Ardian-Christian Kyçyku: Ka qenë “Lumenjtë e Saharasë”, në vjeshtën e
vitit 1988. Mbaj mend se isha gati i ngujuar nga shirat e Tiranës, ndërsa
shpirtërisht endesha brenda e rreth një Pogradeci të gjithëkohshëm, me më shumë
shpirtra se sa njerëz. Zgjati më pak se një javë dhe ishte një lloj i çuditshëm
tërbimi, si e ndonjë shpirti të kapur në rrjetë, por në rrjetën e Bukurisë se Epërme,
kur kupton se aq bukuri s’e përballon,
s’e tret dot, dhe njëherazi nuk ndalesh së ëndërruari, në mos po së luturi, që
ajo të zgjerohet e të kapërcejë çdo cak. Nuk është aspak lojë fjalësh kur them
se doja të tregoja gjëra që s’rrëfehen lehtë dhe të rrëfeja gjëra që s’tregohen
lehtë.
Thomas S. Eliot shprehej në vitet ‘20 se
romani është një formë që s‘do të shërbejë më, që s‘do të mund të
përdoret më... Në fakt, duket se ndodhi e kundërta?
- Varet se ç’“roman”
ka pasur parasysh, ndonëse çdo bindje kritike e përmasave globale gjithmonë
fsheh të paktën një pakënaqësi, ose mangësi lokale. Nëse bëhet fjalë për
tonelatat e letrës së shtypur, autorët e të cilave, në rrugë drejt sintezës, i
ha analiza, gjithkush mund ta thotë, në çdo kohë, pa gabuar. Sidoqoftë, kur
shkruaj, jam aq larg thënieve e parashikimeve, saqë nuk gjej asnjë arsye për të
dalë nga bindja “teoritë le të lehin,
romani shkon përpara”.
Romani duket se diti t’ia dalë dhe formave të egra
siç ishte censura gjatë komunizmit?
- Në një periudhë
të egër shkrimtari duhet të peshojë mirë se “çfarë nuk i lejohet” (që të mos
paguajë me kokë), kurse në një tjetër: se “çfarë i lejohet” (që të mos paguajë
me liri të vërtetë shprehjeje). Egërsia ndaj letërsisë jetëgjatë nuk zvogëlohet
në varësi të lirive apo të drejtave. Dhuna ndaj gjërave që ndaloheshin thjesht zëvendësohet
nga dhuna e gjërave që lejohen. Prandaj ndaj arritjeve të romanit gjatë
periudhash diktatoriale më duket se çështja nuk duhet shtruar nëse ai ia doli, por se ku e nxori, ose ku e futi
lexuesin. Letërsia është shumë më tepër se beteja mes saj dhe një regjimi të
caktuar politik. Ajo është vazhdimisht e rrethuar nga të paktën një trajtë diktature
(në rastin më të mbrapshtë: e jovlerës që trymbetohet si vlerë e vetme dhe e
pazëvendësueshme).
A ka formë një roman?
- Kur ka jetë që ruan kujtesën pa kopjuar vetveten,
duke përdorur, ose duke u njësuar me gjuhën dhe shijen e zgjedhur, (gratia - lat.), ka vetiu edhe formë. Mirë
është ta kemi ndërmend besimin e murgjve të dikurshëm: varfëri nuk është varfëria, por mungesa e formës së shpirtit. Gjërat,
librat dhe qëniet pa formë shtojnë varfërinë shpirtërore dhe shpërdorojnë kohë.
Për këtë arsye, çdo shformim i bukurive të dukshme, për shembull, zbulon më
qartë, ndonjëherë frikshëm, bukuritë e brendshme. Në kufirin që duhet të mbajë
baraspeshën, vepron malli. Dhe malli, të paktën në botën ballkanike, mund të këqyret
edhe si një mjeshtër, - i dhembsur, por pa e tepruar në mëshirë, - i formës. Për
mua, jo rrallë, malli është vetë stili.
Romanet u shërbenin epokave; cili është raporti i
romanit sot me kohën?
- Koha e Romanit
është gjithnjë në “luftë” me të sotmen, shpesh edhe me të djeshmen, ose me të
ardhmen që duan të sajojnë këto të dyja. Po ta shohësh nga ana semiotike 6-ën,
që cilësohet si numuri i së tashmes, duket qartë se si koha zbret nga lart, bëhet
rreth dhe mbyllet në vetvete, në një vetëngujim që s’ka lidhje me vetminë
krijuese. Romani i nënshtrohet një kahu tjetër kohor. Kur lexojmë një roman të
fuqishëm, (për)jetojmë (në) kohën e tij, jo kohën kur është shkruar, apo
botuar. Vërtet shumica dërrmuese e romaneve, sidomos tani, i shërbejnë të sotmes
në mënyra nga më befasueset, shpesh të rëndomta, madje edhe të ulëta, por ata
pak lexues që përcjellin nga brezi në brez, mbase edhe përmes gjakut, apo
kodeve gjenetike, shijet e pastra artistike, zgjedhin pagabueshëm kohën e romanit
dhe jo romanin e kohës.
A ka humbur romani nga ndryshimi i stileve,
formave, të të shkruarit?
- Kanë humbur
vetëm shumë stile, forma, dhe bindje të gabuara ndaj vendit dhe të ardhmes së
romanit. Tingëllon hidhur, por nga këto humbje romani nuk ka fituar ndonjë gjë
të madhe.
Romanet tuaja si do t’i përkufizoje?
- S’mund të rrëfehen.
Cilin quan ti një roman?
- Librin që nuk është më shumë se jeta e mirëfilltë,
që harmonizon kujtesën e shpirtit me harresën e domosdoshme, dhe që ia rrëmben
bukurinë jetës për t’ia shtuar pó asaj.
Cili është një roman që do të doje ta kishe shkruar
ti?
- Adhurimi im
ndaj romanesh të caktuar nuk është përzjerë as edhe një herë të vetme me këtë
lloj “pronësie”.
Bukuresht-Tiranë, korrik 2015
U botua në Gazetën Shqip dhe në Revistën Saras, gusht 2015
Për Revistën Saras: Alda Bardhyli
U botua në Gazetën Shqip dhe në Revistën Saras, gusht 2015
Për Revistën Saras: Alda Bardhyli