Showing posts with label Ese. Show all posts
Showing posts with label Ese. Show all posts

Kopiright... [Në 75 vjetorin e lindjes së tim eti]

Poradec, 3 tetor 1971. Foto: Misto Cici
Më 30 qershor, çdo vit, im atë, Kopi Kyçyku, ka ditëlindjen. Jam një ndër vdekatarët që nuk mundin ta besojnë këtë fakt, për shumë arsye. Një nga kujtimet e mia më të hershme pamore është me tim atë shtrirë në shtratin e spitalit në Pogradec, me krahun në allçi, pasi pat shpëtuar gjallë për fije nga rënia në një hon miniere, ku pat hyrë të ndihmonte një jetë të rrezikuar. Radha e atyre që vinin t’i uronin shërim të shpejtë ishte e gjatë. Im atë i falenderonte dhe bënte shaka.
Qysh nga ai çast e pashë mbi njëzet herë të sapodalë nga hone llojesh të ndryshëm, ku smirëzinj, ziliqarë, verbanë e sehirxhinj vrastarë u ropatën ta mbytnin, duke harruar që ai dinte not si pakkush. E unë edhe sot besoj se ai që di not, pluskon lirshëm edhe në ujra, moçale e hone metaforikë. E shihja si hero dhe, përkundër rritjes sime, që shpesh cilësohej e parakohëshme, përkundër akullsisë çmitizuese që rrënjos me kohë në qënie dhuntia e të shkruarit, im atë nuk ra kurrë në greminën e së rëndomtës.

Mërgim i krahasuar...

„Një ngjarje në pamje të parë vetëm qesharake dhe absurde, vështirë për t’u besuar gjer edhe në dehje, ose në tepri poezie, më shtyu të shkruaj togfjalëshin "Mërgim i krahasuar". Degë e mundshme e imagologjisë dhe e semiotikës, në kushtet e sotme, ajo mund të ketë një të ardhme të veçantë, pra t'i vlejë më fort së kaluarës, se sa të tashmes. Pasi bleu njërin nga librat e mi virtualë në shqip, një e re që, - sipas të dhënave të CV-së, - nuk di veçse anglishten, mbase e formuar të besojë se në këtë rruzull ekziston vetëm një gjuhë, u mundua të ma lexonte librin dhe arriti në përfundimin se autori shkruan në një anglishte tmerrësisht të varfër dhe se libri është më i keqi i mundshëm, një ”catastrophic disaster”.

Është e vërtetë se lexuesit e këtyre dhjetëvjetshave kanë një padijë që nuk përtypet dot as edhe nga letërsia apo anekdotikja, aq sa nuk mungojnë rastet kur autori pyet veten se: Cili prej nesh është pjellë kot dhe / ose: Cili prej nesh nuk është lindur ende?! Lexuesit që ngatërrojnë të drejtën e lindur të të qënit shtetas me vuajtjen e të qënit i kulturuar, gjithmonë më sjellin ndërmend atë grup të rinjsh, - po nga një libër i shkruar në shqip dhe i lexuar në nuk di ç'gjuhë, - të cilët habiteshin: "Po ne kaçavida kemi – pse s'mund të zbërthejmë dot ca metafora?!" Tragjizmi i gjendjes besoj se bën pluhur çdo kënaqësi, gjer edhe tek autorët fillestarë. E vërteta na kumton, përtej çdo metafore, se turma të pafundme shtetasish-lexues, të bindur se ndodhen diku-dikur, nuk kuptojnë se tashmë janë gëlltitur nga një hapësirë që mund të emërtohet Syrgjyn në vitualitet".


Panait Istrati dhe rrënjët e prozës ballkanike [Fragment nga një studim i zgjeruar]

Panait Istrati / fotograf
Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku

Panait Istrati, „Kira Kiralina, shqipëroi Kopi Kyçyku
Shtëpia Botuese PA, Prishtinë 2015,
me mbështetjen e rrjetit kulturor Traduki

Fragment

Hyrje

Pa e synuar, ose pa ia dalë mbanë, - për shkak të vdekjes, të cilën e priste qysh fëmijë, por e cila duket më e parakohëshme se në raste të tjerë, - gjeniu i letrave Panait Istrati duket se u la lexuesve të zgjedhur një kryevepër të dyfishtë. Në thelb, çdo kryevepër mbështetet mbi një rrjet gojëdhanash[1] dhe / ose pamjesh me rrënjë të pakapshme në kohë, mbi durimin dhe hirin krijues të disa breznive, dhe është një kulm, ose një rrjet kulmesh. I bindur se njeriu nuk duhet ta shndërrojë veten në një kryevepër, por në një mjet lumturie (për të tjerët), sa i përket rrafshit artistik, Monsinjori Vladimir Gjika[2] shprehej se përcaktimi më i saktë i një kryevepre do të ishte: ”Nuk i ka të gjitha, por asgjë nga ato që nevojiten nuk i mungon”. Nga këndvështrimi i atij që i rrëmben kryevepra të padukshmes përmes skalitjes së gurit, Constantin Brâncuși, besonte se kryevepra është “barazpesha absolute[3].

Kryeveprës së dyfishtë të Istratit, e papërfunduar prej tij, por që vijon në vetëdijen e çdo lexuesi të përkushtuar, nuk i mungojnë as barazpesha e as ajo diçka që shpesh ua zgjat, ose ua shkurton jetën librave. Pjesë të kësaj kryevepre gjenden sidomos në ditarin e copëzuar të Istratit, botuar në vëllimin ”Si u bëra shkrimtar[4], që mund të kishte pasur edhe titullin ”Si mbeta shkrimtar”. Ditari nuk është mbajtur aq për të zbutur vetminë dhe për të zhvilluar paraprakisht një rrëfim ndaj Zotit. Ai i ngjan më fort një letre të hapur, që mund të lexohet edhe gjatë jetës së autorit, edhe pas vdekjes së tij, edhe gjatë vdekjes së tij, edhe pas jetës që fton të shkruhet nga tjetërkush. Po u paraqis këtu, - shkruan Istrati, - atyre që ndjejnë nevojën, jo aq një vepër arti, se sa një njeri. Vepra vdes. Njeriu është i përjetshëm. Veprat janë gjithmonë bindëse. Njerëzit – vetëm heraherës. Që të mund t’ia arrijë qëllimit, epoka jonë, - pra ata që nuk flasim dhe prodhojnë pa përfituar, - ndjen më fort nevojën për njerëz, se sa për vepra. Ose, më saktë: për njerëz që janë pasqyra e veprave të veta.


1.
Kur një gjení[5] shfaqet në botën e letrave, pavarësisht nga gjuha që zgjedh për t’u shprehur, së pari ndodh shndërrimi (për mendësinë e kohës) i Hierarkisë së Padukshme. Nga thellësitë ku s’shkohet dot për turizëm dhe ku kritika zyrtare sheh vetëm padrejtësi në ndarjen e dhuntive, letërsisë përkatëse i tranden muret (sepse themeli urdhëron muret, jo e kundërta). Për fat, çdo trandje e tillë është një lloj frymëmarrjeje çliruese për lexuesin mendjehapur. Veçanërisht në vendet ish-komuniste, ku ende boja nuk e ka shlyer çmimin e gjakut, që t’i shpëtojë zgjedhës së realizmit socialist, - dhe ku shtypi ende sundohet prej autorësh që ia ngushtojnë hapësirën shoshoqit, se mos kësisoj do të bëhen sadopak më të mëdhenj se vetë hapësira, - një gjení si Panait Istrati magjeps e ngazëllen, por edhe mbjell frikë, dhe kësisoj rrezikon të trajtohet si një gjení vendas, bashkëkohor, dhe të ndëshkohet me heshtje.

Gjuha e trojeve, trojet e Gjuhës

(Letërsia, gjuhët, uni i shkrimtarit. Përvoja vetjake nga e shkruara në dy gjuhë)*



Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku
Studimi online


Abstract / Synopsis



Punimi „Gjuha e trojeve, trojet e Gjuhëspërqendrohet në disa nga çështjet themelore të letërsisë, gjuhëve dhe unit të shkrimtarit, veçmas kur ky krijon edhe në një gjuhë të huaj, pa u shkëputur nga amtarja. Mbështetur në një përvojë vetjake mbi njëzetvjeçare në të shkruarën shqip e rumanisht, duke përdorur të dhëna letrare, kritike, semiotike dhe imagologjike, me një stil që gërsheton dhe ngre metaforat letrare në rangun e argumenteve shkencore, punimi ndahet në kapitujt: Zhvendosja e shkrimtarit – mes dëbimit dhe dërgimit, Një autor në dy jetë / dy jetë në një autor, Sa atdhe mund të jetë një gjuhë dhe anasjelltas, Grupi „Gjuhë të lashta – Letërsi të reja“, Bidentity, Këndi në gjeometrinë e epërme, E ardhmja – mes emrit dhe numurit.

