Showing posts with label Prose. Show all posts
Showing posts with label Prose. Show all posts

Qyteti ku vdiset më bukur

 

Sheshi ishte i shkretë; bredhat anës rrugës përkuleshin gjer përdhe, si për temena. Liqeni dukej i zi dhe i tërbuar. S’ iu ngulit në kokë ajo pamje. Është tamam ajo vetmia pranë liqenit, mendoi. Unë kam qënë shumë i vogël, kurse liqeni shumë i madh, i zi, gojë kuçedre. Kur më çonin në plazh, bregu ishte plot me trupa të lëmuar femrash, me flokë të lagur, uji ngjante me qiellin, dhe unë dridhesha nga dëshirat dhe mendoja për vdekjen. Mes qiellit endeshin koka njerëzish, topa shumëngjyrësh, sgalemë dhe varka. Varkat vozitnin deri në mbrëmje, pastaj qiejt erreshin, nxiheshin malet, binte hëna, mbi një botë të bërë shkrumb nga malli për të vdekur më bukur. Pasi fillonte e ndalej ndonjë shi, pushuesit visheshin si për vjeshtë dhe mbushnin bulevardin. Dallgët nxirrnin në breg shumë kallama, kufomëza shpezësh, shishe shampoje, limonatash dhe mbeturina të tjera nga zbavitja e jashtetit. Pas ditëve me dallgë, unë dilja me shokët dhe i mblidhja ato shishe e qese magjepsëse. Kisha një koleksion të tërë me lëvozhgat e luksit të të panjohurve. Pastaj këtu ranë shumë shira e dëborëra, erdhën e ikën shumë të sapomartuar që vinin për muaj mjalti, u ngjizën shumë fëmijë, dhe unë rashë në dashuri për herë të parë, se mjalti këtu vetëm të mbaruar s’kish. Mbaj mend se ulesha në gurët e bregut dhe errësira më dukej rrugë. Shëtisja në të derisa më mpihej koka, isha i lumtur dhe i mjerë si kurrkush, vetëm Zoti më njihte, nuk ma merrte mendja se do të kisha kaq pjesë në dashuri. Këtu është vështirë ta besosh vdekjen, është vështirë të kesh trup. Është vështirë që vdekja të ketë një shprehje të rëndomtë, të pritme, të përfytyrueshme. Pastaj endesha nëpër klube e parqe me të dashurat, me grupet e gëzueshëm të pushuesve, dhe qeshnim shumë. Edhe lulet kishin tjetër shije atëhere, edhe drita e diellit, muret, myku. Kam qënë i varfër, i bukur dhe shumë i ndjeshëm. Të gjitha i mbyllja në vete për të mos i nxjerrë më. S’ buzëqeshi. Ecnin të përqafuar në bulevardin e shkretë. Mirpo një ditë, mendoi S’, u gdhiva në një kafaz prej letre, me mure letre, në stomak të vetë Letrës. Ishin të gjitha të bardha. Haji, më tha një zë, që të shpëtosh. Ose shkruaji! Nuk i haje dot, ky ishte mallkimi. Ky ishte edhe bekimi. Atëhere mora një stilolaps dhe nisa t’i shkruaja. Shkruaj e hidh mënjanë, shkruaj e hidh në anën tjetër, shkruaj e hidh mbrapa. Këtu prapë vazhdonin të binin shira e dëborëra, të ndryshkeshin gjethe e koka, vazhdonin të vinin shumë çifte e vajza të bukura, dhe unë, për t’u çlodhur, përvidhesha nga dritaret që pata hapur dhe bridhja. Pija shumë konjak, luaja me letra dhe gjuaja. Pastaj kthehesha i dëshpëruar në kafaz dhe shkruaja. Kështu e humba fare nocionin tim, shkruaj e hidh mbrapa, bëj dashuri e kthehu në kafaz, nga Qyteti ku vdiset më bukur në kryeqytet, nga kryeqyteti - jashtë shtetit, rrugë këtu e rrugë aty, një fytyrë këtu e një aty, shkruaj e hidh mbrapa, një aeroport këtu – një stacion trenash më tutje, një e dashur larg – një e humbur afër, një plagë në shpirt – një plagë jashtë shpirtit, kurse këtu prapë binin shira e frynin erëra, prapë binin dëborëra dhe njerëzit vjetëroheshin. Cingërrimat e vetme që ma ndyjnë muzikën e atyre kohërave janë trokamat në dyert e botuesve. Asnjëra nga dyert s’u hap. Aq herë mbetën mbyllur, aq herë m’u mbyllën hundëve, ose pas shpine, saqë u betova të mos botoja asgjë. Gjatë kësaj kohe trokamash, përbri hollimit të mureve prej letre, më vdiqën shumë të afërm, humba shokë, dhe prindërit m’u plakën. Humba shumë të dashura dhe gjeta të tjera. Shkruaj e hidh mbrapa, dëgjo fjalë nepërkash e hidh mbrapa, nuhat kutërbim plehërash e shfry mbrapa, duro dëngla dështakësh e hidh mënjanë, duro kakaritje paranojakësh e hidh matanë, e të gjitha më dukeshin të pavërteta, si në një film, dhe kush mund të më shihte, kush mund të më njihte të fundosur në zemër të Letrës, përveç Zotit, – dhe udhëtimet jashtë e brenda vendit vazhdonin, kurse unë kisha aq mall për të gjitha, dhe kërceja nga mungesa e dikujt në praninë e dikujt tjetër, dhe kërceja nga prania e dikujt në mungesën e dikujt tjetër. Si një zog pa kokë i kam bredhur këto foleza të mallit, s’mund të lija në to veçse nga një pikë gjaku. Gjatë kësaj kohe u pashë shumë herë në pasqyrë dhe nuk u njoha. Gjatë kësaj kohe muret e bardhë të kafazit ishin holluar. E merrja përditë nga fillimi, me egërsinë, zymtinë dhe fuqinë e një të vdekuri për së gjalli, derisa muret u bënë pllaja, kurse unë mbeta me stilolapsin në dorë përballë botës tjetër, botës së vërtetë. Mirpo dalja nga Letra më ishte bërë ves, më ishte bërë mjeshtëri, dhe nuk rrija dot pa shkruar, po ku të shkruash në kohëra të tilla, Imzot?! Muret janë zënë, kafazet prej letre janë mbaruar, lëkurët tona janë mbaruar, qielli është mbaruar, lëkurët e kafshëve janë mbaruar, daullet janë mbaruar, drurët janë mbaruar, shtyllat janë mbaruar, toka është mbaruar. Nata kur do të flija i paemër për t’u zgjuar i pagëzuar, vononte. Mbase duhej të kthehesha mbrapsht, të mblidhja letrat e shkruara, ta ndërtoja nga e para kafazin tim të shtrenjtë, zemrën e Letrës, ku ishte pak më mirë se në botë. Po si t’i ndaje letrat nga njëra-tjetra, Imzot?! Flatronin anembanë, të gjitha të shkruara, çmendurisht të shkruara, çmendurisht të nënshkruara, çmendurisht të lavduara. Flatronin mbi ne, si shpirtra zogjsh, dhe s’kish gjahtar t’i rrëzonte. Doja të flija një herë i qetë, më i panjohur se ç’isha: shumë të afërm, njerëz të dashur, dashurira dhe copëra jete më qenë shndrruar në shpirtra zogjsh. Ç’mund të bëj tani, Imzot?

