Showing posts with label "Si u pushtua Çmendustani". Show all posts
Showing posts with label "Si u pushtua Çmendustani". Show all posts

Varrmihësit nuk lenë asnjë film përgjysmë

Doktori ishte plakur mjaft, dhe, gjatë atij viti që dukej se do ta merrte me vete, kish parë në ëndërr vetëm rropullitë e veta. Të sillnin ndërmend të përbrendshmet e një të shkrumbosuri me flakëhedhëse. Doktori besonte se ato ishin bërë qymyr duke pritur që këmbëngulja e tij për të mos hequr dorë nga zanati të zbehej. Mirpo këmbëngulja e tij nuk zbehej lehtë, ndonëse shumica e të sëmurëve të atij viti i kishin vdekur në duar. Dhe Doktori ishte burrë shumë i ndershëm, dhe nuk e duronte dot mendimin se ata që i vdisnin në duar ia bashkangjitnin pjesën tjetër të jetës së tyre, që nga këputja e tutje, jetës së tij. Nuk e duronte dot këtë soj pavdekësimi, madje as pavdekësinë në përgjithësi, por as dorë nuk hiqte.
Në të gdhirën e mbrame të nëntorit, pasi një vajzë e vogël dha shpirt në duart e tij, Doktori u ngut të mbyllej në kthinën ku laheshin duart dhe i lau më shumë se dhjetë herë, sikur të donte t’ua zhvishte lëkurët, apo të paktën t’u lante mëkatet e pavullnetshme. Nuk arrinte të besonte se i kish gazmendur të shumtët me një shpirt që ende s’i kish mbushur as dhjetë vjetët në trup, dhe uji iu duk më i rremë se kurrë: një lëng që s’mund të ishte burim jete përderisa nuk arrinte të lante dëshpërimin.

Leja

(rrëfim)


Kapiteni nuk do ta kish ndjekur gjer në fund atë zanore po të kish pasur një gradë më të lartë. Por nuk do ta kish ndjekur, besonte, as po të kish qenë ushtar i thjeshtë. Nuk e lidhte dot atë ngjarje me asnjë hollësi sadopak paralajmëruese të muajve të jetuar nën tokë. Familja i pat dërguar, si zakonisht, një kuti me libra dhe tri shishe vere dhjetëvjeçare, kurse ai u pat nisur nga një kryevepër të vockël të gdhendur në kockë - fryte të durimit dhe nevojës për të mos u çmendur të njërit prej ushtarëve. Së shoqes i pat dërguar një qiri të gdhendur në kockë (dëshmi se dashuria e tyre mbetej gjallë edhe nëse zjarri e qirinjtë e kësaj bote ngrinin); të bijve u pat dërguar, të madhit: një revolver kocke, që të mbante çelësat; të voglit: një krokodil kocke, kurse vajzës së vetme, Xhekit: një kështjellëzë që dukej e skalitur në kristal. Ushtari që i punonte dukej të kishte një sy e njëpalë duar më të sakta edhe se lazeri. Ishte një djalosh gjysmë qose, i ligur, me një vështrim gjarpëror, prej burgaxhiu. Arti i atij ushtari e pat shtyrë Kapitenin të mendonte se lazeri me siguri qe zbuluar a shpikur në një mjedis burgu.
Kështjellëza e Xhekit pat qenë padyshim kryevepra e atij viti. Kapiteni qe shtruar në bisedë me artistin dhe të dy e dinin se, në fakt, si shumica e njërëzve që e adhurojnë artin, por s’kanë asnjë dhunti, ai synonte ta merrte tjetrin në pyetje, të ngjëronte ndonjë pikëz fshehtësie nga ajo e rralla që mishëronte të talentuarit. Pas nja dy orësh ku secili fliste me veten, me zë, në prani të tjetrit, ushtari i pat besuar një të fshehtë: kështjellëza pat dalë aq e bukur ngaqë ai kish synuar të mbyllte brenda saj të gjithë tingujt ende të panjollosur, të pasëmurur, ende të shenjtë të jetës së tyre nëntokësore. Kështu thuhej se pat vepruar, me ndërmjetësinë e ca lutjeve të panjohura, raca e atlantëve, pak para se kontinenti i tyre të fundosej. Mjaft shkencëtarë bridhnin tani anekënd për të gjetur kristalet ku ndryheshin gjuha e atlantëve, zbulimet e tyre, e mbase edhe pamje të asaj epoke.

