Kri-ji-me fëminije - semiotic
Kokat nuk i urrente asnjë shqiponjë
Roje falas dhe ujdira
Pa mbërritur ende tek gushkuqi[1] - zogu, apo shpirti që më ndihmon më tepër se çdo libër të udhëtoj në kohë, - e rraha çështjen me shokët dhe ndërmorëm një veprimtari që ishte vendimtare sa ç’ishte edhe e fshehtë. Ai që tradhëtonte, gjer edhe pa dashje, bënte hak jo vetëm t’i hahej koka (si ndëshkim, jo si shprehje adhurimi), por edhe t’i pritej gjuha. Se ç’ma doje jetën me kokë e pa gjuhë, pa kokë e me gjuhë, me kokë e gjuhë, por pa nder e rrjedhimisht jetë?! Për ne jeta ishte nder dhe nderi – jetë. Jetonim në një truall me bukuri të lartme, por ku, siç thoshte im gjysh: „Po të kishe bisht, ta prisnin; po mos kishe, ta ngjitnin”. Tërthorazi i binte që, po të kishe kokë, ta prisnin; po të mos kishe, s’të ngisnin. Rrëfenjat dhe sajesat e Poradecit (qytetit, jo poetit) kishin nganjëherë aq nektar ose aq helm, me përqindje që mund të të bënin shurdhmemec, sa nuk të mbetej veçse të ndiheshe askush, t’i fshiheshe gjer edhe ndërgjegjes, që Bukuria, si Vdekja, ose të dyja bashkë, të mos shihnin sa i pafuqishëm e pafajnisht i mangët je.
Në behar, veç çifteve që vinin për muaj mjalti (si armatosje kundër helmit jetëgjatë që thuhej se u kanosej martesave) rrugët e klubet ishin plot me shkrimtarë, shumica të realizmit socialist. Vite më vonë, pasi kuptova se në fillim kish qenë Krijimi, pastaj krimi dhe i treti (i vërteti) shkrimi, do të mendoja se aq bukuri i detyronte (a i ndëshkonte) të mblidheshin si autorët në vendin e shkrimit. Bujtnin të vetmuar, por më shpesh në tufë, mbase me shpresën se gjenía dhe pushteti janë ngjitëse. Mes Udhëheqësit tashmë Legjendar, - që trashte vëllimet me kujtime, - dhe Poradecit (poetit, jo qytetit), - që endej si mes dy botësh, i vrarë për së gjalli në njërën dhe i pavdekur në tjetrën, - shkrimtarët e kohës, bij të kohës së tyre, stërviteshin fshehtas, apo pa e kuptuar, të merrnin pushtetin si etër të kohërave që mund të vinin, por pa i ndalur botimet, për të cilët më vonë u stërbetuan se i bënin nga zori.
“Kri-ji-me fëminie”, ose Gjuha si shprehja më e lartë e frymëmarrjes
- Bisedë rasti me shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku -
Ëmbëlsira, thënë figurshëm, ose
”bijou”-ja sikurse i thonë francezët xhevahirit, me erdhi direkt nga i bukuri
Bukuresht, që në rrënjë të emrit ka fjalën puro shqipe – b u k u r. Romanthi “Krijime
fëminie”, - se për të e kam fjalën, - kish vetëm 74 faqe. Edhe sot e kësaj
dite, andej nga nahija jonë (nga pjesa veriore e Shqipërisë – ku bie Kosova,
vlera e dukatit matet me karát (jo me kilogram). S’do mend, menjëherë iu qepa
leximit. Kështu është gjithmonë, sa herë marr libër të ri nga Ardiani (shkrimtari
im ndër më të preferuarit); me një ndryshim: kësaj radhe m’u dukën shumë pak
ato faqe. Në vend që t’i lexoja, mendova t’i gëlltisja. Leximin e nisa dhe e
sosa me babëzi e garbí të paparë. I rashë në fund e nuk kuptova asgjë. Shqyrtova
më pas paraqitjen e librit. “Një fëmijë shqiptar i viteve ‘80 tmerrohet kur merr vesh se një shqiponjë ka
lëshuar nga lart një breshkë mbi kokën e Eskilit, duke e pandehur gur, dhe ka
vrarë gjeniun e lashtësisë. Fëmija themelon një trupë rojesh të fshehta dhe nis
të mbrojë kokat e shkrimtarëve të realizmit socialist, që vinin për pushime në
Pogradec. Libri ndjek nga afër mënyrat se si disa ngjarje të fëminisë
shndërrohen më vonë në metafora dhe sidomos anasjelltas. Duke “ngjallur”
pjesë-kyçe nga e folmja dhe nga ana poetike e mendësisë poradecare, autori
përsijat mbi luftën e egër të gjuhës së drunjtë, dikur dhe tani, kundër Gjuhës
së Epërme (poetike e shpirtërore); mbi krijimin artistik si shprehí e
idealizmit dhe mbi njohjen e saktë të vetvetes, njohje që shpesh ndan
shkrimtarët e mirëfilltë nga të tjerët”.
