Showing posts with label Biseda. Show all posts
Showing posts with label Biseda. Show all posts

“Kri-ji-me fëminie”, ose Gjuha si shprehja më e lartë e frymëmarrjes


- Bisedë rasti me shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku -
 

Ëmbëlsira, thënë figurshëm, ose ”bijou”-ja sikurse i thonë francezët xhevahirit, me erdhi direkt nga i bukuri Bukuresht, që në rrënjë të emrit ka fjalën puro shqipe –  b u k u r. Romanthi “Krijime fëminie”, - se për të e kam fjalën, - kish vetëm 74 faqe. Edhe sot e kësaj dite, andej nga nahija jonë (nga pjesa veriore e Shqipërisë – ku bie Kosova, vlera e dukatit matet me karát (jo me kilogram). S’do mend, menjëherë iu qepa leximit. Kështu është gjithmonë, sa herë marr libër të ri nga Ardiani (shkrimtari im ndër më të preferuarit); me një ndryshim: kësaj radhe m’u dukën shumë pak ato faqe. Në vend që t’i lexoja, mendova t’i gëlltisja. Leximin e nisa dhe e sosa me babëzi e garbí të paparë. I rashë në fund e nuk kuptova asgjë. Shqyrtova më pas paraqitjen e librit. “Një fëmijë shqiptar i viteve ‘80 tmerrohet kur merr vesh se një shqiponjë ka lëshuar nga lart një breshkë mbi kokën e Eskilit, duke e pandehur gur, dhe ka vrarë gjeniun e lashtësisë. Fëmija themelon një trupë rojesh të fshehta dhe nis të mbrojë kokat e shkrimtarëve të realizmit socialist, që vinin për pushime në Pogradec. Libri ndjek nga afër mënyrat se si disa ngjarje të fëminisë shndërrohen më vonë në metafora dhe sidomos anasjelltas. Duke “ngjallur” pjesë-kyçe nga e folmja dhe nga ana poetike e mendësisë poradecare, autori përsijat mbi luftën e egër të gjuhës së drunjtë, dikur dhe tani, kundër Gjuhës së Epërme (poetike e shpirtërore); mbi krijimin artistik si shprehí e idealizmit dhe mbi njohjen e saktë të vetvetes, njohje që shpesh ndan shkrimtarët e mirëfilltë nga të tjerët”.

Me grusht mbi “samarin” e breshkës, jo të asaj që e rrëmben shqiponja (në roman), por mbi shpinën e miut të zi të kompjuterit, nis leximin e dytë. Me qëllim që, ngjyrë të kuqe (gjaku), të nënvizoj ato që do të më pëlqejnë më së shumti. Kur i rashë në fund leximit të dytë, pashë se kisha ngjyrosur mbarë tekstin, pa mundë me dallua ç’është më e mira, kur krejt, toptan ishte e mirë, e shkëlqyeshme madje, xhevahir ishte. I çarmatosur kryekreje, hoqa dorë nga gjithçka dhe iu drejtova autorit, për ndihmë e mirëkuptim. Le të më flasë ai vetë mbi romanin, duke filluar nga titulli provokues, e duke vazhduar me ata shtatë kapituj (Ballkan – e tashmja e pakryer; Zogj për ushqim / ushqim për zogjRoje falas dhe ujdira; Armë, shenja pikësimi, ideale; Koka të pangrëna; Gjuheti’ dhe Gjuheshtja), që aspak nuk ngelin mbrapa provokimit në krahasim me titullin e romanit. Autori i ka duart e lira, ngase është me kompetenti, të thotë krejt atë që duhet thënë, për këtë (kye)vepër (them unë) të tijën. Bisedë virtuale (nga distanca), jo e rëndomtë, për sytë e opinionit lexues shqiptar. Ani, le të duket ashtu, (si të duket!), kurse fjala është për një roman të hollë (në fletë) e të madh në temat (dhe dilet) që trajton. 

Bajram Sefaj: Mendoj se, veçmas për këtë libër, lexuesi e ka hak një bisedë me autorin... 

Ardian-Christian Kyçyku: Ndoshta ngaqë ky libër ka disa “mangësi”, të cilat nuk di për sa kohë do të mbeten “të pandreqshme”. Jam i detyruar të përdor edhe në këtë bisedë thonjëza të dukshme e të padukshme. I gjithë teksti ec mbi këtë vijë, mes kuptimit të parë të fjalëve dhe kuptimit të dytë, atij që është më i fshehuri, por më jetëgjati. Po rendit mangësitë: nuk është shtypur në letër; u drejtohet vetëm atyre që e dinë shqipen shumë mirë; nuk mund t’i tregohet dikujt me pak fjalë; është thellësisht i papërkthyeshëm dhe flet për krijimin letrar nga një këndvështrim që ligjet e globalizimit e trajtojnë si të tejkaluar... Kam përshtypjen se po përshkruaj njëherazi edhe disa rroba të reja mbreti, edhe një mbret të ri rrobash... 

"Parallel literature" - a conversation

Interviewed by Arta Marku Qëndro 


 ‘I need to tell a story. It's an obsession. Each story is a seed inside of me that starts to grow and grow, like a tumor, and I have to deal with it sooner or later.’ This is how Isabel Allende replies when asked why she writes. I think it is the kind of answer that can be given by all writers. Everything must start from the need to tell a story. But this one here is an irrational terrain, so let’s start the conversation from a clearer and more easily explicable space: your beginnings as a writer. Because there must be a moment that you discovered this inner need. How would you describe the moment of discovering a writer in yourself - the moment you realized the need to tell a story?  

Before it is a need, it is an almost a childish desire, but not to amaze anyone. It's like an invitation to discover, eyes closed, together with someone (whom you often neither know, nor see, nor will ever meet) things that are extremely vivid and yet invisible, neglected for entirely ordinary or even unjust reasons. I have started writing very early, but I always distinguish the winter of 1985 in Poradec[1]. That setting reminds me of a beautiful death, which seemed to surpass even life itself in many ways. Looking through the eyes of experience, it seems to me that the events that insist on being narrated are those whose ‘longevity’ in the memory is not guaranteed. This also awakens a compassion without which literature cannot live a very long life. 

Letërsia paralele - bisedë

 

Arta Marku“E kam të nevojshme të rrëfej histori. Është ide e ngulitur. Secila prej tyre është një farë brenda meje që fillon të rritet e rritet, si tumor, dhe herët a vonë duhet të merrem me të” - kështu përgjigjet Isabel Allende kur e pyesin pse shkruan. Mendoj se duhet të jetë një përgjigje që vlen për të gjithë shkrimtarët. Gjithçka duhet t’ia nisë nga nevoja për të rrëfyer. Por teksa këtu jemi në një terren iracional, le të fillojmë bisedën nga një hapësirë më e qartë dhe më lehtësisht e shpjegueshme: fillesat tuaja si shkrimtar. Se duhet të ketë një moment zbulimi të kësaj nevoje të brendshme. Si mund ta përshkruani momentin e zbulimit të shkrimtarit te vetja? Momentin kur e kuptuat nevojën për të rrëfyer. 

 

Ardian-Christian Kyçyku: Para se të jetë nevojë, është dëshirë gati fëminore, por jo për të mahnitur njeri. I ngjan një ftese për të zbuluar symbyllur, bashkë me dikë (të cilin shpesh as nuk e njeh, as nuk e sheh, as ke për ta takuar ndonjëherë) gjëra që janë tejet të gjalla e gjithaq të padukshme, lënë mënjanë për arsye krejt të rëndomta, ose edhe të padrejta. Fillesat e mia janë të hershme, por veçoj gjithmonë dimrin e 1985-ës në Poradec. Gjendja më kujton një vdekje të bukur, që sikur ia kapërcente në shumë gjëra e shije edhe vetë jetës… Këqyrur me sytë e përvojës, më duket se ngulmojnë të dalin përmes rrëfimit ato ngjarje që nuk e kanë të sigurtë „jetëgjatësinë” në kujtesë. Kjo zgjon edhe një dhimbsuri, pa të cilën letërsia s’jeton dot gjatë.

