- Me që ra llafi: të huaj që
vdesin në Shqipëri ke ndërmend të çosh jashtë? Se janë shtuar si rëra e detit.
- Kështu e kanë punët e
shtetit.
- Jo për gjë, po do shtohen
gropat e lira për ne vendasit.
- Tani s’merret vesh se cili
është i huaj.
- Duam-s’duam, - shtoi Taku,
- jemi dy nga shqiptarët më të zgjuar e me shqipe më të pasur. Në mos po dy të
vetmit. E meqë mëmëdheu e ka zakon t’i syrgjynosë zogjtë e vet më të mirë, ja
ku jemi të dy jashtë trojeve.
- Por brenda shqipes. Dhe
jashtë mësyshjeve.
- Vetëm brenda shqipes dhe
jashtë mësyshjeve. Për këtë arsye s’kam mësuar asnjë gjuhë të huaj.
- Dëshmi se mëmëdheu s’është
krejt hapsanë.
- Mund të jem i vetmi
shqiptar njëgjuhësh. Mirë që s’më ka marrë njeri mësysh.
- Hë, se edhe gjarpri vetëm
një gjuhë ka.
- Një, por me dy maja. Kjo
do shkruar, për besë. Se mos harroj: ke shkruar ndonjë libër këtej?
- Më pyete një herë, - qeshi
Tiku. - As këtej, as andej. Kanë vdekur shkrimtarët, a si?!
- Jo, mo, gjallë janë,
gjallë… Vetëm se janë vetëm gjallë… Ke dëgjuar që të dënuarit me vdekje, kur po
bëhej Franca Francë, lexonin? I kalonin orët e mbrame duke lexuar.
- Del se ma kanë falur
jetën. S’lexoj dot as po të më varin.
- Lexonin para se t’i varnin
apo t’u prisnin kokat. S’është për të qeshur. Librat ua hiqnin mendjen nga
makthi i botës tjetër.
- Dhe kokat e prera
rrokulliseshin si libra të pambaruar.
- E dija se puna me aq
kufoma do të ta kish nxirë pak humorin.
- S’kam gjetur akoma ndonjë
libër më bindës sesa një dopjo fërneti. Po të bëje punën time, as ti s’besoj se
do mendoje ndryshe.
- Aty e kam llafin. Ta
shkruajmë ne atë librin që ia kalon
fërnetit.
- Më mirë presim, duke pirë,
që Numratori Telefonik të bëhet kryevepër. Kështu shpëtojmë pa vdekur
grykëtharë.
Gajaseshin së qeshuri si fëmijë çamarrokë, trokisnin gotat, habiteshin kur fërneti mbarohej, porositnin ëmbëlsira, asgjë tjetër, thithnin puro, vizatonin me gishta e shuplaka në tym, ndërsa kamerierët me fraqe e papionë kishin fytyra gjithnjë e më të vrerosura, a thua se gazmendi i Tik-Tak-ut u zbritej nga rroga.
Zo-om, pjesa “Pastër”
Libri i plotë në Libroteka