Showing posts with label "Incógnito" [Copëza nga jeta e rojeve dhe anasjelltas]. Show all posts
Showing posts with label "Incógnito" [Copëza nga jeta e rojeve dhe anasjelltas]. Show all posts

8 fjali

 



Ki$land
– roman me fëmini

Zotnia që mbijetonte duke gjuajtur emra dhe ripagëzonte qënie e gjëra, aq sa në shumicën e kohës s’dinte ç’emër i shkonte më për shtat atij vetë, – njëlloj sikur të qënkej thjesht një skelet, – ndihej fryti më i hijshëm i një ujdie me botën tjetër. // Se të gjallët, kur s’janë të dashuruar, kanë shumë ftohtë dhe shohin pak ëndrra.


Në këtë orë uleshim me Irisin para dritareve pa perde dhe prisnim vdekjen. // E di që, nga lumturia dhe mirënjohja, do të më duket e pamundur, por do të kem kohë pa fund për ta besuar.


Mortët

Dikush i ra portës së kalbur të kufomave dymbëdhjetë herë me radhë. Pritëm sa pritëm dhe, kur pamë se askush nuk u përgjigj, - por as pára kishim shpresë të na përgjigjej njeri, - e shkallmuam atë portë. // Pastaj u ktheva nga porta dhe vazhdova t'i bija, e më ngjante se trokisja në ndonjë rrasë të madhe varri, po s’kisha frikë se mos binte e më zinte përposh.


Dyzet e kusur vjet kaluan si një fishkëllimë, por nga ato të njerëzve që s’i kanë të gjithë dhëmbët. // E ndoshta pó ai zë që i pat thënë dikur, vetëm një herë, “Zgjohu: je i vdekur”, e nanuriti si për herë të fundit me një "Fli… që të jesh gjallë".

Nën_vizime

(...)

Nuk është thjesht marrëdhënia jonë me vdekjen, e sqaroja pa zë. Ne jemi rritur mes, rreth e brenda bunkerëve. I kishim bunkerët në bahçe, pranë shisheve me verë që vjetërohet, ngulur kokëposhtë në dhé, atje ku shumica kanë lulet dhe lodrat e kafshëve shtëpiake. Luanim syllambyllas, ose luftrash, shpijash, hajdutçe etj, derisa nisëm të mbronim një atdhe, të cilin e njihnim pak dhe vazhduam ta njihnim gjithnjë e më pak. Atje kemi mësuar të mos mësohemi me vdekjen përsa kohë jetojmë e as me jetën derisa të vdesim. Mbaj mend se në një bunker të atillë putha për herë të parë Irisin dhe se bunkerët ngjanin njëherazi me ca kafka, me barqet e grave shtatzëna dhe me vetë botën.

- Çfarë fati! - ofshau një bashkëroje. E ke më?

- Çfarë të kem?

- Bunkerin, pra.

- Bunkerin s’e di, por jetën brenda tij – po.

- Mos e humb këtë rast të rrallë! Lëshoje me qira, se ka çifte që ëndërrojnë të pallohen nëpër bunkerë e shpella... As e ke idenë...

Idenë mbase jo, por bunkerët...

Ajo që është shkruar / nga "Incógnito..."

28.

