Gjatë njërës prej shumë netëve të dehjes, kur gjaku i hardhisë i pat shkrirë kufijtë mes sendeve dhe e pat shndrruar botën në njëfarë llave shumëngjyrëshe, Poeti pat ndjerë se në një të ardhme do të kish nevojë për falje. Poetit i ndodhte shpesh që të ngrihej nga gjumi i drekës me një bindje të pashpjegueshme, se e kish vendin vetëm në ferr; vetëm numuri i rrethit ndryshonte. Në kokën përherë të nxehtë të Poetit, Zoti e ndërronte pothuajse çdo orë pamjen dhe thelbin, duke ruajtur megjithatë fuqinë e plotë mbi atë hapësirë të brendshme, për faljen e së cilës gjer edhe Poeti do të kish nevojë një ditë. Mirpo Poeti ishte shumë vetmitar dhe pa përgjigje fort të kthjellëta nga ana e Zotit, prandaj edhe vendosi të gjente një arsye për të siguruar faljen. Sa më tepër pinte, aq më i etur ndihej për falje, aq më qartë ngjizte në përfytyrim një libër të moçëm, fshehur njerëzish, një Libër të Faljeve, shkruar nga vetë Zoti gjatë vetmisë së Krijimit apo rikrijimit, njëfarë Apokalipse zemërgjerë.