Duke njohur mërgimin si një thelb të letrave shqipe gjithëkohore, autori shënon se „Vlera e mërgimit për letërsinë nuk ia ul vlerën vendlindjes, por as anasjelltas. Nga pikëpamja krijuese, atdheu dhe mërgimi kanë lidhje siamezësh dhe, të paktën deri në një pikë, bashkëpunojnë. Autorët e hershëm shqiptarë jetonin në mërgim dhe shkruanin në latinisht (anglishtja e asaj kohe), por edhe në gjuhë të tjera: greqisht, italisht, frëngjisht, persisht, arabisht, rusisht etj, njëlloj si sivëllezërit e tyre më të shquar që i kishin ato gjuhë amtare. Shkrimtarët shqiptarë dygjuhësh e përdornin shqipen në mungesë të lexuesit, - sepse pak vetë dinin të lexonin, - dhe prisnin lexuesin që presin sot autorët e mirëfilltë të shqipes, - sepse pak vetë dinë të zgjedhin ç’të lexojnë. Padija e dikurshme është zëvendësuar nga një padije gjithaq të kushtëzuar, por pakrahasimisht më kryelartë dhe e shurdhër ndaj zërit të arsyes e aq më pak të artit. Analfabetizmi i dikurshëm duket si bekim po ta përqasësh sadopak me terrin e sotëm shpirtëror të atyre që flasin apo lexojnë me gjuhën e tjetërkujt“.

Presspektiva*

(Disa mendime shkruar me bojë nga i njëjti det)

A.-Ch. Kyçyku: Space for books and viceversa
Të paktë janë evropianët „vendas”, – në qindvjetshin e fundit, – që kanë ndërtuar në ëndërr një Evropë më të përkryer se sa ajo e ballkanasve, sidomos gjatë periudhës më të freskët, por edhe më gjakësore të (vetë)ngujimit totalitarist. E mbrujtur me lëndë legjende, sajim i paraletërsisë dhe i dëshpërimit, si në vend të një lutjeje të gjatë, por edhe një përgjigje me këste ndaj asaj lutjeje, ajo Evropë mblidhte e mishëronte në vetvete pothuajse gjithçka që mungonte në Lindje. Ajo përkryhej dhe gati merrte trajtë të prekshme sa më egër përbaltej apo mallkohej nga shtypi dhe letërsia e soc-realizmit. Evropa e ëndërrimtarëve, gjysma-arrati e gjysma-mërgim brenda vetes, nisi të shembet e të davaritet fill pasi ra de jure Perdja e Hekurt. Ndonjëherë zgjerimi i lirisë vret ëndrra; dhembja e tyre është e shumëfishtë sidomos kur ëndrrat i ka krijuar etja për pó atë liri. E meqë Perdja për disa ishte vërtet e hekurt dhe për disa të tjerë – e mëndafshtë, pesha e rrënojave që pasuan, si dhe tymrat e tyre, nuk e qartësuan atë që rëndom e quajmë të ardhme (qoftë e afërt, e mesme, apo e largët). Tek binim nga totalitarizmi në eufemizëm, shumë prej nesh kuptuan, por pak pranuan se Evropa ëndërrore (lexo edhe: shpëtimtare) pat qënë pjesë e letërsisë mendore, shpesh të pashkruar, ndërsa tani është kthyer në një nga ata vetëmashtrime, me të cilët i jepnim zemër vetes kur gjithçka punonte kundër ëndrrave tona. Tani rrezikon të shpërbëhet edhe Evropa Tjetër, ajo që, me sadopak shenja e mjete, na pat joshur ta ëndërronim ndryshe. 

Shqip-ëri nga Shqip-ja


Më ka ndodhur të shkruaj se Mërgimi nuk është sëmundje, por as për t’u shëruar nuk shërohet ndonjëherë. Shkrimtari që detyrohet të jetojë larg vendlindjes, shpesh pa u kthyer më, ka mundësinë dhe fatin e veçantë që të pastrohet në kujtesë, duke përsosur vetveten, librat e vet dhe madje edhe Kujtesën e përbashkët. Ai e sheh historinë përmes Metaforës, e cila, në kohët e tanishme, mbetet një nga shprehitë e mbrame të idealizmit. Vitet, kufijtë, hollësitë e historisë, kulmet, moçalet dhe honet e saj, kanë kësisoj tjetër thelb dhe tjetër rol.
Shpallja e Pavarësisë emërtoi jo vetëm një truall, por edhe një shpirtërim. Kur të duhet të mërgosh nga ai truall, merr lejë e fuqi të thellohesh e më pas të jetosh në shpirtërimin përkatës, ose në Atdheun e Përhershëm. Këtu 100 vjet nuk janë shumë. Por gjykuar nga vuajtjet, ëndrrat, ngadhnjimet e heshtura, mallkimet e bekimet e aq breznive, sidomos të Mërgatës, por edhe të shqiptarëve që kaluan gati gjysmën e këtij qindvjetori në një burgim të shumëfishtë, 100 vjet nuk janë pak.
Jo rrallë, në vetminë e letrave, Atdheu i Përhershëm mund të jetë më i madh se vetë bota, ose mund të jetë krejt bota e dikujt. Kur kujtoj ndihmesën e jashtëzakonshme që Kolonia Shqiptare e Bukureshtit dha në themelimin e shtetit, por edhe të letërsisë shqiptare moderne, më duket se Shqipëria është shfaqur si një rrjetë ëndërrash jashtë kufijve, pastaj ka nisur të ngjizet si realitet brenda tyre. Këto ëndrra ishin e janë dhembje nga ato që nuk i rrëfen dot as letërsia, aq më pak historia, nuk janë qenër që lehin rreth një çifligu. Po të flasim me gjuhën e Metaforës, çdo truall duhet të ndjekë gjuhën, jo anasjelltas, qoftë edhe vetëm ngaqë hapësira e një gjuhe përfshin vetiu edhe botën tjetër, atë që prehet nën troje e gjuhë.
Padyshim, një shkrimtar që jeton në gjuhë e jo brenda trojeve zyrtare bën edhe pa vëmendjen, ose me heshtjen e pashëndetshme të një shoqërie të caktuar. Ndodh që shpërfillja e qëllimtë, ose lufta për ta mbajtur ngujuar në harrim, ta ndihmojnë dhe t’ia përkryejnë veprën. Por ndonjëherë, gjer edhe për t’u kujtuar të gjithëve se çdo shkrimtar, jashtë a brenda trojeve, - banor, roje, bir e zëdhënës i shqipes së përhershme, - është vdekatar si secili prej nesh, vlerësimi ndaj mërgatës së tij i bën gjërat, ngjarjet dhe njerëzit më të njerëzishëm. 
2012

