Mbase njerëzit do të ngjallen së vdekuri, duke shkelur me mangësitë e tyre mbi Vdekje, ose do të kalben për së gjalli, - duke shkelur mbi mençuri me marrëzitë e tyre të pafundme e njëfarësoj të shpjegueshme, - por magjia e qytetit të dikurshëm, ajo aromë e pangatërrueshme e varfërisë që luan me bukurinë e me vdekjen nuk do të endet më mbi ato treva.
As që ka përse.
S'ka as për kë.
Ai qytet, i mrekullueshëm gjatë beharit, falë liqenit, dhe i perëndishëm gjatë dimrave, falë dëborërave që sikur shkundnin fëmini ende të pajetuara mbi çatitë e vjetra, veç varfërisë, thashethemeve helmatisëse, bukurisë falas dhe çmendurisë, me të cilën është i pajisur secili qytet i kësaj dynjaje, kish edhe një poet të marrë. Qyteti ishte tepër i vocërr dhe mjaft i harruar bote, që të mund t'i lejonte vetes dy, apo më shumë poetë të marrë.
