Sivëllait tim Rubin Shkreta, nizam shqiptar
Pranë Urës së Qabesë
Shkretëtirë
I dashur vëlla,
Së pari uroj të jesh sa më mirë me shëndet, se shëndeti s’matet me gjë në këtë dynja. U bënë shumë mote që kur ke ikur së këtejmi dhe shpirti na është zhuritur për ty. Lusim të Madhin Zot që të të mbrojë nga egërsirat e shkretëtirës, nga ligësia e njerëzisë e nga zametet e tjera të nizamísë. Po të shkruaj sërish për të ta qetësuar zemrën e përvuajtur. Nga shtëpia i ke të tërë si kokrra e mollës. Pasi shkove nizam, jot ëmë vuajti nja dy vjet, të qau me shtatë palë lotë, po tashti është mirë. Tërë ditën e Perëndisë gatuan, thur triko, jelekë e dorashka për ty e për të afërmit e miqtë, lan e shplan, e mban shtëpinë dritë. Përditë lutet që të kthehesh shëndoshë e mirë. Me anë të kësaj karte, edhe jot ëmë të dërgon shumë të fala, të puth sytë e të lutet ta mbash veten, të durosh si burrat, gjer të kthehesh. Ky paska qenë fati ynë i hidhur: ca jashtë, ca brenda, asnjëherë të gjithë jashtë, ose të gjithë brenda.