Nga qyteti prej letre

Foto: Afroviti Gusho

Lajmi se vëllimi “Perla” sapo ishte botuar në vendlindjen time, në Pogradec, më gjeti buzë Detit të Zi, që ka të zi, si për çmësyshje, vetëm emrin. Një lajm i tillë nuk mund të më gjente larg ujrave, të ëmbla, a të kripura qofshin. Ishte 15 qershor, një ditë e thellë për mua. Në një ditë të tillë, me numurin që sjell ndërmend hënën pesëmbëdhjetëshe, por edhe të përmallshmin pesmediç, në vitin 1889 ndërronte jetë në Bukuresht mishërimi i epërm i poetikës rumune dhe evropiane, Mihail Eminesku, por sidomos ndërronte jetë në Tiranë, plot 100 vjet më vonë, im gjysh, Llazi Kyçyku, mishërim i panjohur i të vuajturit, i të duruarit dhe i të rrëfyerit shqip. Një pjesë e shkrimeve që botohen në “Perla” janë hedhur në letër në Bukuresht, teksa shumicën e fijeve të rrëfimit i ndjej vazhdimisht të trashëguara prej tim gjyshi, i cili, siç më ka ardhur të shprehem diku, “nuk tregonte, por ndodhte”. Dhuntia e të rrëfyerit ishte aq e natyrshme tek im gjysh, saqë ngjarjet e tij më faniteshin ashtu siç thuhet se i faniten njeriut pak para se të ndërrojë jetë, mbështjellë me atë vello humori që u jep qënieve dhe sendeve një vlerë shumë afër thelbit. Prej tij mësova, veç të tjerash, atë që do ta gjeja të shkruar më vonë nga Shën Maksim Dëshmitari: “Përdorimi i gabuar i gjuhës çon në përdorimin e gabuar të gjërave”. Edhe e anasjellta mbetet gjithaq e vërtetë, dhe me “gjëra” mund të nënkuptojmë “njerëz”, “jetë”, “art” etj.
Më 15 qershor 2012, pra, u gjenda i rikthyer në Poradec, tashmë në trajtë letre, pas 43 vjetësh, me një vëllim që titullohet “Perla” jo për të magjepsur a trandur lexuesin, por thjesht si metaforë e njërës prej prozave ku perlë është Dashuria, dhe mort krejt pjesa tjetër e ngjarjeve, guacka, e cila, megjithë mungesën e jetës, ka një rol shpesh vendimtar në jetën e perlës. Parë nga brendësia e asaj perle, unë nuk jam larguar asnjëherë nga Poradeci dhe asnjëri nga paraardhësit, sidomos gjyshërit, nuk kanë vdekur e nuk mungojnë atje ku duhet të jenë. Gjatë çmalljes së vitit të kaluar, bie fjala, mbërrita në të ngrysur në varreza, ua kërkova varret dhe nuk ua gjeta, mbeta me lule e qirinj në duar, krejt sikur të isha personazh i ndonjë libri që synon të bindë lexuesin se disa qënie vërtet nuk ikin nga kjo botë. Përndryshe, në secilin prej librave të mi, në shqip e rumanisht, varret e tyre gjenden me lehtësi, por nuk ke pse i kërkon, ngaqë ata janë gjallë, më të gjallë se në realitet.
Poradeci i përhershëm (emërtuar Enkelana) mori në librat e mi përmasa të çuditshme dhe u zgjerua fillimisht në Bukureshtin e Emineskut, të Lasgushit, të Mitrushit dhe sidomos në Bukureshtin e tim eti, që, teksa unë mësoja rumanishten, pat kryer disa shqipërime të jashtëzakonshme nga Eminesku, duke ngjizur për mua një gjuhë të ndërmjetme, shqip-e-rumanisht, që mbase kish për kapërcyell iliro-trakishten e lashtë. Pa synuar që të bëj nga Poradeci një qendër të rruzullit e asisoj të tërheq vëmendjen e lexuesit ndaj shkrimeve të mia, por thjesht për të nxjerrë mallin (dhe / ose hidhërimin e mungesës trupore), në më pak se 15 vjet u gjenda i rrethuar nga një rruzull - Poradec dygjuhësh - dhe s’kish si të ndodhte ndryshe kur pikërisht në atë Poradec, në moshën rreth 4-vjeçare, mbi një tapitá (“qilim” muri) të familjes Misto e Afroviti Cici (njëra nga tetot e tim eti), pata shkruar së pari në shqip, me gishtin tregues. Pak para se të shkruaja, më 15 mars 1972 (ditëlindja e gjyshit tim rrëfimtar!), aq i dhembshuri dhe i shtrenjti Misto Cici, më ka bërë fotografinë që tani gjendet në ballinën e pasme të “Perla”-ve. Më vonë, mbi njërin prej syve ngjita syrin tim të “huazuar” prej një fotografie të bërë në Bukuresht në vitin 1997, mbase si dëshmi se ato që pata parë gjatë asaj periudhe nuk do të ndryshonin më, të paktën në librat e mi. Dhe pó në Poradec, në dimrin e shenjtëruar të 1985-ës, shkrova prozën time të parë, frymëzuar nga jeta e Lasgush Poradecit. Lasgushi, djali i Kostandina Kyçykut dhe daja i gjyshes sime nga ana e nënës, Marianthi Kocit, jetoi disa vjet në Bukuresht. Mitrush Kuteli, kushëri i parë me pó atë gjyshe timen, jetoi edhe ai në Bukuresht, ku, siç e dëshmon hapur, dhembjet e mallit e shtynë të rikrijojë në letër hapësirën e bekuar, (ose “cepin e Ilirisë së Poshtme”, siç e quan Shekspiri), për të cilën gjeologu frëng Ami Boué, tek dilte në Qafë Thanë, pat thënë: “Ah, këtu Perëndia paska punuar me hatër!” (Shih librin e tij “Esquisse géologique de la Turquie d’Europe”, botuar në Paris, më 1821). Edhe Lasgushi, edhe Mitrushi ishin adhurues të kulluar të Emineskut, shqipëruan nga vepra e tij dhe nuk u stepën para hamendjes se në rrembat e Emineskut rridhte gjak shqiptari, ose edhe gjak shqiptari, për më tepër që Eminesku, sipas kujtimeve të Titu Majoreskut, pat thënë se “Shqipja është gjuha më shprehëse e universit”.
Në fillim të viteve ’90 të shekullit që shkoi, 15 vjet pasi pata mërguar nga Pogradeci në Tiranë, m’u desh të mërgoja nga Tirana në Bukuresht. Dhembja qe e tmerrshme, por isha sadopak i regjur nga mërgimi i parë, dhe zgjodha si vetiu mënyrën e hershme të mbijetesës: mbajtjen gjallë në Kujtesë të Poradecit (qytetit ku vdiset më bukur - kështu më erdhi ta quaja në një roman shkruar pjesërisht në Poradec gjatë verës së vitit 1992). Pastaj nisa ta “mërgoja” në letër. Ndonëse qysh atëhere arritjet dhe bash mrekullitë u lidhën si perlat në një gjerdan, unë nuk dola nga poradecari i dikurshëm. U ktheva rrallë në qytetin zyrtar, duke u kujdesur të mbetem sa më në hije, - se jo për gjithkënd hija është e ftohtë dhe verbane, - dhe vazhdova ta përsosja me aq sa mundja qytetin prej e letër. E si në çdo akt letrar të kryer me gjithë shpirt, - ndonëse plot anonimë, nga smira a nga padija, më pyesnin “pe nga je ti, mo?” dhe unë ua ktheja “pe atysh”, jo “pe këtush”, siç thuhet në të folmen poradecare, se Poradeci im nuk është “këtu”, por “aty”, pra tjetërkund, - nuk cënova as kohën, as hapësirën e ndokujt, a thua se isha lindur dhe gjalloja vetëm në qytetin prej letre.
Nuk kam ndërmend të dal që ATY!
Pas një numuri të caktuar librash, di se mjaft autorë nuk përjetojnë dot më gëzimin e parmë. Në kohën e sotme, kur nuk heqin dorë së botuari as ata që janë shterur qëmoti e as ata që s’kanë gjë për të thënë, librat u ngjajnë gjithnjë e më shumë ca konservave, të cilave u ka kaluar kaherë afati dhe që mund të përdoren vetëm atëhere kur, veç tyre, ushqim i vetëm mbetet helmi. Ngarendja çarmatosëse e teknologjisë, por sidomos mendësia ekonomike, që, për hir të fitimeve, u jep mundësi shkrimi e botimi gati të gjithëve, ka dyndur trutë e njerëzve me një sëmundje që mund të emërtohet “homo competentum”. Vesi i larmisë me çdo kusht e ka mbushur sheshin e ideve me klishé batërdisëse, duke sajuar një kulturë vërtet shumëngjyrëshe, ku, me një lexim të vëmendshëm, përtej shumicës së debateve, ditirambeve, shkumëzimeve të paranojës etj, zbulon lehtë smirëzinjtë, smirëgrinjtë, smirëbardhët, smirëkuqtë, smirëverdhët, smirëgjelbrit, smirëkaltrit e ashtu me radhë.
Është mirë që letërsia këqyret sot si mjet i fuqishëm mbijetese shpirtërore, por ajo nuk mund të jetë kurrsesi një mjet shpëtimtar për shpirtin e as çek, apo card, që të siguron pavdekësinë. Në kushte të tilla, gjesti i shtëpisë botuese DIJA - Poradeci më ka prekur thellë, se vështirësitë dhe andrrallat e një botuesi të përkushtuar i njoh nga përvoja në Librarium Haemus. Për shkak të një paradoksi që mprihet pas çdo arritjeje në fushën e botimeve, vazhdimisht ke përshtypjen se amullinë e sotme zor ta mposhtë ndonjë botues, mirpo Afroviti Gusho (nga Gushot e Poradecit), poete dhe themeluese e revistës «Nositi», tok me Ilirin, bashkëshortin, e bëjnë pa fjalë të tepërta, pa bujë, me flijime që nuk lypin lëvdata e dekorata, duke ndihmuar që një poradecar me banim në Poradecin prej letre të sjellë një copëzë nga ai Poradec edhe në qytetin e tanishëm. Se kaq i bukur, i bekuar dhe i vogël është Poradeci ynë, brenda e jashtë letrave, në këtë e në atë rruzull, saqë ka gjithmonë vend e kohë edhe për një si unë, por sidomos për nderimin ndaj aq njerëzish të hijshëm e të fisëm, që ishin e nuk janë më veçse në zemrat dhe në librat tanë.
Dhe gjërat janë ngjizur në mënyrë të atillë që shpesh libri më i dobët rron pak më gjatë edhe se njeriu më i fortë.
Poradeci prej letre,
qershor 2012


