Doktori ishte plakur mjaft, dhe, gjatë atij viti që dukej se do ta merrte me vete, kish parë në ëndërr vetëm rropullitë e veta. Të sillnin ndërmend të përbrendshmet e një të shkrumbosuri me flakëhedhëse. Doktori besonte se ato ishin bërë qymyr duke pritur që këmbëngulja e tij për të mos hequr dorë nga zanati të zbehej. Mirpo këmbëngulja e tij nuk zbehej lehtë, ndonëse shumica e të sëmurëve të atij viti i kishin vdekur në duar. Dhe Doktori ishte burrë shumë i ndershëm, dhe nuk e duronte dot mendimin se ata që i vdisnin në duar ia bashkangjitnin pjesën tjetër të jetës së tyre, që nga këputja e tutje, jetës së tij. Nuk e duronte dot këtë soj pavdekësimi, madje as pavdekësinë në përgjithësi, por as dorë nuk hiqte.
Në të gdhirën e mbrame të nëntorit, pasi
një vajzë e vogël dha shpirt në duart e tij, Doktori u ngut të mbyllej në
kthinën ku laheshin duart dhe i lau më shumë se dhjetë herë, sikur të donte
t’ua zhvishte lëkurët, apo të paktën t’u lante mëkatet e pavullnetshme. Nuk
arrinte të besonte se i kish gazmendur të
shumtët me një shpirt që ende s’i kish
mbushur as dhjetë vjetët në trup, dhe uji iu duk më i rremë se kurrë: një lëng
që s’mund të ishte burim jete përderisa nuk arrinte të lante dëshpërimin.
