Në ditë të tilla nuk e vrisje
veten jo ngaqë s’kishe armë e as ngaqë ngrehinat prej ku mund të hidheshe ishin
aq të larta, saqë më lehtë mësoje fluturimin, sesa bëheshe copë në tokë. Nuk e
vrisje veten, sepse harroje. Në e shumta dy orë. Sado i vendosur të ishe për
t’u hequr qafe, vogëlimat dyndeshin aq me shumicë e aq çmeritëse, saqë
vetëvrasja të dukej e lexuar, ose e hasur kalimthi në ndonjë film. Dhe pat qenë
vetëvrasje e mirëfilltë, jo nga ato të shtirurat që duan të trondisin ëngjëjt.
Pas e shumta dy orësh, ishe gati t’u shprehje mirënjohjen e thellë vogëlimave,
që të zgjasnin jetën, duke të fikur shpirtin, sikur ky të ishte dritë sysh apo
flakëzë qiriri.
Një vogëlimë zbavitëse ma vodhi
trush vetëvrasjen. Vite më parë pata kërkuar zyrtarisht një revolver, ndonëse e vetmja që më kërcënonte me vdekje
ishte vetja. Nuk ma dhanë „për arsye shikimi në dobësim e sipër”. I ngjakësha
një ish-mikut boksier të Drejtorit të Armëve dhe vetëm një cipëzë qepe më ndakej
nga vrasësit pa dashje. Edhe miku boksier,
për shkak të shikimit në dobësim e sipër, tek u mburrej ca miqve me goditjet e
befasishme që mund të bënte, desh i kish lënë të vdekur. Ndërsa unë, - Më falni për dyshimin me bazë të
pakundërshtueshme shkencore, tha Drejtori, - mund t’ia hidhja trutë në erë
ndonjë të pafajshmi gjer edhe kur e shkrepja armën kundër dikujt tjetër, ose
thjesht në ajër.
- Edhe po ia drejtova vetes, - pyeta. Ballit tim...?!
