindur që do më njihni e s’do më harroni?! Po të ma kishit lexuar dosjen, tanimë do të më njihnit mirë, me dhëmbë e dhëmballë, si thotë populli. Mirpo shteti nuk jua dha të drejtën të më njihni, sikurse ma mohoi mua të drejtën për të pasur një dosje të ndershme. Shteti ndoshta as tani nuk e pranon, por dosja e njeriut, e shtetasit, është po aq e rëndësishme sa edhe jeta e tij. Në mos po sa vdekja... Por nuk prish punë. Pasi të më dëgjojnë disa minuta, do të binden të gjithë, gjer edhe hasmët më të mbrapshtë, se nuk jam kot këtu, në qendër të vëmendjes...

 

Troket dera.