Showing posts with label Proza. Show all posts
Showing posts with label Proza. Show all posts

Gur në fuqi të lotit


Në këtë fis emrat sikur janë prerë nga ndonjë shpallje e Kombeve të Bashkuara, ose nga ndonjë fletërrufé, pat qeshur njëri prej shumë stërnipërve. Merrej me poezi dhe prandaj shkoi për lesh, qe ngërdheshur njëri nga kushërinjtë e tij të panumurt, duke ngulmuar se kjo hale botë nuk është as poezi e as për poezinë. Mund të bëje gallatë më kë e çfarë të doje, por me emrat dhe me numurat kurrë, përjashto rastin kur të qe neveritur jeta. Në një kthinë kujtese që mezi shquhej, matanë breznive me Lindita, Mirdita, Hana, Bashkim, Parti, Shpëtim, Partizan, Dritë, Trim, Luftim, Çlirim, Gëzim, Pajtim, Urim, Fitore, Blerim, Kangë, Shkëlqim, Kujtim, Burim, Mbarime, Krenar, Arsim, Lavdie, Pëllumb, Lule etj, mbështetur nga një brezni me Kreshnik, Marenglen (shartim i Marksit dhe Engelsit dhe Leninit), Ben, Tan, Gon, Mon, Zan, Tos, Mol, Çim, Gim, Elvis, Xhilda, Merlin, Suzi, Moza etj, emri i stërgjyshes Jetnore dukej i huaj, a thua se ata të gjithë nuk rridhnin nga barku i saj. E patën ripagëzuar Jetnore, që t’i zgjasnin jetën, sipas një bestytnie të moçme, sepse emri i parë gati ia kish gëlltitur foshnjërinë qysh ditën e parë. Më vonë, sidomos pasi mbeti vejushë, nuk munguan ata që thanë se mund t’ia kishin vënë më mirë Vdeknore, ose Lotore.

Pak vetë braktisën qytetin për një botë më të dhimsbur pa u vajtuar prej vargjeve të Ma Jetnores. Nuk qe shquar as për hijeshi të veçantë, as për ndonjë zë që ngjeth njerëzinë, as për shtat turbullues, as për ndonjë mençuri të pazakontë, por dinte t’i vajtonte të ndjerët me kujdes, me ndershmëri, pa parti, si i thonë llafit. Nuk kish pranuar si shpërblim as një thërrime floriri a dhuratë a veshje, me përjashtim të një kothereje nga buka e përshpirtjeve të secilit. Por ishte thatime dhe pa uri, dhe kotheret zakonisht mblidheshin në magje, ngurtësoheshin, si ca vezme fishekësh nga pushkët e vjetra.

Katrori, rrethi, koni...

 

(...)
E dinim që kishte një përfytyrim të veçantë rreth mërgimit dhe na e pat dëshmuar gjatë një takimi qesharak me njërin nga ministrat e panumurt që vinin të na bëheshin baballarë e të qanin gju më gju me gjunjët tanë të capaluar hallet që ata pandehnin se kishim. Ministri në fjalë ishte çunak, faqekuq, një nga ata që shëndoshen furishëm, mbeten shtatzanë me bollëkun, qivuren në kostume të zinj, venë ndonjë stemkë mbi zemër dhe pjellin e mbajnë fjalime si nga rropullitë e rilindësve. Na e pat thënë hapur: «Të dashur bashkatdhetarë, të dashur vëllezër, na thoni ç’doni të bëjmë për ju…». Në sallë, padukshëm, kish plasur ajo që mund të quhet e qeshur zorrësh dhe që nuk para humb hidhërim po të pjerdhësh. Ca zëra kishin kërkuar sjelljen e atdheut këtu, ose zhvendosjen e mërgimit atje. Kurse Home Çkena, që ishte i ndrojtur nga natyra, ose, më mirë: nga sasia e mençurisë që bartte në kafkë dhe të cilën s’ishte asnjëherë i sigurtë se nuk do t’ia keqkuptonin, drithëronte. Pat ngulmuar aq herë me thërrime zemre: «Hajde, çuna, se do vijë e djathta në fuqi dhe s’do na harrojë. E djathta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë e majta në fuqi dhe s’do na harrojë. E majta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë qendra në pushtet, do vijë rrethina, do vijë katrori, rrethi, koni… ».
Papritmas qe ngritur në këmbë dhe i kish thënë ministrit:

- Na thoni më parë ju se çfarë jeni në gjendje të bëni, pastaj ne do t’ju themi se ç’na nevojitet.

Na pat mbetur gdhendur nga ai tubim vetëm fytyra e qymyrtë e ambasadorit që vigjëlonte mbi mërgatë asokohe, sytë e vranët, të zhgënjyer, dhe tendosja përbuzëse, vishnjë, e nofullave, diçka që mund të shqipërohej: «Po ju s’keni brekë në bythë e atdhe nën shputa, mor halabakë – si guxoni të hidhni baltë mbi misionin e zotit ministër?!».