* Fragment nga Diva ose Ngrënësi i Luleve (alias Atdheu i të paftuarve), 1992

Foto: A.-Ch. Kyçyku

Ditë e marrë, ditë e lënë


Orën e saktë kur vdiq Udhëheqësi i pavdekshëm e ditën shumë pak vetë, ndërsa çastin kur ra sahati për shpirtin e Xha Gurit nuk e ndryshonin dot. Për herë të parë, - dhe kjo u mbajt e fshehtë, për mjaft kohë, - nuk kish rëndësi kur pat vdekur i pari, por i dyti.

Xha Guri nuk nxori pikë zëri, nuk bëri asnjë shenjë. Koka iu përplas mbi tryezë dy minuta pasi radioja njoftoi zbrazëtinë që do të linte mes nesh mungesa e Udhëheqësit. Kush mund të llogariste ku dhe sa vend do të zinte i pavdekshmi në një botë tjetër, po të gjykoje sa lirshëm mund të merrej frymë pas ikjes së tij?!

Zbrazëtia nisi të bëhej e përjetshme. Po të kish qenë gjallë, tek shihte rrëmujën dhe makthet e farefisit të vet, por sidomos turpin që kish guxuar të vdiste në një ditë me udhëheqësin, xha Guri do t’i kish bërë shoshë me çifte, që të kujisnin, të kafshonin buzkat, të shkulnin leshtë e të grahnin “bah, pikë e zezë, sot e gjeti…” me arsye, jo si pula kokëshkulura që ngarendin nëpër oborr.

- Si nuk duroi edhe një ditë, virani, - shkrofëtinte dhëndrri i madh nëpër dhëmbë. E dinte njeri që është për vdekje ky, se sikur qe i fortë si guri?!

