Showing posts with label "Pragu ose Vdekja shkruan me dy duar”. Show all posts
Showing posts with label "Pragu ose Vdekja shkruan me dy duar”. Show all posts

Tunel-e


(…)

- Shpresoj të mos e mbajë kështu dëbora gjer të kthehem, - tha ai.

- Ti shpreson, unë uroj. Po ç’mund të të ndalë tashti të kthehesh?! Derë s’kemi më, pragu s’na ndal dot.

- Ke të drejtë, - shtoi ai, - por doja të bëja ca ditë plazh. Ta merrja njëherë me not kryq e tërthor, si në gjimnaz.

- Gjoli aty është, - tha i gjyshi. Po nuk e nxore mallin tani, do na japësh besimin se herën tjetër do kthehesh më shpejt.

Ai deshi të shqiptonte fjalën “e drejtë”, por shtangu. Rijetoi atë zgjerim e mprehje të frikshme të dëgjimit, si në mërgatë, si jashtë librave, zgjuar fillimisht nga tmerri, nga makthi se mos të vret kush gabimisht, apo të bie ndonjë copë suva e huaj, ose të ka shtënë kamarieri helm për minj, ose thjesht një pështymë të huaj, në gotë, në kafe, e kur arrin të dëgjosh jo vetëm rrahjet e zemrës sate e të të panjohurve, por edhe mbllaçitjet e stomakut, gërvimën e zorrëve, zhaurimën e mëlçisë së fyer, drithmën e ngjyrave brenda kokërdhokëve, afshin dhe kujën e fjalëve, palé aq fjalë të huaja që nuk i kupton, pastaj ato që i kupton, ato që të mardhin e të nxehin e të torturojnë e të shajnitin… Nën vendlindjen e tanishme qe ngjallur befas një qytet tjetër, më i panjohur se ai nëntokësori e se qiellori. Një qytet nën dëborë e ku nuk ia pat prerë mendja kurrë se gjallokëshin aq vetë që mezi prisnin të braktisnin shtëpitë. Ai qytet i nënshtrohej një tjetër harte, ende të pabotuar, madje të pahartuar. Zhurma brofi nga disa anë njëheresh, si currilat e furishme të një uji që ka ndenjur ngucur me gjithnjë e më pak frymë brenda një buti, ose shkëmbi prej akulli. Njerëzit sikur kishin shkalluar, ndofta trutë e tyre kishin plasur e vërshuar bashkë me atë ujë. E nuk qe aq ftohtë sa përrenjtë e truve të ngrinin e të binte sërish heshtja. Tunelet diku u qenë kryqëzuar, përplasur, krisur, çarë, shembur, u kishin dalë në drejtime jo vetëm të papërfytyruara, por edhe të mbrapshta. Disa kishin sosur në dyert e hasmëve, të grave që patën dashur e që qenë martuar me të tjerë, disa – nëpër seli partish e shoqatash, disa – në pjesët e ndyra e plot plehëra të lumit, disa – nëpër bunkerë mbushur me mutra të thatë e pisllëqe që janë aq të neveritshme, sa s’kanë emërtime, disa – anës gjolit, disa – në gropat ende të pambushura të varrezave, apo në gropat nga ku skeletet ishin arratisur gjatë rrëshqitjes së varreve. Klithnin, shanin, munxosnin, qeshnin me të madhe, gromësinin, në një magmë të errët zërash, ku bashkëtingëlloret qenë ndarë prej zanoreve, ndërsa zanoret shfryheshin, me anën e tyre më të ulët, nënnjerëzore.

- Paska pasur kaq libra ky qytet, - tha i gjyshi.

Happygram


"Nuk qe gdhirë ende. Po ç’gjë që ndërtohet mund të përligjë kaq ngut, kaq punë në këtë orë, u habit çunaku. Tani vetëm shkatërrimet nguten. Dhe nuk gaboi. Kamioni ishte cit me arka druri dhe në arka kishte kuti nga ato të llokumeve, dhe në kutitë e llokumeve kishte llokume, dhe llokumet ishin prej dinamiti. Toka vuan urie, mendoi ai. Toka nuk ngopet. As me dinamit, as me skelete. Ngarkuesit e llokumeve të dinamitit dukej sikur ishin të rastësishëm, por secili qe zgjedhur me kujdes, që, po të linte kockat në ajër e në zjarr skëterre, t’u dhimbte sa më pak vetëve. Ishin të vetmet çaste kur ata të paemër fitonin njëfarë vëmendjeje, dhe shlyenin me të qënët askushë një çmim të ngjashëm me atë që paguanin të vlefshmit. Linin pas gëlbazat e vrerit, dhe ato thaheshin e nganjëherë pastruesja ia tregonte të nipit dhe i thoshte: “Ja, të keqen nëna, janë glasa fati, i kanë bërë sgalemët…”.
- Jo, - ngulmonte fëmija. Nuk i kanë bërë sgalemët! I kanë bërë koranët!