- Nuk ju vjen ta besojnë, - pat thënë Home Çkena pas mbledhjes. Nuk ju vjen të besojnë, se, po të mos ishim ne jashtë, askush s’do ta merrte vesh, për njëqind e ca vjet, se ata janë brenda. Por do të vijë dita kur ta marrin vesh se ne jemi kufijtë e tyre. Ja, kështu siç jemi, pa brekë në bythë, pa atdhe nën shputa…

E në mungesë të kufijve, gjithçka e gjithkush i përkiste vetëm Hiçit.(...)

* Fragment nga romani "Home"

Libri i dyfishtë ose M'e fshehur sesa Letërsija

 


SQ „Kjo dashuri me siguri do vdesë, mendova aty nga mesi i një pranvere, dhe vdekja e një dashurie kurrë nuk shkruan aq bukur sa atëherë kur dashuria vritet.Nuk duhet lënë ta vrasin të paftuarit dhe çikërrimat. Askush s’mund ta vrasë më mirë e më bukur se unë. Do ta vras duke e përjetuar me fund e pa fund në fshehtësynë më të madhe. Po e jetuam më cekët, e përdhosim. Pakashumë si jeta, që meriton vdekjen, jo diçka më të ulët.” [Frymëzuar nga “M’e fshehur sesa Letërsija”, “Zo-om”, Sh. B. Naimi, Tiranë 2023] 

 

RO ”Iubirea aceasta cu siguranță va muri, m-am gândit prin mijlocul unei primăveri, și moartea unei iubiri niciodată nu scrie atât de frumos ca atunci când iubirea este ucisăNu trebuie lăsată s-o ucidă nechemații și mărunțișurile. Nimeni n-o poate ucide mai bine și mai frumos decât mine. O voi ucide trăind-o până la sfârșit și fără sfârșit, în cea mai mare tainăDacă o trăim superficial, o profanăm. Oarecum ca viața, care(-și) merită moartea, nu ceva mai banal..." [Din „Zo-om”, proza, SQ, capitolul „Mai tainică decât Literatura”, Tirana 2023] 

 

EN ”This love will surely die, I thought to myself through the middle of a spring, and the death of a love never writes so beautifully as when love is killed. It must not be left to be killed by trifles and trifles. No one can kill it better and more beautifully than I. I will kill it by living it to the end and endless, in the utmost secrecy.If we live it superficially, we profane it. Like life, which deserves death, not something more banal..." [From “Zo-om”, prose, SQ, chapter “More Mysterious than Literature”, Tirana 2023]

 

Script, original graphics, editing: A.-Ch. Kyçyku

www.ardiankycyku.info 

 


Gropa të lira

 


- Me që ra llafi: të huaj që vdesin në Shqipëri ke ndërmend të çosh jashtë? Se janë shtuar si rëra e detit.

- Kështu e kanë punët e shtetit.

- Jo për gjë, po do shtohen gropat e lira për ne vendasit.

- Tani s’merret vesh se cili është i huaj.

- Duam-s’duam, - shtoi Taku, - jemi dy nga shqiptarët më të zgjuar e me shqipe më të pasur. Në mos po dy të vetmit. E meqë mëmëdheu e ka zakon t’i syrgjynosë zogjtë e vet më të mirë, ja ku jemi të dy jashtë trojeve.

- Por brenda shqipes. Dhe jashtë mësyshjeve.

- Vetëm brenda shqipes dhe jashtë mësyshjeve. Për këtë arsye s’kam mësuar asnjë gjuhë të huaj.

- Dëshmi se mëmëdheu s’është krejt hapsanë.

- Mund të jem i vetmi shqiptar njëgjuhësh. Mirë që s’më ka marrë njeri mësysh.

- Hë, se edhe gjarpri vetëm një gjuhë ka.

- Një, por me dy maja. Kjo do shkruar, për besë. Se mos harroj: ke shkruar ndonjë libër këtej?

- Më pyete një herë, - qeshi Tiku. - As këtej, as andej. Kanë vdekur shkrimtarët, a si?!

- Jo, mo, gjallë janë, gjallë… Vetëm se janë vetëm gjallë… Ke dëgjuar që të dënuarit me vdekje, kur po bëhej Franca Francë, lexonin? I kalonin orët e mbrame duke lexuar.

- Del se ma kanë falur jetën. S’lexoj dot as po të më varin.

- Lexonin para se t’i varnin apo t’u prisnin kokat. S’është për të qeshur. Librat ua hiqnin mendjen nga makthi i botës tjetër.

- Dhe kokat e prera rrokulliseshin si libra të pambaruar.

- E dija se puna me aq kufoma do të ta kish nxirë pak humorin.

- S’kam gjetur akoma ndonjë libër më bindës sesa një dopjo fërneti. Po të bëje punën time, as ti s’besoj se do mendoje ndryshe.

- Aty e kam llafin. Ta shkruajmë ne atë librin që ia kalon fërnetit.

- Më mirë presim, duke pirë, që Numratori Telefonik të bëhet kryevepër. Kështu shpëtojmë pa vdekur grykëtharë.

