Showing posts with label "Nata pas vitit zero". Show all posts
Showing posts with label "Nata pas vitit zero". Show all posts

Shkretia

Ma ndërtuan shkretëtirën me çikërrima,
ata që s’e dinin se shkretëtirat ndërtohen me çikërrima.
Kështu nisën të më çngjyrosnin gjethet, të më shkurtonin netët që i ëndërroja sa më të gjata, të më zgjasnin netët që i lusja sa më të shkurtra.
Kështu vazhduan të më helmonin ujrat, të më thanin liqenin, ose ta mbillnin me mina, të më rrënonin shtëpitë e fëminisë, të më hirnosnin apo përgjaknin dëborërat, të më shembnin vendet e dashura të rinisë, të pjesës tjetër të jetës, e më pas të më shembnin e helmonin pjesën tjetër të jetës, rininë, fëmininë.
Ishte e vështirë të shihje se nuk bënin asgjë tjetër veç jetës së tyre.
Mahnitja na i shtangu gjuhët, që të mund të thoja, t’u thoja, të thoshin apo të më thoshin ndonjë gjë. Dhe nuk e di se ç’mund të thoshim mes tërë atyre çikërrimave.
Mahnitja nuk na la as të mendonim se mund të shkëmbenim ndonjë fjalë, sepse gjithçka bëhej me çikërrima, kur nuk pritej, ose kur pritej aq sa të mos të bënte më përshtypje, dhe unë nuk e mbaja veten aq lart, sa të mendoja se ma bënin me kast.
Kur u zgjova në mes të shkretëtirës, pa kohë, pa të afërm dhe pa kujtesë, ata që ma kishin ndërtuar shkretëtirën me çikërrima po bërtisnin:
- Mallkuar barbarët!
Mallkuar barbarët, që na kishin shembur shtëpitë dhe kujtimet, që na kishin përdhunuar motrat, gratë dhe të dashurat, që na kishin therur prindërit, na kishin shprishur gjakun, barbarët që na kishin pështyrë varret dhe altaret, që nuk na kishin lënë asgjë veç shkretëtirës, nga ku nuk duhej,
nuk duhej ikur!
Pastaj secili vijoi jetën e vet, duke kërkuar nga pak kohë, nga një më të afërt se të tjerët, nga pak kujtesë.
Për të më ngushëlluar (ndonëse askush nuk vdiste nëse ata nuk ngushëllonin), më thanë:
- Mos u tut! Ti sapo e ke nisur…
Kurse ata thoshin se nuk kishin edhe aq jetë sa kisha unë, se nuk u mbetej të jetonin veçse edhe pak kohë, luteshin që të kishin ca ditë të bardha, pas tërë asaj batërdie, pas tërë kësaj llahtare.
Kur ishin në qejf, më pyesnin nëse e mbaja mend filan ditë, gjellët që kishim ngrënë, pijet që kishim pirë, të përdalat që kishim fishkëllyer; a më kujtohej vallë ndonjë gjë nga dashuria e parë, a kisha pasur ndonjëherë ndonjë dashuri të parë, po të dytë; a më kujtohej liqeni, mjellmat, puthjet, këngët me kitarë, netët e gdhira pa gjumë, librat dhe llojet e cigareve? Po vrimat e këpucëve, shirat pa fund, dëborërat, dehjet, rrahjet dhe xhepat me vrima? Po dasmat, varrimet dhe ata që ishin martuar dhe ata që ishin varrosur?!
A më kujtoheshin, vallë?!
Kështu, me çikërrima të dhemshura, të hidhura e përdhosëse, shkretëtira i gëlltiste në heshtje, kurse unë lutesha që të më falte një dashuri më tokësore sesa ajo ndaj Zotit,
kurse shkretëtira, pa kohë, pa të afërm dhe pa kujtesë, më pëshpëriste:
- Pse ngutesh?! Ti sapo e ke nisur...



Në pritje të rrotave (prozë)


I. Në sallën e pritjes të një aeroporti të ndërtuar nga të burgosurit, aeroport mbi pistën e të cilit uleshin gjithnjë e më pak avionë dhe ku, gjatë çlodhjes së avionëve, kullosnin ca lopë të zgjebosura ndofta nga mërzia, prisnim rrotat.
Kishim plot njëmbëdhjetë orë që prisnim rrotat.
Ngaqë mbështetëset e kolltukut ishin mjaft të rrumbullakosura dhe ngaqë gjunjët e mi dridheshin nga padurimi, detyrohesha që, pas çdo gllënke, ta vendosja gotën e fundit të konjakut tek parmaku i dritares majtas. Kur më duhej ta merrja, detyrohesha të ngrija pak perden tërë pluhur, sepse mbrapa shpinores sime, një femër që flinte me siguri e bindur se udhëtonim në qiell, e kish kapur atë perde me njëpalë thonj të ankthshëm, nuk e lëshonte, dhe ishim tashmë shumë të lodhur që të mund t’ia rrëmbeja parashutën asaj të gjore që pandehte se fluturonim.

