Showing posts with label "Tunel-e". Show all posts
Showing posts with label "Tunel-e". Show all posts

Tunel-e


(…)

- Shpresoj të mos e mbajë kështu dëbora gjer të kthehem, - tha ai.

- Ti shpreson, unë uroj. Po ç’mund të të ndalë tashti të kthehesh?! Derë s’kemi më, pragu s’na ndal dot.

- Ke të drejtë, - shtoi ai, - por doja të bëja ca ditë plazh. Ta merrja njëherë me not kryq e tërthor, si në gjimnaz.

- Gjoli aty është, - tha i gjyshi. Po nuk e nxore mallin tani, do na japësh besimin se herën tjetër do kthehesh më shpejt.

Ai deshi të shqiptonte fjalën “e drejtë”, por shtangu. Rijetoi atë zgjerim e mprehje të frikshme të dëgjimit, si në mërgatë, si jashtë librave, zgjuar fillimisht nga tmerri, nga makthi se mos të vret kush gabimisht, apo të bie ndonjë copë suva e huaj, ose të ka shtënë kamarieri helm për minj, ose thjesht një pështymë të huaj, në gotë, në kafe, e kur arrin të dëgjosh jo vetëm rrahjet e zemrës sate e të të panjohurve, por edhe mbllaçitjet e stomakut, gërvimën e zorrëve, zhaurimën e mëlçisë së fyer, drithmën e ngjyrave brenda kokërdhokëve, afshin dhe kujën e fjalëve, palé aq fjalë të huaja që nuk i kupton, pastaj ato që i kupton, ato që të mardhin e të nxehin e të torturojnë e të shajnitin… Nën vendlindjen e tanishme qe ngjallur befas një qytet tjetër, më i panjohur se ai nëntokësori e se qiellori. Një qytet nën dëborë e ku nuk ia pat prerë mendja kurrë se gjallokëshin aq vetë që mezi prisnin të braktisnin shtëpitë. Ai qytet i nënshtrohej një tjetër harte, ende të pabotuar, madje të pahartuar. Zhurma brofi nga disa anë njëheresh, si currilat e furishme të një uji që ka ndenjur ngucur me gjithnjë e më pak frymë brenda një buti, ose shkëmbi prej akulli. Njerëzit sikur kishin shkalluar, ndofta trutë e tyre kishin plasur e vërshuar bashkë me atë ujë. E nuk qe aq ftohtë sa përrenjtë e truve të ngrinin e të binte sërish heshtja. Tunelet diku u qenë kryqëzuar, përplasur, krisur, çarë, shembur, u kishin dalë në drejtime jo vetëm të papërfytyruara, por edhe të mbrapshta. Disa kishin sosur në dyert e hasmëve, të grave që patën dashur e që qenë martuar me të tjerë, disa – nëpër seli partish e shoqatash, disa – në pjesët e ndyra e plot plehëra të lumit, disa – nëpër bunkerë mbushur me mutra të thatë e pisllëqe që janë aq të neveritshme, sa s’kanë emërtime, disa – anës gjolit, disa – në gropat ende të pambushura të varrezave, apo në gropat nga ku skeletet ishin arratisur gjatë rrëshqitjes së varreve. Klithnin, shanin, munxosnin, qeshnin me të madhe, gromësinin, në një magmë të errët zërash, ku bashkëtingëlloret qenë ndarë prej zanoreve, ndërsa zanoret shfryheshin, me anën e tyre më të ulët, nënnjerëzore.

- Paska pasur kaq libra ky qytet, - tha i gjyshi.