Gjysma e tretë e vështrimit


Disa mendime pas leximit të librit
As ti e as unë nuk e shohim Zotin” – dialog në internet me një vajzë të verbër.
Novruz Xh. Shehu - Blerina Shalari

Loja "Kok-a-sy" (Copyright A.-Ch. Kyçyku)
Letërsia është shumë më e lidhur nga sa duket me verbërinë, jo vetëm ngaqë Homeri gërshetoi e përktheu bëma e ndjenja të kësaj bote në ca metafora, ndaj të cilave lexuesit me sy (dhe dëgjuesit) ishin gati shurdhmemecë. Këqyrur thjesht, letërsia mbetet ende një akt arratie dhe strehimi të përkohshëm në të Padukshme, një sitje e qënieve, sendeve, ndjesive etj, pastaj „përkthim” i tyre në fjalë që mund t’i ringjizin të mësipërmet në vetëdijen e të tjerëve dhe t’i sjellin në këtë botë si nga e para, ose si për herë të parë. Mbase çmeritja që diçka e tillë qënkej e mundur, i veshi Homerit hijen magjepsëse e plot fshehtësi të të verbërit. Qysh nga kryeveprat e lashta letrare, ku enden plot qënie me sy e pa shikim, pa sy e me shikim të pashpjegueshëm, dhe ku ata pa sy janë më të mençur, më tejpamës e më të pushtetshëm shpirtërisht se sa të tjerët, u rrënjos bindja se të verbërit shohin atje ku ne të tjerët nuk arrijmë dot. Në një farë mënyre, secilës palë i mungon një pjesë shikimi, aq sa duket sikur të verbërit vijnë nga vdekja në jetë, kurse ne: nga jeta në vdekje.

Gjithmonë të verbërit më janë dukur më të sigurtë, më të regjur me hapësirat e vdekjes. Ashtu siç mund të ndodhë që ne t’i mbajmë për krahu në këtë botë, ata duken të aftë që të na prijnë mes skërkave, honeve e fushave të vdekjes. Mirpo me kalimin e kohës nëpër lexime e sidomos shkrime, kupton jo pa një farë zhgënjimi se, sikurse në letërsi, - ku nuk mjafton të vuash për të shkruar kryevepra, nuk mjafton të mërgosh a të kthehesh për të qenë shkrimtar, nuk mjafton të ndjesh thellë për t’i kënduar pavdekësisht dashurisë etj, - as në lëmin e pafundëm të vështrimit, nuk mjafton të mos e shohësh këtë botë, që të mund të shohësh më qartë botën tjetër, atë që, falë fshehtësisë, duket jo vetëm më jetëgjatë, por edhe pakrahasimisht më e përsosur se kjo e dukshmja.

Kanë kalur mbi dy mijë vjet që kur Shën Pali tha, mes të tjerash, se „Trajta e jashtme e kësaj bote tashmë po kalon”. Nuk kam ndjerë ndonjë hidhërim apo mllef të shënjtorit ndaj trajtës së jashtme të kësaj bote në ato fjalë, - se nuk duhen ngatërruar bëmat e çartura të krijesës me thelbin e kryeveprës së Krijuesit, - por vetëm kumtin se, qysh nga ai çast, qëniet që dinë të bëhen të zgjedhura, do të nisin të jetojnë kryesisht në zemrat e tyre. Sepse vetëm zemra, me butësinë dhe lirinë e saj të lindur, prej muzike, mund „t’ia çjerrë maskën” çdo kopjeje apo gjasmimi që ngulmon të duket origjinal, çdo sazeje që krenohet si me qenë vetë muzika, çdo fjalie që përdhosjen e dritës ngutet ta paraqitë si bekim e melhem shpirtëror. Pra, ne, duke vështruar në thellesi të zemrës sonë me përmendjen e pandërprerë të Zotit, - shton më vonë Diadohu nga Fotiçea, - të jetojmë në këtë jetë mashtruese si ca njerëz pa shikim. Se është në thelbin e mençurisë shpirtërore që ta ruajë prore pa krahë mallin e shikimeve. Drejt kësaj na prin edhe aq i sprovuari Jov kur thotë: 'Zemra ime nuk shkoi pas syve të mi'”.

Ë-ja, gërma e lotit dhe e Zotit

Në vend që të pakësojë tërthotazi të qarën dhe pafatninë, përdorimi i çartur i gërmës ë, ngjitja atje ku nuk duhet dhe prerja atje ku është e domosdoshme, nxjerrin në pah ato zbrazëti të frikshme që përzjejnë njëjësin me shumësin, foljen me ndajfoljen, emrin me përemrin, derrin me dajën, sapunin me djathin, qenin me besnikërinë, paranojën me metanojën, poezinë me bërsinë, prozën me blozën etj. Shpresoj të mos e kapim ditën e errët kur mileti do qajë me e, a, o, y.


A.-Ch. Kyçyku, Shqip

Pengje, plehëra, lule

Julia-Maria Kyçyku, Venezia 2010 (C)


"Se edhe lexuesi është njeri. Të krijohet përshtypja sikur mendjet e ndritura, në një flatrim e vetëdjegie gati misionare, për ta zgjeruar ndriçimin e tyre të epërm, detyrohen të shpëlajnë tru. Por, në fakt, vetëm mendjet e ngushta, ose shpirtrat e rëndomtë, zgjedhin këtë mënyrë për të zgjeruar pushtetin e tyre (politik dhe / ose ekonomik, ose edhe-edhe), bujën, famën, që të mos hyjnë në "sevrage" mediatik, duke përdorur letërsinë si mjet. Lëvizja kopjon të hidhurën Stockholm Syndrome* dhe mund të përkthehet thjesht: i mbushet koka lexuesit me plehëra, me bërsi, me mbeturina, - që mund të shkëlqejnë nga shiu, ashtu siç mund të shkëlqejnë edhe nga urina etj, - dhe ia mbush aq shpesh dhe pa ndërprerje, me një dhunë që fshihet nën përkushtim ndaj artit dhe vetmohimin e shtirur të një heroi, saqë ai një ditë betohet se e ka kokën plot me lule. Nga ai çast, si mund të mos jenë lulet e vërteta plehëra, si të mos jenë plehërat e vërtata lule?! Se edhe lexuesi njeri është: duron shumë, por e çon gjakun dhe bojën gjer në gju kur ndokush guxon t'ia shkulë lulet e t'ia zëvendësojë me plehëra, apo aq më fort kur e Vërteta shtron hije dyshimi mbi synimet e kopshtarit". 

A.-Ch. Kyçyku, Comunicare in-humanum est, ligjërata universitare, rumanisht, 2011


* In psychology, Stockholm Syndrome is a term used to describe a real paradoxical psychological phenomenon wherein hostages express empathy and have positive feelings towards their captors, sometimes to the point of defending them.

Një gramatikë e Mërgimit – në dy gjuhë „të huaja”


[Lënda letrare si dëshmi shkencore. Thonjëzat e lëndës letrare i vendos historia; thonjëzat e lëndës historike – arti i të shkruarit. Përmes stilit, nga arti, drejt së vërtetës historike e shpirtërore. Mërgimi nuk është sëmundje, por as nuk shërohet ndonjëherë. Pragjet e një Kinemaje. Muri mbart njollën (e gjakut, e bojës?) apo njolla murin? Kthime, ose „Udhët e pagjetshme të Dhurimeve”. „Disa nuk ngjallen më, të tjerë nuk vdesin më”. Vëlla e motër të një huajsimi. Një libër i lexuar pjesërisht, por vetëm i imi.]


Pragjet e një Kinemaje

Nëse ndodh të jesh i mërguar, do të vijë mbi ty një çast i ngrirjes së gjuhës dhe një ndjesi therëse e asgjësë[1]. Do të kesh përshtypjen se gjithçka që mund të thuhet për mërgimin, tashmë është thënë, shkruar, filmuar, pikturuar, luajtur në skenë, vazhdimisht nga të tjerët, por gjithnjë mbi lëkurën tënde. Në fakt, nuk ke ndonjë shkak bindës të thuash a të shtosh diçka, por ca më pak të heshtësh. Besoj se kësisoj mbyllet mërgimi i individit dhe ze fill ai i emrit. E kupton se, në të vërtetë, me ikë, do të thotë me vdekë nga pak, ndërsa të kthehesh (tani), do të thotë me vdekë pak më shumë. Dikur kam arritur në përfundimin se ”Mërgimi nuk është sëmundje, por as për t’u shëruar nuk shërohet ndonjëherë”, madje as pas vdekjes, dhe kjo sepse nga mërgimi[2] kanë dalë disa libra, disa dëshmi, disa kujtime të posaçme, ndërkohë që, në vetvete, për ty, mërgimi paskësh qënë, qysh nga çasti i parë, ajo urë, madje vetë mënyra e të ecurit, që lidh botën e dikundshme me botën e përtejme, por edhe anasjelltas. E këqyrur prej një këndi jo fort të lakmuar nga metaforat, sëmundja në fjalë do të regëtinte midis më të fismes ndër skizofreni dhe autizmit më pjellor. Por, njëherazi, mërgimi mbetet një ngjarje shpesh më vetjake edhe se vdekja (nuk kam parasysh vetëm vdekjet e përbashkëta), por sidomos një ngjallje për së gjalli.