"Arti për të vetëvrarë" (rrëfim)





Poeti i dashurisë ende nuk e kish vrarë veten. Jo ngaqë armët qenë ndaluar para gjysmë shekulli dhe helmimi ishte punë grash, kurse prerja e damarëve, ose ngulja e thikës e trembte. Nuk kish pasur kohë ta vriste. Qënia e fundit që pat shkëmbyer ca fjalë me Poetin e Dashurisë kishte qënë papagalli i tij plak, i cili, një mëngjesi, u këput nga druçka ku ngrefosej gjatë dhjetë vjetëve të fundit dhe u ngul me kokë, si për t’u ushqyer gjatë gjithë amëshimit, në kutizën me fara kërpi. Kishte qënë fund korriku, vapë mbytëse, dhe Poeti, në mungesë të telefonit dhe i ngurosur në shezlong, pat fishkëllyer nja gjysmë ore, derisa veterinerit të qytetit t’i dilte rakia e një nate më parë dhe të sillte ndërmend se ishte nga të fundit qytetarë që dinte se Poeti nuk kish ndërruar jetë. Qyteti shquhej për dy lloje të sëmurësh: ata që lëngonin me dekada dhe të cilëve shtimi i numurit të ilaçeve ua shkurtonte numurin e ditëve, dhe ata që hidheshin vrikthi me kokë në botën tjetër, si papagalli i Poetit, ose që gjendeshin të vdekur në zyrë, në bibliotekë, në stadium, në krevat, bordell etj.

Një dashuri e tillë

“Një tjetër shpirt më ka veshur

tek arratisej

nga plehërat…”



Uji. I pafund dhe i kristaltë, me fshehtësinë dehëse të bimëve nënujore, me pleksjen e ngjyrave, me muzikën shpirtërore të një tjetër bote. Uji i pafund dhe unë, që kam humbur një tokë dhe që kam humbur edhe një jetë.

Uji dhe dashuritë e mia të vrara, të shkulura nga palca ime, duke më hapur nga një tjetër petal në lotusin e dritës.

Uji dhe dehja e një virgjërie të mbytur çdo ditë e nga pak, çdo çast e nga pak, në pakte verbues e dalldisës, dhe dehja ime jotokësore, dhe çmeritja ime ndaj kaq shumë pastërtie, ndaj kaq dashurie që më rrënon e më ngre në këmbë të fëmijëruar,

që nuk m’i shter lëngjet e së gjelbrës në deje.

Uji dhe unë, shtrirë në një varkë të vjetër, lakuriq e me fytyrën symbyllur ndaj qiellit ku ngjyrat dihatin për t’u fikur në natë. Dhe shuplakat e mia të hapura, dhe muzika e pianos që pikon mbi mua, dhe pikat që janë herë gjak i perëndishëm, herë lot i perëndishëm, herë lutje të miat të shndërruara në gjak e lotë të perëndishëm.

Shuplakat e mia, dhe kalimi mes tyre i ajrit, mbrëmjes, jetës sime.

Uji, dhe kaq pak vetmi prej njeriu, dhe kaq shumë muzikë prej shenjti. Dhe prapë uji, i mbështjellë me mjegullën e një malli të pathënshëm, që më vegohet vetëtimthi mbi muranën e ngrirë e pa gdhendje të ditës, dhe unë që them: “Shpirt…”

Buzëqeshja që s’do kalojë

 
Jemi shkulur nga një tokë; toka
është shkulur nga ne.
Në vend tonë dhe në vend të tokës
mbetën plagë, dhe plagët rrjedhin gjak, dhe gjakun nuk e pa askush, e qanë pak, e qeshën shumë
Kemi duruar.
Me plagë e pa tokë jemi endur udhëve të botës për të gjetur
një vendth sa më pak të huaj, a sa më shumë të ngjashëm me plagët që patëm lënë në tokën nga ku u shkulëm. Jemi endur pa bukë, pa ujë, pa shpresa, po kujt i shkon mendja për shpresa, ujë e bukë kur plaga ua kalon të gjithave?! Jemi endur me ankthe, makthe e lotë. Jemi endur pa tokë e me mall. Kemi duruar kur ç’kishim e ç’nuk kishim, kur ç’ishim e ç’nuk ishim u bënë pluhur.
Jemi endur në pluhur sa na vinte ta merrnim pluhurin për dritë, bukë e shpresë. Kemi duruar kur pluhuri bëhej pluhur e kur, nga aq pluhur, më nuk dinim ç’po ndodhte.
Ç’po ndodhte, o Zot?!