Një kartë malli e çmalljeje

Sivëllait tim Rubin Shkreta, nizam shqiptar
Pranë Urës së Qabesë
Shkretëtirë


I dashur vëlla,

Së pari uroj të jesh sa më mirë me shëndet, se shëndeti s’matet me gjë në këtë dynja. U bënë shumë mote që kur ke ikur së këtejmi dhe shpirti na është zhuritur për ty. Lusim të Madhin Zot që të të mbrojë nga egërsirat e shkretëtirës, nga ligësia e njerëzisë e nga zametet e tjera të nizamísë. Po të shkruaj sërish për të ta qetësuar zemrën e përvuajtur. Nga shtëpia i ke të tërë si kokrra e mollës. Pasi shkove nizam, jot ëmë vuajti nja dy vjet, të qau me shtatë palë lotë, po tashti është mirë. Tërë ditën e Perëndisë gatuan, thur triko, jelekë e dorashka për ty e për të afërmit e miqtë, lan e shplan, e mban shtëpinë dritë. Përditë lutet që të kthehesh shëndoshë e mirë. Me anë të kësaj karte, edhe jot ëmë të dërgon shumë të fala, të puth sytë e të lutet ta mbash veten, të durosh si burrat, gjer të kthehesh. Ky paska qenë fati ynë i hidhur: ca jashtë, ca brenda, asnjëherë të gjithë jashtë, ose të gjithë brenda.

Yt atë të dërgon edhe ai shumë shëndete. Është mirë, e ka mbledhur veten që pas ikjes sate, se asokohe ra ca pas pijes e kumarit dhe qe, siç fjaloste me miqtë, si pa një krah, si pa një sy.

Edhe vëllezërit i ke shëndoshë e mirë, edhe motrat, edhe nipërit e mbesat.

Ne e dimë se nizamia nganjëherë zgjat me dhjetra mote, po shpresojmë të mos ndodhë asisoj me ty. S’thoshin kot pleqtë tanë: më mirë mut, se i vogël. Po të mos ishim të vegjël, s’ngjëronim pluhurat e dynjasë e të kurbetit vetëm se ashtu ia do qejfi një të madhi apo tjetrit.

Neve s’kemi qenë fort keq. Nuk jemi më aq të varfër sa na le. Kemi vuajtur shumë, kemi punuar shumë, kur më mbroth e kur më të kotë, po tashti kemi një tjetër qytezë.

Të kam shkruar mbi njëzet karta, po s’e di në i ke marrë atje larg, afër Urës së Qabesë, se kartë prej teje s’kemi marrë. Na ka qetuar vetëm ndonjë haber se je shëndoshë e mirë e na e ke zbardhur faqen, nga ndonjë nizam i kthyer apo nga udhëtarë të ndryshëm që të kanë hasur në shkretëtirë.

Na bëhet zemra mal të jesh mirë e më mirë. Mos ki hiç merak për këtej. Pasi ike ti, gjërat ndryshuan. Varrin e Qyqit e prishëm. Një falltar i shquar pa sy na këshilloi ta shkulnim nga zemra e qytezës, se na ndillte prapësi. Tha se, veç tersllëkut, ai varr përdhoste shpirtrat dhe trupat e fëmijëve (besoj se qe fjala për vesin tonë fëminor të të rënit me dorë, po ta mbash mend) dhe se tërë mallkimin e kishim dhuratë nga shpirtrat e paqetë të atyre që preheshin nën të.

Kur ishe këtu, kishim një fabrikë tullash dhe një uzinë armësh që ndotnin ajrin. I shkatërruam e në vend të tyre ngritëm një kopësht fëmjësh dhe një fjetore pleqsh vetmitarë. Askush nuk sëmuret më nga tymrat dhe helmet që villnin oxhaqet e atyre fabrikave.

Plloçat e bulevardit të qytezës dhe të rrugicave tërë gropa i zëvendësuam me pllaka të reja fringo, sjellë nga jashtë shtetit, që ngjajnë si luspa të arta peshqsh.

Rindërtuam kishën dhe xhaminë e qytezës dhe këtë muaj përfundon edhe tyrbja e bektashinjve. S’ka më dasi e grindje mes besimtarëve, jemi të gjithë vëllezër.

Para se të ikje ti, kishim ca si palo politikanë që ishin majmur duke vjedhur me të katra duart e këmbët dhe që ua shitën qytezën të huajve për dy aspra. E pra, mëso se i kemi ndëshkuar si duhet.

Politikanët e sotëm të qytezës i kemi zgjedhur vetë dhe na përfaqësojnë në forumet më të larta të vendit e të Evropës. Janë gati të vdesin për hir të të drejtave tona.

Në tokat djerrë që rrethonin qytezën kemi ngritur katër parqe pushimi, me lule të shumëllojshme, palma, fiq e mollë starkinga. Kur ata që çlodhen në park i merr uria, janë të lirë të hanë fiq e mollë dhe ta shuajnë etjen në çezmat e skalitura në mermer anës parqeve nga dora e artë e Kryepusarit tonë.

Nuk ka më rrezik të na pushtojë thatësira.

Tempulli i hershëm është tani muzeu famëmadh i qytezës, ndofta ta ka zënë veshi.

Nuk di ç’të të shkruaj më parë, i shtrenjti vëlla.

Ngado që të kthesh sytë, sheh vetëm mrekullira, thua se është plotësuar ëndrra shekullore e breznive që u shkatërruan gjatë komunizmit.

Mezi presim të vish e të shohësh me sytë e tu, vëlla.

Mbaje veten me durim, derisa të tingëllojë ora e kthimit. Jemi të bindur se do të të kemi sërish në gjirin tonë, ashtu siç të kemi pasur në kohëra të mbrapshta, kur na jepje zemër dhe ndaje bashkë me ne helmin e atj mallkimi të gjatë. Kujdesu për veten, se mezi të kemi. Ca gojë të liga thonë se në shkretëtirë djelmoshat tanë vdiskan si qeni, pa një shpirt pranë, e as varr s’u bën njeri. Meqë ra fjala, në ndodhtë ndonjë e keqe, larg qoftë, i kemi gati lekët për sjelljen e trupit tënd këtu, për qivurin, për varrin dhe për shërbesën mortnore. Besoj se kështu do të ishe kujdesur edhe ti për secilin prej nesh. Hap sytë dhe na dërgo ndonjë kartë, se u përzhitëm nga malli. Po ta them edhe një herë që të mos bëhesh hiç merak për këtej, se na ke neve. Zere se je vetë këtu. Të fala kujt të pyesë për ne.

Të përqafoj me mall të madh,

Yt vëlla Durimi 

Emri, mbiemri: Durim Kena
Firma
Vendi: Nga ike
Data, ora: Në pritje