"Fjalë nga hija" / Mapo Letrare 10.10.2020


Mark Simoni: A mendoni se letërsia shqipe është çliruar nga psikologjia e vjetër e të bërit letërsi, nga klishetë, reminishencat dhe konceptet e letërsisë së kaluar?
 
Ardian-Christian Kyçyku: Hëpërhë s’ka se si e, sado ters të tingëllojë, s’ka as pse. Ndodh si me moshat e njeriut. Letërsia shqipe është e re dhe, meqë iu desh të kalonte përmes sprovës së realizmit socialist (periudhë pak, ose shtrembër e njohur në Perëndim), ende vazhdon të shlyejë atë që quhet “çmimi i gjakut”. Paguajnë edhe ata që shtypën lirinë e të shkruarit dhe të botuarit, por edhe ata që heshtën, ose thjesht u lindën në atë kohë. Se vlerën e ca gjërave që bëjmë edhe thjesht duke marrë frymë e kuptojmë nga ndëshkimet apo arritjet e mëvonshme. Kam përshtypjen se, edhe për nuk dihet sa kohë, të paktën në shtyp e qëndrime zyrtare, do të vijojë përsëritja e veseve që dikur ishin gati krime dhe që tani paraqiten si risi. Mjafton të përmendet zakoni që, duke shfrytëzuar ideologjinë, dikur sulmohej apo ndëshkohej shkrimtari për shkak të mënyrës si shkruante dhe / ose libri për të ndëshkuar autorin. Por ata që kanë dhuntinë e të shkruarit e dinë se, sa më mirë të shkruash, aq më i lehtë bëhet durimi i gjendjeve të mbrapshta. Sidomos kur aktorët dhe rolet e tyre shihen më qartë se kurrë. Ata që dje lëvdonin me gojë e me shkrim jetën e keqe, sot shajnë ose shpërfillin letërsinë e mirë. E cila vërtet s’do t’ia dijë.

Poezia në Epokën e Qelqit


- Bisedë jo e rastit me shkrimtarin e shquar shqiptar Ardian-Christian Kyçyku -

Për bisedë me këtë shkrimtar që jeton, punon e krijon prej shumë vitesh në Bukuresht, nuk lypset ndonjë shkas i veçantë. Dyert e hapësirës së tij krijuese përherë janë të hapura krahë e më krahë. Gjithmonë nga “miniera” e tij mund të dalësh me plot shportën (thesin), xhevahire. Ardiani është “gurthyes”, është mjeshtër, filigran diamantesh.

Bajram Sefaj: U bënë shumë vjet qyshse të kam njohur, fillimisht përmes veprës sate. Do të desha të di ndonjë hollësi për fillimet e krijimtarisë sate, ku dhe në ç’rrethana u zgjua delli yt poetik. Them “poetik”, sepse gjithçka që shkruan, pavarësisht ç’gjinie i përket, e ka poezinë brenda, si pjesë përbërëse organike.

Ardian-Christian Kyçyku: Besoj se bëhet fjalë për një fat të veçantë, sepse disa tregime dhe romane të shkruar në fillim, mes dimrit të vitit 1985 dhe atij të vitit 1988, janë botuar shumë vjet më pas me fare pak ndryshime. Po veçoj tre romane krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri: “Lumenjtë e Saharasë”, “Mortët” dhe “Demi i zi” (ende i pabotuar), si dhe prozat “Përtëritje”, “Ai që vuri zjarrin” dhe “Varrmihësit nuk lenë asnjë film përgjysmë”. Jam kaherë i bindur se të lindesh e ta kalosh fëmininë në Pogradec është pakashumë si të lindesh me një këmishë të çuditshme, e cila herë mbështjell foshnjën e herë tjetër vesh krejt pjesën tjetër të botës. Falë kësaj, herë foshnja mbetet lakuriqe dhe e pambrojtur përballë botës, herë e kundërta. Në thelb, më tepër se sa t’i bashkojë, poezia i ndan njerëzit në dy popuj, të paktën sa i përket mënyrës se si e përftojnë lakuriqësinë e tyre, alias peshën, kuptimin dhe rolin që kanë në këtë botë... Çfarëdo që të thuhet e shkruhet për shqisën e poezisë, - se më duket vërtet shqisë, - njeriu mbetet i kotë dhe rrugështrembër pa poezinë, sidomos në këto kohëra kur çdo arratí nga e përditshmja (që shpesh i ngjan një kafshimi të parreshtur ndërgjegjeje), ose nga pesha e së përjetshmes, ngulmon të shpallet poezi. Për fat të keq, vlerën e poezisë së mirëfilltë ende shumë vetë e kuptojnë pak para se të japin shpirt.

Fildish...

[Intervistë e shkrimtarit Ardian-Christian Kyçyku dhënë z. Izet Duraku, Drejtor i “illz” – Revistë Letrare e Tiranës]

Izet DurakuKam kënaqësinë të konstatoj se në Bukureshtin e bukur ku jetoni dhe punoni keni marrë edhe vlerësimet më të larta si njeri i dijes dhe shkrimtar i shquar. Faleminderit, i dashur mik, që po lartësoni emrin e mirë të Shqipërisë!
A ka shërbyer mirënjohja rumune për të qenë edhe më prodhimtar në punën dhe në krijimtarinë tuaj të jashtëzakonshme? A ka ardhur koha që në shqip duhen shqiptuar pa kurrfarë droje, publikisht e me zë të lartë lëvdatat e mirënjohjet e merituara, pra, për ta mëkëmbur e fuqizuar më tepër institucionin shqiptar të mirënjohjes?

Ardian-Christian Kyçyku: Meqë lexuesit e mi të parë në rumanisht ishin shkrimtarë, kritikë dhe lexues nga ata që nuk mbijetojnë dot shpirtërisht pa letërsinë, vlerësimet e tyre më dhanë një shtysë dhe një kënaqësi të pazakontë. Se shpesh, gjatë shkrimit të një libri, aq më tepër drejtpërdrejt në gjuhë të huaj, huajsimi ndaj gjërave dhe njerëzve, madje edhe dyshimet se mos je lindur vonë, herët, apo fare kot mund të jenë aq të thellë e dëshpërues, në prag të shterjes, saqë kthimi sërish në të përditshme i ngjan rropatjes për të dalë, ose për të mos hyrë në një skëterrë. Ndaj edhe kam një mirënjohje të paktën sa vlerësimet.
Dihet që mirënjohja as të vret, as të zgjat jetën. Por mbase ngaqë duket e dyshimtë, - se pasuron shpirtin, duke qenë falas, - njerëzit e sotëm nuk nguten t’u kushtojnë kohë gjërave që nuk pasurojnë xhepin.

- A e konsideroni veten me fat si shkrimtar që ia keni dalë mbanë të krijoni një univers me veprat tuaja letrare, një botë të plotë, si një paralele shpirtërore me botën reale? A keni pasur një vegim rreth saj; nëse ka ekzistuar një vështrim i tillë si prej hyji, sa përputhet bota jote letrare me synimet fillestare?

