Showing posts with label Mërgimi. Show all posts
Showing posts with label Mërgimi. Show all posts

Gjuha e trojeve, trojet e Gjuhës

(Letërsia, gjuhët, uni i shkrimtarit. Përvoja vetjake nga e shkruara në dy gjuhë)*



Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku
Studimi online


Abstract / Synopsis



Punimi „Gjuha e trojeve, trojet e Gjuhës“ përqendrohet në disa nga çështjet themelore të letërsisë, gjuhëve dhe unit të shkrimtarit, veçmas kur ky krijon edhe në një gjuhë të huaj, pa u shkëputur nga amtarja. Mbështetur në një përvojë vetjake mbi njëzetvjeçare në të shkruarën shqip e rumanisht, duke përdorur të dhëna letrare, kritike, semiotike dhe imagologjike, me një stil që gërsheton dhe ngre metaforat letrare në rangun e argumenteve shkencore, punimi ndahet në kapitujt: Zhvendosja e shkrimtarit – mes dëbimit dhe dërgimit, Një autor në dy jetë / dy jetë në një autor, Sa atdhe mund të jetë një gjuhë dhe anasjelltas, Grupi „Gjuhë të lashta – Letërsi të reja“, Bidentity, Këndi në gjeometrinë e epërme, E ardhmja – mes emrit dhe numurit.

Duke njohur mërgimin si një thelb të letrave shqipe gjithëkohore, autori shënon se „Vlera e mërgimit për letërsinë nuk ia ul vlerën vendlindjes, por as anasjelltas. Nga pikëpamja krijuese, atdheu dhe mërgimi kanë lidhje siamezësh dhe, të paktën deri në një pikë, bashkëpunojnë. Autorët e hershëm shqiptarë jetonin në mërgim dhe shkruanin në latinisht (anglishtja e asaj kohe), por edhe në gjuhë të tjera: greqisht, italisht, frëngjisht, persisht, arabisht, rusisht etj, njëlloj si sivëllezërit e tyre më të shquar që i kishin ato gjuhë amtare. Shkrimtarët shqiptarë dygjuhësh e përdornin shqipen në mungesë të lexuesit, - sepse pak vetë dinin të lexonin, - dhe prisnin lexuesin që presin sot autorët e mirëfilltë të shqipes, - sepse pak vetë dinë të zgjedhin ç’të lexojnë. Padija e dikurshme është zëvendësuar nga një padije gjithaq të kushtëzuar, por pakrahasimisht më kryelartë dhe e shurdhër ndaj zërit të arsyes e aq më pak të artit. Analfabetizmi i dikurshëm duket si bekim po ta përqasësh sadopak me terrin e sotëm shpirtëror të atyre që flasin apo lexojnë me gjuhën e tjetërkujt“.

Një gramatikë e Mërgimit – në dy gjuhë „të huaja”


[Lënda letrare si dëshmi shkencore. Thonjëzat e lëndës letrare i vendos historia; thonjëzat e lëndës historike – arti i të shkruarit. Përmes stilit, nga arti, drejt së vërtetës historike e shpirtërore. Mërgimi nuk është sëmundje, por as nuk shërohet ndonjëherë. Pragjet e një Kinemaje. Muri mbart njollën (e gjakut, e bojës?) apo njolla murin? Kthime, ose „Udhët e pagjetshme të Dhurimeve”. „Disa nuk ngjallen më, të tjerë nuk vdesin më”. Vëlla e motër të një huajsimi. Një libër i lexuar pjesërisht, por vetëm i imi.]


Pragjet e një Kinemaje

Nëse ndodh të jesh i mërguar, do të vijë mbi ty një çast i ngrirjes së gjuhës dhe një ndjesi therëse e asgjësë[1]. Do të kesh përshtypjen se gjithçka që mund të thuhet për mërgimin, tashmë është thënë, shkruar, filmuar, pikturuar, luajtur në skenë, vazhdimisht nga të tjerët, por gjithnjë mbi lëkurën tënde. Në fakt, nuk ke ndonjë shkak bindës të thuash a të shtosh diçka, por ca më pak të heshtësh. Besoj se kësisoj mbyllet mërgimi i individit dhe ze fill ai i emrit. E kupton se, në të vërtetë, me ikë, do të thotë me vdekë nga pak, ndërsa të kthehesh (tani), do të thotë me vdekë pak më shumë. Dikur kam arritur në përfundimin se ”Mërgimi nuk është sëmundje, por as për t’u shëruar nuk shërohet ndonjëherë”, madje as pas vdekjes, dhe kjo sepse nga mërgimi[2] kanë dalë disa libra, disa dëshmi, disa kujtime të posaçme, ndërkohë që, në vetvete, për ty, mërgimi paskësh qënë, qysh nga çasti i parë, ajo urë, madje vetë mënyra e të ecurit, që lidh botën e dikundshme me botën e përtejme, por edhe anasjelltas. E këqyrur prej një këndi jo fort të lakmuar nga metaforat, sëmundja në fjalë do të regëtinte midis më të fismes ndër skizofreni dhe autizmit më pjellor. Por, njëherazi, mërgimi mbetet një ngjarje shpesh më vetjake edhe se vdekja (nuk kam parasysh vetëm vdekjet e përbashkëta), por sidomos një ngjallje për së gjalli.