Hyperioni, rrethi i ngushtë i fatit dhe vdekatarët


“… gjeniu nuk njeh vdekje… dhe, nga ana tjetër, këtu, në tokë, ai as është i aftë të bëjë fatlum dikë, as është i aftë të bëjë fatlum vetveten. Ai nuk ka vdekje, por as fat nuk ka.”
Mihai Eminescu

Legjenda, çmendja, vepra

Përsëritja e disa ngjarjeve dhe hollësive në jetën e poetëve të shquar ka rrënjosur tashmë në mendësinë njerëzore bindjen se Poeti, në mos është vërtet, duhet parë njëfarësoj si i marrë, ose të paktën si i krisur. Në disa popuj madje, - jo pa njëfarë smire apo etjeje për të marrë në mbrojtje një si-fëmijë, - me epitetin Poet nderohen njerëzit që nuk para e kanë të zhvilluar shqisën e përmasave dhe ligjeve të realitetit. Ndoshta poezia dhe marrëzia mbajnë gjallë mesveti një lidhje të lashtë, të shpjegueshme vetëm me ndihmën e ezoterizmit dhe të shkencave ‘të pasakta’ që mbështeten kryesisht në hamendje (të cilat mbartin në vetvete një dozë të mjaftueshme poezie). Sidoqoftë, thënë shkurt: engjëlli i poezisë, - siç iu vegohej romantikëve gjermanë, - nuk le vend që i pushtuari të ketë një sjellje të kuptueshme e të pranueshme nga bashkëkohësit. Është e tepërt të shtohet se ndër të pushtuarit nuk bëjnë pjesë grafomanët dhe njerëzit që mezi presin të pushtohen; këta enden e mbeten jashtë mureve të poezisë, edhe sikur të dalin mendsh vërtet, tek harxhojnë vite e durim duke u hequr si të marrë vetëm për të joshur muzat.
Fundi i këtij mijëvjetëshi përkoi me 150 vjetorin e lindjes së Mihai Emineskut, të njohur si mishërimi i genit rumun, kulm ende i pakalueshëm i ligjërimit poetik të rumanishtes. Përveç faktit që fitoi njëzëri cilësinë “rumuni i mijëvjeçarit”, duke u ngritur mbi figurën e Stefanit të Madh dhe të atit të skulpturës botërore moderne, Constantin Brâncuş-it, Eminesku shijoi befasinë të gjendej mes dy zjarresh aspak të shëndetshëm: njërit që ngulmon ta hyjnizojë, duke i shfarosur përmasën e tij tokësore, - e cila e rreshton mes atyre që vërtet kanë qenë gjallë, - dhe tjetrit që synon t’i asgjësojë përmasën hyjnore, ta fanitë thjesht si një poet pak më të pazakontë se të tjerët, por padyshim me vepër shumë më fatlume. Hendeku i hapur qysh në gjallje të tij midis admiruesve dhe përbaltësve vazhdon të thellohet, dhe rëndom shfaqen edhe raste të paemërtueshëm, njëfarë ndërmjetësish që pranojnë se ishte poet gjenial, por humbi shumë ngaqë luajti mendsh, ishte poet i zakonshëm, por çmenduria e veshi me një legjendë që po i zgjat përjetësinë etj. E vërteta është se Eminesku mbetet kulmi (deri tani) më i epërm i genit rumun dhe përfaqësuesi i pashoq i romantizmit evropian, ndonëse ishte një ndër të fundmit e romantikëve. Vepra e tij poetike, - pa përmendur atë në prozë dhe publicistikë, - vazhdon të gëlltitë bojë e kuintalë letre, duke rritur enigmën e vet sidomos në kapërcyejt mes breznive të lexuesve, mes moshave, mes epokave.

Të dhëna të reja mbi artin dhe lirimin e Aleksandër Moisiut nga burgu



Nga Dr. Ardian Kyçyku


Zëra të pavarur

Në mesin e viteve '80 të shekullit të shkuar, në Tiranë ishin të paktë ata që kishin pasur fatin të dëgjonin një zë krejt të pavarur, një zë aktori shqiptar që të mos u thurrte lavde arritjeve të pushtetit popullor. Ka qenë një trandje e vërtetë ajo e shtunë kur Televizioni Shqiptar përcolli më pak se një minutë nga poezia Novermber-Wind[1], recituar në gjermanisht nga Aleksandër Moisiu. Mund të thuhet se nuk ishte thjesht një zë, një tingull bote krejt të panjohur, të ndaluar e gjithaq marramendëse, por një frëngji e hapur tinëz në murin që na mbante dhunshëm të ndarë nga e tashmja e natyrshme e viseve të tjera shqiptare, e pjesës tjetër të kontinentit, nga ishujt e lirë të së shkuarës sonë dhe, kuptohet, nga e ardhmja. 
Zëri i Moisiut rrënqethi. 
Deri në atë çast dihej vetëm se ishte aktor i shquar shqiptar, se pat shajnitur skenat e teatrove të Austrisë, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Rusisë, Amerikës, Hungarisë, Çekosllovakisë..., se u pat dhënë frymë e peshë në paharrim një numuri befasues personazhesh dhe se kish vdekur nga një ftohmë në një moshë kur shumica e artistëve të mirëfilltë sapo nisin t'u ngjiten shkallëve të lavdisë. Të çoroditur nga trumbetimi i rëndomtë komunist, - që lavdonte me të njëjtat fraza heronjtë e punës, të luftës, të socializmit, traktoristët dhe artistët, - pak vetë dinin se dhuntitë e sidomos zëri me jehona të shumëfishta metafizike i Moisiut kishin bërë që lavdia e tij të mos mbështetej thjesht në të qënin një artist i huaj, por të dëshmonte se edhe bota shqiptare, aq e panjohur apo aq mbrapsht e paragjykuar, ish në gjendje të lindte viganë të skenës. Talenti i Moisiut kish arritur madje të nxirrte jashtë vëmendjes së kritikës teatrore evropiane gjermanishten e tij njëfarësoj të çalë dhe ta shtynte mbartësin e atëhershëm të Unazës së Iflandit[2], aktorin e shquar gjerman Albert Basserman, që ta vendoste dëshminë rrethore prej metali të çmuar e perlash në arkivolin e shqiptarit nga Kavaja. Pak vetë dinin se gjenia e Moisiut, si në shumicën e rasteve, qe shfaqur qysh në fëmini, gjatë një pikniku në rrethinat e Kavajës, kur vogëlushit Aleksandër i qe tekur të shtirej si i vdekur, duke i lebetitur të afërmit.

Çfarë vëren Franz Kafka
gjatë një mbrëmjeje dimërore të 1912-ës
në Teatrin e Pragës
  