- Ndodh si me një pasqyrë, të cilën varet se ku e thyen secili autor. Për shkak të krenarive të sëmura dhe shqetësimeve që na sjellin njerëzit, sidomos kur nuk na plotësohen ca ëndrra, jetojmë me bindjen se kjo botë është e mangët, e pamëshirshme, sunduar nga një armiqësi që zëvendëson dhunshëm çdo gëzim me hidhërime të pamerituara. Por, po ta heqësh pak veten nga rrëmuja e rrëmeti, mund të vëresh se bota është e përkryer. Në këto kushte, secili duhet të zgjedhë mënyrat me të cilat shkatërron (sa) më pak. Në fillimet e mia, pikërisht mahnitja nga hijeshitë e kësaj bote dhe nuhatja e së vërtetës që Krijuesi na ka dhuruar një harresë jetëprurëse dhe njeriu nuk jeton aq gjatë sa të bëjë gjëmën gjer në fund, më shtynin të shkruaja. Për fat, vazhdoj të shkruaj gati si dikur.

Hapësirë për fjalën e duhur


"Njëri nga anëtarët e jurisë qe shprehur: “ky (unë) do rrasur brenda, se është i tëri jashtë (normave të realizmit socialist). Prita ca kohë që të marr vesh nëse jam jashtë e të bie brenda, apo jam brenda e të mbetem jashtë. Dola brenda, pra mbeta jashtë. Dorëshkrimi fitues ishte një dramë e titulluar “Triumfi i Proteut” dhe përmban ca ngjarje që u përmbushën me një përpikmëri rrënqethëse në fillim të viteve ’90..."



Violeta Murati: Romani “Ati”, publikuar nga Botimet Poeteka, vjen si “një himn kushtuar prindërve, flijimeve të tyre të pafundme dhe heshtjes së përkorë që shoqëroi përkushtimin”, çka jo gjithmonë u shndërrua në mirënjohje, dhe keqkuptimeve të shumta me shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë. Me këtë shënim, çfarë nxiti tek shkrimi i romanit “Ati”? Pothuaj hyjni, pothuaj mister, pothuaj hije e vetes.

Ardian-Christian Kyçyku: Romani përmban më pak nga sa meriton mirënjohja ndaj prindërve, por është më tepër se kaq. Thelbi i tij përqëndrohet tek hakmarrja dhe hak-dhënia, jo thjesht në trajtën e njohur e të shtjelluar nga letërsia apo kinematografia. Duket se gjakmarrja klasike, e pranishme edhe në popuj të tjerë, ka qenë një mjet njerëzor për ta mbajtur racën sa më të pastër. Në letërsinë shqipe e jo vetëm, me përjashtim të Kutelit tek “Gjonomadhë e Gjatollinj”, hakmarrja me degëzimet e saj shpesh shtangëse, qëllimisht apo jo, na paraqit ne shqiptarët si njëfarë kafshësh të rralla që duhet të gudulisin krenarinë e të huajve, duke iu dëshmuar sërish se sa të qytetëruar janë ata. Por, para se të jemi kafshë të rralla, ne jemi njerëz të rrallë, siç është Ati, Irma dhe djali i tyre, Tiku. E letërsia, po nuk nxori në pah njerëzoren, gjer edhe kur kjo nuk përmendet në shtyp, nuk është më letërsi, por monedhë këmbimi.

- Ky roman shtron disa kuptime filozofike mbi Njeriun, pas tij “Ati” i romanit: gjithnjë vonë për të pasur një tjetër shpirt, një tjetër sjellje, një tjetër fat. Pse tëhuajëzohet ky njeri?

Ati është një prind si shumë të tjerë, por shqiptar si gjithnjë e më pak të tjerë. Kur merr papritur një goditje që ngulmon t’ia shfarosë emrin, duke i vrarë djalin, vihet në lëvizje dhe është gati të vdesë, në vend të të birit, vetëm që të mos tjetërsohet a të huajsohet. Ndaj edhe duket aq i çuditshëm. Në këto kohëra, gjërat e natyrshme, misionet e parme të njeriut, duken shkarje, prapambetje, madje çmendurí. Sasia çnjerëzore dhe cilësia nënnjerëzore e lajmeve të sotme ia kanë mpirë njeriut shqisën e së vërtetës, aftësinë për ta ndarë qartë realitetin nga pasqyrimi i këtij të fundit në shtyp, aq sa gjer edhe gjërat thelbësore, vendimtaret, duket sikur ndodhin në një film. Drama është se gjaku e vuajtjet, me të cilat shlyhen ngjarjet, janë të mirëfillta, jo prej letërsie a kinemaje.

- Ju jetoni dhe shkruani në dy gjuhë, kultura të ndryshme. Të hysh “brenda” një tjetër kulture e të krijosh një bashkëjetësë me gjuhën e mëmës, çfarë sfide ka qenë për ju?

Ka qenë dhuratë nga Zoti, jo sfidë. Mbase tingëllon ca si tepër poetike, por nuk kam të drejtë ta them ndryshe.

- Si jeni gjendur në Rumani, çfarë ju detyroi migrimin atje?

Ika me një bursë për doktoratë, nuk mërgova. Por u gjenda mes disa mërgimesh njëheresh, ose mes një mërgimi të shumëfishtë. E kuptova shpejt se, pa mërgimin, një shkrimtar nuk mund të jetë i plotë. Kisha pak përvojë nga fëminia e hershme, kur u desh të zhvendoseshim nga Pogradeci në Tiranë, dhe megjithë dhembjen e tmerrshme, mërgimi i parë ishte më fort një rrjetë simbolesh, që duhej të më stërviste për mërgimin ku gjithçka duhet përjetuar gjer në skaje. Dhe unë i përjetova të gjitha si më i zakonshmi ndër shqiptarë.

- Falë mërgimit, ju keni kohë që jetoni në “Rumaninë e përhershme”. Kjo është shumë më tepër nga sa mund të thuhet në një bisedë, siç edhe e cilësoni ju. Sa ngjarje vendimtare për letërsinë dhe kulturën shqiptare janë zhvilluar atje?

Ngjarje si shkrimet dhe botimet e Lasgushit, Mitrushit, Naimit, Asdrenit; prania dhe veprimtaria, përfshi martirizimin, e Monsinjor Vladimir Gjikës; veprimtaria e Vangjel Zhapës dhe shumë të tjera njihen e çmohen tashmë, - ndonëse jo gjithmonë sa duhet, - nga historia dhe kultura shqiptare, por edhe rumune. Veç shkrimeve, botimeve e ndihmesave në lëmin shpirtëror, letrar e shoqëror, mendoj se një rëndësi vendimtare ka pasur mbërritja dhe përvoja e secilit syresh në hapësirën rumune, që ka një larmi marramendëse e ku mund të gjesh ende të gjalla, si të ruajtura me shkas, copëza nga Pogradeci, Durrësi, Tirana, Shkodra etj. Të huajt e njohin shumë pak Rumaninë e përhershme, ndërsa ne shqiptarët, me fare pak përjashtime, nuk kemi kohë ta vlerësojmë si duhet rëndësinë e këtyre trojeve për kulturën dhe historinë tonë.

- A keni ruajtur asosacione me fëmijërinë, qytetin tuaj të lindjes? Për shumë shkrimtarë ky është një rezervat i shenjtë për krijimtari, a ndodh edhe kjo me ju?

Po, kam arritur prej vitesh në gjendjen kur mund ta pi kafenë në Pogradec pa qenë atje, të kuvendoj me gjyshërit pa qenë as fantazmë, as i dalë mendsh. Gati çdo vit shkoj e rijetoj pjesë moshash që, në kohën përkatëse, nuk i kam çmuar sa duhet. Kujtoj gjithmonë tri shprehje: “Vendlindja është vendi i shenjtë i takimit me Zotin” (Vangjel Zhapa), “Kur s’jemi më fëmijë, kemi vdekur” (patriarku i skulpturës moderne, Konstantin Brankush) dhe “Zoti e sheh botën me sytë e fëmijëve” (Nënë Tereza). Është vendimtare për një shkrimtar që të mos harrojë se ku e ka takuar Zotin; si duhet të mbetet gjallë sa më gjatë dhe me çfarë sysh ta shohë botën. E njëjta gjë më ndodh edhe ndaj Tiranës, ku kalova (gërshetuar me Pogradec) pjesën e dytë të fëminisë dhe rininë e parë.

