Gjysma e shtizës së flamurit
Viktor Eftimiu ndërroi jetë më 28 nëntor
1972, si për nder të Ditës së Flamurit. Qivuri me trupin e pa(këtë)jetë u
vendos në sallën qëndrore të Akademisë Rumune më 29 nëntor. Për shtatë ditë me
radhë, flamuri i Akademisë ndenji ulur në gjysmë shtizë. Në dhembje e sipër,
miqtë e afërt, ish të dashurat e panumurta që u mblodhën nga të gjitha skajet e
Evropës, nuk mund të mendonin se ai vdiq nga ndonjë shkak tjetër veç pleqërisë.
Së shpejti do të mbushte 84 vjeç. Pas kaq kohësh, duke njohur hollësira ende jo
krejt të shpjegueshme, ka pak gjasa që vdekja e Viktor Eftimiut në Shqipëri të
jetë një rastësi e kulluar, të paktën nga pikëpamja metafizike.
I lindur më 24 janar 1889, pat mërguar
bashkë me familjen nga Boboshtica në moshën 9 vjeçare, hipur mbi një tren që
nuk tregtonte mallra dosido, por gurë, shkëmbinj Shqipërie. Vite më vonë, tek
çapitej shkëlqimtar salloneve të aristokracisë rumune e pariziane, i pranuar
njëzëri si vigan i poemave dramatike, mbase do të qe joshur kalimthi të gjente
thelbin simbolik të atij udhëtimi e sidomos të gurëve që nuk iu ndanë deri në
Bukuresht. Me pjesën tjetër të gurëve, atë që nuk e pat shoqëruar, do të
çmallej gjashtëdhjetë e ca vjet më pas, pó në Boboshticë, i plakur, i përmallur
dhe i pagojë nga afrimi shajnitës i vdekjes. Nuk mund të dihet nëse Eftimiu pat
ëndërruar të jepte shpirt në vendin që e lindi apo në Bukureshtin ku kaloi
jetën, ku provoi lumturitë dhe zhgënjimet e epërme. Duket se, gjatë pjesës më
të madhe të kohës, si qënie tejet evropiane, - diku, në kujtimet e veta, vajton
kohërat kur kufijtë ishin 'aq të shpirtëzuar' - nuk i vinte
ndonjë rëndësi të veçantë vendit ku do të jepte shpirt e ku do ta kishte
varrin. E nuk para duket që Vdekja të ketë luajtur në jetën e tij rolin tashmë
të njohur që luan në jetën e poetëve në përgjithësi. Me një çiltërsi
çarmatosëse, në librin e tij "Kujtime dhe polemika", mes të tjerash,
nuk ngurron të shkruajë: "Shpirt i pavarur, i dashuruar pas qartësisë e
dritës, optimist, me besim, i gjallë, i etur për aventura, i saktë, i rregullt,
përtej çdo ndjesie të errët, unë s'para kam qenë i krijuar për vegime. Nuk kam
pasur kurrë ndonjë jetë të brendshme tepër të dendur. Përveç halleve të jetës
dhe realizimit ngadhnjimtar të synimeve të mia, nuk kam njohur ankthe të
brendshme, dyshime, obsesione, fanatizma, shembje, trallisje e dorëheqje. Kurse
poezia është një përqëndrim mjegullash mbushur me rrufé".