Gajaseshin së qeshuri si fëmijë çamarrokë, trokisnin gotat, habiteshin kur fërneti mbarohej, porositnin ëmbëlsira, asgjë tjetër, thithnin puro, vizatonin me gishta e shuplaka në tym, ndërsa kamerierët me fraqe e papionë kishin fytyra gjithnjë e më të vrerosura, a thua se gazmendi i Tik-Tak-ut u zbritej nga rroga.

Zo-om, pjesa “Pastër”

Libri i plotë në Libroteka

I learned the word ‘birth'

 


THE DAY OF FAREWELL 

13. I encountered deeply ingrained issues. I had been talking to myself for who knows how long, and with each uttered word, I learned new ones. I learned the word ‘birth,’ the word ‘issue,’ the phrase ‘deeply ingrained,’ the word ‘speak,’ the word ‘perhaps,’ the phrase ‘for how long,’ the phrase ‘to oneself,’ the conjunction ‘and,’ the word ‘conjunction,’ the word ‘after,’ the word ‘every,’ the word ‘word,’ the word ‘thus,’ the word ‘learn,’ the word ‘news,’ the word ‘phrase,’ the word ‘enough,’ and many more and many more. Otherwise, how could I even speak, even if just to myself? In truth, the words were the same, but to me, they felt different, entirely different, and I relearned them from scratch, as if they were completely new. However, I managed to open my eyes—somehow, who knows how—and beheld five white walls. Excluding the floor, which was behind me since I was lying down, there were five white walls in the room. It was fortunate there weren’t more than five, because even if there were, they would still be just walls.

Ndëremra*

 

Prej këtij timit nuk e nxjerr lotin as me plumb, sikur ta kem pjellë vetëm me gjak. Mamaja ime thotë se është më mirë kështu: në këto kohëra, ai që qan, qan kokën dhe fatin e vet. Më vjen ca keq që ndofta as kur të vdes unë nuk do derdhë pikë loti, por nuk i dihet.

Ky i imi qan vetëm në gjumë. Habitet im shoq, se qan sidomos pasi pi qumësht sa për dy.

Kjo imja di të puthë si e madhe. Mbeta pa gojë kur e pashë për herë të parë. O, Zot, thashë: sikur e ka mësuar njeri. Ose sikur vjen e mësuar nga një botë tjetër. Gati më vjen t’u besoj rrëfenjave me rimishërime. Ose rishpirtërime, se na mbyti mishi, na mbyti. As një gram të vetëm nuk më rrëzoi ai çaji që më dhe. Pagova edhe qimet e kokës për të.

Si nën qiell

 

DËSHMITARI – pseudonimi i një djali
nga mosha 13-vjeçare deri pak pas vdekjes


Zërat e tyre dëgjoheshin si nën ujë. I përfytyronim të mbyllur në flluska si ato të sapunit, ose edhe si ato që përshkruajnë ëndërrat në vizatime, dhe buzëqeshnim.

Buzëqeshjet tona largoheshin pó si flluska, po zor se ua vinte njeri veshin. 

Për vite me radhë, asnjëri prej tyre nuk pati kurreshtjen e as mori mundimin të përkthente buzëqeshjet tona të çiltra. I pandehnin flluska të mbrame, nga ato që braktisin vdekatarin para se të japë shpirt, ose njëheresh me daljen e shpirtit, a thua se shpirti qënkej ajër i mbyllur në bula e nuk u përzjeka dot me ujin. 

M'e fshehur sesa Letërsija

 


E njihja prej vitesh atë zë, por nuk më kish thënë ndonjëherë "Zgjohu: je i vdekur". Brofa si për ta bindur se jam gjallë, gjer edhe vetëm gjallë, dhe nisa vetiu të shpërndaja terrin me gishta. Nuk kisha armë të tjera përreth, veç duarve dhe stilografit. E gjeta diku pranë kokës, mes një fletoreje të trashë shënimesh, e hapa sa mbyll e hap sytë, afrova majën e tij drejt fytit dhe e ngula, që të mos jem mes gjumit e jetës, sidomos jo mes zgjimit e vdekjes, por duke u kujdesur të mos vras veten, apo të këput ndonjë venë e të mbetem ulok.

Oja nuk e dinte sa i ndërkryer mund të isha kur bija në dashuri.

Gjaku u përzje me b-oj-ën.

Ishim në terr; të gjitha dritat e mundshme qenë strukur në kurmet tanë të zhveshur.

Oja më puthi rreth plagës dhe piu bojë e gjak, sikur të pinte nektar përjetësie, ose helm që këput jetën kur nuk arrin të ëndërrosh se mund të jesh më i lumtur se aq.

E putha butë dhe mora në vete lëngjet e gojës së saj.

Qysh nga ai çast, fjala e mbrame e të gjitha bisedave tona do të ishte “Pihena”.

Oja* nxori stilografin e vet, vështroi majën me dhimbsuri dhe e nguli në mes të shuplakës së majtë.