- Në Rumani hesapet me komunizmin janë mbyllur herët, krahasuar me ne. Keni kontribuar me studimet tuaja, shkrimet dhe revistën që drejtoni për njohjen e shkrimtarëve, të persekutuar në kohën e komunizmit. A vazhdoni të mendoni edhe pas tre dekadash, se termi disidencë vazhdon të jetë gjithnjë e më i brishtë?

Hesape të tillë nuk mbyllen aq shpejt sa duket dhe besoj se digjen pak etapat, nëse mendësia e një brezi ngutet të mposhtë gjëra që nuk i ka paguar me çmimin e saktë. Jam marrë jo pak me shkrimtarët e ndëshkuar zyrtarisht, por gjithmonë jam përpjekur të ruaj masën. E para se, për vuajtjet dhe padrejtësitë, duhet të flasin fillimisht ata që i kanë përballuar, ose shkrimtarë e intelektualë me empati të pazakontë. Mund të vihet re lehtë se, më të zgjedhurit ndër ta, asnjëherë nuk e kalojnë cakun me dëshmi, sepse dinë që shpesh vuajtja përfshin edhe shpërblimin – dhe, nga ana tjetër, ai që vuan vërtet, është mjaft i kujdesshëm që vetëm ta mësojë e jo ta velë lexuesin. Pas një vuajtjeje të mirëfilltë, pakkujt i nevojitet vërtet mëshira apo nderimet e të tjerëve. Vuajtja nuk e ka në natyrë të lypë shpërblim nga njerëzit. Sa i përket disidencës, ajo rumune ka qenë e hapur, e qartë dhe e përgjakshme. Mes të tjerash, për shembull, kam nderin të jem mik prej vitesh me shkrimtarin dhe disidentin e shquar rumun Paul Goma (lindur më 1935, me banim në Paris), i mbiquajtur edhe “Sollzhenicini rumun”, apo “një Xhojs i universit të burgjeve”; diktatura rumune e dëboi nga vendi në vitin 1977, ia hoqi shtetësinë, e përjashtoi edhe nga Bashkimi i Shkrimtarëve të Rumanisë – dhe ai i rifitoi të drejtat e ligjshme vetëm pak kohë më parë. Në veprën e tij dhe të disa të tjerëve, me dëshmi të padiskutueshme e me emra-mbiemra, mund të zbulohet qartë se ç’mekanizma u përdorën qysh nga rënia e Murit të Berlinit për të sajuar disidencën e shkrimtarëve të oborrit, për të hedhur dyshime mbi disidencat e vërteta dhe sidomos për të hapur një betejë të rreme shtypi mes ish-oborrtarëve e viktimave, me qëllim që, bashkë me famën e merituar të viktimave, të rritej, ose të mbetej e paprekur fama e ish-oborrtarëve. Janë gjëra që, po u trajtuan me ndershmëri e përkushtim, jo vetëm do ta pasurojnë tejmase historinë e letërsisë, por do t’i sjellin baraspeshën e domosdoshme edhe kritikës letrare.

- Në vëllimin me tregime “Perla”, me të cilin fituat “Pena e Argjendtë”, gjendet një fjali për këto kohëra kur “mashat e pandehin veten duar”… kur ka jo pak të aftë që duan të sundojnë marrëzisht mbi letra? A ekzistojnë në ju gjendje të tilla?

Kjo është një zonë e sunduar nga demagogjia. E po ta shohësh me sy fëmije, çdo demagogji synon të të marrë shpirtin e pastaj lekun, ose anasjelltas. Mediokrët dhe ata të aftë që bëjnë çmos për të ushtruar kontrollin mbi letra, i bashkon kapërcimi i masës: në mburrje, në praní, në këshilla a direktiva për gjithçka e ndaj kujtdo, me dyndje prej amatorësh në fushën e tjetërkujt etj. Kjo ndodh prej shekujsh dhe nuk është ves vetëm ballkanas. Besoj se diku-dikur, arritjet letrare shkaktojnë një nakatosje të pashëndetshme lëngjesh në organizëm, boja e shkrimit thahet, ose prishet, dhe që aty nis e ndizet një etje e frikshme për “më shumë, më gjatë, më fort, prapë dhe pafund”, derisa arritjet letrare njësohen me tiraninë e tipit politik. Historikisht, tiranët, pas vdekjes, lenë a zenë pasardhës, ose zhvendosen në qënie që s’ta pret mendja. Hëpërhë duket sikur dalja nga skena e “kontrolluesve” do të lerë pas një katrahurë të pandreqshme (dhe frika ndaj saj bën pjesë në mënyrat e kontrollit), por e drejta dhe letërsia e përkushtuar i presin në kohën e duhur duart që lëvizin mashat. Çdo letërsi kalon ritmikisht mes gjendjesh të tilla, që ndonjëherë mund të zgjasin edhe gjysmë shekulli.

- Duket si një nga hapësirat më fatlume ajo me Rumaninë edhe për letrat shqiptare e sidomos për shkrimtarët e lindur në Pogradec. Është interesante fenomeni i këtij qyteti që tërheq në lidhje të hershme me Rumaninë, deri tek ju...

Lidhja ime i detyrohet në radhë të parë tim eti, Kopi Kyçykut, që nisi studimet në Bukuresht në vitin 1960. Pastaj shija e letërsisë së Poradecit e të Kutelit, hollësitë nga mërgimet e tyre këtu, treguar nga gjyshër e të afërm, sepse edhe me Lasgushin, edhe me Mitrushin kemi lidhje farefisnore. Duhet thënë që, për mua, ka shumë Poradec të përhershëm në Rumani dhe shumë Rumani të përhershme në Poradec.

- A keni një “prognozë” për letërsinë shqipe, atë që është përpjekur të dalë nga kufijtë?

Një letërsi e madhe del më lehtë jashtë kufijve kulturorë e gjuhësorë, sa më natyrshëm ruhet të mos dalë nga kufijtë e vet të brendshëm. “Lehtë” nuk nënkupton edhe “shpejt”. Libra dhe autorë të veçantë, shumica mesatarë, dalin ndërkaq me mënyra të tjera, por pa arritur të përfaqësojnë një letërsi të tërë dhe pa mbetur gjatë në vëmendje. Deri në vitet ’30 e ’40 të shekullit që shkoi, letërsia e madhe shqipe bëhej jashtë kufijve dhe mundohej natyrshëm të hynte edhe brenda. Tani letërsia që bëhet brenda kufijve synon me çdo kusht të dalë jashtë. Nuk më duket se do të ketë arritje të shënuara në rrafshin e mass-medias, - se në brendësi letërsia shqipe është e nivelit ndërkombëtar, - nëse letërsia e madhe shqipe që shkruhet edhe sot jashtë kufijve nuk do të zerë vendin e merituar brenda kufijve. Për fat të mirë, po ndodh.

- Diku ju është bërë një pyetje interesante, që preferojmë ta përsërisim: Nëse komunizmi nuk do kishte rënë, a mund të përfytyroni se cila do ishte mundësia juaj si shkrimtar?

