roman
![]() |
| Botim onLine: Librarium Haemus, Bukuresht, ISBN: 978-606-8093-98-7 / Në letër: "Naimi", Tiranë, ISBN: 978-9928-234-01-8
Synopsis
Në një kazermë perëndimore që të kujton mërgimin, gjatë një mërgimi që ngjan edhe me vdekjen në mungesë, edhe me çlirimin nga çdo e tashme, një i ri shqiptar, rritur me bunker në oborr, (me nofkën Incógnito) caktohet roje, ose thjesht çon një jetë në dukje të rëndomtë. Për vite me radhë, tek shpreson të kthehet në dashurinë e hershme, ai ruan depo armësh e municionesh, salla librash, veten, kujtesën dhe disa të panjohur, i rrethuar nga eprorë e bashkëkohës që ndonjëherë sikur mishërojnë vetë fatin, në një hapësirë e kohë ku njeriu ka arritur të mos kushtojë më tepër se një plumb.
Ligjërimi i romanit rrjedh mbi tehun që bashkon e ndan metaforën nga e përditshmja dhe vendos një baraspeshë të çuditshme midis ngjarjeve, qënieve dhe sendeve të ngjashme e të kundërta, duke u dhënë mjaf fjalëve kuptime të pahasura më parë. Gjërat rrjedhin herë si në ëndër, herë si në zhgjëndërr, herë si në vegim, herë si në të gjitha bashkë, brenda e jashtë një bote tashmë të globalizuar. Kaosi i mendimeve, i shprehjeve dhe i ngjarjeve hyn në qënien e protagonistit dhe i nënshtrohet fjalës-kyçe “anasjelltas”, që sundon natyrshëm nëntekstin e librit.
Brenda 24 vjetëve gjatë të cilëve shkruhet romani, kufijtë hapen; kazerma, ose mërgimi zgjerohen; poashtu edhe vendlindja, - në kahe e kohë të ndryshme, - ndërsa Incógnito jeton disa jetë, i bindur se vërtet “mund ta nxjerrësh njeriun nga mërgimi, por s’mund ta nxjerrësh më mërgimin nga njeriu”. Roja është shndërruar tashmë në diçka krejt tjetër; Incógnito nuk pranon të tjetërsohet edhe ngaqë di me përafërsi se sa të gjatë e ka jetën trupi i tij – dhe ndjen me saktësi se sa të gjatë mund ta ketë jetën shpirti i tij. Ai nuk del nga “hija”, duke vendosur që më mirë të mbetet “një askush i zgjedhur, se sa një dikush me një jetë të vetme”.
HaemusPress,
2016
F r a g m e n t
Më kot ngrihen gracka para vështrimit të zogjve.
Se ata ngrenë kurthe kundër gjakut të tyre,
dhe shpirtit të tyre i ngrehin leqe.
Fjalët e urta
të Solomonit, 1. 17, 18
Sipas disa fjalorëve të
besueshëm, incógnito rrjedh nga incógnitus i latinishtes, alias dikush i njohur (i famshëm, i shquar), që
udhëton nën emër tjetër, pa dashur të bjerë në sy. Ka edhe kuptimin person që dëshiron të mbetet i panjohur ndaj
botës dhe të tjerëve, duke u fshehur, ose duke dalë nga dijenia e njerëzve.
Autori
Në këtë orë uleshim me Irisin para
dritareve pa perde dhe prisnim vdekjen. Tani prisja tjetër vdekje. Isha roje dhe
prej kohësh jeta ime nuk kushtonte më tepër se një plumb. Tyta e revolverit m’u
ngjit në zverk dhe e ndjeva veten me dy sy e gjysmë. Syri i tretë do të më
hapej sa hap e mbyll sytë, pastaj asnjëri nuk do të hapej më në këtë botë. Shpesh
mjaftonte të mbyllja njërin sy dhe shihja dy botë. Ndoshta jo ato më të
pranueshmet, por dy. As mbyllja e syve, as hapja e syrit të tretë, nuk dhimbte.
Ose dhimbte më pak se litari, sëpata, thika, të cilave u mungonte zjarri. Por
edhe shpirtit i qe mpakur zjarri. Ndoshta edhe zjarrit i qe mpakur shpirti.
Sapo qe gdhirë: vjeshtë e dytë, gjethe që përkujtonin floririn dhe dehjen e
kokës që mbështetet mbi gjirin, apo prehërin e së dashurës. Gjërat nuk
shquheshin qartë, ishin në lindje a vdekje e sipër, ndonëse në brendësi të
tyre, atje ku vështrimi nuk mbërrin, por zemra nuhat, vajtonin si ajo foshnja
që ndjen se do të vdesë pa çuar në fund gati asnjë rrokje, asnjë ëndërr, dhe
përdor lotin ose kujën në vend të fjalëve. |