Ia mora dorën dhe e vura mbi plagën e fytit tim.

Paskëshim qenë në ëndërr; paskëshim bërë dashuri edhe në gjumë.

Po gdhinte.

Hymë rishtas brenda njëri-tjetrit; muzgu qe ulur si ndonjë rrjetë që kap shpirtra. Për t’i ruajtur, jo për t’u zënë frymën.

Fjalitë më rridhnin ndoshta nga plagët, ose nga gojët tona, me heshtjen që e kanë vetëm gjaku e boja, si kurrë më parë. I drejtoheshin një lexueseje të vetme.

O.

(...) Libri i plotë në Bukinist



* Ajo – po ta lexoja nga e djathta në të majtë.

Zo-om / proza

 


Libri “Zo-om” i Ardian-Christian Kyçykut endet përgjatë një vijëze të ndëprerë kufitare, në trajtë shenjash pikësimi e zbrazëtish ankthi, që lëvrin mes kafshës dhe njeriut, dhe të cilën njeriu shpesh e kapërcen me heshtje të qëllimshme ose të pashmangshme, ndërsa kafsha – me të folme pa fjalë. Shtatë pjesët e librit (Short Eastory, Kafaz, Pastër, Zëra hua, Trashëgimia, l.o.l., M'e fshehur sesa Letërsija) kanë lidhje rrënjore me njëra-tjetrën dhe përcjellin nga brenda një botë jo vetëm shqiptare e ballkanike, por edhe europiane, duke përdorur në radhë të parë konceptin e shumëfishtë “Zo-om” (fjalë e krijuar nga autori dhe që shënon njëherazi Zoo(logjinë), Zo-om (omnjeri, rumanisht) dhe zoom (zmadhim / afrim – anglisht).

Botoi "Naimi", Tiranë 2023

Mund të porositet në Bukinist.al



Po ndodh tani [prozë]


Në ditë të tilla nuk e vrisje veten jo ngaqë s’kishe armë e as ngaqë ngrehinat prej ku mund të hidheshe ishin aq të larta, saqë më lehtë mësoje fluturimin, sesa bëheshe copë në tokë. Nuk e vrisje veten, sepse harroje. Në e shumta dy orë. Sado i vendosur të ishe për t’u hequr qafe, vogëlimat dyndeshin aq me shumicë e aq çmeritëse, saqë vetëvrasja të dukej e lexuar, ose e hasur kalimthi në ndonjë film. Dhe pat qenë vetëvrasje e mirëfilltë, jo nga ato të shtirurat që duan të trondisin ëngjëjt. Pas e shumta dy orësh, ishe gati t’u shprehje mirënjohjen e thellë vogëlimave, që të zgjasnin jetën, duke të fikur shpirtin, sikur ky të ishte dritë sysh apo flakëzë qiriri.

Një vogëlimë zbavitëse ma vodhi trush vetëvrasjen. Vite më parë pata kërkuar zyrtarisht një revolver, ndonëse e vetmja që më kërcënonte me vdekje ishte vetja. Nuk ma dhanë „për arsye shikimi në dobësim e sipër”. I ngjakësha një ish-mikut boksier të Drejtorit të Armëve dhe vetëm një cipëzë qepe më ndakej nga vrasësit pa dashje. Edhe miku boksier, për shkak të shikimit në dobësim e sipër, tek u mburrej ca miqve me goditjet e befasishme që mund të bënte, desh i kish lënë të vdekur. Ndërsa unë, - Më falni për dyshimin me bazë të pakundërshtueshme shkencore, tha Drejtori, - mund t’ia hidhja trutë në erë ndonjë të pafajshmi gjer edhe kur e shkrepja armën kundër dikujt tjetër, ose thjesht në ajër.

- Edhe po ia drejtova vetes, - pyeta. Ballit tim...?!

Dorashka për dritë e hije

Dritat e venitura të sallës zmadhonin pastaj hijen time mbi rrugicën para shtypshkronjës dhe roja vejevinte brenda hijes si ndonjë skllav i mësuar me vdekje pa pikë shprese. Fjalë të zbrazëta më bymeheshin në kokë, falë varfërisë së xhepave, njëheresh me hijen, në shqip, dhe ndonjëherë i thoja me zë, se askush s’ma dinte gjuhën. Ashtu largoja sadopak trokamën e mbytur të tastjerave, që ngjasonte me një ushtri karkalecësh të padukshëm e të uritur. Po hynte një pranverë tjetër, me gjëmën e shndërruar në ngjyra e bindje fluturake se njerëzit në përgjithësi, ose në thelb të tyre, nuk janë aq të poshtër sa duken, ose sa hiqen. Si jeta, mendova pa zë. Si pas një nate të zjarrtë në shtrat, pasuar nga makthi se asaj s’po i vijnë, po i vonohen, nuk do t’i vijnë për nja nëntë muaj e ca zakonet, - ashtu m’u duk vetë jeta, mirpo ajo jetë as nuk mbetej shtatzanë, e as nuk lindte gjë për të qenë. Jo rrallë pata dyshuar se mes shtypjes së shkrimeve, kalimit të bojës përmes plumbit, vulosjes në letër dhe jetës sonë kishte një lidhje të errët, që na shkretonte duke na bindur se po mbushemi me shkëlqim. Tundimi për të vrarë veten më sulmonte veçanërisht në këto ditë, në atë orë, kur roja binte në hijen time si në një çarg, si në një rrjetë peshqsh, a si në një qese për kapje fluturash, dhe ndihej disa herë më mirë sesa unë që isha, në mos vetë hija, të paktën ati i hijes.