Me grusht mbi “samarin” e breshkës, jo të asaj që e rrëmben shqiponja (në roman), por mbi shpinën e miut të zi të kompjuterit, nis leximin e dytë. Me qëllim që, ngjyrë të kuqe (gjaku), të nënvizoj ato që do të më pëlqejnë më së shumti. Kur i rashë në fund leximit të dytë, pashë se kisha ngjyrosur mbarë tekstin, pa mundë me dallua ç’është më e mira, kur krejt, toptan ishte e mirë, e shkëlqyeshme madje, xhevahir ishte. I çarmatosur kryekreje, hoqa dorë nga gjithçka dhe iu drejtova autorit, për ndihmë e mirëkuptim. Le të më flasë ai vetë mbi romanin, duke filluar nga titulli provokues, e duke vazhduar me ata shtatë kapituj (Ballkan – e tashmja e pakryer; Zogj për ushqim / ushqim për zogj; Roje falas dhe ujdira; Armë, shenja pikësimi, ideale; Koka të pangrëna; Gjuheti’ dhe Gjuheshtja), që aspak nuk ngelin mbrapa provokimit në krahasim me titullin e romanit. Autori i ka duart e lira, ngase është me kompetenti, të thotë krejt atë që duhet thënë, për këtë (kye)vepër (them unë) të tijën. Bisedë virtuale (nga distanca), jo e rëndomtë, për sytë e opinionit lexues shqiptar. Ani, le të duket ashtu, (si të duket!), kurse fjala është për një roman të hollë (në fletë) e të madh në temat (dhe dilet) që trajton.
Bajram Sefaj: Mendoj se, veçmas për këtë libër, lexuesi e ka hak një bisedë me autorin...
Ardian-Christian Kyçyku: Ndoshta ngaqë ky libër ka disa “mangësi”, të cilat nuk di për sa kohë do të mbeten “të pandreqshme”. Jam i detyruar të përdor edhe në këtë bisedë thonjëza të dukshme e të padukshme. I gjithë teksti ec mbi këtë vijë, mes kuptimit të parë të fjalëve dhe kuptimit të dytë, atij që është më i fshehuri, por më jetëgjati. Po rendit mangësitë: nuk është shtypur në letër; u drejtohet vetëm atyre që e dinë shqipen shumë mirë; nuk mund t’i tregohet dikujt me pak fjalë; është thellësisht i papërkthyeshëm dhe flet për krijimin letrar nga një këndvështrim që ligjet e globalizimit e trajtojnë si të tejkaluar... Kam përshtypjen se po përshkruaj njëherazi edhe disa rroba të reja mbreti, edhe një mbret të ri rrobash...
Kri/ji/me fëminie
"Jo pak shprehje të dashurisë së zjarrtë
(por dukej se edhe të urrejtjes së zjarrtë kundër zjarrit) ishin
plot me „të / ta hëngsha”. Mund të dyshoje se kjo buronte nga uria e
stërgjatë a ballkanasve, - për bukë e sidomos buk(ë)uri,
- por më tepër dukej si shfrim i njeriut që mezi pret e bën çmos, gjer edhe të
ha, për t’u njësuar me ty, për të të pasur në vete (që të rroni e të vdisni
bashkë, ose derisa njëri të velet). Qysh atëhere, me gjysmë zëri, si rënkime,
gulçime, shfrime, lemza, cicërima, kollitje, teshtima, shumëkush ia hante kokën
dikujt, ia hante zemrën, ia hante sisët, ia hante kofshët, ia hante gushën, ia
hante vithet e ashtu me radhë. Për të platitur sadopak inatin, mllefin,
urrejtjen etj, dikush ia hante dikujt tjetër gurçmanë[1],
teksa dikush ankohej, ose shfrynte se ai / ajo po ia hanin shpretkën, mëlçinë,
shpirtin.
Unë ende nuk e dija se ato metafora të përkora tashmë qenë bluar çnjerëzisht imët nëpër mullirin e politikës, ashtu siç sheqeri mund bluhej për t’u bërë zeher, dhe ngrënia e kokave nuk ishte më shprehje e etjes për të marrë dikë brenda vetes, por për ta lënë pa kokë, nëpër skërka ku arrinin vetëm shqiponjat, korbat, dhitë e egra, shirat, dëborërat, ortekët dhe tërmetet. Ishin hapësira ku gjer edhe kujtesa e njeriut mbërrinte rrallë. Ngrënia e kokave pasonte ngrënien e shpirtit, se s’kish si të mos suleshe t’ia haje kokën dikujt që ta hante shpirtin, shpretkën, mëlçinë.
[1] Gryka, fyti në
të folmen e Poradecit."...



