Showing posts with label ”Shtojca”. Show all posts
Showing posts with label ”Shtojca”. Show all posts

Fare / Nga "Shtojca - filmi i një kthimi / kthimi i një filmi"



“ZANI (Me të qeshur)
Do pendohesh që erdhe, ta dish! Se nuk të ndahem tani. Roje më ke edhe në gjumë. (Përqafohen sërish). Plot njëzet vjet kemi humbur; duhen mbushur. Siç shikonim dikur kalecët, ose hafijet e mundshme, tani do më shohësh mua. Dhe unë ty. U teprua shumë… Njëzet vjet. Njëzet e ca, bilé!

INDRITI
Ajo ‚ca’-ja është më e hidhura…

ZANI
Atë ‚ca’-në do ta mbytim të parën me fërnet… (Qesh me të madhe). Tani më thuaj planin që ke dhe roja do ta verë në jetë. Vetëm disa kushte do t’i plotësosh medoemos, se gjërat nuk janë siç mund t’i kesh mësuar nga gazetat.

INDRITI (Buzëqesh)
Roja të dëgjon me përkushtim.

ZANI
Një – nuk ke të drejtë të futësh dorën në xhep, as po pate ndonjë vrimë dhe synon të kapësh diçka, ha-ha-ha; nuk ke të drejtë të marrësh taksi, të paguash motelin, celularin, cigaret, drekat, darkat, gocat…

INDRITI
Duhet të jenë bërë gra ndërkaq…

ZANI
Gra dhe nëna gocash si thëllëza...

INDRITI
Besoj je kujdesur që të mos pleksesh me tët bija.

ZANI
As me të miat, as me të tuat. Se ti s’para le goca kur ike…

INDRITI
Rrezikoj të më hedhin në gjyq që plaka popullsinë?!

ZANI
Në luftë, byrazer, se paqja vetëm rrit thonjtë dhe leshtë!

“Shtojca” [Filmi i një kthimi / Kthimi i një filmi]

- është pjesë e një trilogjie kinematografike të Ardian-Christian Kyçykut, që përqëndrohet në hapësirën mërgim-kthim të jetës shqiptare e ballkanike, si dhe në marrëdhëniet përherë të mjegullta mes Lindjes dhe Perëndimit. Mërgimtari shqiptar Indrit, i cili, ‘në rini, para se të largohej nga atdheu, pat ëndërruar të bëhej arkitekt. Por nuk ia ka dalë mbanë të jetë veçse një shtetas i fshatit global, ose fshatar i shtetit global’ dhe punon si zv.skenograf në një teatër të vjetër perëndimor. Papritur vendos të kthehet në vendlindje pas njëzet ‘e ca’ vjetësh, jo vetëm për të çuar atje disa shënime, të cilat i sheh me rëndësi vendimtare për Dosjen e vet të fshehtë, por edhe për t’u bindur se vërtet dikur ka kaluar aty fëmininë dhe rininë, ka dashuruar dhe ka ndjekur studimet. Ritakimet me ish-të dashurën, me njërin nga shokët më të afërt të gjimnazit (sepse të tjerët kanë mërguar), me disa fqinjë dhe me të panjohur, u japin ngjarjeve një kah të çuditshëm. Pas një kohe të papërcaktueshme peripecish, çmalljesh, ankthesh e vegimesh, Indriti rikthehet në vendin ku ka mërguar bashkë me një kafkë.

Disa replika nga filmi:

“Ky jam unë kur nuk e di ku dhe kur jam. Nuk jam gjenì. Para se të mërgoja, jo rrallë më dukej vetja gjenì, shpesh i pakuptuar, por mërgimi më qetësoi. Shumë të tjerëve u ndodhi e kundërta. Për fat të keq, shumica e tyre mbetën me atë bindje… Vetëm të pakuptuar mbetëm – dhe kjo na mban ende të ngjashëm...”

“Murtaja e shkrimit kish rënë prej vitesh, por mua, si zakonisht, më kapi kur të tjerët tashmë i kishin botuar kryeveprat. S’mbaja mend qysh kur nuk pata hedhur në letër ndonjë varg, ose mendim. Duke mos shkruar më, kisha nisur edhe të lexoja gjithnjë e më pak. Heraherës, kur mbetesha pa bukë, ëndërroja shpikjen e një aparati që të mund t’i shndërronte vizatimet në libra”.