"Kri-ji-me fëminie" / lexim

Triumphallus

Plaku erdhi sërish buzë Detit të Zi për të blerë një sy. Por edhe për të kaluar një muaj tjetër mjalti. Zakonisht kthehej në Perëndim me një muaj mjalti më shumë dhe me të njëjtin numur sysh. Pesë vjet e gjysmë më parë, tek vërente i trembur se si gjysma e gjërave që mund të shihte kish nisur të gjysmohej, vendosi të këshillohej me një falltare aziatike. Kish edhe ai të drejtën të shihte si dukej dynjaja dhe qëniet që e popullonin para se të jepte shpirt. Falltarja i hulumtoi yjet dhe satelitët, guriçkat qiellore dhe shtjellat e pluhurit, i lëçiti runat, ra në kllapi largpamëse, u fjalos gjëregjatë me ca shpirtra, i shkoqiti letrat e Tarot-it, dhe ia tha troç: Atje ku t’u fik, po atje duhet ta blesh. Plakut i qe fikur syri i djathtë në vendlindje, papritmas, në gjumë, dhe pat ngelur i çmeritur nga pamëshira e fatit. Plaku nuk e pat humbur syrin as gjatë Luftës Botërore, kur rreziku që ta humbje njërin, apo edhe të dy sytë, ishte dy herë më i madh se rreziku që të humbje kokën. I vinte rëndë të blinte një sy të majtë në vendlindje, ndoshta ngaqë përbuzte mënyrën se si e shihnin të vetët botën. Për më tepër tani kur vendet ishin në bashkim e sipër dhe ai mund ta blinte syrin në një hapësirë pakrahasimisht më të gjerë, ishte pakashumë njëlloj sikur ta blije atje ku të qe fikur. Pat marrë vesh asokohe se kafshëve të Ballkanit u qe dhënë leja të ngjëronin ca botë të lirë me vështrim, dhe pat arritur në përfundimin se sytë e kafshëruar nga pamundësitë janë më të gjallë, më të qëndrueshëm, sepse kanë parë shumë në burgimin e tyre.

Pensioni i dilte e i tepronte Plakut që të blinte nga barbarët gjer edhe syrin e ndonjërit prej zotave të tyre. Mund t’u falte, në këmbim, ose si bonus, nëse shtrohej nevoja, syrin e vet të shuar, bashkë me një nga ato kutiza qelqi ku prehen mbetjet e shenjtëve, në varësi të shitësit, që të vendosej në ndonjërin prej muzeumeve a mejhaneve të çartura që hapeshin këtejpari çdo muaj. Mbi kutizën prej qelqi mund të gdhendej fjalia „Sy perëndimor - sheh atë që s’ta pret mendja”.

Dëshmi


Ne që s’patëm kohë të vetëvritemi, hapëm derën si të ver­bër dhe hymë në shtëpi dhe deshëm të ndiznim dritat, por u puthëm dhe harruam t’i ndiznim. Ne u puthëm dhe deshëm ta kyçnim derën, por u puthëm dhe harruam ta kyçnim. Ne u puthëm dhe hymë në një si dhomë dhe deshëm të mbështeteshim diku, s’kish rëndësi ku, por u puthëm dhe nuk u mbështetëm askund. Ne patëm shtruar tryezën, dhe shishet me verë dhe torta dhe qirinjtë dhe cigaret na prisnim, por u puthëm dhe i harruam ato. Ne u puthëm dhe nuk di si e gjetëm shtratin dhe ndodheshim në një dhomëzë mëse të zhveshur, mëse të varfër, dhe ishim buzët e njëri-tjetrit dhe u zhveshëm.
Këmbët tona ikën nga toka dhe veshjet dhe fustani dhe këmishët dhe këpucët dhe vathët dhe orët u hodhën e u shpërndanë rreth nesh, rreth puthjeve tona dhe ikëm edhe ne bashkë me to, ikëm nga pështjella e mortme. Ne u zhveshëm dhe u puthëm dhe u shtrimë a u ngritëm diku, dhe nata ish e gjatë, e gjatë, dhe nata ish e qetë, e qetë, dhe ne s’kishim kohë të vetëvriteshim.
Dhe të nesërmen i gjetëm të gjitha: edhe dhomën, edhe tryezën, edhe veshjet, edhe shishet e verës, edhe tortën, edhe cigaret, edhe muret, edhe kohën. 
Vetëm qirinjtë ishin shkrirë.
Nga "Diva ose Ngrënësi i Luleve"

