Në një breg të panjohur deti, - sepse ai breg deti nuk pat qënë asnjëherë aq i shkelur, i mbushur me vula shputash të ngutura e të ankthshme, - tufa njerëzish ngarendnin të hipnin majë ndonjë vapori ku ende kish vende të lira dhe të shpëtonin nga ajo tokë e mallkuar ku vdekja po i telendiste pa arritur të hanin një herë sa të ngopeshin, pa dashuruar një herë larg helmit të thashethemeve, pa folur një herë siç ua donte shpirti, pa iu trembur prangave.
Vaporët akoma nuk ishin mbushur krejt, ndonëse ç’prej tri ditënetësh, ardhacakë nga të gjithë qytetet, qytetthet, fshatrat dhe skërkat e vendit nuk pushonin së dynduri mbi ta. Hipnin me litarë, ose nga shkallinat e hekurta, luftonin me dhëmbë e thonj për ndonjë copë vend, le të ishte qoftë edhe sa një çerek varri, pushtonin ndonjë qosh kabine, qosh bodrumi, cep kthine, madje disa, në pamundësi për të gjetur çerekë varresh, detyroheshin të zbraznin arkat me mallra të vaporit përkatës, ose të derdhnin lëngjet e buteve e të fuçive e të hynin brenda. Kishte nga ata që lidheshin me kavo majë direkëve, ose që kapeshin si merimanga këmbëngulëse rreth shtyllës së flamurit kombëtar, dhe prisnin nisjen.