Pa zë (rrëfim)


T'u bë sikur ëndrra e përvuajtur e të paktën dhjetë vjetëve mblodhi në njëfarë gjeratoreje të gjitha plehërat e qendrës, lëvozhgat e bananeve të ngrëna, të shegëve, lajmërimet e vdekjeve, buzëqeshjet e budallallepsura të kalimtarëve pa qëllim, bishtat e cigareve, dritëzat e mbrame të muzgut, dhe u turr me egërsi të bënte harakiri një metër para teje, ose thjesht të lindte një femër. E lëshoi femrën në vetëm dy sekonda. Ngrive. Edhe një i vdekur do të kish ngrirë për së dyti. Quhej Denisa. Nuk t'u desh më shumë se një copëz vështrimi ende esëll për ta gëlltitur në përfytyrimin tënd të uritur. Kuptove se s'para kishe më fuqi ta kapërdije. Qënka bërë e mrekullueshme, hungërove me vete: duket sheshit se u përket të tjerëve. Robinjë e gjorë e analfabetëve, e të pagdhendurve...

Bija e ëndrrës ngre dorën e saj të hijshme, të përshëndet e lumtur, pastaj nis të çapitet drejt teje me atë hapin e vet drithërues, kurse ti nuk ishe në gjendje të kuptoje se pse nga aq afër ajo duhej të të përshëndeste me dorë, kur fare lehtë mund të të përqafonte.

- Po ku ke humbur kështu; ku s'të kam kërkuar, - tha Denisa. Edhe në këndin e sendeve të gjetura, madje!

- Dhe nuk isha as atje? - qeshe ti.

- As atje.

Rapit nos atrociter*


Në ditë të tilla, si ishuj të mallkuar kthjelltie, mes dy stinësh, mes dy moshash, kujtesa sikur është më tepër e shpirtit se e trurit. Dhe të kafshon nga s'e pret, dhe bindesh vetiu se je më esëll nga ç'duhet. Nuk e di sa e si duhet, mendova, por jam shumë më esëll nga ç'duhet. Isha njëzet e dy vjeç, i vetmuar sa më vinte rëndë edhe t'i bija me dorë, duke u çapitur kuturu në rrugën bri konvikteve të mjekësisë. Endesha këtej saherë më zvjerdheshin të gjitha e kur, egërsisht, më duhej të shpikja një të dashur bjonde, të kolme, që nuk dilte në takim për arsye të panjohura. Ishte mënyra më e shëndetshme për t'u kthyer xurxull në shtëpi sidomos në fillim të vjeshtës, pak para fillimit të shirave.
Po binte mbrëmja. Ajo mbrëmje e paharrueshme tiranase, me kalimtarë që duket sikur nguten të treten në hiç, me zogj të qorrollepsur, krokama, gjethe që bëhen shkrumb buzë trotuareve, me përndritje të paemërtueshme resh e copash qielli që gjithnjë më kujtonin hartat e një paqeje të pamundur. Po binte mbrëmja, mirpo në klub, falë papastërtisë së mureve dhe kupës së vetme ku strukej llampa, mbushur me mushkonja të ngordhura, kish mbërritur nata. Mbante era birrë e mykur, qoftesh që zor të gjeje me ç'mish qenë gatuar, dhe djersë pjanecësh. Tryezat e moçme, zgjyra e lavdishme e karrikeve dhe sytë e zgurdulluar e me një paqe batërdisëse të shtynin në mendimin se klubi i ngjante një ndërgjegjeje të vrarë. Të vrarë e të pakallur, qesha me vete. Mbase prandaj ndihesha më i pamëkat, më i lehtë shpirtërisht.