Qyteti ku vdiset më bukur / Nga "Diva ose Ngrënësi i Luleve" (1992 / 2000)

Sheshi ishte i shkretë; bredhat anës rrugës përkuleshin gjer përdhe, si për temena. Liqeni dukej i zi dhe i tërbuar. S’ iu ngulit në kokë ajo pamje. Është tamam ajo vetmia pranë liqenit, mendoi. Unë kam qënë shumë i vogël, kurse liqeni shumë i madh, i zi, gojë kuçedre. Kur më çonin në plazh, bregu ishte plot me trupa të lëmuar femrash, me flokë të lagur, uji ngjante me qiellin, dhe unë dridhesha nga dëshirat dhe mendoja për vdekjen. Mes qiellit endeshin koka njerëzish, topa shumëngjyrësh, sgalemë dhe varka. Varkat vozitnin deri në mbrëmje, pastaj qiejt erreshin, nxiheshin malet, binte hëna, mbi një botë të bërë shkrumb nga malli për të vdekur më bukur. Pasi fillonte e ndalej ndonjë shi, pushuesit visheshin si për vjeshtë dhe mbushnin bulevardin. Dallgët nxirrnin në breg shumë kallama, kufomëza shpezësh, shishe shampoje, limonatash dhe mbeturina të tjera nga zbavitja e jashtetit. Pas ditëve me dallgë, unë dilja me shokët dhe i mblidhja ato shishe e qese magjepsëse. Kisha një koleksion të tërë me lëvozhgat e luksit të të panjohurve. Pastaj këtu ranë shumë shira e dëborëra, erdhën e ikën shumë të sapomartuar që vinin për muaj mjalti, u ngjizën shumë fëmijë, dhe unë rashë në dashuri për herë të parë, se mjalti këtu vetëm të mbaruar s’kish. Mbaj mend se ulesha në gurët e bregut dhe errësira më dukej rrugë. Shëtisja në të derisa më mpihej koka, isha i lumtur dhe i mjerë si kurrkush, vetëm Zoti më njihte, s'ma merrte mendja se do të kisha kaq pjesë në dashuri. Këtu është vështirë ta besosh vdekjen, është vështirë të kesh trup. Është vështirë që vdekja të ketë një shprehje të rëndomtë, të pritme, të përfytyrueshme. Pastaj endesha nëpër klube e parqe me të dashurat, me grupet e gëzueshëm të pushuesve, dhe qeshnim shumë. Edhe lulet kishin tjetër shije atëhere, edhe drita e diellit, muret, myku. Kam qënë i varfër, i bukur dhe shumë i ndjeshëm. Të gjitha i mbyllja në vete për të mos i nxjerrë më. 

S’ buzëqeshi. Ecnin të përqafuar në bulevardin e shkretë. 

Mirpo një ditë, mendoi S’, u gdhiva në një kafaz prej letre, me mure letre, në stomak të vetë Letrës. Ishin të gjitha të bardha. Haji, më tha një zë, që të shpëtosh. Ose shkruaji

