“Qysh atë natë iu bë sebep e fjetura me gojë hapur. E
ndonëse goja e hapur nuk e shqetësonte, ia vuri fajin plumbit të gërmave dhe
asaj zjarrmie të fshehtë, që buronte largas nga shpirtrat e hafijeve.
I ngarkoi detyrë shtëpie Afrim Katrahurës që të
llogariste pakashumë sa dhe cilat gërma nevojiteshin për peshën e një plumbi
kobureje. Asisoj do të dinte me sa plumba kraharorit e pat paguar tërë atë
ngadhnjim.
Gjatë një muzgu vjeshte të parë, shoku Themi iu dorëzua
edhe ai me mish, me shpirt e me eshtra muzave. Ndofta qëndresa që pat synuar
t’u bënte ia kish harxhuar fuqitë, por edhe dyndja e librave që shkruheshin e
dilnin nga shtypi me një shpejtësi shajnitëse. U pahuan sërish lidhjet tona të
fshehta e stërgjyshore me Plumbin (Pb). Vallë, sa plumb në trajtë gërmash duhej
të kishim ende brenda nesh, përderisa edhe pas aq të shtënash parakrahët, mollëzat e gishtave, makinat e shkrimit dhe
letrat nuk platiteshin?!