Përderisa shkruaja krejt ndryshe nga letërsia që qarkullonte me a pa detyrim, mund të pohoj se komunizmi kish rënë me kohë për mua. Bukuritë dhe jeta që bëja në Pogradec e Tiranë më tundonin heraherës me bindjen se po mbahem mbyllur në një qeli jo krejt frymëzënëse në vend të tjetërkujt. Gjatë pjesës tjetër të kohës jetoja në hije, jo keq dhe bukur. Nuk i hyja me tepricë në hapësirën jetike askujt. Gjërat morën drejt përmbysjes pasi më arrestuan në Liqenin e Pogradecit, me akuzën se doja të arratisesha, ndonëse as që bëhej fjalë për arratisje. Mua më mjaftonin arratitë letrare, mirpo disa ditë më parë kishin thyer kufirin disa “armiq të popullit” dhe pushtetarët dolën e arrestuan kë gjetën nëpër ujra, për t’u dëshmuar eprorëve se e kryenin detyrën si duhet. As rrezikun që më vinte nga shkrimet e para nuk e nuhata menjëherë. Dëshira ime ishte si e çdo fillestari: të bëja letërsi të madhe. Nisa të kthjellohesha më tej pas shtyrjeve që u bëheshin dy librave të dorëzuar tashmë (1988) në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” (“Bravat e vjetra” – 4 romane, dhe “Rrëshqitazi mbi rrathë” – romani “Lumenjtë e Saharasë” dhe disa proza të shkurtra). Sqarimi i plotë erdhi pas debateve që kishin ndodhur para se të më jepej Çmimi Inkurajues në Konkursin Kombëtar të 45-vjetorit të Çlirimit. Njëri nga anëtarët e jurisë qe shprehur: “ky (unë)do rrasur brenda, se është i tëri jashtë (normave të realizmit socialist). Prita ca kohë që të marr vesh nëse jam jashtë e të bie brenda, apo jam brenda e të mbetem jashtë. Dola brenda, pra mbeta jashtë. Dorëshkrimi fitues ishte një dramë e titulluar “Triumfi i Proteut” dhe përmban ca ngjarje që u përmbushën me një përpikmëri rrënqethëse në fillim të viteve ’90... Nuk di si do të rridhte fati im pasi mësova se jetojmë nën tiraní, por pjesën tjetër të vetes, atë me të cilën u njësova më vonë falë mërgimit, nuk besoj se do ta kisha gjetur. E tillë ishte natyra e regjimit: t’i vriste nga brenda pjesët me të cilat duhej të njësoheshe jashtë... Mirë është të dëshmoj edhe se sprova për të hequr dorë nga letërsia më duket më e ashpër sot, kur s’dihet, siç thotë personazhi im Gined Enkelana, “nëse erdhi liria, apo u zmadhua burgu”. Kohë pas kohe, si me plan, më janë fanitur e më faniten njerëz, ndonjëherë miq a kolegë, që më ftojnë tërthorazi, ose me këmbëngulje të hapur, të merrem me diçka tjetër, se vetëm ashtu mund të zmbraps sulmet e varfërisë, ose mungesën e luksit, që nuk përputhet me titujt dhe ofiqet e mia.

- Ju keni një dashuri të pamatë për letërsinë rumune; si do ta përshkruani atë?

Dashuria është vetiu diçka e pamatë, përndryshe do të ishte smirë e fshehur. Dhe brenda meje është e njëjtë ndaj çdo letërsie të mirëfilltë, që, përmes zërave të vet të papërsëritshëm, nuk shprehet në vend të tjetërkujt e as nuk lejon të flasë ndokush në vend të saj. Letërsia rumune ka një poezi të pazakontë, që nga gjeniu Eminesku e Luçian Blaga e deri tek Nikita Stanesku, Marin Soresku e të tjerë. Pasuria e saj është aq befasuese, saqë të detyron ta shijosh pa u ngutur të endesh nëpër gjykime që do të duhet të bëhen pas 30 a 50 vjetësh. Ka edhe një ngjashmëri tjetër mes poezisë dhe hapësirës kulturore rumune: nuk shtypin, nuk kufizojnë e as nuk magjepsin në mënyrë të rëndomtë, që të ndikohesh prej tyre. Mund të flitet për një mikpritje të epërme. Pas 27 vjetësh në këtë hapësirë, për shembull, është e pamundur të gjesh në librat e mi, qofshin shqip, qofshin rumanisht, ndonjë ndikim tematik a stilistik, veç atij të ngjarjeve dhe mençurisë së zonës.

- I keni kushtuar një ese lidhjes së letërsisë me mërgimin edhe me gjuhët që zgjedh për të ruajtur Kujtesën… Çfarë ka të reflektuar në këtë “dedikim”?

Nuk di sa e dukshme është për njerëzit e sotëm, por në shtyp dhe nëpër libra të shumëshitur po zhduket hapësira për fjalën e duhur, për fjalën e saktë dhe të ndershme. Njëherazi, shtypi e mass-media po zëvendësojnë Metaforën me gallatën dhe me çnjerëzoren zbavitëse, ose çmeritëse. Këto kanë bindur gati këdo, aq më tepër kur s’ka përjetuar gjë në lëkurën e vet, se mund të japë mendime, ose edhe direktiva për gjithçka, sidomos për çështjet e rënda, siç janë mërgimi, letërsia, dygjuhësia, liria e shprehjes, vuajtja në emër të një ideali e të tjera. Ështe një zhvatje përvoje dhe emri, siç është përdhosje e shumëzim me zero i atyre që vërtet kanë ç’të thonë, dhe ftohemi ta pranojmë shfarosjen intelektuale me buzën në gaz, ose me kënaqesinë e errët sikur kjo po i ndodh ndonjë vrasësi a hasmi. Loja që bëhet tani ndaj Kujtesës po bën dëme jo krejt të pandreqshme, por shformuese ndërgjegjesh, - dhe çdo brez ka të drejtën e perëndishme të mos plaket i mashtruar, - sepse është e mbushur me harresë që hiqet si Kujtesë. Këto mjaftojnë jo vetëm për një ese.

Në epokën e sotme, - thoni ju në librin studimor “Trialog”, - që mund të emërtohet edhe e Luftës së shumfishtë të hormonit kundër neuronit dhe e trupit kundër librit – duket pamje e zymtë, nëse mund t’ju pyesim se, me këtë, a mendoni që letërsia e ka humbur synimin dhe forcën për të zgjedhur dhe ruajtur thelbe që meritojnë të mos harrohen dhe që mësojnë qënien njerëzore?

Më duket se qënia njerëzore tashmë është bindur për jetë a vdekje se i di të gjitha. Pakësimi i kësaj paditurie apokaliptike, - se çrrënjosja duket e pamundur për njerëzit, - besoj se mund të rrallojë luftrat, por sadopak edhe varfërinë. Se kur shtohet padija mendjemadhe, për fat të keq, shtohet edhe mishi për top, edhe varfëria.

- Është e huazuar si fjali, që mund t’jua përafrojmë shumë saktësisht ju: Duke ardhur në Shtëpi, në Evropë… nga Lindja? A mund të kemi një model përvoje?

Ne jemi lindur, - disa të zgjedhur edhe jetojnë, - në Evropën e Përhershme, aty ku Lindjen dhe Perëndimin nuk i përçan dot asgjë. Aq më pak në letërsi.

- Jeni vlerësuar me Çmimin Kombëtar “Penda e Argjendtë” në vitin 2012; sërish më 2015 nga Akademia Kult, por edhe tani; çfarë vlerësoni tek ky çmin, ndoshta nisur nga skepticizmi kaq i përhapur mbi jetën e brendshme letrare?