Mjaft emra të ndritur të kulturës botërore janë magjepsur nga arti i Moisiut dhe nuk kanë ngurruar t'i kushtojnë fraza e paragrafe që do të kishin përkëdhelur sedrën e çdokujt. Kritikët Emil Bab, Anatoli Lunaçarski e Arthur Cahane; nobelistët Luigi Pirandello, Thomas Mann, Gerhardt Hauptmann, Martinius Bjørnsterne Bjørnson; dramaturgët Henrik Ibsen dhe Hugo von Hofmannsthal; prozatorët Stefan Zweig e Ferenz Mólnar; regjisorët Stanislavski e Reinhardt, - të gjithë me famë tashmë të sprovuar, - janë vetëm një pjesë e shpirtrave të zgjedhur që përjetuan drejtpërdrejt "gjëmimin e rrufesë" të zërit të tij, "mprehtësinë prej maje thike" të atij zëri, "drithërimën e një kënge të përzishme" apo "freskinë e zgjimit pranveror" në tragjeditë e Eskilit, Sofokliut, Shakespeare-it, Tolstoit etj dhe që nuk u zhgënjyen nga loja skenike e idhullit të tyre as kur fanitja e filmit pa zë cënoi rëndë mjaft legjenda të gjalla të teatrit. Është e natyrshme që askush të mos habitej sot po të gjente edhe dëshmi të tjera, ese, përshtypje, lavdërime kushtuar artit të Moisiut në secilën nga gazetat e bujshme a më pak të njohura të Evropës në gjysmën e parë të shekullit që shkoi, por edhe më vonë. Periudha në fjalë i ngjan një shpërthimi shumëngjyrësh e mahnitës talentesh në të gjitha fushat e kulturës. Nuk e teprojmë po të themi se tragjeditë që do të dyndeshin mbi Kontinentin Plak ishin shfaqur më parë në qëniet e zgjedhura të kohës në trajtë arritjesh artistike.
Përveç syve të famshëm, që u përmendën më lart, Moisiun do të na e sjellin të gjallë edhe sytë e mprehtë e shpesh çmitizues të Franz Kafkës[3], një nga ata shkrimtarë që, siç thuhet, i kanë pararendësit në të ardhme, dhe që e njohu lavdinë vetëm pas vdekjes.
I gjeta rreshtat e mëposhtëm krejt rastësisht, në një vëllim të titulluar "Letërsia e dëshmive", botuar në kolanën aq të pasur "Biblioteka për të gjithë" të Shtëpisë Botuese "Minerva" të kryeqytetit rumun, ku janë përfshirë edhe copëza nga ditari tanimë i njohur i Franz Kafkës. Botimi, - në gjuhën rumune, - është kryer në Bukuresht gjatë vitit 1972. Kafka nuk e përmend prejardhjen e Moisiut dhe nuk e sheh këtë të fundit përmes syve të të tjerëve. Kësisoj, mendimet e Kafkës nuk janë të ndikuar nga vezullimi i lavdisë moisiane dhe ruajnë një vlerë të veçantë:

"1912
3 mars
Më 28 shkurt: tek Moissiu. Shfaqje kundër natyrës. Moissiu është i qetë në pamje të parë; i mban mes gjunjëve shuplakat e bashkuara, sheh ngultas në librin e vendosur lirshëm para tij dhe e le zërin të vijë përmbi ne, me frymën e një vrapuesi.
Akustika e sallës është e mirë. Asnjë fjalë nuk humb, nuk ekziston kurrfarë jehone, por gjithçka shumëfishohet pak nga pak, njëlloj sikur zëri, i zënë kaherë me tjetërgjë, krijon me vonesë një efekt të pandërmjetësuar; fjala fuqizohet në përputhje me virtytet e veta të natyrshme dhe na kaplon. Kësisoj zbulojmë mundësitë e zërave tanë. Ashtu sikundër salla punon për zërin e Moissiut, zëri i tij punon për zërat tanë. Truke të pacipë dhe efekte befasues, që të bëjnë ta ulësh vështrimin përtokë e të cilat s'ke për t'i përdorur asnjëherë: këndon, fillimisht, disa vargje të shkëputur, për shembull "Fli, Miriam, fëmija im", lejon t'i përhumbet zëri në melodi; thotë shpejt Këngë maji, me pamjen e atij që nuk vendos mes fjalësh veç majën e gjuhës; e ndan togfjalëshin November-Wind në mënyrë të atillë që ta lerë erën të shtyhet poshtë, që t'i japë mundësi të ngrihet sërish lart, duke fishkëllyer. Nëse sheh drejt tavanit, vargjet të tërheqin lart.
Poezitë e Goethe-s janë të padepërtueshme për recituesin, çka nuk të shtyn ta shohësh si të mangët këtë mënyrë deklamimi, sepse secila poezi i ndih qëllimit të synuar. Efekt i madh kur, duke recituar si shtojcë Këngën e shiut të Shakespeare-s, rrinte shumë drejt, pa tekst, e shpaloste dhe e bënte shuk shaminë në duar, teksa sytë i shndrisnin. - Faqe rrumbullake e, megjithatë, fytyrë thepore. Flok i butë, të cilin e ledhaton parreshtur, me gjeste të përgjumur. Lëvdatat që kemi lexuar për të nuk na vlejnë nëse nuk vjen çasti ta dëgjosh për herë të parë; më pas ai ngatërrohet me ato që janë thënë për të dhe nuk mund të zgjojë më përshtypje të qarta.
Kjo mënyrë të recituari ulur në karrike me librin përpara, na sjell ndërmend ventrilogjinë. Artisti, në pamje të parë i huaj ndaj këtyre të gjithave, rri në karrike njëlloj si ne; mezi ia shquajmë aty-këtu lëvizjet e gojës, në fytyrën e ulur poshtë; në vend t'i shqiptojë ai vargjet, i le këto të flasin mbi kokën e tij. Megjithëse ishin aq melodi për t'u dëgjuar, megjithëse zëri dukej të udhëhiqej si varka e lehtë mbi ujra, melodia e vargjeve nuk ishte vërtet e kapshme. Disa fjalë shpërbëheshin nga zëri, rrokeshin prej tij me aq brishtësi, sa brofnin përpjetë e nuk kishin më asnjë lidhje me zërin njerëzor, mirpo më pas, i shtrënguar nga rrethanat, zëri shqiptonte një bashkëtingëllore të mprehtë, duke e risjellë fjalën në tokë e duke e mbyllur"[4].

Eftimiu ex machina

Nuk është rasti të peshojmë vlerën e veprës letrare të Viktor Eftimiut, shkrimtar i shquar i rumanishtes, lindur në Shqipëri më 1899, një nga të fundmit autorë evropianë të dramave në vargje. Por duhet thënë se janë të panumurt artistët ballkanas e mbase evropianë që do t'ia kishin zili të paktën jetën. Vërehet me lehtësi se, mes një vepre që mund të kish qenë e jashtëzakonshme dhe një jete që mbeti e tillë gjer në çastet e mbramë[5], Eftimiu zgjodhi e iu përkushtua pa ngurrim të dytës. I mërguar nga Boboshtica në moshën nëntë vjeçare, themelues i një gazete letrare bukureshtase kur s'i pat mbushur ende të pesëmbëdhjetat, - gazetë ku plotësonte i vetëm të gjitha detyrat; - autor i ngritur në qiell pas poemave dramatike "Radhitu, luleshqerrë", "Mjeshtri Manol", "Gjeli i zi", dhe komedive, si "Njeriu që pa vdekjen me sy"; mjeshtër i rrallë dhe i pashoq për nga prodhimtaria, i sonetit (701 copë)[6], i eseve, vëllimeve me kujtime, pamfleteve dhe i thënieve të mbamendshme; gojtar, anëtar i Akademisë së Shkencave të Rumanisë[7], disa herë drejtor i Teatrit Kombëtar Rumun; gentleman, gjahtar zemrash dhe magjepsës i njohur grash (njëfarë perëndie e dashurisë), Eftimiu nuk e diti shqipen, nuk u përzje fort me veprimtaritë dhe grindjet e pafundme për pushtet e emër të një pjese të shqiptarëve të Rumanisë, por nuk u tut t'i ndihmonte, pavarësisht nga hallet që kishin, nga vendi ku jetonin, nga mendimet, - shumica paragjykime të rëndomta ballkanike, - që ushqenin ndaj tij. Por i ndihmoi në mënyrën e vet, pa bujë, pa pritur shpërblim nga askush. Përmendet në mjaft vëllime kujtimesh ajo tryezë e restorantit të famshëm "Capşa" (Kapsha) në zemër të Bukureshtit, tryezë e marrë përjetë me qira nga Eftimiu dhe në të cilën hanin falas shkrimtarë, gazetarë e intelektualë të varfër, që rrezikoheshin të çmendeshin apo të kryenin veprime të pamenduara për shkak të urisë.
Një tjetër dëshmi e patundshme e zemërgjerësisë dhe e përkushtimit të Eftimiut ndaj gjithçkaje shqiptare, është pikërisht ngjarja me Aleksandër Moisiun, fati i të cilit do të kish qenë krejt tjetër, ose thjesht do të ish ndërprerë si me thikë pa ndërhyrjen e heshtur të Viktor Eftimiut[8] nga Bukureshti. Letra e Eftimiut na bën të ditur se Moisiu ishte arrestuar nga autoritetet franceze për arsye jo fort të qarta, por që duket se lidhen me valën antisemite të kohës. Përpjekjet e intelektualëve dhe miqve të Moisiut që banonin në qendër të Evropës e gjetkë, për ta liruar, kishin dështuar. Vetë Eftimiu, pasi fati "ka erdhur në vete", dëshmon:
"Berlin, 12 qershor 1916