I learned the word ‘birth'

 


THE DAY OF FAREWELL 

13. I encountered deeply ingrained issues. I had been talking to myself for who knows how long, and with each uttered word, I learned new ones. I learned the word ‘birth,’ the word ‘issue,’ the phrase ‘deeply ingrained,’ the word ‘speak,’ the word ‘perhaps,’ the phrase ‘for how long,’ the phrase ‘to oneself,’ the conjunction ‘and,’ the word ‘conjunction,’ the word ‘after,’ the word ‘every,’ the word ‘word,’ the word ‘thus,’ the word ‘learn,’ the word ‘news,’ the word ‘phrase,’ the word ‘enough,’ and many more and many more. Otherwise, how could I even speak, even if just to myself? In truth, the words were the same, but to me, they felt different, entirely different, and I relearned them from scratch, as if they were completely new. However, I managed to open my eyes—somehow, who knows how—and beheld five white walls. Excluding the floor, which was behind me since I was lying down, there were five white walls in the room. It was fortunate there weren’t more than five, because even if there were, they would still be just walls.

Shkretia

Ma ndërtuan shkretëtirën me çikërrima,
ata që s’e dinin se shkretëtirat ndërtohen me çikërrima.
Kështu nisën të më çngjyrosnin gjethet, të më shkurtonin netët që i ëndërroja sa më të gjata, të më zgjasnin netët që i lusja sa më të shkurtra.
Kështu vazhduan të më helmonin ujrat, të më thanin liqenin, ose ta mbillnin me mina, të më rrënonin shtëpitë e fëminisë, të më hirnosnin apo përgjaknin dëborërat, të më shembnin vendet e dashura të rinisë, të pjesës tjetër të jetës, e më pas të më shembnin e helmonin pjesën tjetër të jetës, rininë, fëmininë.
Ishte e vështirë të shihje se nuk bënin asgjë tjetër veç jetës së tyre.
Mahnitja na i shtangu gjuhët, që të mund të thoja, t’u thoja, të thoshin apo të më thoshin ndonjë gjë. Dhe nuk e di se ç’mund të thoshim mes tërë atyre çikërrimave.
Mahnitja nuk na la as të mendonim se mund të shkëmbenim ndonjë fjalë, sepse gjithçka bëhej me çikërrima, kur nuk pritej, ose kur pritej aq sa të mos të bënte më përshtypje, dhe unë nuk e mbaja veten aq lart, sa të mendoja se ma bënin me kast.
Kur u zgjova në mes të shkretëtirës, pa kohë, pa të afërm dhe pa kujtesë, ata që ma kishin ndërtuar shkretëtirën me çikërrima po bërtisnin:
- Mallkuar barbarët!
Mallkuar barbarët, që na kishin shembur shtëpitë dhe kujtimet, që na kishin përdhunuar motrat, gratë dhe të dashurat, që na kishin therur prindërit, na kishin shprishur gjakun, barbarët që na kishin pështyrë varret dhe altaret, që nuk na kishin lënë asgjë veç shkretëtirës, nga ku nuk duhej,
nuk duhej ikur!
Pastaj secili vijoi jetën e vet, duke kërkuar nga pak kohë, nga një më të afërt se të tjerët, nga pak kujtesë.
Për të më ngushëlluar (ndonëse askush nuk vdiste nëse ata nuk ngushëllonin), më thanë:
- Mos u tut! Ti sapo e ke nisur…
Kurse ata thoshin se nuk kishin edhe aq jetë sa kisha unë, se nuk u mbetej të jetonin veçse edhe pak kohë, luteshin që të kishin ca ditë të bardha, pas tërë asaj batërdie, pas tërë kësaj llahtare.
Kur ishin në qejf, më pyesnin nëse e mbaja mend filan ditë, gjellët që kishim ngrënë, pijet që kishim pirë, të përdalat që kishim fishkëllyer; a më kujtohej vallë ndonjë gjë nga dashuria e parë, a kisha pasur ndonjëherë ndonjë dashuri të parë, po të dytë; a më kujtohej liqeni, mjellmat, puthjet, këngët me kitarë, netët e gdhira pa gjumë, librat dhe llojet e cigareve? Po vrimat e këpucëve, shirat pa fund, dëborërat, dehjet, rrahjet dhe xhepat me vrima? Po dasmat, varrimet dhe ata që ishin martuar dhe ata që ishin varrosur?!
A më kujtoheshin, vallë?!
Kështu, me çikërrima të dhemshura, të hidhura e përdhosëse, shkretëtira i gëlltiste në heshtje, kurse unë lutesha që të më falte një dashuri më tokësore sesa ajo ndaj Zotit,
kurse shkretëtira, pa kohë, pa të afërm dhe pa kujtesë, më pëshpëriste:
- Pse ngutesh?! Ti sapo e ke nisur...