Dhe ishim puthur në të gjithë parqet e kryeqytetit atë natë. Dhe ishim puthur në të gjitha rrugicat, në të gjithë klubet, në të gjithë autobusët e vonuar, mbështetur pas të gjithë mureve që ende nuk qenë shembur nga shurra e nga parullat. Dhe u puthëm edhe pranë shtëpisë së saj, rrëzë një pallati të sapondërtuar ku nuk banonte njeri. Mundoheshim t’i jepnim zemër njëri-tjetrit, ndonëse zemrat nuk na dilnin as për vete. Ia mora fytyrën në duar. E mban mend? Të kam parë gjatë dhe thellë atë natë. Buzëqeshnim me sy të shkëlqyer. Po të rrinim edhe pak, do të dilnim mendsh, edhepse nuk ishim krejt brenda. Eteshim të ndaheshim sa më parë. E putha në ballë, në faqe, pastaj në buzë. Në faqe, pastaj në buzë, u ndamë. U ndamë një çast. Një çast ajo më mbërtheu. Ajo më mbërtheu për qafe qeshëm. Qeshëm prapë iku. Iku. Më përshëndeti me dorë. Pohova dhe i dhashë një puthje me dorë, me frymë. Në ballë, në faqe iku. Nuk di sa frymë më mbeti. E ndoqa me sy tek ecte drejt hyrjes. I shkova pas i trullosur. Hipa mbi një bordurë. Ajo ecte drejt hyrjes së saj. Shtrëngova nofullat. Por asgjë nuk kafshojmë dot. M’u drodh ashti i trupit. Në faqe në buzë me cigaren në njërën dorë. Me cigaren në njërën dorë e me çakmakun në tjetrën e vështrova për herë ndoshta të fundit. Iris, Iris, thashë. Dhe duke qeshur me sy, lëpija lotët, - se ndarjet nuk janë femërore, apo mashkullore, - që më mblidheshin në mustaqe. I thashë me vete: “Për një gjë do të të lutem…” Drita e shtëpisë së saj kërceu para hyrjes së pallatit. U mundova t’ia puthja me mend hijen që iu shformua. Isha stepur. Me atë hije ngjante tani dashuria jonë. Me gjakun që u bë pellg mbi mure. Një gjak si hi i përzjerë me dritë hëne. I thashë pa zë: “Mos e vrit veten, shpirt... Mjafton kjo ndarje...”. Siurdhëron! Gjithçka në rregull. Hiqmu sysh, kërmë! Do të të bëj fërtele, gërmadhë, o dështak! As Zoti s’do të të njohë për krijesë të vetën. Ashtu do të të bëj. As Zoti nuk të njeh pasi të kem vepruar unë. Siurdhëron! Kam një mi në zemër që kur u ndava nga Irisi. Nuk besoni?! Ndoshta keni të drejtë: ndoshta kam dy minj. Siurdhëron!… Endeshin qindra xixëllonja atë natë mbi lumë. Pasqyroheshin zbehtë mbi ujërat e hirta, unë lahesha. Dola në bregun tjetër, lakuriq. Doja të ngjitesha deri te kisha. U ngjita. Muret e gdhendura në gur vezullonin butë. Ishin shandanët e vjetër, kthinat për qirinj, altari, të gjitha të gdhendura në gur. Kjo ishte njëfarë zemre në thelb të gurit. Nuk di se si ndjehesha ashtu. Doja të shtrihesha aty, të plasesha si i vdekur. Rashë në gjunjë. Vërtet më vinte rëndë t’i rrëfehesha një Zoti të njohur nga të gjithë, si me thënë: të botuar, por gjithsesi rrëfehesha në një drejtim. Deri atë çast nuk më qe dukur vendimtar besimi në Zot, se dukej sheshit sa vdekatarë e pa rëndësi ishim. Po atë natë ndjeva se Zoti ishte tek unë, kurse unë isha i qetë. Mëkatet e mia nuk më dukeshin kurrë të llahtarshme apo të padëgjuara dhe nuk vuaja nga ideja se mos, duke ia rrëfyer, do ta lebetisja. E dija tashmë se dashuria falas nuk lebetitet nga asgjë: është ajo që është shkruar. Lakuriq siç isha, dola jashtë dhe u ula te pragu i shpellës. Nuk kisha ftohtë. Cili nga ne është oshënari, pyeta. Një mendim më preu më dysh, dhe njëra nga dy pjesët e mia dha shpirt me një lehtësi që desh më çmendi: i pata fshehur thellë e më thellë mrekullitë e mia, i ngutur nga frika qesharake dhe e pështirë se mos kushedi, në dalldi e sipër, do të isha i detyruar t’i ndaja me derrat, - “Mos u hidhni derrave xhevahire”, siç thuhej në Bibël, - dhe, pa e ndjerë, atje, “thellë e më thellë”, atyre u qe zënë fryma, qenë fikur.

Në fakt / Incógnito


75.

Për fat të mirë, falë dyndjes së ndryshimeve dhe jermit në të cilin qenë zgjeruar, hapësira e humbur m'u vegua gati më e plotë e më dhemshurisht e gjallë nga ç'pat qënë dikur, në fëmininë dhe rininë e parë, bashkë me zërat dhe aromën e njerëzve të dashur, të pandryshueshëm (disa ngaqë kishin vdekur në kohën e duhur) me ankthet e makthet plot vezullime dëborërash, madje edhe me fishkëllimat e gjakut të paprishur në vena. Vetëm vajzat që pata synuar dikur nuk ishin të gjitha njëlloj.