Falë asaj beteje të nëndheshme... / Pragu


"Dukej i qetë, sikur sapo të kish bërë dashuri. Po vdesin ata që më numëronin mes të vdekurve, i pat thënë kur po ndaheshin, një ditë, ose një jetë më parë. Po rrëgjohen ata që u rropatën një jetë të tërë për të mos më llogaritur as mes të vdekurve. Ndonjëherë ia dolën mbanë të më trajtonin si të vdekur, apo si të mosqënë, gjer edhe njerëz të afërt, ish-të dashura, miq, jomiq e armiq. Nuk habitesh po të të them se ndihem si i zbrazur. Se, falë asaj beteje të nëndheshme, ata kishin me çfarë ta shtynin, kurse unë rrija më mirë i ngujuar në zemrën time. Ndofta kam frikë se mos më pushton paniku e marr arratinë nga zemra ime. Se zemra më mbajti për kaq vite si nëna foshnjën në bark. Ishim tre: Zoti, zemra dhe unë. Jo rrallë, - dhe ty mund të ta them pa u ndrojtur, - Zoti m’u bë zemër e më mbajti siç më mbante zemra në bark të vet".




„Pragu, ose Vdekja shkruan me dy duar” - roman i ri / 23 gusht 2019


“Ngjarjet që pasojnë janë folur me vete, në një lloj verbimi, - për të cilin do të shkruhet aq sa duhet, - dhe / ose janë shkruar me vete, në një lloj dëgjimi, për të cilin do të flitet aq sa duhet”. Autori

Në “rolet” kryesore: Zëri, Hija, Gjyshi magjistar, Gjyshi që muros dritare, hijet e dashura të gjysheve, kosa, Ajo, Rumuni, Shqiptari, Greku, Amerikani, Turku, uji, dëbora, tunele në akull, libra të djegur, Gjoli, Kinemaja, gurë të latuar kalldrëmi e themelesh, verbim(e), hiri, Kujtesa, uria e peshqve, drita, fluturimi, një dashuri e fshehur, sende nga luftrat botërore, qirinj, një kamion i vjetër, vegla të dukshme e të padukshme ndërtimi, por edhe shkatërrimi, disa dogana, dinamiti, bojë shkrimi si gjak dhe gjak si bojë, zhgjëndrra, Varreza, fjalë e pasthirrma, por sidomos heshtje. 

Metaforat nyjëtohen në bindjen se "Vdekja jo vetëm shkruan me dy duar, por edhe flet pa dorashka..."

Ky roman hap serinë me "shkujtime" të Ardian-Christian Kyçykut, që zhbirojnë nga një kënd i panjohur disa prej ngjarjeve thelbësore të botës shqiptare e letrare.

F r a g m e n t

KREU I

1. As në libra gjërat nuk mund të ndodhnin kaq përkryer. Hija e fëmijës i ledhatoi ballin dhe i pëshpëriti: “E di ç’kam parë, por jo në ëndërr?” Ai nuk e dinte. Kam parë Vdekjen, shtoi e bija, por atë Vdekjen me pelerinë të zezë e me kosë në dorë. Po? Po, por është kohë krize dhe Vdekja e ka nxjerrë kosën për shitje. Që të mbahet gjallë... Po si do mbahet gjallë vdekja, kur shet mjetin, që e mban në jetë, u habit ai pa hapur sytë, i ngjethur nga mendimet e së bijës. Nuk ishte andej, por as këtej, vijoi e bija. Ishte si mbi pragun e derës. Cilës derë, pyeti ai. Pak më tutje ishe ti, me dy qirinj të trashë në duar.
- Ndezur ishin?
- Sytë ishin ndezur; - e sqaroi ajo, - qirinjtë jo...
- Mbase që të mos shihja ç’ndan pragu...
U zgjua pasi e bija kish rënë sërish në gjumë. Ajo kish ende atë moshën e ndritshme, kur njeriu troket në një derë edhe për të hyrë, edhe për të dalë. As në libra, përsëriti ai. Madje as në një libër të shkruar prej meje, në paqe të plotë, brenda vështrimit të pavarur të një të verbri, larg zhaurimës përgjumëse të ditënatës e sidomos të kujtimeve që nuk bëhen dot letërsi e që nuk shndërrohen dot më as në jetë, as në ëmbëlsi vegimi. Kështu kam ëndërruar të rrjedhin qëniet dhe gjërat: sikur po shkruaja për to symbyllur, ose arratisur kësaj bote, me dy duar brenda së njëjtës dorë, njëra e padukshme dhe krejt e Zotit, tjetra: e dukshme, në tharje e sipër, më fort e vdekjes, se sa e imja, por ende e pangopur me hijeshi femre. Në këtë gjendje do të doja edhe të jepja shpirt, edhe shkrim, në heshtje pak më të thellë se gjoli dhe uria e koranëve, si gati për t’u lindur, që të mos cënohet me asgjë harmonia e epërme. Njëzetenjë vjet më parë, këtë rrugë do ta kisha marrë më këmbë, në palcë të dimrit. Më vonë, as me koburen në tëmth nuk do të kisha lëvizur vendit. Kurse tani asgjë s’më ndalon, asgjë s’më step. Kufijtë janë shembur, radha për viza është futur si gjysma e ndonjë skeleti gjarpri në harresë; as përfytyrimi im më i çartur prej shkrimtari nuk do t’i kish sheshuar gjërat me kaq përpikmëri. (…)