Jeta letrare mund të dëshpërojë shumëkënd, po qe se gjendja e saj gjykohet nga ç’thonë shtypi e mass-media. Akademia Kult më ka lënë mbresa të thella përmes hijeshisë me të cilën punon, me heshtjen prej njerëzish që vërtet çmojnë vlerat dhe veprojnë me një përkushtim që rritet natyrshëm, sa më tepër vështirësohen kushtet shoqërore... Nga ana tjetër, do të ketë gjithmonë çmime të mëdhenj për shkrimtarë të vegjël e sidomos mesatarë, si dhe çmime të rëndomtë për autorë e libra të papërsëritshëm. Pakënaqësitë nuk kanë anë e fund në botën e letrave. Por meriton mirënjohje të thellë dhe të shprehur publikisht qoftë edhe vetëm fakti që një grup njerëzish, privatë apo zyrtarë, të vetëdijshëm për andrrallat e qejfmbetjet, mblidhen çdo vit dhe japin me guxim çmime që rrallë mund të përfliten si të padrejtë. Kësaj here, për shembull, deri në çastin e fundit, nuk dija cili ishte fituesi. E meqë, kur po ndiqja nga Bukureshti ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Akademisë Kult, iku zëri (difekt teknik në transmetim), e mësova që kisha fituar duke lexuar në buzët e prezantueses.

- Në tregimet dhe romanet tuaja, ajo çfarë kanë vërejtur edhe studiuesit, bie heroi në ndërtimin e romanit. Kupton se heroi i vërtetë është vetë jeta, me personazhet e saj? Një raport që ndërton me kujtimet, të shkuarën dhe kujtime të asaj të ardhmeje që s’vjen kurrë… A po vuajmë nga “e shkuara më e mbrashtë e njeriut”?

Kujdesem që të flas përmes të tjerëve (e pashmangshme në letërsi), por kurrë në emër të tyre. Ka raste kur jeta e një libri më zëvendëson krejt – dhe këto janë periudhat e mia më të bukura.

- Rruga drejt botës nuk është vetëm fizikisht, por edhe ajo e botës së brendshme e njeriut, sipas një përvoje surealiste “Duke kundërshtuar vetveten nga brenda me anë të vetvetes”, Sartri, Ç’është letërsia?

Më duket se është fjala për një rrugë drejt një bote, të cilën e ëndërrojmë, por të cilën, me sa ethe e ëndërrojmë, me po aq kryeneçësi e prishim. E krisim sot dhe ankohemi nesër, kur na mbeten në duar thërrimet... Zakonisht, pas pyetjes se ç’është letërsia, ka mbetur vetëm kjo pyetje. Gjithkush i jep përgjigjen e vet dhe nuk bindet nga përgjigja e askujt tjetër. Kaq liri ka letërsia.

- Ndalemi pak tek romani Home, ku shkruani: „Pastaj përshëndetjet reshtën; tanët bluajtën kujtime e mendime, pine fërnet e biseduan derisa ra një heshtje pusi, një heshtje e bekuar, heshtja kur gruaja lypfoshnjë, e quante Home Çkena, mirpo doli se nuk paskësh qenë fjala për një grua të vetme, dhe doli se heshtja paskësh qenë zhurmë, një zhurmë krejt e padëgjuar më parë. Me këtë roman ju e ktheni letërsinë në një banesë shpirtërore, ku jetojnë së bashku shkrimtari, personazhet dhe lexuesi… Ky i fundit ngre pyetjet: Kush i thotë këto gjëra, unë, ai apo ne?

Ai që pyet, në heshtje, kur është i vetmuar si para vdekjes.

- Bashkë me babain tuaj, akademikun Kopi Kyçyku, keni themeluar dhe drejtoni Revistën “Haemus”. Haemus, emri i parë i Ballkanit, një vend që ka mbijetuar mbi një mitologji, ku popujt kanë luftuar e bashkëjetuar me fatet e njëri-tjetrit. Sa e ndjeni këtë, kur tani ndani jetesën shpirtërore mes dy vendeve?

Revistën ”Haemus” e themeluam në vitin 1998. Ditën e Flamurit, - kështu ndodhi, - mbushen 20 vjet jetë. Tanimë revista ka një rrugë të qartë dhe një ndikim jo të pakët në qarqet intelektuale e artistike shqipfolëse e evropiane. Edhe falë Revistës, por sidomos falë librave në dy gjuhë, nuk e ndjej më jetën të ndarë. Lëkurët e një shkrimtari kanë vend për shumë hapësira e gjuhë.

- Pyetje e fundit: jetoni në Rumani, por i pranishëm në shumë shtëpi botuese dhe me shumë botues. Pse nuk gjeni prehje; është problemi juaj, botuesit, apo mënyra se si e lidhni këtë me krijimtarinë tuaj?


Po bëj një shaka: prehjen duhet ta zgjedhin ata që s’kanë (më) gjë për të thënë… E vërteta është se nevojitet një guxim i dyfishtë për të botuar një libër timin, edhe ngaqë nuk sjell shitje, edhe ngaqë sjell shumë heshtje. Si dëshmi se kontrolli mbi letërsinë nuk mbahet dot i tëri nga dy-tre njerëz të aftë a të paaftë, guximin e mësipërm e kanë pasur tashmë jo pak botues, njëri syresh shkrimtar e studiues i shquar, Arian Leka (Botimet Poeteka), apo botues të sprovuar si Naim Zoto (Sh. B. Naimi), Afroviti Gusho e Ilir Buzali (D.I.J.A. Poradeci), apo më të rinjtë, nga Kosova, Feride E. Berisha (Sh. B. PA) e Berat Dakaj (Sh. B. Armagedoni). U jam mirënjohës parreshtur. Dhe bindem sërish se librat e shkruar me shpirt dhe pa synime jashtëletrare e gjejnë gjithmonë botuesin.
Bisedoi Violeta Murati
Ex Libris, Tiranë, 30 nëntor 2018



  

Siç jetoj atje ku s’jam...


[Koha Ditore, Prishtinë, rubrika 7 Shkronjat]

LETRA. E lidhur nyje me fjalën dhe me shkronjat. Një nga kujtimet e mia të para: gjyshërit sapo kishin lyer shtëpinë e madhe prej qerpiçi dhe më kishin vënë të flija në mes të dhomës. Llampën e kishin mbështjellë me një letër të shkruar, - mbase nga fletoret e nënës sime, - që drita të mos më vriste sytë. Hijet e fjalëve ndeheshin mbi mure, me të gjitha përmasat, në trajtë kafshësh, zogjsh e insektesh, duke drithëruar nga nxehtësia, shartuar me copëza hijesh të tjera. Jashtë binte dëborë. Mbaj mend dhembjen e hidhur të qafës, se nuk dija ende të lexoja dhe i shihja të gjitha nga poshtë lart, shumicën sëprapthi, por nuhasja që diçka e pazakontë më kish zënë peng. Më vonë, kur rrija në dhomën e katit të dytë, atje ku im gjysh Vangjel Koci pat murosur një dritare për ta shndërruar në raft librash, mundohesha të zbuloja fjalë nëpër hijet e gjetheve. Pastaj letrat që shkrova e më shkruan, letrat që nisa t’i haja pa ditur pse e, mbi të gjitha, një letër e vitit 1960, të cilën gjyshi tjetër, Llazi Kyçyku, ia dërgonte tim eti që kish filluar studimet në Bukuresht: Fort i dashur Djali ynë, na dërgo fjalë, shumë, ose pak, por përhera. Në Pogradec ka pasur gjithmonë njerëz që ushqeheshin me letra e me fjalë.

"Malli..." [bisedë]


Revista Saras: Si e keni shkruar romanin e parë; keni pasur në mëndje modele?

