
“Në dimrin e vitit 2019, në Bukuresht ndodhi diçka që duhet të bindë se Fundi
i Botës, ai I Panjohuri, mund të vijë pikërisht siç nuk e pret dot askush
(pavarësisht sa fjalë ka në gjuhë). Sepse secili prej nesh e harton Fundin e
Botës në bazë të ëndrrave të paplotësuara. Një shi i zakonshëm dimëror u shndërrua
befas në akull, mbështolli gjer edhe degëzat më të holla, fijet e mbrame të
barit, kangjellat, çatitë, muret, madje edhe, - poetikisht, por aspak rastësisht:
kutitë e mëshirës dhe të postës. Në vetëm pak orë, pemët nisën të thyheshin,
ngaqë akulli tkurrej dhe pesha e gjithçkaje nuk qe parashikuar të duronte aq ujë të ngrirë e aq ngrohtësi të shpenzuar
për ngricë. U shembën shumë çati e mure, plasën trungje, shtatore, shishe, gurë,
fjalë të urta. Vërtet mbeteshe pa gojë para një befasie të atillë, e cila, po të
shkruhej si poezi, do të tingëllonte të paktën e pabesueshme. Ishte një metaforë
gati e njësuar me atë që njeriu i sotëm po i përgatit vetes duke kërkuar me çdo
çmim një jetë më të mirë, pa marrë parasysh se një jetë më e mirë (jo më e
bukur) nënkupton një vetmim më të madh. I zhveshur nga çdo pushtet, si ajo
foshnja që vjen në botë pa asgjë dhe që po aq e varfër kthehet në(n) tokë, gjatë orëve aq të bukura e të frikshme të
ngrirjes, u duk sikur gjithë ç'mund të na falte kjo jetë ishte poezia mes së cilës
u gjendëm dhe së cilës nuk mund t’i shtohej, hiqej, apo korrigjohej (apo
korrigjuhej) asgjë. Një poezi që ishte varg pas vargu Fundi i Botës, por më i
lehtë e pakrahasimisht më i bukur nga ç’e kishim përfytyruar. Poezi, të cilën
njeriu, as me arritjet marramendëse të teknologjisë e as me forcën e pafundme për
të ndrequr a prishur, nuk e vinte dot
në fjalë. Madje
as nuk e kopjonte dot pikërisht ngaqë nuk ishte autori”.