Showing posts with label "Grepi". Show all posts
Showing posts with label "Grepi". Show all posts

Grepi


Ata që patën mirësinë, ose kohën e tepërt, t'i kryenin shërbesën mortnore, t'i paguanin qëndrimin në morg, të paguanin famulltarin, marangozët, groparët dhe makinën që çoi trupin nga streha vorfnore deri në varrezë, ishin, në njëfarë mënyre, binjakë të tij. Binjakë nënash, seksesh e fesh të ndryshme. Dallimi i vetëm ishte se ata, të gjithë, kishin emra, ose të paktën nofka, secili të trashëguar nga vendlindja, ose nga ndonjë bëmë e veçantë e këtyre trojeve. Kurse atë e njihnin thjesht si "ai që nuk e lehin bushtrat". Se ishte i vetmi njeri që, kur fanitej në oborrin para fjetores, në dritare, në mensë, në rrugicën që çonte drejt qytetit, ditë a natë qoftë, bushtrat përjetë të mbarsura, lehona e të uritura të rrethinave nuk e përshëndetnin me lehje. Ndoshta pat ditur gjuhën e qenve.