
Lasgush Poradecit
në 20-vjetorin e Kthimit
Bukuresht, 12 nëntor 2007
në 20-vjetorin e Kthimit
Bukuresht, 12 nëntor 2007
Gjuha amtare e poetit ka një qarkullim aq të ngushtë, saqë jo pak vetë e pandehin dhe e shpallin të vdekur, ndërsa ajo i mban peng shumë nga bijtë e saj viganë, duke mbetur vetëm e lashtë dhe “e pamëshirshme” si vetë Përkryerja. Sa më mirë ta shkruash, aq më gjatë do të qëndrosh i mbyllur në të. Kjo gjuhë i ngjan një nëne e cila parapëlqen ta mbajë foshnjën në bark, që të mos ia shqyejë bota.
Varrosja për së vdekuri
Varrimi i Poradecit u zhvillua në më të rëndomtin mjedis plot gafa e situata të pakëndshme, tipike në të gjithë regjimet ku vrasja dhe shkatërrimi zenë vendin e vdekjes natyrore, derisa arrijnë ta shndrrojnë këtë të fundit gati në një vepër arti. Telefonatat u lidhën zinxhir gjatë gjithë ditës e natës: zyrtarët shqiptarë nuk vendosnin dot nëse Poradeci duhej varrosur me qivur ngjyrë blu, - si të gjithë njerëzit tanë dhe intelektualët e riedukuar, - apo me qivur të kuq: privilegj i luftëtarëve për ngadhnjimin e komunizmit. Pa qënë i vetmi paradoks i kësaj jete, e kuqja (që synohej njëheresh nga dashuria, e cila pat humbur një nga Kalorësit e saj më të hijshëm) dhe nga komunizmi (që mund të fitonte, në ditën e vdekjes, një idhtar, të cilit nuk ia kish dhënë të drejtën e zgjedhjes gjatë jetës), mbeti në anën e komunizmit, dhe Lasgush Poradeci u vendos në një arkivol ngjyrë blu, u rrethua me lule e kurora, dhe u ruajt nga të dy anët prej shkrimtarësh të realizmit socialist, me shirita të zinj në krah.
Pjesa tjetër e varrimit, sikurse fati i poetit në faqet e kritikës zyrtare, u udhëhoq po prej tyre. Në fakt, nuk kishin humbur pak. Drejt cilit do ta drejtonin ata tani e tutje atë heshtjen e sëmurë, rrënuese, e të mos merrnin asnjë përgjigje të të njëjtit lloj harbutllëku?! Cili mund të ishte tash e mbrapa aq elegant, i qetë ndaj makthit të tyre për t’i dëshmuar oreçast Lexuesit se ai nuk gjallon më, ka vdekur me kohë, njëheresh me poezitë e rinisë dhe me dashuritë e asaj kohe?! Kushedi sa u duhej të prisnin derisa toka shqiptare t’iu bënte dhuratë një tjetër të gjallë kaq të çmuar. Se vërtet komunizmi ishte i pavdekshëm, por ata ishin të vdekshëm. Matanë nuk i priste asnjë jetë tjetër, asnjë botë tjetër, prandaj asnjëri syresh s’mund të pranonte të humbte një fat të tillë: shkatërrimin e një poeti të lindur. Shkatërrimin e përditshëm, të ngadaltë, të vënë në jetë me më të mbrapshtin sadizëm stërgjyshor. E kanë varrosur aq herë me mend, sa tani s’janë më në gjendje ta varrosin nën tokë. Se cila është toka ku mund të varroset Poradeci?!