Showing posts with label Revista Letra nga Diaspora. Show all posts
Showing posts with label Revista Letra nga Diaspora. Show all posts

Letërsia paralele - bisedë

 

Arta Marku“E kam të nevojshme të rrëfej histori. Është ide e ngulitur. Secila prej tyre është një farë brenda meje që fillon të rritet e rritet, si tumor, dhe herët a vonë duhet të merrem me të” - kështu përgjigjet Isabel Allende kur e pyesin pse shkruan. Mendoj se duhet të jetë një përgjigje që vlen për të gjithë shkrimtarët. Gjithçka duhet t’ia nisë nga nevoja për të rrëfyer. Por teksa këtu jemi në një terren iracional, le të fillojmë bisedën nga një hapësirë më e qartë dhe më lehtësisht e shpjegueshme: fillesat tuaja si shkrimtar. Se duhet të ketë një moment zbulimi të kësaj nevoje të brendshme. Si mund ta përshkruani momentin e zbulimit të shkrimtarit te vetja? Momentin kur e kuptuat nevojën për të rrëfyer. 

 

Ardian-Christian Kyçyku: Para se të jetë nevojë, është dëshirë gati fëminore, por jo për të mahnitur njeri. I ngjan një ftese për të zbuluar symbyllur, bashkë me dikë (të cilin shpesh as nuk e njeh, as nuk e sheh, as ke për ta takuar ndonjëherë) gjëra që janë tejet të gjalla e gjithaq të padukshme, lënë mënjanë për arsye krejt të rëndomta, ose edhe të padrejta. Fillesat e mia janë të hershme, por veçoj gjithmonë dimrin e 1985-ës në Poradec. Gjendja më kujton një vdekje të bukur, që sikur ia kapërcente në shumë gjëra e shije edhe vetë jetës… Këqyrur me sytë e përvojës, më duket se ngulmojnë të dalin përmes rrëfimit ato ngjarje që nuk e kanë të sigurtë „jetëgjatësinë” në kujtesë. Kjo zgjon edhe një dhimbsuri, pa të cilën letërsia s’jeton dot gjatë.