Nuk i haje dot, ky ishte mallkimi. Ky ishte edhe bekimi. Atëhere mora një stilolaps dhe nisa t’i shkruaja. Shkruaj e hidh mënjanë, shkruaj e hidh në anën tjetër, shkruaj e hidh mbrapa. Këtu prapë vazhdonin të binin shira e dëborëra, të ndryshkeshin gjethe e koka, vazhdonin të vinin shumë çifte e vajza të bukura, dhe unë, për t’u çlodhur, përvidhesha nga dritaret që pata hapur dhe bridhja. Pija shumë konjak, luaja me letra dhe gjuaja. Pastaj kthehesha i dëshpëruar në kafaz dhe shkruaja. Kështu e humba fare nocionin tim, shkruaj e hidh mbrapa, bëj dashuri e kthehu në kafaz, nga Qyteti ku vdiset më bukur në kryeqytet, nga kryeqyteti - jashtë shtetit, rrugë këtu e rrugë aty, një fytyrë këtu e një aty, shkruaj e hidh mbrapa, një aeroport këtu – një stacion trenash më tutje, një e dashur larg – një e humbur afër, një plagë në shpirt – një plagë jashtë shpirtit, kurse këtu prapë binin shira e frynin erëra, prapë binin dëborëra dhe njerëzit vjetëroheshin. Cingërrimat e vetme që ma ndyjnë muzikën e atyre kohërave janë trokamat në dyert e botuesve. Asnjëra nga dyert s’u hap. Aq herë mbetën mbyllur, aq herë m’u mbyllën hundëve, ose pas shpine, saqë u betova të mos botoja asgjë. Gjatë kësaj kohe trokamash, përbri hollimit të mureve prej letre, më vdiqën shumë të afërm, humba shokë, dhe prindërit m’u plakën. Humba shumë të dashura dhe gjeta të tjera. Shkruaj e hidh mbrapa, dëgjo fjalë nepërkash e hidh mbrapa, nuhat kutërbim plehërash e shfry mbrapa, duro dëngla dështakësh e hidh mënjanë, duro kakaritje paranojakësh e hidh matanë, e të gjitha më dukeshin të pavërteta, si në një film, dhe kush mund të më shihte, kush mund të më njihte të fundosur në zemër të Letrës, përveç Zotit, – dhe udhëtimet jashtë e brenda vendit vazhdonin, kurse unë kisha aq mall për të gjitha, dhe kërceja nga mungesa e dikujt në praninë e dikujt tjetër, dhe kërceja nga prania e dikujt në mungesën e dikujt tjetër. Si një zog pa kokë i kam bredhur këto foleza të mallit, s’mund të lija në to veçse nga një pikë gjaku. Gjatë kësaj kohe u pashë shumë herë në pasqyrë dhe nuk u njoha. Gjatë kësaj kohe muret e bardhë të kafazit ishin holluar. E merrja përditë nga fillimi, me egërsinë, zymtinë dhe fuqinë e një të vdekuri për së gjalli, derisa muret u bënë pllaja, kurse unë mbeta me stilolapsin në dorë përballë botës tjetër, botës së vërtetë. Mirpo dalja nga Letra më ishte bërë ves, më ishte bërë mjeshtëri, dhe nuk rrija dot pa shkruar, po ku të shkruash në kohëra të tilla, Imzot?! Muret janë zënë, kafazet prej letre janë mbaruar, lëkurët tona janë mbaruar, qielli është mbaruar, lëkurët e kafshëve janë mbaruar, daullet janë mbaruar, drurët janë mbaruar, shtyllat janë mbaruar, toka është mbaruar. Nata kur do të flija i paemër për t’u zgjuar i pagëzuar, vononte. Mbase duhej të kthehesha mbrapsht, të mblidhja letrat e shkruara, ta ndërtoja nga e para kafazin tim të shtrenjtë, zemrën e Letrës, ku ishte pak më mirë se në botë. Po si t’i ndaje letrat nga njëra-tjetra, Imzot?! Flatronin anembanë, të gjitha të shkruara, çmendurisht të shkruara, çmendurisht të nënshkruara, çmendurisht të lavduara. Flatronin mbi ne, si shpirtra zogjsh, dhe s’kish gjahtar t’i rrëzonte. Doja të flija një herë i qetë, më i panjohur se ç’isha: shumë të afërm, njerëz të dashur, dashurira dhe copëra jete më qenë shndrruar në shpirtra zogjsh. Ç’mund të bëj tani, Imzot? (...)

Fragment nga Diva ose Ngrënësi i Luleve (1992), botimi i parë: Sejko, Elbasan 2000

 

Iulia Enkelana: "Dom'thën" - prozë


Plehërat mblidheshin çdo të martë e të premte në orën 9 të mëngjesit. Prej 32 vjetësh, plehraxhiu Stan[1] pat ndalur së u habituri me ç’hidhte mileti i sotëm në plehëra. E prej po aq kohe nuk e bezdiste as era e plehërave, as pamja e tyre.
Nga mërzia a nga frymëzimi, drejtoi sytë drejt plehërave të sapombledhura dhe, mes thasëve me grykë të nyjëtuara mirë, apo nga të cilët derdheshin gota kosi, ushqime të prishura, pambuqe për ndukje lëkure me pudër, garza të përditshme zakonesh, mbështjellëse plastike lodrash, kleçka për pastrim veshësh, prezervativë të përdorur, letra të bëra shuk, cilindra kartoni nga të letrave higjenike, shishe të zbrazëta, disa cifla pasqyre dhe diçka që dukej si çorape e shpuar, shqoi një kuti të kuqe këpucësh, e cila u rrokullis disa herë derisa u hap, i shkau kapaku dhe nxori jashtë, - me ritmin e shikimit të Stanit: një filxhan të gjelbër, një flamingo prej pellushi, disa bileta treni, autobuzi, teatri a filmi, një zarf, një mbështjellëse çokollate, nja pesë a gjashtë fotografi të grisura në të njëjtën kohë dhe disa kapaçka verëmolle a birre.

Kafaz (prozë)

Credits to Iulia Enkelana


Disa hynin në kopshtin zoologjik vetëm për të fshehur erërat e veta të rënda, se kafshët i dinin përmendësh dhe përgjithësisht ishin të fandaksur pas qenve rrugaçë, maceve dhe hamsterëve. Gjatë endjes mes kafazeve, shumica bënin sikur habiteshin dhe ndonjëherë zbaviteshin me shpejtësinë me të cilën kafshët e ngujuara shqyenin mishrat, ose pastronin kockat e viktimave. Disa të tjerë ndiheshin të lumtur kur shihnin vuajtjet e kafshëve të uritura. Ato vuajtje ishin të disafishta edhe ngaqë kafshët nuk e flisnin gjuhën e njeriut. Ndërsa ish-zyrtarë të mesëm, që kishin kaluar nga ish-vartës drejtorësh në vartës jetësh pa krye, e kishin për zemër të fotografoheshin para kafshëve mishngrënëse, si për të bindur dynjanë se të mëdhenjve e të vegjëlve dikur u këputen kokat, ndërsa të mesmit vërtet vdesin pa lënë gjurmë, ama me kokat mbi supe. Shumë pak vetë ndaleshin para kafshëve a shpendëve që jetonin më gjatë se njerëzit. Dhe gati askush nuk arrinte ta fshihte zilinë që e bren njeriun ndaj kafshëve që e frikësojnë... Libri i plotë në Bukinist


