Showing posts with label "Spli[gh]t ose Fjalë si pasqyra të krisura". Show all posts
Showing posts with label "Spli[gh]t ose Fjalë si pasqyra të krisura". Show all posts

Spli[gh]t ose Fjalë si pasqyra të krisura

1.

Spliti vjen drejt teje si thelbi i papërfytyrueshëm i një libri, që, deri pak rreshta më parë, dukej i pranueshëm, por nuk jepte asnjë shenjë se mund të jetë kryevepër. Lodhja e syve, ose durimi pa fund i detit, bashkë me uljen ëndërrimtare të mbrëmjes, kanë kaltëruar fshehtas, sëbrendshmi, edhe shkëmbinjtë, edhe asfaltin, edhe bimësinë. Sendet duket sikur po zhyten për t’u larë, për të humbur peshë e vëllim, ose për të mërguar në një botë më të sigurt. Rruga i ngjan një gjarpëri që zgjatet si për të zhdukur kokën e vet.

Pastaj vështrimi kriset, ndahet më dysh, njëheresh me fjalët (thelbi dhe metafora që i jep jetëgjatësi mezi shquhen nga njëri-tjetri). 

Po mbyllej një maratonë në orë, jo në kilometra.

Ditënata e paharruar në Timișoara e Budapest, çmallja me Danubin dhe aromat e kafeneve me hije perandorake ishin bërë vegim. Sapo pata përfunduar "Kufij mes Teatrit të ekzistencës dhe ekzistencës së teatrit – një semiotikë e vizionit të Ingmar Bergmanit si njeri i teatrit" dhe, mbase ngaqë lajmet më suleshin nga të gjitha anët, - si fishekzjarre, për çmime letrarë e kryevepra që duheshin lexuar medoemos këtë javë, këtë pranverë, këtë vit, - fjalia që ende s'më jepte paqe ishte: Ndonjëherë caktimi i njëanshëm i çmimit përfaqëson identitetin e vetëm të shitësit.

Art/istë

15.

Ia kishin vënë emrin pareidolia. Tërthorazi, mbase nga stepja se mos fyhej ndokush, trajtohej si mangësi, jo sëmundje, ose si dalje e natyrshme nga struktura klasike e përftimit të botës. Më qe zgjuar javën e parë të shpërnguljes nga Poradeci: në çdo cep rrugice tiranase, në oborrin e shkollës, nëpër korridore, klube, parqe, rreth Sahatit, në Bibliotekën Kombëtare, nëpër kinema shihja poradecarë, shumica pleq e plaka, që sikur faniteshin për të ma lehtësuar sadopak dhimbjen e mërgimit. Nuk më përshëndesnin, bënin sikur s’më kishin parë kurrë. Tiparet dallues fshiheshin pak para se të bindesha që fytyrat e tyre u përkasin njerëzve të panjohur dhe se isha në jerm, i ograisur nga dëshpërimi. Por sidomos zogjtë ishin dhe mbetën pó ata: pëllumbat e Tiranës, sgalemët e Bukureshtit, dallëndyshet e Splitit. Ndërsa nën njërën nga portat që çonin drejt Agora-s (ku turistët mund të shihnin Katedralen, Sfinksin, luanët, shenjtorët, dasmorët, dhe të zbrisnin në qilaret e Dioklecianit, të hanin Mëngjesin e perandorit apo të pinin diçka), ma preu rrugën një buf.

Fjala buf u hap si flluskë mes zhaurimës shumëgjuhëshe.