Grepi


Ata që patën mirësinë, ose kohën e tepërt, t'i kryenin shërbesën mortnore, t'i paguanin qëndrimin në morg, të paguanin famulltarin, marangozët, groparët dhe makinën që çoi trupin nga streha vorfnore deri në varrezë, ishin, në njëfarë mënyre, binjakë të tij. Binjakë nënash, seksesh e fesh të ndryshme. Dallimi i vetëm ishte se ata, të gjithë, kishin emra, ose të paktën nofka, secili të trashëguar nga vendlindja, ose nga ndonjë bëmë e veçantë e këtyre trojeve. Kurse atë e njihnin thjesht si "ai që nuk e lehin bushtrat". Se ishte i vetmi njeri që, kur fanitej në oborrin para fjetores, në dritare, në mensë, në rrugicën që çonte drejt qytetit, ditë a natë qoftë, bushtrat përjetë të mbarsura, lehona e të uritura të rrethinave nuk e përshëndetnin me lehje. Ndoshta pat ditur gjuhën e qenve.

Ata që rrinë si drapri



Mbase njerëzit do të ngjallen së vdekuri, duke shkelur me mangësitë e tyre mbi Vdekje, ose do të kalben për së gjalli, - duke shkelur mbi mençuri me marrëzitë e tyre të pafundme e njëfarësoj të shpjegueshme, - por magjia e qytetit të dikurshëm, ajo aromë e pangatërrueshme e varfërisë që luan me bukurinë e me vdekjen nuk do të endet më mbi ato treva. 
As që ka përse. 
S'ka as për kë. 
Ai qytet, i mrekullueshëm gjatë beharit, falë liqenit, dhe i perëndishëm gjatë dimrave, falë dëborërave që sikur shkundnin fëmini ende të pajetuara mbi çatitë e vjetra, veç varfërisë, thashethemeve helmatisëse, bukurisë falas dhe çmendurisë, me të cilën është i pajisur secili qytet i kësaj dynjaje, kish edhe një poet të marrë. Qyteti ishte tepër i vocërr dhe mjaft i harruar bote, që të mund t'i lejonte vetes dy, apo më shumë poetë të marrë.

Si u pushtua Çmendustani / Cum a fost cucerit Nebunistanul


Do ta vras

Në murin që u shemb i fundit, me një bojë që duhej të të kujtonte gjakun e prishur të një race tashmë pa emër, qe shkruar: "Nëna juaj - kurva jonë!" Nuk dihet pas sa thatësire frymëzënëse, ra shi. Ra. E patën pritur si ujin e pakët, ose si gjakun e hasmëve. Shiu lagu me një ngulm të pashpjegueshëm vetëm fjalën "kurva", dhe mbi mur, pak para shembjes, mbeti fjalia e gjymtë: "Nëna juaj - jonë". Orët ishin çartur dhe rrihnin secila sipas një ligji të paqartë. Ra një shi mëse i rëndomtë, i vakët. Njerëzia e lidhnin atë lloj shiu me vdekjen e zakonshme natyrore. Kurse thatësirën - me vdekjet e çartura, të cilat, për arsye po aq të panjohura sa edhe vonesa e shiut të natyrshëm, ishin shtuar tejmase. Shtimi i tyre pat përkuar me një përhapje të pamëshirshme të gromësimave. Hahej shumë, por ushqimet ishin gjithnjë e më pa shije, me prejardhje nga pluhurat.

Dita Ndërkombëtare e Cicërimave

Besonte me gjithë shpirt, - me aq sa kishte, - se vetëm era lemerisëse e apartamentit e pat shtyrë të binte në dashuri me zogjtë. E përsëriste vetiu togfjalëshin “i shtyrë të bie”, sidomos muzgjeve dimërorë, kur mbështeste ballin pas qelqeve të dritares së kuzhinës dhe ngulmonte të shquante trajtën që kishin kristalet e borës. Një mbrëmje kishte mbështetur padashur buzët, me etjen të puthte, dhe aty e kish kuptuar se patën rrjedhur vite pa ndonjë dashuri njëfarësoj të paharrueshme. Qelqi kishte qenë akull - qe tërhequr mbrapsht i trembur, njëlloj sikur të qe puthur qorrazi me ndonjë ide të gjinisë mashkullore. Kur sillte ndërmend se si era e qelbur e apartamentit që kish vendosur të blinte, në një grimcë kohe, sa një puthje protokollare, e pat gremisur në dashurinë ndaj zogjve, të njëqind e një kanarinat që rriste heshtnin. Heshtnin si për t’i lënë kohë të dilte mendsh nga mprehja e vetmisë, apo të mos dilte mendsh nga paqja që sjell vetmia.