Gjithnjë më është dukur se në qytezat e përgjumura, - ku banorët kanë në
lëvizje diçka nga kukullat dhe nga të verbërit që janë hequr aq gjatë sikur
shohin, sa zor të shohin më pak se të tjerët, - dashuritë e hershme ruhen më
mirë. Sidomos kur në qyteza të atilla bashkëjetojnë kombësi, gjuhë e doke që
shpesh përjashtohen mesveti, por jo me gërvima, gërvishtje e thashetheme të
rëndomta, dashuria endet ngadalë drejt një freskie fqinjë me shenjtërinë. Aroma
e tyre sjell ndërmend librat e zverdhur, fotografitë sepia, afishet
e kinemave dhe kërcitjen e dhembshur të eshtrave të vjeshtës nën dëborërat e
para. E nuhat atë aromë ende pa kapërcyer pragun e qytezës. E ndjen si një
paragjykim më fort të ëndërruar, se sa të bartur nga kaosi i qytetit pa anë e
fund. Ndërtesat janë të ulëta, kurse rrugët – të ngushta e disi të anuara, a
thua se sapo je kthyer nga jashtë shtetit në vendlindje. Dëgjon fjalë të
panjohura, disa më të huaja se të tjerat, dhe e di se aty pipëtijnë të
gërshetuar lumturia që je i ndryshëm nga të tjerët me mllefin e fshehur që të
tjerët nuk kanë ndërmend të bëhen si ti.