Ardian-Christian Kyçyku: Ka qenë “Lumenjtë e Saharasë”, në vjeshtën e vitit 1988. Mbaj mend se isha gati i ngujuar nga shirat e Tiranës, ndërsa shpirtërisht endesha brenda e rreth një Pogradeci të gjithëkohshëm, me më shumë shpirtra se sa njerëz. Zgjati më pak se një javë dhe ishte një lloj i çuditshëm tërbimi, si e ndonjë shpirti të kapur në rrjetë, por në rrjetën e Bukurisë se Epërme, kur kupton se aq bukuri s’e përballon, s’e tret dot, dhe njëherazi nuk ndalesh së ëndërruari, në mos po së luturi, që ajo të zgjerohet e të kapërcejë çdo cak. Nuk është aspak lojë fjalësh kur them se doja të tregoja gjëra që s’rrëfehen lehtë dhe të rrëfeja gjëra që s’tregohen lehtë.

Thomas S. Eliot shprehej në vitet ‘20 se romani është një formë që s‘do të shërbejë më, që s‘do të mund të përdoret më... Në fakt, duket se ndodhi e kundërta?

- Varet se ç’“roman” ka pasur parasysh, ndonëse çdo bindje kritike e përmasave globale gjithmonë fsheh të paktën një pakënaqësi, ose mangësi lokale. Nëse bëhet fjalë për tonelatat e letrës së shtypur, autorët e të cilave, në rrugë drejt sintezës, i ha analiza, gjithkush mund ta thotë, në çdo kohë, pa gabuar. Sidoqoftë, kur shkruaj, jam aq larg thënieve e parashikimeve, saqë nuk gjej asnjë arsye për të dalë nga bindja “teoritë le të lehin, romani shkon përpara”.

Romani duket se diti t’ia dalë dhe formave të egra siç ishte censura gjatë komunizmit?

Në një gjuhë me kohën / në një Kohë me Gjuhën...

(Bisedë me poetin dhe studiuesin Anton Çefa, New York - Bukuresht, shkurt 2014)


Anton Çefa: Z. Ardian kam kënaqësinë të bëj një bisedë me ju si shkrimtar i niveleve më të larta të letërsisë sonë, si estet, si teoricien i letërsisë, eseist, teolog, pedagog, duke u përqëndruar kryesisht në mjeshtërinë tuaj letrare, sidomos në fushën e narrativës, në risitë që i ka sjellë ajo letërsisë sonë, në pikëpamjet tuaja teorike në lëmijet estetike e artistike, pa lënë mangut probleme të metafizikës që lidhen me letërsinë dhe që janë aq të afërta për përgatitjen tuaj.
- Tri aspiratat e shpirtit të njeriut, shprehur në triadën e njohur të Platonit: e vërteta, e moralshmja dhe e bukura, janë tri imperativa në të cilat shpirti merr dhe jep jetë. Njeriu gjakon pas së vërtetës; synon të jetësojë të mirën; ndjen e vlerëson shijen e jetës përmes së bukurës dhe e krijon atë në jetën e përditshme, në natyrë dhe në art. Historia e filozofisë dhe e estetikës ka dhënë gjykime e vlerësime të ndryshme për këtë çështje. Njihet sentenca kategorike e Niçes: “Vetëm si dukuri estetike ekzistenca dhe bota janë përjetësisht të përligjura”, çka i jep përparësinë të bukurës. Të tjerë kanë vënë në vendin e parë moralin. Më vjen mbarë të përmend letrarin, kritikun dhe estetin tonë, Arshi Pipën, i cili ka shkruar: “E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra, një vepër morale ose jo asht në dorë të artistit. Kështu, një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shkruajë kurrë”, çka i jep përparësinë moralit. Si e gjykoni dhe e argumentoni një çështje të tillë?

Ardian-Christian Kyçyku: I nderuar zoti Anton, përfitoj nga rasti t’ju falenderoj përzemërsisht dhe të theksoj se biseda jonë ka nisur shumë vite më parë, por vetëm tani po shndërrohet nga dialog në trialog, me pjesëmarrjen e padukshme të lexuesit. Shpresoj të mos tingëllojë si përmbysje kupe nëse them se letërsia duhet të punojë më pak për të vërtetën, të moralshmen dhe të bukurën, në krahasim me sa duhet të punojnë këto të trija për letërsinë. Sepse kjo e fundit depërton ndryshe tek lexuesi, herë si dashuria me shikim të parë, herë si „tirania” e mençur e martesës, herë si një trandje lartuese, herë si vegim... Jetojmë në ca kohëra kur shumë mendimtarë e shkrimtarë, gjer edhe pas vdekjes, ngulmojnë që sëmundjet e tyre ne t’i bëjmë mënyrë jetese. Për fat të keq, shpesh ia dalin mbanë dhe kjo, në më të mbarin rast, vetmon shkrimtarët dhe mendimtarët e mirëfilltë. Ështe një lojë e vjetër me zbrazëtinë që njeriu mbart brenda vetes, kryesisht në zemër dhe në tru. Metaforikisht, zbrazëtia ka një rol baraspeshimi. Ajo ndihmon frymëmarrjen, si të thuash, ashtu siç zanoret ndihmojnë bashkëtingëlloret. Gjykimet kategorike i japin tjetër kah zbrazëtisë së lexuesit, duke e bindur se ka gjetur vetveten, dhe kjo kthehet në shpëlarje truri. Me të drejtë thuhet se rënia shpirtërore dhe morale nxjerrin në plan të parë intelektualë që shpallen si prijësa të estetikës dhe të përsosmërisë kulturore, por këto jo gjithmonë kanë jetë të mirëfilltë, jo gjithmonë përcjellin të vërteta, por më fort ca copëza të vërtetash mbështjellë me shtresa të tejdukshme mashtrimesh. Megjithë shkëlqimin dhe famën e tyre, ata mbeten të papjekur dhe nuk e pranojnë Besimin. I tremb Drita (e sprovës), sepse kanë frikë edhe nga hija e tyre. Prandaj nuk u kushtoj asnjë grimë besimi. Një personazh mendjekthjellët i imi shpreh atë që më duket sarkazma si një lloj verbimi, ose si i vetmi shikim i pavarur. Më është bërë truri pis, - thotë; - kam ardhur të ma shpëlani. Kjo dëshmon edhe një besim të epërm tek Zoti dhe tek e Vërteta, e cila i zgjedh vetë fjalët që i nevojiten, mënyrat dhe mjetet si do të ngjizen në vepër, dhe mbërrin vetë në kulmet ku arti është gjithçka njëheresh dhe nuk ka nevojë për plane e direktiva.

Ardian-Christian Kyçyku: “Mund të mos jesh në ditën e dikujt, por të jesh në jetën e tij…”

Nuk është rastësi apo nga ata kërkimet e rëndomtë që bëjnë disa pseudogazetarë apo kritikë për të kapur ndonjë “peshk” dhe për ta injektuar e ndotur trurin e shumë lexuesve, por thjesht është drita metaforike që vjen nga një tunel i errët, ku skeletet vdekëtarë janë verbuar nga shkëlqimi i kësaj drite.
Është fjala për shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku (pseudonimi letrar i Ardian Kyçykut).
E meqënëse jam tek verbimi, a nuk ka ndodhur gjithmonë me të ikurit e detyruar nga qeverisjet fatale të vendit tonë të shumëvuajtur që pothuajse ose harrohen, ose bëjnë sikur i kujtojnë? E kjo e fundit është vdekja vetë, vrasja e ngadaltë, pa zë. Me të drejtë shkrimtari i mirënjohur dhe studiuesi serioz z. Novruz Xh. Shehu në një esse të shkruar enkas për krijimtarinë e Kyçykut thotë: "I dëgjuar shumë pak në vendin e tij të lindjes, i botuar pa kujdesin e duhur në komunitetin shqiptar, që ende s’po shkëputet plotësisht nga ankthi i miteve të komunizmit, me një kolanë të jashtëzakonshme veprash artistike në prozë (mbi 30 tituj shkruar e botuar në gjuhët shqip, përkatësisht rumanisht), Ardian Kyçyku meriton të nderohet si një kont i vërtetë i letrave".
Ardian Kyçyku është Rektor i Universitetit Rumun të Shkencave dhe Arteve “Gheorghe Cristea” të Bukureshtit. Doktor i shkencave filologjike, doktorand në teologji pranë Universitetit Shtetëror të Bukureshtit dhe docent në shkencat humane dhe të komunikimit, anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, i Këshillit Kombëtar të Rektorëve, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, i Académie Européenne des Arts dhe i Central European Academy of Science and Art. Është edhe President i European Academy of Performing Arts. (Kozeta Zylo)*

Kozeta Zylo: Zoti Kyçyku cila ka qënë fëmijëria juaj dhe sa ka ndikuar natyra e magjishme e vendlindjes suaj, Pogradecit, legjendat e qytetit në botën tuaj shpirtërore?