Incógnito [Copëza nga jeta e rojeve dhe anasjelltas]

roman

Botim onLine: Librarium Haemus, Bukuresht, ISBN: 978-606-8093-98-7 / Në letër: "Naimi", Tiranë, ISBN: 978-9928-234-01-8

Synopsis

Në një kazermë perëndimore që të kujton mërgimin, gjatë një mërgimi që ngjan edhe me vdekjen në mungesë, edhe me çlirimin nga çdo e tashme, një i ri shqiptar, rritur me bunker në oborr, (me nofkën Incógnito) caktohet roje, ose thjesht çon një jetë në dukje të rëndomtë. Për vite me radhë, tek shpreson të kthehet në dashurinë e hershme, ai ruan depo armësh e municionesh, salla librash, veten, kujtesën dhe disa të panjohur, i rrethuar nga eprorë e bashkëkohës që ndonjëherë sikur mishërojnë vetë fatin, në një hapësirë e kohë ku njeriu ka arritur të mos kushtojë më tepër se një plumb.
Ligjërimi i romanit rrjedh mbi tehun që bashkon e ndan metaforën nga e përditshmja dhe vendos një baraspeshë të çuditshme midis ngjarjeve, qënieve dhe sendeve të ngjashme e të kundërta, duke u dhënë mjaf fjalëve kuptime të pahasura më parë. Gjërat rrjedhin herë si në ëndër, herë si në zhgjëndërr, herë si në vegim, herë si në të gjitha bashkë, brenda e jashtë një bote tashmë të globalizuar. Kaosi i mendimeve, i shprehjeve dhe i ngjarjeve hyn në qënien e protagonistit dhe i nënshtrohet fjalës-kyçe “anasjelltas”, që sundon natyrshëm nëntekstin e librit. 
Brenda 24 vjetëve gjatë të cilëve shkruhet romani, kufijtë hapen; kazerma, ose mërgimi zgjerohen; poashtu edhe vendlindja, - në kahe e kohë të ndryshme, - ndërsa Incógnito jeton disa jetë, i bindur se vërtet “mund ta nxjerrësh njeriun nga mërgimi, por s’mund ta nxjerrësh më mërgimin nga njeriu”. Roja është shndërruar tashmë në diçka krejt tjetër; Incógnito nuk pranon të tjetërsohet edhe ngaqë di me përafërsi se sa të gjatë e ka jetën trupi i tij – dhe ndjen me saktësi se sa të gjatë mund ta ketë jetën shpirti i tij. Ai nuk del nga “hija”, duke vendosur që më mirë të mbetet “një askush i zgjedhur, se sa një dikush me një jetë të vetme”. 
HaemusPress, 2016


F r a g m e n t

Më kot ngrihen gracka para vështrimit të zogjve.
Se ata ngrenë kurthe kundër gjakut të tyre,
dhe shpirtit të tyre i ngrehin leqe.
Fjalët e urta të Solomonit, 1. 17, 18


Sipas disa fjalorëve të besueshëm, incógnito rrjedh nga incógnitus i latinishtes, alias dikush i njohur (i famshëm, i shquar), që udhëton nën emër tjetër, pa dashur të bjerë në sy. Ka edhe kuptimin person që dëshiron të mbetet i panjohur ndaj botës dhe të tjerëve, duke u fshehur, ose duke dalë nga dijenia e njerëzve.
Autori

Në këtë orë uleshim me Irisin para dritareve pa perde dhe prisnim vdekjen. Tani prisja tjetër vdekje. Isha roje dhe prej kohësh jeta ime nuk kushtonte më tepër se një plumb. Tyta e revolverit m’u ngjit në zverk dhe e ndjeva veten me dy sy e gjysmë. Syri i tretë do të më hapej sa hap e mbyll sytë, pastaj asnjëri nuk do të hapej më në këtë botë. Shpesh mjaftonte të mbyllja njërin sy dhe shihja dy botë. Ndoshta jo ato më të pranueshmet, por dy. As mbyllja e syve, as hapja e syrit të tretë, nuk dhimbte. Ose dhimbte më pak se litari, sëpata, thika, të cilave u mungonte zjarri. Por edhe shpirtit i qe mpakur zjarri. Ndoshta edhe zjarrit i qe mpakur shpirti. Sapo qe gdhirë: vjeshtë e dytë, gjethe që përkujtonin floririn dhe dehjen e kokës që mbështetet mbi gjirin, apo prehërin e së dashurës. Gjërat nuk shquheshin qartë, ishin në lindje a vdekje e sipër, ndonëse në brendësi të tyre, atje ku vështrimi nuk mbërrin, por zemra nuhat, vajtonin si ajo foshnja që ndjen se do të vdesë pa çuar në fund gati asnjë rrokje, asnjë ëndërr, dhe përdor lotin ose kujën në vend të fjalëve.