Showing posts with label "Në pritje të rrotave". Show all posts
Showing posts with label "Në pritje të rrotave". Show all posts

Në pritje të rrotave (prozë)


I. Në sallën e pritjes të një aeroporti të ndërtuar nga të burgosurit, aeroport mbi pistën e të cilit uleshin gjithnjë e më pak avionë dhe ku, gjatë çlodhjes së avionëve, kullosnin ca lopë të zgjebosura ndofta nga mërzia, prisnim rrotat.
Kishim plot njëmbëdhjetë orë që prisnim rrotat.
Ngaqë mbështetëset e kolltukut ishin mjaft të rrumbullakosura dhe ngaqë gjunjët e mi dridheshin nga padurimi, detyrohesha që, pas çdo gllënke, ta vendosja gotën e fundit të konjakut tek parmaku i dritares majtas. Kur më duhej ta merrja, detyrohesha të ngrija pak perden tërë pluhur, sepse mbrapa shpinores sime, një femër që flinte me siguri e bindur se udhëtonim në qiell, e kish kapur atë perde me njëpalë thonj të ankthshëm, nuk e lëshonte, dhe ishim tashmë shumë të lodhur që të mund t’ia rrëmbeja parashutën asaj të gjore që pandehte se fluturonim.