A.-Ch. Kyçyku: "Je shkrimtar kur nuk je asgjë tjetër, por edhe kur vetëm shkrimtar nuk je dot"



Flora N. Nikolla: Si dhe kur e kuptuat dashurinë tuaj për letërsinë?

Ardian-Christian Kyçyku: Më duket se përgjigja më e ndershme, në frymë letrare, do të ishte: pak para se të lindesha – pak para se të vdisja.

Cilët janë elementët që në tërësi përbëjnë dhe formëzojnë jetën e një shkrimtari profesionist?

Je shkrimtar kur nuk je asgjë tjetër, por edhe kur vetëm shkrimtar nuk je dot. Nga gërshetimi i këtyre dy jetëve të skajshme më duket se fitohet ai vështrim që përshkon kohërat dhe muret e së dukshmes dhe të së tashmes.

Cilët janë personazhet tuaja, si lindin dhe si zhvillohen ata; a ju interesojnë personazhet nga pikëpamaja psikanalitike, apo …

Pas një çasti të caktuar, - po e quaj edhe numur faqesh të shkruara, - është e vështirë ta ndash personazhin nga gjendja. Letërsia e ka zhvendosur tashmë forcën e rëndesës. Në thelbin e vëmendjes së saj nuk ka si të jetë më tipologjia, ndoshta ngaqë njeriu i sotëm ka kapërcyer çdo cak që e ruante brenda njeriut dhe shpesh kopjon gjendjet nëpër të cilat jeton, ose vdes pa e kuptuar. Psikanaliza u quajt me të drejtë një sëmundje që e pandeh veten ilaç. „Ata mburreshin se i kanë të gjitha ilaçet, unë nuk kisha asnjërën prej sëmundjeve”. Më qartë se ç’e kam shkruar këtu, zor ta them.

Si lind një vepër tek ju ... Çfarë ju nxit të shkruani ... ?

Lumenjtë e thellë s’bëjnë gargarë


Adem Abazi: A guxoj t’ju quaj një shkrimtar i çuditshëm? Në radhë të parë për faktin se cilësitë tuaja krijuese e shkencore gjejnë vend jo në atdhe, por në Rumani edhe pse "jeni pjekur" në Shqipëri?

Ardian-Christian Kyçyku: Mund të më quani si të dëshironi, sepse çdo çudi që mbështjell punën time nis pikërisht aty ku kjo punë mbyllet. Me sa duket, kur shkruan sikur të jesh shumëkund dhe nxjerr nga loja rëndësinë e të qënit diku, zgjon njëfarë shqetësimi, ndonëse për lexuesin dhe kritikën vendndodhja e autorit s’ka pse të ngrejë peshë. Duhet t’ju them edhe se çudia e mësipërme, - që për mua është një metaforë, me të cilën, miqësisht, një gjendje e panatyrshme duhet paraqitur si hëpërhë e pashmangshme, - nuk kufizohet vetëm në pranimin e një krijimtarie diku dhe mospranimin e saj në atdheun e shkrimtarit, për shembull, sepse atdheu i vërtetë i një shkrimtari është në librat e tij dhe mes mureve ku shkruan. Vlerësimi i atdheut klasik është tjetër gjë dhe s’ka lidhje, por as nuk varet nga shkrimtari. Ndoshta në rastin tim shtresa e çudive vjen si një mbrojtje. Kur isha njëzet vjeç, disa ma dyfishonin moshën, ose për të më çuar më afër vdekjes (që pasuron të shkruarën), ose për të më thënë “Hap sytë!” se koha rrjedh shumë më shpejt nga sa pandehim. Tani që po mbush të dyzetat*, ka zëra që ma pjestojnë moshën më dysh, mbase për të theksuar risinë apo freskinë e atyre që shkruaj. Por ka edhe gjëra krejt të natyrshme, që duken si çudi. Jo të paktë janë ata që më njohin si autor kosovar e këtu s’ka kurrfarë të pavërtete, sepse librat e mi, të cilët mund të mos i gjesh kurrsesi në Tiranë apo në Pogradecin tim të lindjes, i gjen pothuajse të gjithë në Prishtinë. Ndonjë tjetri i vjen për mbarë mungesa ime nëpër tubime e kongrese dhe tjerr fije të një mitologjie që më bën krejt të ndryshëm... Por them se jam mësuar tashmë me të gjitha çuditë dhe nuk më duken të dëmshme. Kur nuk merresh me çuditë, fiton kohë të kulluar për të bërë letërsi.

Pushteti i bashkëtingëlloreve



Elsa Demo: Çfarë është bërë shkas në krye të herës që ju të studioni letërsinë e ndaluar?

Ardian-Christian Kyçyku: Shkasi kryesor janë librat e mi në shqip e rumanisht. Besoj se, lidhur me këtë bisedë, ju keni parasysh “Një kontinent bashkëtingëlloresh, ose copëza nga fati i letërsisë së ndaluar në Ballkan (1945-1990)”. E përgatita për një takim ndërkombëtar, ku duhej të flitej për disa nga të vërtetat themeltare të letërsisë dhe të vendit që ajo zë, ose meriton të zerë në jetën e sotme. Kontinent bashkëtingëlloresh më duket Evropa zyrtare e këtyre tridhjet vjetëve, për shkak të qëndrimit që mban ndaj letërsisë në përgjithësi dhe ndaj asaj që është shlyer me vuajtje, në veçanti. Më duket se kemi mbetur peng në një hapësirë ku janë rralluar shumë zanoret… Prandaj mendoj se është koha kur për letërsinë e ndaluar në sa më shumë trajta të saj, të shprehen, shkencërisht e bindshëm, jo vetëm autorët e ndaluar dhe kundërshtarët e tyre, si deri më tash, por edhe ata që nuk mund të përfshihen krejt në asnjërin prej dy grupimeve. Si autor, - një dëshmi ishte botimi edhe në aq të vlefshmen antologji “Shqipëria kujton”, - unë bëj pjesë në një letërsi që mund të shihet si disafish e ndaluar: për shkak të temave, stilit, kumteve, mënyrës si qarkullon, si e zgjedh lexuesin, si trajtohet nga zyrtaria etj. Me gjithë hidhërimin që mund të zgjojë, e vërteta duhet thënë: nuk mjafton vetëm të jesh i ndaluar, duhet të bësh art të epërm. Të mbijetosh përmes artit, por edhe ai të mbetet pas teje, ta kapërcejë lirshëm, pa ‘paterica’ biografiko-politike, mbijetesën e autorit. Sepse shpesh shkatërrimi i një autori nuk është bërë për shkak të letërsisë së tij (veçmas ndaj autorëve me vepra të pabotuara, por të njohur si shkrimtarë), por letërsia e tyre është përdorur si mbulesë për arsye të rëndomta smire…