(rrëfim)
Kapiteni nuk do ta kish ndjekur gjer në fund atë zanore po të kish pasur një gradë më të lartë. Por nuk do ta kish ndjekur, besonte, as po të kish qenë ushtar i thjeshtë. Nuk e lidhte dot atë ngjarje me asnjë hollësi sadopak paralajmëruese të muajve të jetuar nën tokë. Familja i pat dërguar, si zakonisht, një kuti me libra dhe tri shishe vere dhjetëvjeçare, kurse ai u pat nisur nga një kryevepër të vockël të gdhendur në kockë - fryte të durimit dhe nevojës për të mos u çmendur të njërit prej ushtarëve. Së shoqes i pat dërguar një qiri të gdhendur në kockë (dëshmi se dashuria e tyre mbetej gjallë edhe nëse zjarri e qirinjtë e kësaj bote ngrinin); të bijve u pat dërguar, të madhit: një revolver kocke, që të mbante çelësat; të voglit: një krokodil kocke, kurse vajzës së vetme, Xhekit: një kështjellëzë që dukej e skalitur në kristal. Ushtari që i punonte dukej të kishte një sy e njëpalë duar më të sakta edhe se lazeri. Ishte një djalosh gjysmë qose, i ligur, me një vështrim gjarpëror, prej burgaxhiu. Arti i atij ushtari e pat shtyrë Kapitenin të mendonte se lazeri me siguri qe zbuluar a shpikur në një mjedis burgu.
Kështjellëza e Xhekit pat qenë padyshim kryevepra e atij viti. Kapiteni qe shtruar në bisedë me artistin dhe të dy e dinin se, në fakt, si shumica e njërëzve që e adhurojnë artin, por s’kanë asnjë dhunti, ai synonte ta merrte tjetrin në pyetje, të ngjëronte ndonjë pikëz fshehtësie nga ajo e rralla që mishëronte të talentuarit. Pas nja dy orësh ku secili fliste me veten, me zë, në prani të tjetrit, ushtari i pat besuar një të fshehtë: kështjellëza pat dalë aq e bukur ngaqë ai kish synuar të mbyllte brenda saj të gjithë tingujt ende të panjollosur, të pasëmurur, ende të shenjtë të jetës së tyre nëntokësore. Kështu thuhej se pat vepruar, me ndërmjetësinë e ca lutjeve të panjohura, raca e atlantëve, pak para se kontinenti i tyre të fundosej. Mjaft shkencëtarë bridhnin tani anekënd për të gjetur kristalet ku ndryheshin gjuha e atlantëve, zbulimet e tyre, e mbase edhe pamje të asaj epoke.