Showing posts with label Translations. Show all posts
Showing posts with label Translations. Show all posts

Sikur sendet të quheshin ndryshe...

(Një vështrim i shkurtër mbi vështrimin e Max Blecher-it)*

[RO]


Në Parisin e vitit 1928, kur shumica e të rinjve nga e gjithë bota endeshin të takonin dashurinë, djaloshit hebre nga Rumania, Max Blecher-it[1], që sapo kish nisur të çapitej mes të fshehtave të mjekësisë, i lë takim vetë Vdekja. E dinte se të gjithë pa përjashtim ishin të mirëpritur, por në rastin e tij, të paktën sipas doktorëve, – që kanë me mrekullitë një marrëdhënie të mprehtë love & hate, – Vdekja ka mbërritur tashmë në vendin e takimit, dhe ky vend ndodhet pikërisht brenda e rreth shtyllës kurrizore të djaloshit, si në vend të palcës e të eshtrave. Rruazat e asaj shtylle ngjajnë tani më tepër se kurrë me rrathët e trungjeve të prerë, ku plakat ballkanase lexonin fatin.