Shkrimtarit iu morën mendtë dhe ndali para një morie
peshqsh që e shihnin sikur të mos kishte vëllim. Sytë e tyre i
kujtuan flluskat e filxhanit të kafesë: sy
ziliqarësh, sipas plakave. Priti që të shembej duke i rënë akuariumit vigan
me ballë, dhe përfytyroi se si ata qindra peshq do të dyndeshin mbi sallë e do
të kërcenin për të vdekur mes djathtrave, sapunëve, shishkave të parfumit,
pjatave, gotave, koshave, verërave, llampave, veglave të rrojes e të ndërtimit,
por edhe nëpër gjinjtë, xhepat, çantat e blerësve. Falë ujit që do të arrinte
gjer në gju, - si gjaku në luftrat e qëmotit, - mund t’i shpëtonte vdekjes duke
notuar. Pak vetë dinin not si ai.
- Po nga i sjellin? - pyeti zëri i një fëmije.
- Nga deti, - e sqaroi një zë gjysheje.
-
Bashkë me ujin?
-
Jo, jo. Ujin e përgatisin këtu.
- Po nuk ngordhin rrugës këta?
- I sjellin po në një akuarium. Dhe i derdhin në të këtushmin.
- Po pse nuk i therin para se t’i sjellin?
- Që ne t’i shohim të gjallë. Dhe që askush të mos pandehë
se kanë ngordhur kohë më parë.