Po ik në Zvicër

I dashur mik / ... / Sikurse të njoftoja me telegram, Moissiu u lirua nga francezët. Qe e vështirë edhe ngaqë dy herë u rrek të arratisej dhe e kapën. Kohët e fundit ishte i burgosur në Toulouse. Qeveria e këtushme bëri disa përpjekje për ta liruar, në këmbim të robërve frëngë, por nuk ia doli mbanë. U desh të vinte ndërhyrja nga Bukureshti i gëzueshëm e i paanshëm, që të mund të lirohej. Mund ta përgëzoj veten për këtë sukses të madh, fillimet e të cilit i kam ruajtur në fshehtësi të plotë, që të mos prishej puna. Në atmosferën tonë të helmatisur nuk mund të bësh asgjë. Po të mos heshtja, do të qe komprometuar edhe ndërhyrja e "personit të pushtetshëm" dhe e ish-ministrit Blondel, i cili u soll vërtet si një francez zemërgjerë dhe i dashur. Në teatrin e Reinhardt-it ka bërë përshtypje të thellë lajmi që iu dhashë. Nuk e priste askush që ta shihte sërish aktorin më të madh të tyre e të Gjermanisë. Ishte një gëzim në prag të delirit. Iu thashë se, përveç admirimit tim të madh ndaj Moissiut, ajo që më shtyu të rend anembanë për të, ishte edhe fakti që ai ka prejardhje shqiptare. Ai është nga Durrësi - unë jam nga afër Korçës[9]. Jemi të dy 'arnautë'[10], siç thotë Jorga[11]".
E mbase në shenjë mirënjohjeje, Moisiu kryen në vitin 1921 në Bukuresht një turné mbresëlënës, duke gdhendur një hieroglif shkëlqimtar shqiptarie edhe në kujtesën e aristokracisë rumune[12].

Bukuresht, 2005

_______________________________________

[1] Era e nëntorit - gjerm.
[2] Kjo unazë ish krijuar për nder të dramaturgut e regjisorit të shquar gjerman August Ifland (1759-1814), drejtor i Teatrit Mbretëror Gjerman deri në fund të jetës dhe mik i ngushtë i Goethe-s dhe i Schiller-it. Unaza e Iflandit kishte vlerën e një çmimi artistik. Ishte shenjë mjeshtërie të pakalueshme në fushën e teatrit dhe i jepej atij që pranohej njëzëri si aktori më i shquar gjerman i kohës. Me një gjest që do të bënte shumë përshtypje, Albert Basserman-i e vendosi këtë unazë në arkivolin e Aleksandër Moisiut gjatë ceremonisë mortnore që do të pasohej nga djegia e trupit të tij në Krematoriumin e Vjenës, më 22 mars 1935.
[3] Prozator austriak me prejardhje hebraike, lindur në Çeki (1883-1924), përfaqësues i shquar i prozës botërore moderne dhe "Një nga stilistët më të mëdhenj të prozës gjermane" (Fritz Martini).
[4] Literatura mãrturisirilor / de la Cellini la Malraux, bpt, Bucuresti 1972.
[5] Viktor Eftimiu "nisi të jepte shpirt" në Pogradec, më 3 nëntor 1972, gjatë vizitës së tij të dytë të çmalljes me Shqipërinë. Vdiq "në qiell", në elikopterin e posaçëm që e çonte drejt Bukureshtit. Rreth aksidentit vdekjeprurëse që pësoi në Pogradec, dëshmojnë edhe kujtimet e nipit të tij, aktorit Chiril Economu, që e shoqëroi gjatë të dyja vizitave, në vitin 1971 dhe 1972. Dorëshkrimi i plotë i këtyre kujtimeve, të cilin kam pasur fatin ta lexoj në vitin 1995, - ruhet nga zonja Tihi Cristescu, motër e Economu-t dhe mbesë e Eftimiut
[6] 101 sonete të Eftimiut, shqipëruar nga Kopi Kyçyku, me një pasthënie të Rexhep Ismajlit, janë botuar në vitin 1999 nga Shtëpia Botuese "Dukagjini", me titullin "Sytë e shtatoreve". Është, deri tani, botimi më i plotë poetik i Viktor Eftimiut në gjuhën shqipe.
[7] - së cilës i dhuroi me testament gjithë pasurinë jo të vogël që kishte, pasuri që sot s'dihet ku përfundoi.
[8] Kjo letër që i dërgohet nga Berlini një miku rumun të panjohur për ne, ruhet në arkivin e sekretarit të Viktor Eftimiut, z. Cristian Pãncescu, që i ndejti pranë me përkushtin qysh nga viti 1934 deri në fund të jetës, më 27 nëntor 1972. Pjesë të saj janë botuar edhe në monografinë "Victor Eftimiu", shkruar nga Constantin Mocanu, Shtëpia Botuese "Ararat", Bukuresht 1999.
[9] Në origjinal: Durazzo dhe Coriţa.
[10] Arnãut - rum. Kështu quheshin në Bukuresht, në shekujt XVIII-XIX, truprojet shqiptare që kujdeseshin për personalitetet rumune, princat, ushtarakët e lartë apo pasanikët. Emërtimi, lavdërues, bart e zgjon në ndërgjegjen e rumanishtes vlera trimërie të rrallë, përkushtimi e besnikërie.
[11] Nicolae Iorga, (1871-1940), historian i shquar dhe burrë shteti rumun, zbuluesi i Formulës së Pagëzimit të Pal Engjëllit në Biblioteca Laurentiana të Venecies dhe botuesi i parë i saj në vitin 1915.
[12] Për suksesin e veçantë të këtij turneu kam shfletuar në vitin 1995 një sërë materialesh të arkivit vetjak të z. Alfred Reiner, adhurues i Moisiut, ish-mjek i Operës Kombëtare Rumune.

Viktor Eftimiu - dy udhëtime për një vdekje




Gjysma e shtizës së flamurit

Viktor Eftimiu ndërroi jetë më 28 nëntor 1972, si për nder të Ditës së Flamurit. Qivuri me trupin e pa(këtë)jetë u vendos në sallën qëndrore të Akademisë Rumune më 29 nëntor. Për shtatë ditë me radhë, flamuri i Akademisë ndenji ulur në gjysmë shtizë. Në dhembje e sipër, miqtë e afërt, ish të dashurat e panumurta që u mblodhën nga të gjitha skajet e Evropës, nuk mund të mendonin se ai vdiq nga ndonjë shkak tjetër veç pleqërisë. Së shpejti do të mbushte 84 vjeç. Pas kaq kohësh, duke njohur hollësira ende jo krejt të shpjegueshme, ka pak gjasa që vdekja e Viktor Eftimiut në Shqipëri të jetë një rastësi e kulluar, të paktën nga pikëpamja metafizike.
I lindur më 24 janar 1889, pat mërguar bashkë me familjen nga Boboshtica në moshën 9 vjeçare, hipur mbi një tren që nuk tregtonte mallra dosido, por gurë, shkëmbinj Shqipërie. Vite më vonë, tek çapitej shkëlqimtar salloneve të aristokracisë rumune e pariziane, i pranuar njëzëri si vigan i poemave dramatike, mbase do të qe joshur kalimthi të gjente thelbin simbolik të atij udhëtimi e sidomos të gurëve që nuk iu ndanë deri në Bukuresht. Me pjesën tjetër të gurëve, atë që nuk e pat shoqëruar, do të çmallej gjashtëdhjetë e ca vjet më pas, pó në Boboshticë, i plakur, i përmallur dhe i pagojë nga afrimi shajnitës i vdekjes. Nuk mund të dihet nëse Eftimiu pat ëndërruar të jepte shpirt në vendin që e lindi apo në Bukureshtin ku kaloi jetën, ku provoi lumturitë dhe zhgënjimet e epërme. Duket se, gjatë pjesës më të madhe të kohës, si qënie tejet evropiane, - diku, në kujtimet e veta, vajton kohërat kur kufijtë ishin 'aq të shpirtëzuar' - nuk i vinte ndonjë rëndësi të veçantë vendit ku do të jepte shpirt e ku do ta kishte varrin. E nuk para duket që Vdekja të ketë luajtur në jetën e tij rolin tashmë të njohur që luan në jetën e poetëve në përgjithësi. Me një çiltërsi çarmatosëse, në librin e tij "Kujtime dhe polemika", mes të tjerash, nuk ngurron të shkruajë: "Shpirt i pavarur, i dashuruar pas qartësisë e dritës, optimist, me besim, i gjallë, i etur për aventura, i saktë, i rregullt, përtej çdo ndjesie të errët, unë s'para kam qenë i krijuar për vegime. Nuk kam pasur kurrë ndonjë jetë të brendshme tepër të dendur. Përveç halleve të jetës dhe realizimit ngadhnjimtar të synimeve të mia, nuk kam njohur ankthe të brendshme, dyshime, obsesione, fanatizma, shembje, trallisje e dorëheqje. Kurse poezia është një përqëndrim mjegullash mbushur me rrufé".

