Showing posts with label "Disa veçanti të botimeve shqip në Hapësirën Rumune". Show all posts
Showing posts with label "Disa veçanti të botimeve shqip në Hapësirën Rumune". Show all posts

Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku: Disa veçanti të botimeve shqip në Hapësirën Rumune


Përmbajtje

Synopsis. 2
Fjalë-kyçe 
  • Gadishull që ngjiz një kontinent
  • Rilindja jashtë trojeve, ose Atdheu ngjizet më parë në letërsi
  • Interbellum
  • Diktatura – një diktat pa ura
  • Kaosi që ngulmon të zëvendësojë arsyen dhe vlerat
  • Revista Haemus ose Esse non videre
  • Librarium Haemus 

Bibliografi e përzgjedhur 
Listë e pjesëshme alfabetike e autorëve të Revistës Haemus* 
Curriculum Vitae [FR] 


Synopsis


Historia e botimeve shqip në Hapësirën Rrumune është shumëvjeçare dhe tejet e pasur. Botimet e disa prej kryeveprave të letërsisë shqipe dhe zhvillimi i pazakontë i shtypit qysh nga gjysma e dytë e shekullit XIX, dëshmojnë se hapësira rumune mund të këqyret si një gadishull nga i cili ngjizet një kontinent i tërë. Gjatë periudhave të ndryshme historike, botimet shqip iu nënshtruan synimesh që kulmuan jo vetëm me krijimin dhe forcimin e Shtetit Shqiptar, por edhe me ruajtjen dhe pasurimin e shqipes së gjithëkohëshme, që, përmes librash e autorësh të zgjedhur, zhvillohet edhe sot në të njëjtën hulli. Kësaj shqipeje, të përfshirë tashmë me të drejta të plota në vargun e gjuhëve të tjera evropiane e më gjerë, të aftë për vepra me vlera të përbotëshme edhe nëse nuk përkthehen në gjuhë të tjera, i shërben edhe Revista Haemus, themeluar në Bukuresht në vitin 1998.

Fjalë-kyçe


Gjuha shqipe, botime shqip, Hapësira Rumune, Rilindja Kombëtare Shqiptare, libra shqip, shtypi shqip në Rumani, Revista Haemus, Librarium Haemus


Gadishull që ngjiz një kontinent


Historia e botimeve shqip në hapësirën rumune është shumëvjeçare, tejet e pasur dhe padyshim njihet mirë jo vetëm nga historiografia franceze, por edhe nga degë të caktuara të historisë së letërsisë dhe të shtypit, për më tepër që një pjesë e autorëve të shquar shqiptarë me banim të përkohshëm në Rumani kishin lidhje të thella me kulturën dhe qytetërimin frëng. Por mbase njihet më pak e vërteta që Hapësira Rumune (e cilësuar shpesh si “hapësira mioritike”), me një elitë dikur gati krejt frankofone e frankofile, ka qenë për shqiptarët e mërguar dhe sidomos për letërsinë shqipe njëra nga qendrat themelore të frymëzimit e të arritjeve, njëlloj sikur të ndodhej në libra e jo në realitet. Fjala “mioritic” rrjedh prej baladës popullore rumune „Mioriţa” (Shqerrkëza) – një kryevepër e ndjeshmërisë artistike dhe e gërshetimit të së këtushmes me të përtejmen. Nga pikëpamja artistike, kjo hapësirë, falë këmbimit shajnitës të maleve me honet, të kodrave me luginat, të detit me liqenet e lumenjtë, të vapës me thëllimin etj krijon një baraspeshë, një dhimbsuri dhe një gjendje të veçantë përmallimi e besimi në botën e padukshme, një përftim befasues të jetës, dramave, vdekjes, përjetësisë, me vlera të pangjashme sidomos për poezinë.