* U botua së pari në revistën "Jeta e Re" të Prishtinës

Pjesa e pakripur e lotëve [prozë]


Shkrimtarit iu morën mendtë dhe ndali para një morie peshqsh që e shihnin sikur të mos kishte vëllim. Sytë e tyre i kujtuan flluskat e filxhanit të kafesë: sy ziliqarësh, sipas plakave. Priti që të shembej duke i rënë akuariumit vigan me ballë, dhe përfytyroi se si ata qindra peshq do të dyndeshin mbi sallë e do të kërcenin për të vdekur mes djathtrave, sapunëve, shishkave të parfumit, pjatave, gotave, koshave, verërave, llampave, veglave të rrojes e të ndërtimit, por edhe nëpër gjinjtë, xhepat, çantat e blerësve. Falë ujit që do të arrinte gjer në gju, - si gjaku në luftrat e qëmotit, - mund t’i shpëtonte vdekjes duke notuar. Pak vetë dinin not si ai.
- Po nga i sjellin? - pyeti zëri i një fëmije.
- Nga deti, - e sqaroi një zë gjysheje.
- Bashkë me ujin?
- Jo, jo. Ujin e përgatisin këtu.
- Po nuk ngordhin rrugës këta?
- I sjellin po në një akuarium. Dhe i derdhin në të këtushmin.
- Po pse nuk i therin para se t’i sjellin?
- Që ne t’i shohim të gjallë. Dhe që askush të mos pandehë se kanë ngordhur kohë më parë.

l.o.l. [rrëfim]

Rropateni më kot, të nderuar, nënqeshte Profi, për sa kohë s’mund të skiconi as shkarazi ca gjëra tejet të thjeshta si puna e vdekjes. Apo as vdekja s’është me aq e thjeshtë sa ç’ishte në fëmininë time?! Kishin kaluar tashmë tri orë nga ato ballkaniket dhe askund mbi mur nuk shquhej ndonjë gjurmë vdekjeje. Por as ndonjë jete e denjë për kureshtje nuk dukej. Përndryshe, qe një ditë mjaft e ngarkuar. Në vetëm 24 orë njerëzimi festonte Ditën botërore dhe / ose ndërkombëtare të: Teatrit të kukullave, Fëmijëve të rrugës, Sindromës Down, Luftës për çrrënjosjen e racizmit, Luftës për luftimin e pagjumësisë dhe Poezisë. Ndërkaq, disa prej tyre ia kishin ndryshuar Prófit nofkën dhe fshehtas e quanin Star (nga Kujdestar).

- Të pëlqen, o Staro, - e pyeti njëri.

Pa u bezdisur nga ai llagap përqeshës, Profi ndreqi syzet dhe kundroi murin.

- Po më the edhe se ç’ke dashur të thuash...

Varrmihësit nuk lenë asnjë film përgjysmë

Doktori ishte plakur mjaft, dhe, gjatë atij viti që dukej se do ta merrte me vete, kish parë në ëndërr vetëm rropullitë e veta. Të sillnin ndërmend të përbrendshmet e një të shkrumbosuri me flakëhedhëse. Doktori besonte se ato ishin bërë qymyr duke pritur që këmbëngulja e tij për të mos hequr dorë nga zanati të zbehej. Mirpo këmbëngulja e tij nuk zbehej lehtë, ndonëse shumica e të sëmurëve të atij viti i kishin vdekur në duar. Dhe Doktori ishte burrë shumë i ndershëm, dhe nuk e duronte dot mendimin se ata që i vdisnin në duar ia bashkangjitnin pjesën tjetër të jetës së tyre, që nga këputja e tutje, jetës së tij. Nuk e duronte dot këtë soj pavdekësimi, madje as pavdekësinë në përgjithësi, por as dorë nuk hiqte.
Në të gdhirën e mbrame të nëntorit, pasi një vajzë e vogël dha shpirt në duart e tij, Doktori u ngut të mbyllej në kthinën ku laheshin duart dhe i lau më shumë se dhjetë herë, sikur të donte t’ua zhvishte lëkurët, apo të paktën t’u lante mëkatet e pavullnetshme. Nuk arrinte të besonte se i kish gazmendur të shumtët me një shpirt që ende s’i kish mbushur as dhjetë vjetët në trup, dhe uji iu duk më i rremë se kurrë: një lëng që s’mund të ishte burim jete përderisa nuk arrinte të lante dëshpërimin.