Sikur bota të mungonte…



Lasgush Poradecit
në 20-vjetorin e Kthimit
Bukuresht
, 12 nëntor 2007

Gjuha amtare e poetit ka një qarkullim aq të ngushtë, saqë jo pak vetë e pandehin dhe e shpallin të vdekur, ndërsa ajo i mban peng shumë nga bijtë e saj viganë, duke mbetur vetëm e lashtë dhe “e pamëshirshme” si vetë Përkryerja. Sa më mirë ta shkruash, aq më gjatë do të qëndrosh i mbyllur në të. Kjo gjuhë i ngjan një nëne e cila parapëlqen ta mbajë foshnjën në bark, që të mos ia shqyejë bota.

Varrosja për së vdekuri


Varrimi i Poradecit u zhvillua në më të rëndomtin mjedis plot gafa e situata të pakëndshme, tipike në të gjithë regjimet ku vrasja dhe shkatërrimi zenë vendin e vdekjes natyrore, derisa arrijnë ta shndrrojnë këtë të fundit gati në një vepër arti. Telefonatat u lidhën zinxhir gjatë gjithë ditës e natës: zyrtarët shqiptarë nuk vendosnin dot nëse Poradeci duhej varrosur me qivur ngjyrë blu, - si të gjithë njerëzit tanë dhe intelektualët e riedukuar, - apo me qivur të kuq: privilegj i luftëtarëve për ngadhnjimin e komunizmit. Pa qënë i vetmi paradoks i kësaj jete, e kuqja (që synohej njëheresh nga dashuria, e cila pat humbur një nga Kalorësit e saj më të hijshëm) dhe nga komunizmi (që mund të fitonte, në ditën e vdekjes, një idhtar, të cilit nuk ia kish dhënë të drejtën e zgjedhjes gjatë jetës), mbeti në anën e komunizmit, dhe Lasgush Poradeci u vendos në një arkivol ngjyrë blu, u rrethua me lule e kurora, dhe u ruajt nga të dy anët prej shkrimtarësh të realizmit socialist, me shirita të zinj në krah.
Pjesa tjetër e varrimit, sikurse fati i poetit në faqet e kritikës zyrtare, u udhëhoq po prej tyre. Në fakt, nuk kishin humbur pak. Drejt cilit do ta drejtonin ata tani e tutje atë heshtjen e sëmurë, rrënuese, e të mos merrnin asnjë përgjigje të të njëjtit lloj harbutllëku?! Cili mund të ishte tash e mbrapa aq elegant, i qetë ndaj makthit të tyre për t’i dëshmuar oreçast Lexuesit se ai nuk gjallon më, ka vdekur me kohë, njëheresh me poezitë e rinisë dhe me dashuritë e asaj kohe?! Kushedi sa u duhej të prisnin derisa toka shqiptare t’iu bënte dhuratë një tjetër të gjallë kaq të çmuar. Se vërtet komunizmi ishte i pavdekshëm, por ata ishin të vdekshëm. Matanë nuk i priste asnjë jetë tjetër, asnjë botë tjetër, prandaj asnjëri syresh s’mund të pranonte të humbte një fat të tillë: shkatërrimin e një poeti të lindur. Shkatërrimin e përditshëm, të ngadaltë, të vënë në jetë me më të mbrapshtin sadizëm stërgjyshor. E kanë varrosur aq herë me mend, sa tani s’janë më në gjendje ta varrosin nën tokë. Se cila është toka ku mund të varroset Poradeci?!

Vendndodhja: ”Paqja mes popujve” - nga Corneliu Vlad



Me përfytyrimin e atij që mezi pret të mbushë të shtatëdhjetat (pse-në as vetë s’e di), do të thosha që Ardian Kyçyku është, në moshën dyzetvjeçare “edhe një çerek”, - siç do të shprehej Karaxhiale - një shkrimtar gjithaq i ri. Domethënë po aq i ri sa demokracia jonë “emergjente” dhe njëlloj i pjekur (jo, jo, bash plak-plak) si Ballkani. Është i ri ngaqë shkruan vazhdimisht ndryshe dhe plak ngaqë është mjeshtër i madh. Ka qënë fillimisht aed i botës shqiptare, më pas i hapësirës ballkanike, ndërsa tani është universal, i të gjitha hapësirave. Përfshi hapësirat e Jetës dhe të Vdekjes sidhe të kufirit mahnitës që i ndan. Kufirit? Mahnitës? Është vetëm “traseja” prej pesë stacionesh e autobuzit të vjetëruar e të stërmbushur ITB/RATB - me tufa lulesh, kapela, borsalina, pleq e plaka, erëra - që bën një ndalesë në “Shtegun mes hardhive”* dhe stacion të mbramë ka varrezën “Paqja mes popujve”. Është hapësira nga qënia tek mosqënia, por edhe e tranzicionit drejt demokracisë, me ”zërat e ngjirur të udhëtarëve, me kollën apo gëlbazat e thithura mbrapsht, me fytyrat e budallalepsura prej të vdekurish që i zgjon nga gjumi fisku, të themi, zilet e celularëve, copëzat e një muzike të pështirë... E sidomos era e ndyrë. Domethënë: erërat batërdisëse”.
Por fillin ndarës mes trevave të Jetës e të Vdekjes e sheh vetëm e vetëm Ardian Kyçyku. Pikat dhe vijat konvencionale që shënjojnë kufij janë kukullat që “mund të fitojnë një domethënie (por dhe fat) krejt tjetër tek kalojnë nëpër sprovën shpirtërore të lëndës së hirtë e të mendjes njerëzore” për t’u “përkthyer në një tjetër lëndë të parë” (lexoni librin “Vend për një kukull të vetme” dhe do të sqaroheni më mirë). Janë me shpirt apo pa shpirt këto kukulla? As njëra, as tjetra; edhe njëra, edhe tjetra. Gjithsesi, janë/jemi gjallesa/objekte të tranzicionit, sepse, siç shpjegon vajza që i bën kukullat bashkë me të atin, “nuk kemi të drejtë morale të bëjmë kukulla me fytyra tepër të mençura, nganjëherë madje ironike. Që të çlodhet e zbavitet, shoqëria e sotme ka nevojë vetëm për kukulla me pamje idiote. Të cilat u japin mundësi blerësve të ndjehen më pak fatkeqë, më pak të gjymtë, më të zgjuar”. Por pse flasim për letërsi tani, në një moment qytetar kaq përvëlues, në një fushatë zgjedhore me pikësynime kaq të madha? Thjesht sepse nesër a pasnesër do të mbahen mend emri i Kyçykut dhe i disa të tjerëve, jo emrat e llafazanëve dhe të gjithëpranishmëve tejet të fuqishëm të ditës. Nga tekstet e Ardian Kyçykut, ata që do të vijnë pas nesh do të mësojnë më shumë gjëra dhe më të vërteta, se sa nga fjalimet, artikujt dhe programet elektorale kalimtare. Mos vallë do të vrasin mendjen pasardhësit tanë, fjala vjen, për atmosferën zgjedhore, të tranzicionit, për ekonominë e tregut në lindje e sipër? Ja: “Në trungun e një peme rrinë njëra mbi tjetrën afishe të panumurta të harruara e të freskëta kandidatësh për deputetë, reklama koncertesh, shfaqjesh cirku, njoftime martesore, ftesa për të bërë nga një “teke” seks, numura telefonash, njoftime zyrtare të bashkisë, ftesa për terapi qetësimi masiv, fotografi këlyshësh të humbur, shifra, simbole, reklama të një mjeshtri stufash e të një tjetri bravandreqës. Afishet janë zbërdhylur nga shira pleq dhe nga erërat. Portreti i një kandidati është këputur për mesi dhe, në vend të këmbëve, bien në sy kofshët e një valltareje që zhdërvjellet rreth një ushte”.
Një kronikë politike e mbështetur mbi një shkrimtar i cili as që dëshiron të dëgjojë për politikë, kur bëhet fjalë për Ardian Kyçykun, nuk është as oksimoron, as diversion, as moskokëçarje ndaj autorit. Sepse Politika, në fund të fundit, është dhe duhet të jetë, Jeta. Grekët e lashtë shihnin tek politika shkencën, e cila përpiqej të përfytyronte një regjim ideal. Dorë më dorë me jetën. Tash për tash, regjimi i përkryer i ëndërruar me sa duket ndodhet në ndalesën e fundme të autobuzit, në “mjedisin” e quajtur ”Paqja mes popujve”.
* Në origjinalin rumanisht, teksit i A.-Ch. Kyçykut ka edhe kuptimin Shtegu mes të gjallëve.

Marrë nga www.amosnews.ro, 2 nëntor 2009.